Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

Rishfaqet sifilizi, 9 raste zbulohen rastësisht në Tiranë Empty Rishfaqet sifilizi, 9 raste zbulohen rastësisht në Tiranë

Tue 31 Jul 2012 - 13:01
Rishfaqet sifilizi, 9 raste zbulohen rastësisht në Tiranë B_250_200_16777215_00___images_Jete_sifiliziEgla Bardhi

Në Shqipëri është rishfaqur sifilizi, një sëmundje që ishte konsideruar e zhdukur plotësisht para viteve ‘90. Të paktën 9 raste janë konstatuar në Tiranë dhe alarmi fillimisht është dhënë nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal. Egziston frika që numri është shumë më i madh sepse zyrtarë të këtij autoriteti pranuan dje se “të nënta rastet janë diagnostikuar rastësisht dhe janë raportuar nga Qendra Kombëtare e Gjakut”.

Të zbuluar rastësisht

E pyetur dje nga Shekulli lidhur me rishfaqjen e sëmundjes, Drejtoria e Shëndetit Publik të Tiranës i ka konfirmuar 9 rastet e Tiranës. Epidemiologu i Drejtorisë së Shëndetit Publik të Tiranës, Halil Stana tha se janë diagnostikuar “9 raste me sifiliz dhe 19 raste të reja me virusin HIV/AIDS”.

Sipas specialistit të Shëndetit Publik, grupmosha e të prekurve është relativisht e re. Fakti më alarmant është zbulimi në mënyrë rastësore (mbartësit “tradhtohen” nga analiza kur shkojnë të dhurojnë gjak).

"Këto janë nga depistimi pasiv, çka do të thotë se janë zbuluar në mënyrë rastësore. Nëse do të futemi për të bërë një depistim më të madh, sigurisht që do të jetë më i madh ky numër” – tha z.Stana

Ku ndodhet rreziku

I pyetur cilët janë shtresat më në rrezik për mbartje apo prekje nga kjo sëmundje epidemiologu apelon që emigrantët që kthehen për pushime dhe të rinjtë me aktivitet seksual me më shumë se një partener janë kontigjenti më në rrezik: “Ata duhet të jenë sa më të vëmendshëm kundrejt shëndetit të tyre. Sidomos aktiviteti seksual të kryhet i mbrojtur dhe jo me persona të rastësishëm”.

Çdo person që dyshon se mbart sëmundjen duhet t’i drejtohet testimeve falas pranë ASHR-së, ku me anë të kiteve të shpejta diagnostikohen shpejt për ët marrë kurim para se të jetë vonë. Në fazë të avancuar sifilizi shkakton vdekjen.





Shifrat e frikshme

Sifilizi mendohej i zhdukur para 40 vitesh, tashmë është rishfaqur sërish. 9 raste janë zbuluar në Tiranë rastësisht nga dhurimi i gjakut. Bashkë me 9 raste sifilizi, qendra e dhurimit të gjakut, ka raportuar 211 dhurues gjaku të prekur me hepatitin B, 42 me hepatitin C dhe 19 raste të reja me HIV/AIDS



300 dhurues të rrezikshëm gjaku

Në një vit, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut në Tiranë ka përjashtuar rreth 300 persona dhurues gjaku pasi nga analizat kanë rezultuar të prekur prej sëmundjeve seksuale të transmetueshme. Ndërkohë dhe në QSUT dhe ISHP, nga analizat e gjakut janë evidentuar rreth 43 raste me hepatite virale si dhe 19 të prekur me HIV.



10 herë

Çdo person i diagnostikuar me sëmundje seksualisht të transmetueshme si sifilizi, herpesi apo gonoreja, e ka shkallën e riskut 10 herë më të madhe se një person normal për marrjen dhe transmetimin e virusit HIV/AIDS.
Rishfaqet sifilizi, 9 raste zbulohen rastësisht në Tiranë B_250_200_16777215_00___images_Jete_gazmend_bejtja2"Sifilizi u zhduk në '72-shin duke përdorur edhe policinë”


Mjeku Gazment Bejtja, aktualisht drejtor i Shërbimit Parësor dhe specialist i shëndetit publik në këtë intervistë për Shekullin flet për fazën historike të sifilizit shqiptar dhe rishfaqjen e tij.



Dr.Bejtja kur ka qenë periudha më problematike e kësaj sëmundjeje në vendin tonë?

Sifilizi konsiderohet sëmundje e vjetër, sepse është shfaqur mijëra vjet më parë. Në vendin tonë, kulmin, kjo sëmundje e ka pasur në vitet 50-60. Më pas, kjo sëmundje u zhduk pas disa programeve shumë strikte të shtetit të atëhershëm. Pati rregulla detyruese.



Si u zhduk konkretisht?

U deshën më shumë se dy dekada punë me ekipe mjekësh profesionistë që vepruan në gjithë territorin e vendit. Këto ekipe kanë qenë nën drejtimin e mjekut me emër, Kadri Kërçiku. Në vitin 1972 u shënua rasti i fundit në vendin tonë me sifiliz dhe nuk u diagnostikua asnjë rast tjetër deri në vitin 1995. Në ato vite kishte programe të cilat bëheshin me detyrim për të infektuarit.

Çdo i infektuar duhet të merrte mjekimin me detyrim, qoftë edhe duke përdor forcat e policisë. Më pas bëhej gjurmimi i rasteve, çka do të thotë se i prekuri me sifiliz duhej të tregonte të gjithë partnerët me të cilët kishte kryer marrëdhënie seksuale. Më pas, të gjithë partnerët gjurmoheshin dhe mjekoheshin me detyrim. Kështu, pas një pune të gjatë ekipesh të tëra mjekësore, u arrit që të zhdukej. Ishte vërtet një arritje e madhe në fakt.



Këto 9 raste për të cilat po flitet përgjatë çfarë periudhe janë shfaqur?

Brenda 6 muajve të këtij viti në Tiranë.



Është shqetësues nga pikëpamja shëndetësore?

Duhet të them se është shumë shqetësues. Shqetësuese është edhe që janë kapur në mënyrë rastësore, çka do të thotë se numri i tyre mund të jetë shumë më i madh, nëse bëhet depistimi i gjithë popullsisë. Një i infektuar infekton partnerin e tij apo partnerët dhe këta të fundit infektojnë të tjerë e kështu me radhë. Pra fakti që transmetohet nëpërmjet seksit të bën të dyshosh se në vend mund të ketë shumë të tjerë të infektuar, por ende nuk janë zbuluar. Të ndodhur në këto rrethana, çdo shifër të infektuarish është problematike. Duhet të ketë një mbikëqyrje shumë korrekte.



Ka ndonjë analizë, pse kaq shumë raste vetëm në kaq pak muaj?

Nuk mund të themi ndonjë arsye ekzakte se përse u rishfaq kështu. Një ndër arsyet kryesore për mua janë marrëdhëniet seksuale me shumë partnerë njëherësh dhe indiferenca për të përdorur masat mbrojtëse. Tashmë nuk jemi në vitin ’72, ku gjurmimi dhe mjekimi mund të bëhej edhe me polici, sepse sot kjo metodë konsiderohet si shkelje e privatësisë. Unë dua të theksoj këtë që çdo individ sot duhet të jetë i kujdesshëm së pari vetë. Në asnjë mënyrë veçanërisht marrëdhënie seksuale të pakontrolluara.



A ekziston vaksinë kundra sëmundjes?

Jo, nuk ka vaksinë dhe as program të mundshëm për vaksinim të popullatës.

















Epidemitë sifilike në Ballkan dhe dekret-ligji shqiptar i 1949-s


Sifilizi (Syphilis) është sëmundje ngjitëse kronike me ecuri të gjatë, që shkaktohet nga Treponema Pallidum. Prek të gjitha organet e njeriut (sidomos sistemin nervor, kockat dhe organet seksuale). Merret kryesisht me anën e kontaktit seksual, por edhe në rrugë joseksuale.

Endemitë sifilitike në Ballkan janë njohur nga fund i shekullit XVIII dhe në shekullin XIX. Për përhapjen e sifilizit në Shqipëri kanë ndikuar sidomos ushtritë e huaja, trafiku tregtar, emigracioni ekonomik si dhe mungesa e shërbimit mjekësor.

Sëmundja kishte karakter endemik në shumë zona të vendit, sidomos në zonat e thella. Mjekimi bëhej kryesisht nga empirikët me zhivë, jod etj. U hapën disa qendra antiveneriane (Durrës, Tiranë, Elbasan), por puna e tyre mbeti shumë e kufizuar, gjendja e sifilizit u rëndua edhe më shumë.

Lufta kundër sifilizit nisi me miratimin e dekret-ligjit të vitit 1949 nga Kuvendi Popullor “Për çrrënjosjen e sifilizit”. U bë depistimi aktiv i popullsisë (klinik dhe serologjik), kryesisht në zonat endemike, në të sëmurët e shtruar në spitale, gratë shtatzëna, punonjësit e sektorit ushqimor, të komunikacionit etj; u vendos mjekimi i detyruar, menjëhershëm, falas dhe i fshehtë në vatrat e infeksionit; u morën masa antiepidemike të rrepta dhe u ndalua me ligj prostitucioni. Sot në Shqipëri sifilizi është zhdukur krejtësisht.



*Burimi: Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Bot. 1985 – Akademia e Shkencave e Shqipërisë









Nga Hipokrati te Kolombi, dy teoritë botërore për origjinën e sifilizit
Ilir Sinanaj



Nuk dihet me saktësi origjina e sifilizit. Ka dy teori të ndryshme. E para është “Teoria e Shkëmbimeve Kolombiane” dhe e dyta është “Teoria Prekolombiane”. Teoria e parë parashtron se kjo sëmundje u soll në Europë nga ekuipazhi i Kristofer Kolombit dhe Martin Alonso Pinzo.

Ky dyshim është krijuar sepse Kolombi udhëtoi në Amerikë tre vjet përpara se të shpërthente epidemia e sifilizit në Napoli gjatë vitit 1495. (shumë pjesëtar të ekuipazhit të Kolombit ishin vënë në shërbim të ushtrisë franceze të mbretit Karl VIII si mercenarë gjatë rrethimit të Napolit). Kjo teori mbështetet mbi studimet gjenetike të sifilizit venerian dhe lidhjet me sëmundje të ngjashme në Gujana, në Amerikën Latine.

Teoria e dytë parashtron tezën se sifilizi ka qenë i pranishëm në Europë përpara se europianët të zbulonin Amerikën. Disa dijetarë të shek. XVIII dhe shek. XIX besonin se simptomat e sifilizit në formën e saj të tretë janë përshkruar nga Hipokrati gjatë periudhës së Greqisë Klasike. Gjithashtu janë gjetur disa skelete në Pompei dhe Metaponto të Italisë, të cilat datojnë përpara se Kolombi të nisej në Amerikë dhe kanë shenja të prekjes nga sifilizi. Megjithatë, dëshmitë shkencore për këtë tezë janë të dobëta. Historianët dhe antropologët bien dakort me tezën se sifilizi ka qenë i pranishëm tek popujt indigjenë të Amerikës përpara se europianët të udhëtonin në Botën e Re.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi