Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Trishtimi i shatërvanëve të Tiranës Empty Trishtimi i shatërvanëve të Tiranës

Fri 10 Aug 2012 - 22:48
Shatërvanë apo gropa?! Një foto-vëzhgim në shatërvanët publikë të kryeqytetit dhe një intervistë mbi raportin e këtyre objekteve të hershëm me njeriun dhe qytetin Entela Resuli E keni venë re se në Tiranë nuk ka më asnjë shatërvan me ujë? Ndoshta kaloni herë pas here pranë tij dhe ju është mësuar syri, apo ndoshta keni menduar se shatërvanët në qytetin tonë janë të ndërtuar për mos të mbajtur ujë brenda. Por, në fakt, nuk është kjo e vërteta.
“Shekulli” ka bërë një vëzhgim në të gjithë shatërvanët e Tiranës, duke sjellë në këto faqe foto të bëra ditën e djeshme. Nuk kanë asnjë pikë uji. Duke filluar nga ai që është në sheshin “Nënë Tereza”, ku përveç dërrasave sipër tij, nuk ka më asgjë; më pas kemi shkuar tek ai që u trumbetua me shumë bujë si një nga veprat më interesante për qytetin, shatërvani që gjendet në sheshin “Rilindja”, në Zogun e Zi. Zëvendësoi mbikalimin që u prish pasi na kushtoi miliona dhe u shpall si rilindje e asaj zone, por sot është pa ujë dhe në sipërfaqen e tij gjenden edhe disa peshq të ngordhur, të cilët nuk e dimë se si kanë mbërritur deri aty.

Më pas kemi shkuar në Kombinat. Edhe shatërvanin aty e gjetëm bosh. Kemi ardhur te “Pallati i Kongreseve”. I atyshmi mban vetëm një tub të ndryshkur në mesin e tij. Pas Teatrit të Operës dhe Baletit gjetëm një shatërvan që ishte duke u ndërtuar. Na vinte të gërthisnim e t’u thoshim atyre punëtoreve: Mjaft, se edhe ky i shkreti do ketë fatin e sivëllezërve të tij në këtë qytet.

E dinit që banjat publike dhe çezmat janë dy elementet e domosdoshme dhe jetike që identifikojnë qytetet që prej zanafillës së tyre? Tirana është sot një qytet që nuk i ka këto të dyja. Siç thotë Artan Lame, “nëse kohë më parë një shtet ndërtonte një shatërvan, do të thoshte se shteti funksiononte, pasi shatërvani ka disa mekanizma të cilat duhen mirëmbajtur”. Fikja e një shatërvani është fikja e vetë qytetit. Në këtë kohë, në këtë vend, shatërvanët janë pa ujë. Kjo flet shumë.

Donald Kokona

Arkitekt

“Një shatërvan pa ujë? Nga burim gëzimi, kthehet menjëherë në një objekt të përçmuar”

Në pjesën më të madhe, koncepti i vërtetë i shatërvanit (ose i burimit, apo i sipërfaqes ujore) ka lidhje gjithmonë me rekreacionin, domethënë me kohën e lirë që duan të kalojnë njerëzit. Koncepti që ka çdo arkitekt ose urbanist për shatërvanin, ose me saktë imagjinata kolektive që kemi është, një shatërvan në shesh, rreth e rrotull sipërfaqe e shtruar me pllaka për këmbësorë që shëtisin, fëmijë duke vrapuar, stola aty-këtu me njerëz që lexojnë, pemë dekorative të shumëllojshme, ndriçim tokësor dhe të lartë etj. Domethënë një vend për njeriun! Ky element i mobilimit urban nuk duhet të humbë.

Nëse i mungon uji?? Ai kthehet menjëherë në një objekt të përçmuar, që njerëzit mundohen ta shmangin, qoftë edhe pa vetëdije. Arkitekti Donald Kokona, shpjegon në këtë intervistë për “Jetë” në “Shekulli” raportin e veçantë të shatërvanit me qytetin dhe banorët e tij.

Z.Kokona, pse ndërtohet një shatërvan në qytet?

Ndërtimi i shatërvanit në ditët e sotme është kryesisht estetik dhe element dekorativ e zbukurues i ndërthurur me anën funksionale, d.m.th. është freskues dhe çlodhës. Origjina e shatërvanëve vjen komplet si domosdoshmëri. Në qendër të fshatit ose qytezës vendosej një çezme për të pirë njerëzia dhe kafshët e etura. Aty mblidheshin të gjithë, duke u kthyer në një vend takimi dhe pak nga pak në simbol të sheshit. Më vonë, me rritjen e mirëqenies, shatërvanët u bënë simbole estetike, politike, urbanistike, pra e tejkaluan funksionin e së dobishmes. Pas mesjetës, filloi Rilindja, me shatërvanët e saj të gdhendur me skulptura, e më pas baroku, me luanë e kafshë mitologjike që nxjerrin ujë nga vendet më të paimagjinueshme.

Pra, marrëdhënia e shatërvanit me njeriun, domethënë me qytetin dhe banorët e tij, është një raport i hershëm?

Sigurisht. Që marrëdhënia ndërmjet një shatërvani me qytetarët të jetë e suksesshme, mjafton diçka e thjeshtë: uji të jetë i pijshëm. Edhe po nuk qe shumë i bukur sheshi ose shatërvani, kjo lidhje e pandarë ka qenë dhe është garanci për jetëgjatësi. Dikur, por edhe sot, pranë një shatërvani njerëzit freskohen, çlodhen, njihen, ndërveprojnë duke pritur radhën, ndotin më pak ambientin; pinë ujë të pastrehët, kafshët shtëpiake që shëtisim, vizitorët marrin informacione. Edhe nëse nuk ka ujë të pijshëm, por ujë të zakonshëm, prapë shatërvani shërben si element zbukurues e mobilues, estetik për t’u parë e t’u shijuar nga larg. Ama nëse i mungon uji, ai kthehet menjëherë në një objekt të përçmuar që njerëzit mundohen ta shmangin, qoftë edhe pa vetëdije. Shikoni, rrjedha e ujit ka efekt psikologjik të fortë te njeriu.

Efekt psikologjik? Ç’do të thotë kjo?

Të gjitha elementet natyrale: zjarri, uji, toka, era kanë efekte të tilla tek ne. Ju e dini që një element ose objekt që nxjerr flakë, një far, një fener, qoftë edhe një monument, të jep një emocion. Ashtu edhe gurgullima e ujit është një tingull stimulues. Kur je i shpërqendruar të çlodh e të qetëson; dhe e kundërta, kur je i përgjumur, gurgullima sikur të vë në lëvizje. Në mungesë të valëve të detit ose rrëkeve të lumit, në qytetet e lodhshme me beton, gurgullima e një shatërvani rastis të jetë shumë stimuluese.

Çfarë i duhet një shatërvani që të ketë ujë të rrjedhshëm?

Dikur shatërvanët funksiononin me rrjedhje të lirë, domethënë uji vinte nga një nivel më i lartë me kanale dhe mund të pihej. Më vonë, me shpikjen e motopompave, u arrit që uji të qarkullonte në një cikël të mbyllur. Pompat bënë që të arrihej edhe ngjitja e ujit, pra ato rrëketë e forta e të bukura që shohim. Nga ana e ndërtimit dhe sistemimit nuk ka vështirësi; mjafton një projektues me shije që të bëjë një projekt të mirë.

Ka rëndësi vendi ku ndërtohet?

Patjetër. Çfarë kuptimi ka të ndërtosh një shatërvan në mes të një rrethrrotullimi makinash për shembull, që as nuk i afrohesh dot, as nuk e dëgjon dot nga zhurma, ku uji është gri nga pluhuri e tymi? Projektuesi duhet ta vendosë këtë vepër në raportin dhe marrëdhënien më të mirë me sheshin, orientimin, rrugët dhe objektet që e rrethojnë. Pjesa tjetër është vetëm teknologji, ambiente teknike të bollshme, pompa të mira, konsum të drejtë mirëmbajtjeje filtrash etj. Kot nuk thonë: Paraja hedh ujët përpjetë (qesh) Por duhet shtuar një post scriptum: Paraja dhe pak vullnet i mirë!

Në Tiranë ka pak shatërvanë, por edhe ata që janë, nuk kanë ujë. Si e shihni ju këtë me syrin e një arkitekti?

Jo unë, por çdo qytetar i thjeshtë, kur shikon një shatërvan pa ujë, i duket një gjë e trishtë. Si më duket.. Si një skelet i vdekur i diçkaje që dikur gëlonte nga jeta. Për të ardhur keq! Është si gjithmonë vetëm çështje menaxhimi.

Fatsjellës...

Shatërvanët e mëdhenj në sheshet e qyteteve kryesore kudo në botë janë objekte shumë simbolikë. Së fundmi është publikuar një listë tepër e veçantë me shatërvanët më të njohur për shprehjen e një dëshire (fjala është për zakonin e hedhjes së një monedhe fatsjellëse në to). Vendin e parë sigurisht e mban “Fontana dei Trevi” në Romë. Më pas renditen “Pellgu i Qytetit të Ndaluar” në Pekin, “Pellgu i dëshirave” në Hong Kong, shatërvani i “Santa Cueva Covadogna” në Spanjë dhe “Pellgu i Dëshirave” në Upuay të Britanisë së Madhe.shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi