Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
BeSaa
BeSaa
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Kosova
<b>Postime</b> Postime : 11852
<b>Hobi</b> Hobi : leximi dhe muzika
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Ne Zemren Shqiptare..
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 12/11/2011

“Drejtshkrimi i shqipes, pas 4 dekadash ka nevojë të përmirësohet” Empty “Drejtshkrimi i shqipes, pas 4 dekadash ka nevojë të përmirësohet”

Thu 16 Aug 2012 - 22:14
Message reputation : 100% (2 votes)
Nga: REZARTA DELISULA

TIRANE - "Unë në parim jam plotësisht dakord që drejtshkrimi i shqipes, i botuar këtu e 4 dekada më parë, ka nevojë të përmirësohet, të pasurohet e të përditësohet”. Ky është konk-luzioni i profesoreshës Kristina Jorgaqi, për ndryshimin e gjuhës shqipe. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, gjuhëtarja sqaron se si duhet të ndodhin këto ndryshime me propozimet përkatëse.
Prof. Jorgaqi, u bënë disa javë që në media po shkruhet e flitet pa reshtur lidhur me disa ndryshime që kërkohet të bëhen në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe (1973). Shumë lexues, megjithatë, na sinjalizojnë që ende nuk janë shumë të qartë për çka po ndodh realisht.
Sa herë flitet për gjuhë standarde, të mos harrojmë që bëhet fjalë për një varietet gjuhe, që është ndërtuar dhe funksionon sipas normash të përcaktuara në mënyrë institucionale. Këto janë norma që rregullojnë shkrimin, shqiptimin, përdorimin e fjalëve etj, në një gjuhë. Edhe shqipja standarde natyrisht që ka normat e shkrimit të saj, të cilat, për herë të parë u formuluan te Drejt-shkrimi i gjuhës shqipe (1973). Por, mbas afro 40 vjetësh një organizëm shkencor, si Këshilli Ndëraka-demik i Gjuhës Shqipe propozon ndryshimin e disa prej këtyre normave drejtshkrimore.
Çfarë parashikojnë këto norma të reja?
Për të mos u futur në detaje, të cilat nuk janë shumë komode për lexuesin e shtypit, do të mjafto-hesha të thoja se bëhet fjalë për ndryshimin e disa normave të shkrimit të gërmës ë. Konkretisht propozohet që disa kategori fjalësh, të cilat sipas Drejtshkrimit (1973) shkruhen me ë (si burrë, djalë, lumë; anëtar, lojëtar; lajmëtar, pakësoj etj.), të rishkruhen, por tashmë pa ë (burr, djal, lum; antar, lojtar; lajmtar, paksoj etj.). Kurse kategori të tjera fjalësh, të cilat, sipas normave në fuqi, nuk e përmbajnë në shkrim gërmë në (hasm, kopsht etj.), të shkruhen me ë (hasëm, kopësht etj.).
Si motivohen këto ndryshime?
Motivohen, teorikisht, të paktën, me thjeshtimin e rregullave drejtshkrimore të shqipes: Sa më të thjeshta rregullat, sa më të pakta përjashtimet dhe zgjidhjet dyfishe, aq më i lehtë për t’u mësuar e përvetësuar bëhet drejtshkrimi i shqipes.
A mendoni se propozimet e bëra kontribuojnë vërtet për thjeshtimin e drejtshkrimit të shqipes?
Me përjashtim të pak rasteve, që pakësojnë numrin e përjash-timeve, ndërhyrjet e tjera jo vetëm nuk e thjeshtojnë, po, përkundrazi, e komplikojnë edhe më shumë problemin, duke e futur atë herë në rrugë pa krye e herë në rrugë e shtigje tepër të vështira.
Duket disi paradoksale kjo që thoni: Synohet thjeshtimi, por ndërkohë realizohet e kundërta. Si është e mundur?!
Kjo ka ardhur për faktin që anëtarët e komisionin të drejtshkrimit në Këshillin Ndërakademik të Gjuhës Shqipe i janë mbajtur parimit se drejt-shkrimi duhet të pasqyrojë sa më besnikërisht shqiptimin e fjalëve. Që, në rastin konkret, “përkthehet”: ë-ja përgjithësisht nuk do të shkruhet atje ku zanorja ë nuk shqiptohet. Por problemi është se nuk ekziston një shqiptim i vetëm, që do të thotë se ë-ja shqiptohet nga disa kategori folësish, por nuk shqiptohet nga të tjerë. Atëherë cili shqiptim do të merret për bazë apo model për të udhëhequr shkrimin?!
Po mirë, a nuk thuhet se drejtshkrimi i shqipes është një drejtshkrim fonetik?
Pa dyshim që parimi bazë i drejtshkrimit tonë është parimi fonetik, që do të thotë se fjalët shkruhen pak a shumë ashtu siç shqiptohen. Por ka edhe disa parime të tjera, që, edhe pse nuk janë mbizotëruese, janë të pra-nishme dhe kanë ndikuar në zgjedhjen e normave drejtshkri-more të shqipes. I tillë është parimi morfologjik, që nënkupton se, pavarësisht nga mënyra se si shqiptohet fjala, morfemat për-bërëse të saj (temat, prapashtesat, parashtesat, mbaresat etj.) duhet të ruhen të plota në shkrim. Sa për të sjellë një shembull, kujtojmë se fjalën anëtar, vërtet ne e shqiptojmë pak a shumë si [antár], por e shkruajmë me ë, që ta ruajmë të paprekur morfemën anë e në këtë mënyrë të ruajmë edhe integritetin formal të fjalës.
Mos doni të thoni që parimi fonetik duhet t’i lërë vendin atij morfologjik?
Shqipja, si një gjuhë e shkruar vonë, por e kodifikuar apo e normuar akoma dhe më vonë, nuk mund të kishte një tjetër drejt-shkrim përveç atij fonetik. Fillimisht ishte, si të thuash, një zgjidhje “e detyruar”. Por, me kalimin e kohës, në çdo gjuhë, bëhet shumë e vështirë që një drejtshkrim ta ruajë të pastër karakterin fonetik. Për ta realizuar këtë, gjuhëtarëve do t’u duhej të ndërhynin shumë shpesh për të bërë ndryshime, me qëllim që shkrimi i fjalëve të ndiqte e të pasqyronte hap pas hapi shqiptimin e tyre. Kjo, në fakt, përveçse do të kërkonte kohë, energji, para, do ta bënte drejtshkrimin e një gjuhe mjaft të paqëndrueshëm. Mirëpo çka bie ndesh me vetë thelbin e shkrimit e të kodifikimit, që është qëndrueshmëria, stabiliteti, edhe pse relativ.
Si duhet vepruar atëherë në situata të tilla?
Duhet hequr dorë nga prirja për të ndërhyrë thjesht dhe vetëm në emër të pasqyrimit besnik të shqiptimit. Është e pamundur që shkrimi ta ndjekë shqiptimin “këmba këmbës”. Shqiptimi paraqitet me variacione të shumta si dhe priret të ndryshojë shumë më shpejt në krahasim me shkrimin. Në këto kushte i duhet lënë më shumë vend parimit morfologjik. Madje dhe atij historik apo etimologjik, sidomos kur është fjala për shkrimin e emrave të përveçëm me prejardhje nga gjuhë të tjera.
Mesa kuptohet, ju jeni pro ndryshimeve në Drejt-shkrimin e shqipes?
Unë në parim jam plotësisht dakord që drejtshkrimi i shqipes, i botuar këtu e 4 dekada më parë, ka nevojë të përmirësohet, të pasurohet e të përditësohet. Madje këtë mendim e kam shprehur dhe e kam argu-mentuar sa herë kam shkruar, që aty nga mesi i viteve ‘90 e sistematikisht deri sot. Ndërhyrjet për përmirësim përbëjnë një praktikë të njohur në shtetet që e zotërojnë prej kohësh gjuhën standarde. E famshmja Akademia Franceze (1635), sa për t’ju dhënë një shembull, ka ndërhyrë për ndreqje e plotësime drejtshkrimore në frëngjishte mesatarisht thuajse çdo 4 dekada brenda një periudhe treshekullore (1694-1990). Natyrisht që në periudha ndryshimesh të thella shoqërore ka ndërhyrë çdo 15-20 vjet, kurse në periudha më të qeta, çdo 40-50 vjet. Pra, edhe për shqipen çështja e ndërhyrjeve për përmirësim nuk mund të kon-siderohet më si një tabu. Duhet ndërhyrë, por duhen planifikuar në mënyrë shkencore sfera të drejt-shkrimit ku duhet ndërhyrë, masa dhe mënyrat e ndërhyrjes.
Ju çfarë propozimesh konkrete mund të jepnit?
Unë mendoj se duhet të ketë disa përparësi për ndërhyrje dhe konkretisht kjo duhet t’u takojë atyre çështjeve, për të cilat drejtshkrimi i sotëm ose nuk ofron fare zgjidhje, ose zgjidhjet e ofruara janë tashmë të vjetruara, në kuptimin që nuk pasqyrojnë realitetin gjuhësor. Këtu do të përmendja, fjala vjen, çështjen e shkrimit të emrave të huaj të njerëzve e të vendeve, të cilat, sipas Drejtshkrimit (1973), duhen shkruar siç shqiptohen afërsisht në gjuhët nga depërtojnë. Duhet ta pranojmë që zbatimi absolut i parimit fonetik në drejtshkrimin e kësaj kategorie fjalësh është futur në krizë. Këtë e dëshmojnë çdo ditë, prej të paktën 20 vjetësh, me dhjetëra emra të përveçëm të huaj, që shfaqen çdo ditë në media si dhe në botime të natyrave të ndryshme. Në fakt, ajo që duket si një shkelje flagrante e normës që ka përcaktuar Drejtshkrimi, s’është veçse sinjali i qartë se kjo praktikë drejtshkrimore nuk funksionon më, prandaj dhe duhet ndryshuar. Po kështu, duhet rishikuar çështja e shkronjës së madhe, sidomos në emërtimet e përbëra (sa për të dhënë një shembull, do të vijojë të shkruhet ministri i Punëve të Jashtme apo do të rishkruhet Ministri i Punëve të Jashtme, sikurse shkruhet dhe Ministria e Punëve të Jashtme?); shkrimi i një vargu fjalësh të huazuara, që këto dy dekadat e fundit kanë hyrë në përdorim në shqipe (do të shkruajmë, fjala vjen, “bëri dy bajpase” apo “bëri dy bypass” apo “bëri dy by pass-e”?); etj. Pa dyshim që edhe çështja e shkrimit të ë-së duhet rishikuar, por ndërhyrjet duhet të bëhen vetëm atje ku ndjehet vërtet e domosdoshme, me synim thjeshtimin dhe shmangien e parregullsive, duke lënë mënjanë përpjekjet për njësim me çdo kusht.
Në gjithë këtë stuhi dis-kutimesh që është ngritur mbi shkrimin e ë-së, të krijohet përshtypja se shqetësimi i vetëm që ekziston sot lidhur me shqipen standarde, qenka i natyrës drejtshkrimore. A mendoni se ka edhe probleme të tjera, që duhet t’i shqetësojnë gjuhëtarët?
Kjo mori diskutimesh për çështjen e ë-së është ngritur vërtet si një stuhi, por unë do ta konsideroja “stuhi në një gotë uji” përballë “stuhisë” së vërtetë, asaj që mund dhe duhej të ngrihej për problemet e mëdha e të rëndë-sishme, që përbëjnë sfidat e vërteta shoqërisë shqiptare karshi standardit. Shqipja sot, më shumë se asnjëherë, ka nevojë për një kujdes a mbrojtje institucionale, që t’i garantojë asaj përdorimin në ato sfera që janë të zakonshme për të gjitha gjuhët zyrtare të botës.
Ju mendoni që shqipes nuk i garantohet kjo e drejtë?
A i keni parë ato dhjetëra tabela publicitare, të vendosura buzë rrugëve kryesore, të shkruara tërësisht në gjuhë të tjera, po sidomos anglisht? A ju ka ndodhur që të shkoni për të blerë ushqime, solucione për pastrim, produkte kozmetike apo pajisje elektro-shtëpiake të importuara dhe s’keni gjetur as etiketa të përbërësve, as etiketa të mënyrës së përdorimit të përkthyera në gjuhën shqipe? Po thirrjet për tendera e shpalljet e konkurseve të ndryshme nëpër gazeta, të shkruara fund e krye në anglisht, a i keni ndeshur?
Sigurisht. Shpesh, madje.
Ja, pra, këto janë disa prej atyre sferave, ku shqipja, gjuha jonë zyrtare, e shpallur si e tillë edhe në Kushtetutë, nuk përdoret, por ia ka lëshuar vendin gjuhëve të tjera. Duhet ta kemi të qartë se është shteti ai që, përmes strukturave të posaçme, ka për detyrë të sigurojë e të garantojë përdorimin zyrtar të shqipes. Dhe jo vetëm kaq. Po shteti është ai që duhet të garantojë përdorimin e një shqipeje publike të qartë, të kuptueshme, korrekte e në përputhje me normat e përcaktuara. E keni vënë re që edhe në disa raste kur është tentuar që mesazhet publicitare të përk-thehen shqip, ato jo vetëm nuk tingëllojnë shqip, por përmbajtja e tyre është krejt e paqartë? Ç’do të thotë mesazhi publicitar i një birre “Kuqalashe. E kuqe pa turp”?! Si tingëllon për shqiptarin e za-konshëm mesazhi i një pijeje energjike “Nxirre bishën”?! Në rastin më të mirë i pakuptimtë e në rastin më të keq gjithë ekuivoke. Pozita e shqipes në të gjitha këto raste si dhe në shumë të tjera, që për arsye vendi, nuk i përmendim dot, është bërë sa qesharake aq edhe mjerane.
Jemi mësuar, në fakt, që të dëgjojmë shpesh se problemi më i madh që ka shqipja sot, është “mësymja” e saj prej një morie fjalësh nga gjuhë të tjera. A jeni dakord me këtë?
Do të doja fillimisht t’ju kujtoja që dhëniet e marrjet mes gjuhëve kanë qenë e janë një dukuri krejt e natyrshme e shoqërive njerë-zore. Por, në ditët e sotme këto shkëmbime janë shtuar e janë bërë shumë intensive. I kanë favorizuar proceset globalizuese, hapja e kufijve shtetërorë në shumë pjesë të globit dhe, në mënyrë të veçantë, revolucioni i teknologjive të informacionit e të komunikimit (shpikja e internetit, telefonisë celulare, televizionit satelitor etj.). Nuk ka gjuhë sot ku të mos gjejmë, ku më shumë e ku më pak, prurje prej gjuhësh të tjera, sidomos nga anglishtja, e kthyer tashmë në një mjet komunikimi ndërkombëtar. Unë, në të vërtetë, i përkas asaj “lagjeje” gjuhëtarësh që takimet mes gjuhëve i sheh më së shumti si një dukuri me ndikime pozitive. Mjaft të mendosh rolin që luajnë huazimet për pasurimin e një gjuhe. A mund të imagjinohej leksiku kulturor modern i shqipes pa atë pasuri fjalësh të huajtura nga italishtja, frën-gjishtja e anglishtja, të futura shpesh së bashku me konceptet, objektet, institucionet e reja? Janë fjalë që, përveç se pasurojnë gjuhën, ndihmojnë për qar-kullimin e shpejtë të ideve, na e lehtësojnë shumë komunikimin mes evropianësh, pra, na bëjnë t’i marrim e të na marrin vesh pa shumë vështirësi.
Natyrisht që kontaktet mes gjuhëve kanë edhe ndikimet e tyre negative. Është fjala për ato raste kur fjalë të gjuhëve të tjera përdoren pa nevojë, në mënyrë abuzive në një gjuhë tjetër, ndërkohë që kjo e fundit ka fjalët e veta, që janë në përdorim të gjallë e aktiv. Ç’e keqe i vjen gjuhës prej kësaj? Kjo jo vetëm vështirëson komunikimin mes shqiptarëve, por nxit rënien në pasivitet të fjalëve shqipe, duke i hapur kështu rrugën leksikut me burim të huaj. Pikërisht kjo kategori fjalësh duhet të përbëjë shqetësim për përdoruesit profesionistë të shqipes, për planifikuesit gjuhësorë etj.
Sipas jush, huazimi duhet të jetë e vetmja rrugë e pasurimit dhe e modernizimit të shqipes?
E vetmja? Absolutisht jo. Shqipja po pasurohet e do të vijojë të pasurohet në të ardhmen, para së gjithash, përmes mjeteve të saj e, krahas këtyre, në një masë më të vogël, përmes fjalësh e modeleve të fjalëve të huajtura nga gjuhë të tjera. Kur flas për pasurim, këtu kam parasysh jo vetëm leksikun e përgjithshëm, por edhe termi-nologjitë e fushave të ndryshme. Është shumë e rëndësishme që pasurimi këtu duhet të shkojë krahas njësimit e standardizimit. Gjendja është me të vërtetë kritike. Mjaft t’ju kujtoj që për një mjet përbërës të kompjuterit, të cilin e kemi në dorë çdo ditë shumica prej nesh, nuk ka, prandaj dhe nuk përdor një fjalë a term të vetëm: Shumë e quajnë mauz (por e shkruajnë mouse), të tjerë mi, kurse në abetaren e re “është pagëzuar” me emrin miush. Imagjinoni se ç’bëhet me terma e terminologji të shumta që janë sot në përdorim.
Si mund të zgjidhen këto probleme që ka sot shqipja?
Siç i zgjidh sot bota, duke krijuar sa më shpejt një organizëm zyrtar, publik, për të hartuar politika gjuhësore dhe për t’i zbatuar ato përmes një planifikimi të kujdesshëm. Në këtë kuadër një ligj për gjuhën do të përbënte, si e kam shprehur edhe herë të tjera, një gur themeli në investimet e shoqërisë sonë për një vlerë të jashtëzakonshme kombëtare siç është gjuha shqipe.
Krijimi i një autoriteti rre-gullues sigurisht që nuk mund të rezultojë një ndërmarrje e suksesshme, nëse nuk hiqet dorë nga fryma dhe praktikat tona të zakonshme për të përfshirë në institucione të tilla njerëz që nuk janë profesionistë të fushave të duhura, por partizanë e fanatikë të pushteteve politike të radhës, të cilët, siç është dëshmuar e po dëshmohet përherë e më shpesh, e përdorin fanatizmin politik si një koperturë për të mbuluar ambiciet dhe etjen për protagonizëm. Mbi të gjitha duhet të ndërgjegjësohemi se për çështjet e gjuhës kombëtare duhet punuar me një profe-sionalizëm shembullor.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi