Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Calypso
Calypso
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 36630
<b>Hobi</b> Hobi : shkrimi
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne hapat e jetes
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/05/2011

Të gjithë kundër gjakmarrjes  Empty Të gjithë kundër gjakmarrjes

Thu 18 Oct 2012 - 10:33
Gjakmarrja dhe ngujimi, si pasojë e këtij fenomeni nuk është më një problem që duhet ekzaminuar, por për një çështje që duhet zgjidhur, për të mos udhëtuar me shqiptarët rrugës për në Bashkimin Europian. Gjatë një Kuvendi të organizuar në Shkodër nga Avokati i Popullit, zëvendësministri i Brendshëm Nard Ndoka publikoi për herë të parë statistika të policisë lidhur me familjet e ngujuara.

"Nga statistikat që ka Policia e Shtetit rezultojnë 67 familje me vetëkufizim lirie, të ngujuar, ku sipas qarqeve janë: Në qarkun e Shkodrës 48 familje, 39 në Shkodër dhe 9 në Malësinë e Madhe, në Qarkun e Kukësit, 13 familje, në Qarkun e Lezhës 4 familje, në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit nga 1 familje. Persona të ngujuar, persona me vetëkufizim lirie janë gjithsej 135. Fëmijë të ngujuar për shkak të fenonemit të gjakmarrjes nga statistikat rezultojnë 33 të tillë, që nuk frekuentojnë shkollën, si pasojë e gjakmarrjes në të cilat 23 janë të evidentuara nga Qarkun e Shkodrës", tha Ndoka.

Fenomeni i gjakmarrjes dhe i ngujimit është i shtrirë edhe në qytete të tjera dhe ai nuk ka asnjë lidhje me Kanunin, të cilit i atashohet shpesh, pasi në statistikat e Policisë rezulton të ketë edhe gra të ngujuara.

Avokati i Popullit tha se nuk duhet të heshtet për këtë plagë në emër të imazhit, ndaj edhe të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë.

"Nuk është turp nga fenomene negative që gjenden në gjirin tonë, për të cilët nganjëherë me heshtjen tonë i lejojmë të rriten. Për një Shqipëri europiane, për një Shqipëri të vlerave, për një Shqipëri demokratike është turp të heshtësh për këtë fenomen dhe për këtë arsye dhe kjo ishte ndoshta arsyeja kryesore ne kërkuam që të zhvillohej, jo një konferencë, por një Kuvend, ku ne të bisedonim së bashku dhe t'i tregonim njëri-tjetrit dhe ç'kemi mundësi të bëjmë së bashku, për një qëllim të vetëm. E di se është e vështirë, e di se do të jetë rrugë e gjatë, por ne duhet t'i japim fund njëherë e përgjithmonë gjakmarrjes", u shpreh Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Ish-Presidenti Alfred Moisiu tha se të gjithë bien dakord që kjo plagë duhet zhdukur, por pak veprojnë edhe pse dihet se këtë duhet ta bëjnë pikërisht shqiptarët dhe jo të tjerët.

"Këtu ka diçka, ka diçka që nuk shkon edhe shqiptarët duhet ta gjejmë vetë dhe vetë ta rregullojnë. Ne i falenderojmë miqtë tanë për ndihmat, për këshillat, për mendimet që na japin, por këtë punë duhet ta zgjidhim ne si gjithë punët e tjera që na takojnë neve shqiptarëve", tha Moisiu.

Këtij Kuvendi iu bashkuan disa prej njerëzve më të shquar të artit shqiptar, si aktorja Tinka Kurti, aktorët dhe regjisorët Lazër Filipi, Vladimir Prifti, Mërkur Bozgo, Petrit Malaj dhe Sokol Angjeli.Artistja e Popullit Tinka Kurti theksoi se gratë duhet të luajnë një rol më të madh kundër këtij fenomeni.

"Gruaja mund t'i ndalojë, futet në mes të grindjes, qofte vetëm, qoftë me një djep dhe i ndal", tha Kurti.

Ndërsa Artisti i Popullit Lazër Filipi solli në kujtesë mënyrën e qeverisjes nga statutet e Shkodrës për të treguar një traditë të lashtë juridike të këtyre zonave.Ai kërkoi që të gjithë të japin kontributin e tyre, duke përfshirë edhe artistët, për t'i dhënë fund këtij fenomeni kriminal që nuk ka asnjë lidhje me Kanunin, por që po shkakton plagë të mëdha në shoqërinë shqiptare.

Ndërsa regjisori Vladimir Prifti tha se trajtimi i temës së gjakmarrjes nga artistët është një kontribut që vlen, por sot arti, sipas tij, po shkëputet nga jeta reale dhe gjakmarrja është një prej këtyre realiteteve që duhet të jetë në fokus.

Gazetari dhe drejtuesi i lëvizjes Alternativa Civile, Mentor Kikia, theksoi si një nga konkluzionet e këtij Kuvendi është organizimi i një koalicioni civil, për të denoncuar publikisht krimet e gjakmarrjes dhe ngujimit.

"Ne do të ngremë një koalicion me Avokatin e Popullit, organizatat e shoqërisë civile, mediat, për të denoncuar çdo element që ka të bëjë me gjakmarrjen dhe ngujimin. Nëse diku ndodh një krim për gjakmarrje, të mos mjaftohemi vetëm me faktin që të themi që kjo ishte një vrasje për gjakmarrje, por çdo krim për gjakmarrjen ta marrim dhe ta bëjmë çështje, ta bëjmë lajtmotiv të protestës sonë dhe të reagimit tonë qytetar, në mënyrë që të vëmë përballë përgjegjësisë strukturat e shtetit. Të marrim çdo informacion të mundshëm që ka të bëjë me fëmijët e ngujuar dhe t'i bëjmë ata çështje publike, duke zgjuar në këtë mënyrë edhe vetëdijen qytetare për t'i kërkuar llogari shtetit që ka përgjegjësinë për t'u përgjigjur", tha Kikia.

Sipas organizatorëve ky Kuvend do të pasohet nga lëvizje të tjera të intensifikuara për të shtyrë organet e shtetit të veprojnë, veçanërisht organet e drejtësisë për të hetuar rastet e familjeve të ngujuara.

Të gjithë kundër gjakmarrjes  KUVENDI-GJAKMARRJA-17_tn_53
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi