Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
i panjohur
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 19172
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne krahet e saj
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/02/2012

''Gjarperi i haurit'',politikani me aksidental i tranzicionit Empty ''Gjarperi i haurit'',politikani me aksidental i tranzicionit

Thu 25 Oct 2012 - 22:24
“Gjarpri i haurit”, nënkryetari i PD-së, politikani më aksidental i tranzicionit

''Gjarperi i haurit'',politikani me aksidental i tranzicionit Sali-Berisha-Astrit-Patozi-mbledhje-grupi


Një nga misteret e mëdha të PD-së është ajo që mund të quhet marrëdhënia preferenciale e Sali Berishës me Astrit Patozin. Për këtë gjë ka shumë hipoteza në PD, por asnjëra prej tyre nuk ngjan të jetë bindëse. Më bindëse duket ajo që do të tregoj unë më tutje, në këtë shkrim. Sali Berisha, si pjesa më e madhe e njerëzve që kanë lindur dhe janë rritur në fshat (ai ka jetuar në fshat deri në moshën 14 vjeç) është njeri supersticioz. Fshatarët përgjithësisht janë njerëz më supersticiozë se qytetarët. Marrëdhënia preferenciale e Berishës me Patozin ka të bëjë me emrin e këtij të fundit, i cili bën që të evokohet në mendjen e Berishës një supersticion i fëmijërisë së tij, ai i “gjarprit të haurit”.

Një bashkënxënës i Sali Berishës, në shkollën shtatëvjeçare në Tropojë, i cili është dhe ithtar i flaktë i këtij të fundit, më tregonte një herë një ngjarje nga jeta e kryeministrit, me të cilën kërkonte të tregonte guximin që kishte ai që në adoleshencë. Sali Berisha, në moshën 11 vjeç, me anë të një shkopi të bigëzuar në majë, pati kapur në ahurin e shtëpisë së tij në gjarpër, të cilit ia kishte hequr dhëmbin helmues dhe pastaj e mbante në ahurin e shtëpisë, në një qyp. Në të vërtetë, Berisha arriti që ta kapte gjarprin se ai ishte plak dhe lëvizte me vështirësi.

Gjithsesi, me këtë gjarpër Berisha i mahniti fëmijët e fshatit, të cilët e shikonin si një lloj magjistari që luante me zvarranikun e frikshëm.Në vitin 1958, siç ka pohuar edhe vetë Berisha në një intervistë mbi jetën e tij në emisionin “Opinion” të Fevziut (kjo intervistë është botuar dhe në librin e Fevziut me intervista, me titull “Jeta ime”), atij iu dha e drejta e studimit për diplomaci në Bashkimin Sovjetik, në një shkollë të mesme, nga e cila më tutje shkohej drejtpërdrejt në shkollën më elitare të diplomacisë në vendet komuniste, në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë. Berisha, në intervistën e tij, e ngatërroi disi këtë histori, se në të vërtetë nuk kishte shkollë të mesme për diplomaci, por kjo ishte një shkollë e posaçme për gjuhë të huaja, ku studentët e ardhshëm për diplomaci mësonin dy-tre gjuhë të huaja, të cilat siç dihet janë të domosdoshme për një diplomat.

Berisha ishte caktuar të mësonte arabisht. Por, siç ka thënë Berisha në këtë intervistë, atij ia hoqën këtë të drejtë studimi dhe i dhanë atë për shkollën e mesme mjekësore në Tiranë. Natyrisht se e drejta e studimit në shkollën e mesme të posaçme të gjuhëve të huaja, që të siguronte një biletë paraprake për në shkollën e diplomacisë, ishte shumë e lakmuar nga njerëzit e nomenklaturës komuniste, kështu që nuk është çudi që djalit fshatar nga Tropoja ia rrëmbyen në ajër atë. Çudia është se si ndodhi që atij ia dhanë atë.

Nejse, Fevziu nuk e pyeti për këtë gjë. Berisha e pa këtë ngjarje nga pikëpamja supersticioze. Një ditë para se të merrte lajmin se ia patën hequr të drejtën e studimit për në shkollën e mesme në Bashkimin Sovjetik, Berishës i ngordhi gjarpri plak. Saliu u mërzit shumë, se mendonte që gjarpri i pati sjellë fat. Kjo ngjarje pati ndodhur në vitin 1958.Sali Berisha do ta gjente gjarprin e haurit rreth katër dekada më pas, kur ishte President i Republikës. Këtu është dhe zanafilla e karrierës së çuditshme politike të Astrit Patozit. Një ditë, në verën e vitit 1995, Sali Berisha, kishte ftuar në rezidencën shtetërore në Dajt disa gazetarë të shtypit afër tij.

Mero Baze kishte marrë edhe mikun e tij Astrit Patozin. Kjo ishte hera e parë që Patozi gjendej në një takim të tillë me Berishën. Ky ishte një nga rastet kur Berisha kërkonte të tregonte erudicionin e vet. Duke diskutuar për kuptimin e një fjale, Berisha hapi fjalorin e gjuhës shqipe. Duke kërkuar në fjalor, Berishës i zunë sytë fjalën “patoz” në fjalor. Sipas fjalorit, kuptimi i fjalës “Patoz” është: “Ahur, katua (zakonisht për bagëtinë)”. (Fjalori i Shqipes së Sotme, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1984, f. 869)Në këtë moment Berisha e vështroi me kureshtje Astrit Patozin, të cilit deri më atëherë nuk i pati kushtuar asnjë lloj vëmendjeje.

Berisha u intrigua se ai, si fshatar e dinte pak a shumë kuptimin e emrit “astrit”. Duke qenë se Berisha e kishte fjalorin në dorë, ai kërkoi dhe fjalën “astrit”, që sipas fjalorit do të thotë: “Gjarpër i madh me ngjyrë të verdhë e me pika që është shumë i shpejtë”. (Fjalori i Shqipes së Sotme, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1984, f. 39)George Gordon Byron (Bajroni), tek “Don Zhuani” ka thënë se e vërteta është më e çuditshme se çdo trillim. Sipas fjalorit të gjuhës së sotme shqipe emri dhe mbiemri i Astrit Patozit do të thotë “Gjarpri i Ahurit”. Berisha u mrekullua njëlloj sikur të kishte hyrë befas në dhomë duke u zvarritur gjarpri i haurit që pati ngordhur 37 vite më parë në katundin e tij, Viçidol, në Tropojë.

Ana supersticioze e natyrës së Berishës, e bindi se kjo ishte një shenjë e fatit. Në këtë moment u vulos dhe karriera e Astrit Patozit. Më pas, gjatë bisedës Ylli Rakipi, i cili gjendej atje, foli me Berishën për gazetën “Albania”, e cila do të fillonte të botohej pak javë më pas, si kundërpeshë ndaj gazetës opozitare “Koha Jonë”. Kur po diskutohej se cili do të ishte kryeredaktor i gazetës (këtë post e kërkonte Mero Baze), Berisha befasisht tha një nga ato gjërat që i habisin ata që mendojnë se e njohin.-Pse jo Astrit Patozin, Ylli, është gazetar i shkëlqyer, padyshim!-Meqë e thua ti Doktor, ka marrë fund!- tha Ylli Rakipi, i cili dukej i habitur që Berisha e quajti Patozin “gazetar të shkëlqyer”, por më i habituri nga të gjithë të pranishmit dukej vetë Patozi, njeriu për të cilin u bë ky cilësim.

Kështu filloi karriera e veçantë e Astrit Patozit. Berisha duket se harroi që Kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi, i cili do të jepte një pjesë të parave për gazetën “Albania”, kërkonte që, meqenëse Berisha kishte caktuar drejtorin e gazetës, Ylli Rakipin, kryeredaktori të ishte njeriu i Bukoshit dhe ky të ishte Nexhmedin Spahiu, një gazetar shqiptar i Kosovës me banim në Tiranë. Duket se Berisha i besoi aftësisë së Yllit për ta zgjidhur këtë problem.-Tani ti e dëgjove Doktorin, – i tha Ylli Rakipi, Astrit Patozit kur dolën,- ti do të jesh Kryeredaktor, ka marrë fund kjo punë, por të kërkoj të më bësh një nder. Sa të marrim paratë nga Bukoshi, do të bëj kryeredaktor Nexhi, nja dy javë do të vazhdojë kjo punë, pastaj e largojmë Nexhin me anë të Gazidedes dhe vendin e tij e zë ti.

Doktorin nuk kemi pse e mërzisim me këto vogëlsira.“Gjarpri i haurit” ishte dakord. Si kryeredaktor i gazetës “Albania”, “Gjarpri i haurit” ishte një dështim total dhe ai u bë anekdotik, si atëherë kur desh të vidhte paratë që Rrapush Xhaferri kishte dërguar për Ylli Rakipin. Rrapush Xhaferri e kishte zakon që paratë t’i dërgonte në një arkë me rrush, ku tufat me para qenë poshtë bistakëve të rrushit. Astrit Patozi, kur Rrapush Xhaferri i solli arkën me rrush për shefin (Yllin), ndonëse iu tha se atë nuk duhet ta prekte kush, si njeri i pangopur që është deshi të hante një bistak me rrush. Astriti mendoi se Rrapushi kishte ngatërruar arkën dhe në vend që t’ i çonte Yllit arkën e mbushur vetëm me rrush, i kishte çuar atë të mbushur përgjysmë me para.

Kështu që, Astrit Patozi doli nga zyra, bleu disa kg rrush dhe pasiqë mori paratë nga arka, e mbushi atë krejt me rrush. Kur erdhi Ylli Rakipi në redaksi dhe mori porosinë, ai mendoi se Rrapushi kishte bërë shaka, duke i dërguar një arkë vetëm me rrush, në vend të asaj që duhej të kishte para poshtë bistakëve të rrushit. Ylli i telefonoi Rrapushit dhe i tha se kishte ngatërruar arkën. Rrapushi betohej se i kishte dërguar arkën e duhur. Atëherë Ylli, i cili e kuptoi si ishte puna, thirri Astritin dhe i kërkoi paratë.

“Gjarpri i haurit” u përdrodh sa u përdrodh, belbëzoi, u djersit, vërshëlleu, por më në fund u detyrua që të nxirrte paratë, të cilat i kishte rrasur në astarin e shqepur të xhaketës, një metodë që e kishte perfeksionuar qëkurse vidhte në ndërmarrje në Kavajë.-Ç’t’ i bëj Doktorit që ka një dobësi të pashpjegueshme për ty, se e dija unë çfarë të bëja, – i tha Ylli.Pasditen e 12 marsit 1997, Astrit Patozi, pasiqë doli nga zyra e Berishës në Presidencë së bashku me Mero Bazen, e kuptoi se situata ishte bërë tejet e rrezikshme kështu që vendosi të ikte të fshihej në Kavajë, nga ku kishte ardhur në Tiranë, në 1992-n, dhe pastaj që nga Golemi të ikte në Itali me ndonjë gomone.

Astrit Patozi kishte arsye përse të frikësohej. Atij i kishte rënë në dorë një listë e zezë me emra gazetarësh pranë Presidentit Berisha, ku gjendej dhe emri i tij si i dënuar me vdekje, përkrah emrit të mikut të tij Mero Bazes.Në cep të murit rrethues të Presidencës, Patozi takoi një ushtar të Gardës së Republikës nga Kavaja që duhej të ishte roje në Presidencë, por që ishte duke pritur muzgun për të dezertuar së bashku me armën e shërbimit. Patozi, i cili nuk donte të udhëtonte vetëm, po kërkonte ta bindte që të largohej menjëherë, duke i thënë që të hynte në veturën e tij, që do ta afronte atje. Sali Lusha me njerëzit e tij, që atë ditë patën marrë në mbrojtje selinë e Presidentit, e dëgjuan bisedën e tyre dhe e kapën Astrit Patozin, e shanë duke e quajtur tradhtar, dhe filluan ta rrahin malësorçe.

Nëse nuk do të kishte ndërhyrë Mero Baze që shkoi dhe njoftoi Berishën, Patozit nuk do t’i qenë rregulluar eshtrat për nja pesë legjislatura, dhe nuk do të mund të ishte ende në gjendje për të qenë deputet. Kur Mero Baze i tha Berishës se nëse nuk do të ndërhynte në moment Astrit Patozi do t’ u mbeste në dorë i vdekur rojeve të Presidencës, Berisha këtë e përktheu në mendjen e tij: Në një ditë të tillë edhe kjo më mungon, që të më ngordhë përsëri “Gjarpri i haurit”. Sigurisht që, Berisha nuk mund ta lejonte këtë gjë, kështu që “Gjarpri i haurit” shpëtoi dhe u zvarris në Kavajë. Kur Mero Baze i telefonoi të nesërmen në celular, Astrit Patozi i tha nga Kavaja se ishte duke shkuar për të hipur në gomone dhe e këshilloi të vinte dhe ai me të.

Biseda u bë anekdotike kur Mero Baze i tha me shpërfillje tipike labe: Po kthehu a i vrarë, se atë listën e kam bërë unë për t’ i trembur nja dy nga ata pushtat!Tetë vite më pas, kur PD u rikthye në pushtet, “Gjarpri i haurit” gjeti rastin të pickonte me dhëmbin me helm, duke shkruar në gazetën “RD”, ku ishte Kryeredaktor, se Sali Lusha ishte kthyer në Shqipëri për të bërë trazira. Por kjo ndodhi më pas. Në maj 1997 kur dhanë njëri pas tjetrit dorëheqjen dy kryeredaktorë të gazetës së PD-së, “Rilindja Demokratike”, Berisha e bëri “Gjarprin e haurit” kryeredaktor të RD. “Gjarpri i haurit” qëndroi në këtë post ndonëse tirazhi i gazetës ishte në rënie të lirë. Shumë njerëz i kërkonin Berishës që ta largonte Patozin, por Doktori i dëgjonte në heshtje dhe nuk fliste. I vetmi shpjegim për këtë sjellje të Berishës është se Doktori e shikonte redaksinë e “RD”-së që gjendej në katin e poshtëm të selisë së PD, haurin e shtëpisë së tij në Viçidol dhe Kryeredaktorin si “Gjarprin e haurit”.

Berisha mezi e kishte gjetur “Gjarprin e haurit” dhe ata i kërkonin që ta largonte! Kjo nuk do të ndodhte kurrë. Berisha dhe “Gjarpri i haurit” do të qenë një çift i pandarë në PD. Berisha mund të bënte pa Azem Hajdarin, pa Genc Pollon. Le të ikte kush të donte. Por vetëm “Gjarpri i haurit” të mbetej atje. Kjo ishte çështje supersticioni. Berisha e kishte “Gjarprin e haurit” në vend të Shkëlzenit, i cili gjendej larg në Suedi.“Gjarpri i haurit” ishte në drejtimin e gazetës RD që nga maji i vitit 1997, deri në shtator 2007, pra për më tepër se dhjetë vjet.

Siç shihet, Patozi e theu dhe rekordin e Fadil Paçramit, në drejtimin e “Zërit të Popullit” (9 vjet), duke arritur një rekord personal që vështirë se do të arrihet në shtypin shqiptar në të ardhmen. Rekordi i Patozit është paradoksal se, Patozi është kryeredaktori që e ka çuar tirazhin dhe nivelin e RD në kuotat më të ulëta, që ka njohur kjo gazetë. Në 21 vite të ekzistencës së saj RD ka pasur dhjetë kryeredaktorë: Frrok Çupi, Napolon Roshi, Mitro Çela, Bashkim Trenova, Filip Çakuli, Lazër Stani, Edi Paloka, Xhevat Mustafa, Astrit Patozi, Blendi Kasmi, nga të cilët, në vitet 1991-1997 kanë qenë tetë të parët, ndërsa në vitet 1997-2007, ka qenë i nënti, Astrit Patozi. Pra, Astrit Patozi u bë “I nënti në bronz” në RD, po të parafrazoj atë titullin e filmit të kohës së komunizmit. Por, nëse “Gjarpri i haurit” u bë një “monument prej bronzi” në RD, vetë gazeta u bë një mbetje ndryshku e asaj çfarë ka qenë dikur. Patozi ia doli me sukses që ta bëjë gazetën RD të palexueshme.

Faji më i madh i Patozit ishte se nën drejtimin e tij gazeta “Rilindja Demokratike” nuk arriti as që të bëjë atë gjë minimale që bënte “Zëri i Popullit”, duke dalë me tituj bombastikë në faqe të parë, që ishin të kalkuluar për të qarkulluar si parulla që përhapen lehtë, duke qenë se gazetat lexohen në televizione çdo mëngjes. Asnjë nga titujt e RD nuk e godiste lexuesin për ta bërë atë që ta qarkullonte titullin në biseda gjatë ditës. Nëse PS do ta kishte në dorë që të caktonte kryeredaktorin e gazetës të PD, në mënyrë që kjo gazetë të shkonte poshtë e më poshtë, me siguri që do të kishte zgjedhur një njeri si “Gjarpri i haurit”. Ai e çoi RD-në në rënie të lirë, jo vetëm nga paaftësia, por edhe nga abuzimet.

Ai gjatë gjithë kohës që PD ishte në opozitë ankohej se i mungonin lekët për të paguar bashkëpunëtorët, dhe për të afruar njerëz që të shkruanin, se nuk i jepnin reklama, por e vërteta është se RD-së nuk i kanë munguar lekët, pasi shumë biznesmenë i kanë ofruar lekë gazetës së PD gjatë kësaj kohe, por i kanë kërkuar që mos t’ u dalë emri atyre dhe firmës së tyre, që mos të persekutoheshin nga pushteti i majtë. Duke përfituar nga kjo gjë Patozi i fuste në xhep pjesën më të madhe të këtyre lekëve, duke e lënë bosh arkën e gazetës. Ndonëse “Gjarpri i haurit” mburret se është një gazetar i madh, se ka qenë drejtues dhe analist i disa gazetave të përditshme të rëndësishme, ai nuk ka botuar as edhe një libër me përmbledhje të shkrimeve të tij në shtyp. Merret vesh, “Gjarpri i ahurit” me këtë na ka dhënë të kuptojmë se ai është i vetëdijshëm që shkrimet e tij janë krejt pa vlerë.

Pas ardhjes së PD-së në pushtet, në 2005, “Gjarpri i haurit” arriti rekordin qesharak që ai ka emëruar më shumë njerëz në punë të ndryshme, kryesisht në tatime, dogana, Policinë Rrugore, diplomaci, por edhe shëndetësi, arsim etj., se sa ishte numri i lexuesve të gazetës RD, të cilën ai e drejtoi deri para një muaji.Në 12 shtator 1998, në momentin kur u vra Azem Hajdari, “Gjarpri i haurit” gjendej në një nga ato kioskat-kafene që ishin përreth selisë së PD, dhe që ishte fare pak metra larg vendit, ku qëndronin vrasësit. Kur u dëgjuan krismat, dhe u derdh gjak, “Gjarprit të haurit” i ra të fikët. Kështu që Berishës gabimisht i shkoi lajmi në moment se ishte vrarë edhe Astrit Patozi. Lajmi për vrasjen e “Gjarprit të haurit” e brengosi më tepër Berishën, se këtë e pa si shenjë të fatkeqësisë së plotë. Ata që ishin në kioskë, e kontrolluan në trup Astrit Patozin për plagë, dhe meqenëse i patën fikur dritat për arsye sigurie, u gabuan.-M’u lag dora,- tha një nga ata që po e kontrollonin trupin e Patozit dhe shtoi,- por nuk qenka gjak…“Gjarpri i haurit” thjesht kishte pshurrur vetveten nga frika.Berisha i plotësonte çdo dëshirë “Gjarprit të haurit”.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, Berisha i lejoi “Gjarprit të haurit” që ta zgjidhte vetë zonën elektorale dhe ai zgjodhi një zonë në Kavajë, të konsideruar e sigurt nga PD-ja. Patozi e zgjodhi këtë zonë elektorale në kufi me zonën e mikut të vet të ngushtë, Mero Bazes në Durrës dhe ata të dy e bënë fushatën bashkë. Patozi humbi në këtë zonë dhe për këtë ai akuzoi socialistët sikur ia vodhën votat, por e vërteta është se çifti Patozi-Baze kishte bërë emër të keq në atë zonë, për shkak të aferave të pista të tyre, me vila të ndërtuara në bregdet me paratë e firmave piramidale. Si shpërblim për humbjen e zonës së sigurt, Patozi, në Kuvendin e PD-së të dhjetorit 2001, u bë anëtar i Kryesisë së PD-së.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, gazeta RD ishte në nivelin më të ulët historik, e megjithatë “Gjarpri i haurit” u bë anëtar i kryesisë së PD dhe kandidat për deputet në një zonë të sigurt, në Vorë, ku edhe fitoi, me 51% të votave të 52% të zgjedhësve që morën pjesë, kur të gjitha të dhënat në atë zonë ishin për një rezultat shumë më të lartë. Kur Bamir Topi la postin e nënkryetarit të PD, se u bë President i Republikës, në 2007, Berisha vendosi në këtë post “Gjarprin e haurit”. Dikur perandori roman Kaligula e bëri kalin e tij senator. Berisha e ka bërë “Gjarprin e haurit” deputet dhe nënkryetar partie. Në zonën elektorale ku u bë deputet “Gjarpri i haurit” në 2005, ishte dhe Gërdeci. Donatori kryesor i fushatës zgjedhore të “Gjarprit të haurit” ishte Mihal Delijorgji, fabrikanti i vdekjes në Gërdec.

Shpërthimi në Gërdec ndodhi pikërisht në legjislaturën kur “Gjarpri i haurit” ishte deputet i Gërdecit. Njerëz, të cilët kanë qenë pranë Berishës në ditën e shpërthimit në Gërdec, në 15 mars, tregojnë se Doktori nuk u brengos aq kur mori lajmin e shpërthimit të Gërdecit, se sa kur i erdhi lajmi që më pas doli i rremë, se nga shpërthimi në Gërdec qe vrarë edhe Astrit Patozi, i cili qe vizitor jo i rrallë i fabrikës së Delijorgjit si mik i këtij të fundit. Qartësisht, Berisha ka menduar se me vrasjen e “Gjarprit të haurit” atij do t’ i fillonte zinxhiri i fatkeqësive.“Gjarpri nuk i tregon këmbët” thotë një proverb.

“Gjarpri i haurit” fsheh datëlindjen dhe vendin e origjinës. Në faqen on-line të Kuvendit të Shqipërisë, ku jepen jetëshkrimet e deputetëve, që janë bërë sipas të dhënave të paraqitura nga vetë deputetët për veten, në vetën e tretë, si datëlindje jepet 22 korriku i vitit 1964. Këtu e vërtetë është vetëm data dhe muaji, por jo viti. Gjarpri i haurit e pohoi vetë këtë gjë, në qershor të këtij viti, kur ishte i ftuar në emisionin e Blendi Fevziut për Kampionatin Europian të futbollit, si tifoz i Gjermanisë. I pyetur nga Fevziu se qëkurse ka nisur t’ i ndjekë kampionatet europiane të futbollit, Patozi u përgjigj se këtë e kam bërë që në vitin 1972, në moshën 10 vjeç.

Me këtë “Gjarpri i haurit” përgënjeshtroi vetveten, se na zbuloi që ka lindur në 1962 dhe jo në 1964. Por një burri që ka divorcuar gruan ndoshta i falen këto gjëra, se “Gjarpri i haurit” po mendon për një martesë të re. Në jetëshkrimin zyrtar të Patozit mungon dhe vendlindja. “Gjarpri i haurit” ka lindur në Çermë të Kavajës (jo në Çermë të Lushnjës), ku i ati i tij ishte mësues. “Gjarprit të haurit” nuk i pëlqen që të përmendë si vendlindje as Çermën, as Kavajën.

Jetëshkrimi zyrtar i “Gjarprit të haurit” në faqen on-line të Kuvendit të Shqipërisë është shkruar në stil gjarpëror. Ai fsheh jo vetëm datëlindjen dhe vendlindjen, por edhe datat e shkollimit të tij, domethënë se kur i filloi dhe i përfundoi studimet universitare për gjuhë-letërsi, të cilat i bëri me korrespondencë. Ndonëse Patozi shtiret si proamerikan i madh, ai nuk parapëlqen që të imitojë kongresmenët dhe senatorët amerikanë, të cilët e kanë për krenari të thonë në jetëshkrimin e tyre se kanë kryer shërbimin ushtarak. Patozi nuk thotë se jetëshkrimin e vet zyrtar se e ka kryer shërbimin ushtarak.

Duket se këtë gjë e bën për shkak se i rëndojnë disa punë që i bëri në ushtri, dhe që e ndihmuan të fitojë të drejtën e studimit për gjuhë-letërsi me korrespondencë. Ky lloj gjarpri është zvarritur në shumë “ahure”.Në fushatën për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, kur Berisha e vuri “Gjarprin e haurit” të parin në listën e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Vlorës, gjatë takimeve elektorale në Vlorë, “Gjarprin e haurit” e pyetën me ngulm vlonjatët se çfarë lidhjeje kishte ai me Vlorën.

Atëherë “Gjarpri i haurit” tha si me gjysmë zëri se ai e kishte origjinën nga fshati Sevaster i Vlorës (më saktë Kudhësi i Sevasterit). Por megjithatë “Gjarpri i haurit” nuk parapëlqen që të thotë se është vlonjat. Unë ia mirëkuptoj hallin. Në Vlorë e kuptojnë origjinën e mbiemrit “Patozi”. Këtë mbiemër e merrnin ata muratorë që punonin për ndërtimin e haureve. Mjeshtrat që ndërtonin shtëpi, e kishin për turp të ndërtonin haurin dhe atë punë ua linin ndihmësve të tyre evgjitë, ndryshe jevgj, të cilët sot quhen egjiptianë.

Merret vesh, paragjykimet e kohës. Këtyre ndihmësmuratorëve që ndërtonin ahure, të quajtur ndryshe patozë, u mbetej mbiemri “Patozi”. Prej këtej dhe origjina e mbiemrit të Astrit Patozit.Personazhi kryesor i rubrikës satirike të Mero Bazes, “Flamuri” (sot ministër i Punëve të Brendshme) prej kohësh ankohet se përse Astrit Patozi nuk është kurrë personazh i kësaj rubrike. “Flamuri”, qartësisht aludon se vazhdon ende miqësia e Meros me “Gjarprin e haurit”.

Një i njohuri im që e ka njohur Sali Berishën në fëmijëri më ka thënë se një herë i ka thënë atij me shaka, gjatë një loje: “Të pickoftë gjarpri i haurit!” Duket se kjo shaka doli profetike, se “Gjarpri i haurit” po e pickon Berishën me anë të rubrikës satirike të Mero Bazes, të cilin ai e furnizon me të dhëna.Astrit Patozi mund të quhet politikani më aksidental i tranzicionit. Nëse Berisha nuk do të kishte shfletuar fjalorin e gjuhës shqipe atë ditë vere të vitit 1995, sot nuk do të kishte një politikan me emrin Astrit Patozi.

Madje, ai nuk do të ishte bërë as kryeredaktor. Kështu që 17 vjet pas kësaj dite Berisha nuk mund të thotë me siguri nëse i ka sjellë atij fat të mirë “Gjarpri i ahurit”, apo ishte ai që i solli fat të mirë “Gjarprit të haurit”. Definitivisht është e dyta. Supersticioni i Berishës u bë fati politik i Astrit Patozit. “Gjarpri i ahurit” padyshim e meriton të hyjë në librin e trilleve të liderëve, bashkë me kalin e Kaligulës.

Kastriot Myftaraj Faqja Zyrtare më 2012-10-20 në orën 7:24.MD ·
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi