Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Shqipëria e tranzicionit në “Top Channel” Empty Shqipëria e tranzicionit në “Top Channel”

Sat 7 Jan 2012 - 16:01
Shqipëria e tranzicionit, drama familjare, histori fajdesh e korrupsioni, drejtësi thuajse e papërfillshme... Fenomene të ditëve të sotme të përthyera në film. “Në kërkim të kujt!!!” me regji të Gjergj Xhuvanit, do të vijë së shpejti për publikun në ekranin e “Top Channel”. Investimi serioz i radhës do të sjellë për herë të parë në pesë seri një film artistik, prodhuar enkas për t’u shfaqur në ekranin e televizionit. Është drama e një familje shqiptare e zbritur në kryeqytet në vitet ’90 e tronditur nga fenomeni i fajdeve. Kryefamiljari ka humbur gjithçka, ndërsa përzierja e fatit të tij me drejtësinë i jep ngjarjes nota tragjike. Almir Bali, një hetues i policisë gjyqësore interpretuar nga Kastriot Caushi, është personazhi kryesor, i plotësuar nga shumë të tjerë. Në zyrën e tij prej oficeri kanë ardhur të rrëfejnë një ngjarje tragjike biznesmeni Bastri Banushi (Ndriçim Xhepa) dhe avokati i tij mbrojtës Dod Preng Zefi (aktori kosovar Luan Jaha). Galeria e personazheve plotësohet nga shumë aktorë të tjerë të njohur si: Luiza Xhuvani, Niko Kanxheri, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Ermira Hysaj, Monika Lubonja, Elidon Fino, Mariana Dedi, Ergys Çekrezi, Florind Belliu, Mërkur Bozgo, Guljem Radoja, Reshat Arbana, Xhevdet Ferri, Mevlan Shanaj, Gentian Hazizi, Marko Bitraku, Alfred Trebicka, Shkumbin Istrefi, Petrit Malaj etj.

“Në kërkim të kujt!!!” është skenari i fundit që Dhimitër Xhuvani shkroi bashkë me të birin para se të ndahej nga jeta. Çdo ndreqje në sheshin e xhirimit Gjergj Xhuvani e bëri i vetëm, duke shënuar kështu të parën herë për të si regjisor i një filmi të destinuar për televizion. Një film i zhanrit policesko-social, ku historia policeske shërben si kornizë, ndërsa pjesa tjetër i dedikohet një problemi të madh social, ku faji si fenomen është gjithnjë i pranishëm, por nuk del asnjëherë në dritë fajtori.

Që në nisje të projektit, producenti Dritan Huqi pati theksuar se ky film ishte shprehje e tendencës dhe investimit madhor që një televizion privat ndërmerr për të realizuar një prodhim që deri më sot e kanë bërë televizionet e mëdha europiane. Nga pikëpamja teknike është bërë tërësisht një investim i ri, i destinuar për prodhimin e kinemasë në të ardhmen. Regjisori dhe stafi italo-shqiptar punuan gjithë kohën në logjikën e një filmi artistik, por duke qenë të ndërgjegjshëm për kornizat dramaturgjike përballë të cilave të vë një film në seri. Çdo pjesë duhet të jetë e kopsitur mirë në vetvete dhe e bashkërenduar me të tjerat, ndërkohë që nga një seri te tjetra, personazhi kryesor nuk mbetet asnjëherë i njëjtë. “Në kërkim të kujt!!!” shënon edhe një kapërcim në karrierën e regjisorit Gjergj Xhuvani. Vitet e fundit, përmes ekranit të kinemasë ai ka risjellë histori të së shkuarës, e veçanërisht të diktaturës. “I dashur Armik”, “Parullat”, “Lindje-Perëndim-Lindje” përbëjnë trilogjinë që shënon shkëputjen e tij prej diktaturës. Filmi është xhiruar i gjithi në Tiranë.

Spitalet, burgjet, gjykata, rajone policie, shkolla dhe rrugë të kryeqytetit janë vendet e zgjedhura të xhirimit. Pas fazës së post-produksionit, gjithçka është gati të vijë në ekranin e “Top Channel”. Një film pasqyrë e shoqërisë së sotme shqiptare, e problemeve sociale dhe morale që gjeneron tranzicioni, ku faji shkruhet me germa të madha, por mbetet jetim.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi