Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Princo
Princo
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Ilirida
<b>Postime</b> Postime : 3887
<b>Hobi</b> Hobi : Leximin
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Mbi Token e Zotit
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 26/03/2012

Katolikët dhe 100-vjetori i Pavarësisë së vendit  Empty Katolikët dhe 100-vjetori i Pavarësisë së vendit

Wed 28 Nov 2012 - 22:19
Dom Gjergj Meta

Po përmbyllet viti jubilar për Shqipërinë: më 28 Nëntor mbushen 100 vjet nga kur etërit e atdheut shpallën, me anë të një akti solemn, Pavarësinë e vendit prej Perandorisë turke. Një kohë e gjatë pushtimi osman, gjatë së cilës populli shqiptar rrezikoi të humbasë rrënjët e tij, identitetin dhe gjuhën. Por, megjithë shtypjen dhe egërsinë e një regjimi armik, shqiptarët ditën t’u përcjellin brezave të rinj identitetin e tyre më të thellë, gjuhën, traditat e sidomos fenë. Bashkësia katolike shqiptare qe ajo hapësirë jetësore, konservatore në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale (që ka ruajtur, mbajtur, mbrojtur), ku vlerat më genuine të shqiptarëve u mbrojtën e u transmetuan përmes shekujve.

Kisha me njerëzit e saj të një stature të lartë ruajti në liturgji dhe në katekezë gjuhën shqipe, një nga më të vjetrat e Europës, me rrënjë indeuropiane. Por mbi të gjitha katolikët shqiptarë, besnikë edhe ndaj Romës, me gjithë përndjekjet e mëdha, u bënë zinxhiri i pandërprerë i lidhjes së Shqipërisë me Europën e krishterë. E kjo u pa qartësisht në aktin e Pavarësisë: zëvendësministri i Qeverisë së parë shqiptare u bë një prift katolik, famullitari i Durrësit, Dom Nikoll Kaçorri. Nga ky akt shpresohej se do të mbaronte edhe ikja e katolikëve nga qytetet drejt fshatrave apo maleve. Katolikët dolën nga një kalvar i gjatë në malet e ashpra të Shqipërisë, sikurse Dukagjini, Nikaj-Mërtur, Pukë, Mirditë, ndër të cilat, edhe pse në pjesën më të madhe të kohës pa meshtarë e fretën, ditën të ruajnë besimin që u ishte përcjellë atyre nga brezi në brez. Duket sikur përsëritet historia biblike e gjyshërve, që u rrëfenin nipërve punët e mëdha të Hyjit. Një fe e gjallë, e shartuar në karaktere të ashpra sikurse janë malet e Shqipërisë, si alpet e Thethit, por në shpirtra të pastër e mendje të kthjella si ujët e Valbonës në malet e Tropojës. Karaktere të ashpra, por për të cilët pas Hyjit në shtëpi vinte miku, i shenjtë për shqiptarin: “Shpia asht e Zotit dhe e mikut”. Njerëz që dinin të nderonin famullitarin e tyre, i cili bashkë me famullinë kishte një vend të privilegjuar në ligjin e Maleve. Ja pra, pikërisht në ato male, ku katolikët u detyruan të ikin për të shmangur asimilimin fetar dhe kulturor, u ruajt një besim nga i cili ne modernët kemi shumë për të mësuar. E kështu ata burra dhe gra besnikë ndaj Hyjit qenë besnikë edhe ndaj atdheut, traditave, tokës, e për të derdhën gjakun e tyre që një ditë të vinte pavarësia. Katolikët qenë gjithmonë të gatshëm dhe të parët në flijim.

Kështu pra historia vazhdon me një lloj “rilindje” shqiptare në të cilën katolikët pas 1912-s qenë në vijë të parë. “Kisha katolike – kanë shkruar ipeshkvijtë në letrën e tyre baritore për 100-vjetorin e Pavarësisë – me institucionet e saj fetare dhe shkollore dha një kontribut të rëndësishëm në këtë rimëkëmbje”. Shkollat e françeskanëve dhe të jezuitëve në Shkodër, motrat saleziane dhe stigmatine, u bënë vatra të vërteta për edukimin e të rinjve dhe qendra kulture. Liturgji, lutje, vepra shoqërore dhe bamirësie, rrethe kulturore, artistike dhe muzikore me frymëzim të krishterë katolik u bënë vende rritjeje për shumë njerëz, edhe jokatolikë. Katolikët ndiqnin me një etje të madhe gjithçka e gjithashtu po fillonin të thithnin ajrin e lirisë.

Por një fatkeqësi tjetër ra mbi vendin tonë: pushtimi fashist e më pas ai komunist që zgjati 50 vjet. Por feja ende nuk vdiq! Deshën të vrasin Hyjin, por nuk ia dolën, deshën ta burgosin, t’i hapnin varrin e më në fund të dilnin rrugëve e shesheve me britmën e njeriut të marrë të Nietzsche-s, “Zoti vdiq, Zoti vdiq!”, por nuk ia dolën pasi të tretën ditë ai u ngjall. Ra muri ideologjik dhe ai i ngritur me tulla e më në fund nisi fluturimi i lirë edhe pse me shumë martirë, burra dhe gra që na dhanë dëshminë më të madhe të fesë me gjakun e tyre, me jetën e tyre. “Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Papa, Rrnoftë Shqipnia”, qenë fjalët e fundit të pothuajse të gjithë martirëve, të pushkatuar nga regjimi pa asnjë proces apo me procese të sajuara dhe akuza të pavërteta. Ndërsa jepte shpirt, ipeshkvi i Durrësit, Imzot Prendushi, lypte më shumë dritë. Po vdiste në një burg të lagësht sepse nuk kishte dashur të ndante Kishën e Shqipërisë nga ajo e Romës. Vdiq martir. Sot është në krye të listës së 40 martirëve që presin të shenjtërohen. Mund të tregohen shumë histori dhe libra të tërë nuk do të ishin të mjaftueshëm për t’i shkruar, por emrat e martirëve për fenë, fytyrat e tyre dhe historitë e tyre janë të shkruara në Librin e jetës.

Do të doja të kujtoja 25 prillin 1993, kur papa Gjon Pali II erdhi në Shqipëri. Vizita e tij dhe shugurimi i ipeshkvijve të parë pas regjimit qe një shenjë, një shenjë e madhe, pothuajse si ato shenjat e Apokalipsit, që asesi nuk janë shenja dëshpërimi e terrori por shenja të fitores dhe të shpresës. Me Papën kaluam pragun e shpresës.

Po sot? Kemi një Kishë të re, që jeton çdo ditë sfidën e fesë. Bashkësitë tona janë plot me të rinj, me shumë pagëzime, martesa, krezmime dhe kungime të jetuara e të pjesëmarra me besim të gjallë. Jetojmë ditë shpresash të mëdha, megjithë lodhjen, shkurajimin, krizën globale që përshkojnë të gjithë shoqërinë e gjithashtu edhe Kishën, me burrat dhe gratë e saj. Por sot kemi ipeshkvijtë tanë, që mes shumë vështirësish na udhëheqin si barinj të mirë. Sigurisht, në të sotmen e fesë, edhe kjo Kishë e jona është e thirrur të përtërihet: na e ka sjellë ndërmend Papa në mbyllje të Sinodit të fundit të Ipeshkvijve. Si mund të ripërtërihet një Kishë si kjo e jona në Shqipëri? Duke qenë e dëgjueshme ndaj zërit të Shpirtit, që i flet asaj sikurse edhe të gjitha Kishave në gjithë botën, nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë dhe Traditës. Ripërtëritja do të vijë para së gjithash nga barinj që jetojnë jetën e tyre në shenjën e dashurisë dhe të bashkimit. Sot katolikët shqiptarë, të shituar nga plagët e së kaluarës, presin prej barinjve që t’iu lidhin plagët e të kurojnë të këqijat e tyre, që t’i udhëheqin në kullotat e gjelbra të një zëri që u tregon atyre rrugën e jetës. Kështu, sot sikurse atëherë, katolikët të mund të jenë drita e botës dhe kripa e tokës për kombin tonë, duke qenë se janë shpirti, frymëmarrja, tharmi për një shoqëri që shkon drejt konsumizmit të pafre, por sidomos drejt humbjes së shpresës.

Në këto ditë Shqipëria mbush 100 vjet. Është një ditëlindje e mirë. Shpresojmë që shumë shpejt do të jemi pjesë e familjes më të madhe europiane. Katolikët janë dhe duhet të jenë ndërmjetësit që lidhin Shqipërinë me Europën, pa harruar ato rrënjë që e kanë themeluar. Në letrën e tyre ipeshkvijtë janë të bindur që sfida e të ardhmes së afërt për Shqipërinë është integrimi europian, që “para se të jetë një realitet gjeografik apo politik, është një realitet shpirtëror që gjen te krishterimi një nga rrënjët e saj më të fuqishme”. Kush më shumë se katolikët duhet të kontribuojë që ky proces integrimi të mos jetë vetëm një fakt burokracie i pajetë, por një fakt shpirtëror, thellësisht shpirtëror. E kjo ndoshta mund të jetë dhurata që katolikët i bëjnë atdheut të tyre në këtë 100-vjetor të parë.

http://www.mapo.al/2012/11/28/katoliket-dhe-100-vjetori-i-pavaresise-se-vendit/

Katolikët dhe 100-vjetori i Pavarësisë së vendit  Gjergj-meta1
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi