Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

“Vlora” e Vicari-t dush të ftohtë politikës Empty “Vlora” e Vicari-t dush të ftohtë politikës

Thu 29 Nov 2012 - 13:33
“Vlora” e Vicari-t dush të ftohtë politikës Barri
Eksodi i 8 gushtit 1991 me Anijen “Vlora”, nuk është harruar. Jo vetëm nga 20 mijë shqiptarët që morën atë ditë rrugën drejt “parajsës”, por as nga ata që i pritën.
Këndvështrimi i Daniele Vicari-t është një lexim i përpiktë i shokut kulturor të shqiptarëve në bregun matanë

Valeria Dedaj

-Të lodhur nga një gjendje sociale e padurueshme, nga mungesa e lirisë dhe konformizmi i vazhdueshëm me rregullat ekstreme të një regjimi në grahmë, 20 mijë shqiptarë ia mësyjnë anijes “Vlora” në portin e Durrësit, më 8 gusht 1991. Burra, gra e fëmijë vrapojnë me qëllimin e vetëm për të ikur nga Shqipëria.

Këtë ngjarje trajton dokumentari “Anija e ëmbël” i regjisorit Daniele Vicari, që çeli para dy ditësh Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë. Filmi u prezantua në praninë e regjisorit në Kinema Millenium.

Disa nga ata që udhëtuan me “Vlorën” tregojnë me thjeshtësi historitë e tyre para një sfondi të bardhë. Secili flet ku ishte dhe çfarë bënte në momentin kur kishte dëgjuar lajmin për “hapjen e portit” të Durrësit. Të gjithë thonë se vendimi ishte i atypëratyshëm. Historia e Eva Karafilit, Agron Sulës, Halim Milaqit, Kledi Kadiut, Robert Budinës, etj., fillon njëlloj, te kacavjerrja në litarët e “Vlorës” që sapo ishte kthyer nga një rrugë importi në Kubë ku kishte bartur sheqer. Prej këndej vjen dhe titulli “Anija e ëmbël”.

Kledi Kadiu ishte 17 vjeç atëherë. Ndodhej në plazh me shokët. Kurioziteti e shtyu të ndjekë turmën që merrte për nga porti. Edhe tani i thahet fyti tek kujton udhëtimin në det të hapur, etjen dhe urinë, gjendjen psikologjike, gati t’i ikte truri.

Eva Karafili, e sapodiplomuar në Ekonomi dhe e sapomartuar, ia lexon në sy bashkëshortit vendimin për të ikur, menjëherë. Asgjë s’e mbante më në Shqipëri. Kishte ardhur koha t’i hiqej valvula dëshirave dhe lirive të ndrydhura.

Në bord takonin të afërmit e tyre, dikush miqtë, dikush vëllanë pa e ditur që ishin aty.

Për nga të merrte ajo turmë që në pak kohë kishte mbushur bash e direkë? Për nga bregu më i afërt, që ndodhej përballë: Bari.

Në mesin e 20 mijë njerëzve do të ekzistonte deri në fund të kësaj aventure një klan burrash që merrte vendime në emër të të gjithëve. Këta e urdhërojnë, madje e kërcënojnë me kaçavidë kapitenin e anijes Halim Milaqi të lërë portin e të dalë në det të hapur. Këta do t’i shohim më vonë të përballen me policinë në portin dhe stadiumin e Barit.

Ajo që të gjithë personazhet e intervistuar kanë ndjerë me siguri natën e udhëtimit, ishte heshtja absolute: njerëzit flinin, ndërsa ata që do ta gdhinin nuk arrinin të këmbenin dot një fjalë. Ishin të këputur nga uria dhe... e panjohura.

Regjisori Vicari ka kërkuar “ta shkulë” të plotë nga kujtesa e këtyre njerëzve natën e 8 gushtit. Diku-diku hyn pak Shqipëri socialiste, fare pak parada, pak jetë sociale, varfëria e tregjeve dhe njerëzit kryeulur në rrugët e mjera të Tiranës. Vicari nuk i ka mëshuar të shkuarës së këtyre njerëzve. E megjithatë kjo nuk e dobëson aspak forcën me të cilën ai i përplas ëndrrat e tyre në bregun e vendit të tij, Italisë. Ne shohim në ekran shokun kulturor nën një muzikë të rreptë rroku.

Vicari e përzien humorin qoftë nëpërmjet rrëfimit të personazheve qoftë nëpërmjet materialeve dokumentare: imagjinoni të qeshurën njëherësh të 20 mijë njerëzve në anije, thotë Robert Budina, kur dikush hedh sandalen e tij të lodhur në drejtim të helikopterit që po i mbikëqyrte; apo loja me makinat fërtele në stadiumin e Barit.

Inspektori i Barit sot e kësaj dite tregon me një lloj mëshire për atë që panë sytë kur anija mbërriti në port. Atë ditë i pa shqiptarët shumë të gëzuar. Pyeste veten se çfarë kanë fituar këta njerëz që gëzojnë kështu? Çfarë i shtynte të valëvisnin duart në shenjë gëzimi, shpëtimi, miqësie, sado që mes të panjohurish? Pastaj vinte përgjigja: “Asgjë tjetër, veçse kthimin falas.” Sepse nga ajo ditë deri më 14 gusht do të ktheheshin në atdhe mbi 18000 shqiptarë.

Lojën e të fikëtit e kanë bërë disa nga personazhet e intervistuar. Dikush që e kishin lënë fare fuqitë ngjallte mëshirën e urgjencës dhe përfundonte në spital. Por edhe këta i njëjti fat i priste me të shumtët, fati në stadiumin “Fitorja”. Pas situatës në port, ditën e dytë, mbyllja në stadium ishte parë si zgjidhja e vetme, deri në marrjen e një vendimi nga qeveria italiane. “Nga porti në stadium, ishte njëlloj sikur të shkonim nga një burg në tjetrin”, dëshmon Robert Budina. Forcat policore vëzhgonin të habitur por dhe ruanin me vendosmëri këto “qenie egra” që përbënin rrezik nëse liroheshin nga zinxhirët.

Ujin dhe ushqimin ua hedhin nga ajri me helikopter. Po deri këtu kujt i kish shkuar mendja?

Gjithsekush kishte kërkuar një jetë më të mirë, pa u penguar më. Përgjigja që morën i vuri ata në pozitën e njeriut që kërkon të mbijetojë. Natyra njerëzore në kushtet e mbijetesës, është një qoshe në këtë dokumentar të cilën Vicari e ndriçon me durim dhe përpikmëri.

Në këto rrethana të pafavorshme, shqiptarët janë të paaftë për ta përcaktuar drejtimin e tyre. Të tjerët vendosin për ta. Prandaj vjen e natyrshme akuza që regjisori Daniele Vicari, sado që 21 vjet më mbas, ngre ndaj politikës italianë. Politika më e mirë e shtetit italian ishte shpallja fajtor e kryetarit të Bashkisë së Barit, Enrico Dalfino për gjendjen ku e gjeti qytetin Presidenti i Republikës Francesco Cossiga. Dalfino zbret te njerëzit në stadium, shtruar dhe i shqetësuar po pa alarm. I dëgjon këta shqiptarë të parruar e të palarë, me italishten copë-copë, u afrohet pa krupë, - ndryshe nga zorra e ujit me presion që u shfryhet mbi trupat gjysmë të zhveshur për t’i pastruar – dhe ai që u kërkon të ruajnë qetësinë dhe të presin telefonatën e tij. Dalfino besonte te një stabilizim gradual i këtyre njerëzve.

“Anija e ëmbël” na dha një ballafaqim rrëqethës të një shefi me vartësin e tij, të presidenti republike me një kryetar bashkie që u gjet papritur i përfshirë në shtrëngatën e fatit, tekefundit, të një ballafaqimi historik që e ndan të mirën nga e keqja. Cossiga kërkon që Dalfino të kërkojë ndjesë. Ndërsa Dalfino me urtësinë e atij që s’ka ç’të humbasë përgjigjet: “Njeriu nuk mund të ketë dy fytyra.” Kjo nënkuptonte lojën e një politike të “pistë” nga kryetari i shtetit që rëndonte drejtpërdrejtë mbi të rropaturit e “Vlorës”. Pak muaj më vonë Dalfino ndërron jetë.

Në mbyllje, shohim pastrimin e stadiumit dhe rikthimin e tij në gjendjen e mëparshme, sikur asgjë mos të kish ndodhur.

Daniele Vicari e përdor historinë e fqinjëve të tij për të riparë historinë e të vetëve. Kësisoj efekti i një vepre të tillë është i dykahshëm. Me këtë metodë ai futet në radhën e atyre pak intelektualëve të rinj italianë që kanë hyrë në realitetet reale të të dy vendeve. Kujtojmë së fundi romanin investigativ “Anija e mbytur. Vdekje në Mesdhe” i Alessandro Leogrande-s. Të dyja rastet i bashkon e njëjta vlerë, sipas së cilës: revolucionin në një shoqëri nuk e bëjnë ngjarjet, por reflektimi mbi to.

Regjisori Daniele Vicari:

Gjëja që më interesonte më shumë ishte aftësia e personazheve për të kujtuar ato momente nëpërmjet rrjedhës pothuajse të pakontrollueshme të vetëdijes. Bazuar në kujtimet e tyre ndërtova një rrjetë imazhesh që paraqitnin pothuajse në mënyrë precize atë që kishte ndodhur.

Sot që ne refuzojmë anijet që vijnë Afrika e Veriut shumë qytetarë italianë provojnë një ndjenjë të fortë faji. Duke qenë një nga vendet kryesore në Mesdhe kemi përgjegjësi të madhe të cilës nuk mund t’i shmangemi. Si vend emigrantësh që jemi, nuk mund t’iu bëjmë të tjerëve atë që iu kanë bërë gjyshërve e baballarëve tanë. Duhet të kemi qoftë edhe një minimum vetëdijeje kombëtare e sociale, kujtesë kolektive.

Skeda e filmit

Titulli: La nave dolce (Anija e ëmbël)

Prodhimi: Indigo Film - Apulia Film Commission

Gjinia: Dokumentar 90’

Regjia: Daniele Vicari

Skenari: Antonella Gaeta, Benni Atria, Daniele Vicari

Protagonist: Eva Karafili, Agron Sula, Halim Milaqi, Kledi Kadiu, Robert Budina etj.

Fotografia: Gherardo Gossi

Muzika: Teho Teardo

Montazhi: Benni Atria

Në Festivalin e 69-të të Venecias “La nave dolce” u vlerësua nga SNGCI (Sindikata Kombëtare e Kritikëve Italianë të Filmit) si dokumentari më i mirë i edicionit të 69-të. Me çmimin që mban emrin “Francesco Pasinetti 2012”, kritika vendase konfirmon pritjen e mirë që publiku i bëri filmit në premierën e 2 shtatorit.

TIFF, dita e tretë

Në Kinemanë Imperial në Sheraton, ora 13.30, prezantohet dokumentari “Shënime nga Shqipëria” me regji të Klaus Huebner (Austria, 72’), si pjesë e programit “Refleksione për Shqipërinë”. Në orën 12.30 prezantohet filmi artistik “Krijesa të brishta” me regji të Martin Wallace (Ukrainë, 91’), më pas festivali vazhdon me prezantimin e filmit artistik “Siberia, dashuria ime” i regjisores Slava Ross (Rusi, 105’),

Për ta mbyllur me programin e mbrëmjes, ora 21.00 me filmin “Parada” nga Srdjan Dragojevic (Serbi, 115’)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi