Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Burra që festojnë pa gratë Empty Burra që festojnë pa gratë

Thu 29 Nov 2012 - 15:17
Burra që festojnë pa gratë Burra
Mes mijëra burrave që kanë mbërritur nga trojet etnike, gratë janë me pikatore. Burrat nga Kosova dhe Maqedonia i kanë lënë gratë në shtëpi

Dritan Laci

Juga e Bardhë që fryn nga deti gati sa nuk të shkul nga toka me fuqinë e saj. Vlonjatët janë mësuar me detin dhe mëritë e tij. “Kjo nuk është asgjë”, të thonë. “Ka ditë që është e pamundur të dalësh në rrugë nga era e fortë.” Por sot ka gëzim. Jo Juga e Bardhë, po edhe tornado të ishte, nuk do ta ndalte furinë e mijëra e mijëra njerëzve që kanë ardhur nga ana e anës për të kremtuar 100-vjetorin e pavarësisë. Lajmi i mirë është që të paktën nuk do të kemi reshje. Koha është relativisht e ngrohtë. Spektakli ka nisur që mbrëmjen e 27 nëntorit. Ata që garantojnë shfaqjen e vërtetë janë shqiptarët nga trojet amë jashtë kufijve. Një natë përpara, pa pyetur për motin e keq dhe erën e fortë, ata ndriçuan me flakadanë të gjithë rrugën që të shpie nga Tuneli në Ujin e Ftoftë deri në Radhimë. Këta djem janë edhe më të dallueshmit në koloritin e festës. Njëri prej tyre është Bekim Matraxhiu nga Tetova. Ai ka 12 vjet që nuk e rruan mjekrën. Dhe nuk ka ndërmend ta rruajë sa të jetë jeta. “Unë vij prej Tetove. Kam marr pjesë n’luftë. Qysh prej asaj kohe nuk e kam rrujt mjekrën. Jam nis që dje (të martën) n’orën 3.00 t’mëngjesit me mbërrit sot n’ Vlorë.” Edhe shqiptari i Maqedonisë, ashtu si shqiptari i Shqipërisë nuk bën përjashtim nga hallet. Vetëm se tjetër është halli i tij. “Ne kemi fitu mërgimin, pasurinë, që na e ka mundue sundimtari, por në krahun tjetër kemi humb arsimimin. Kjo është një gjë që ne na bën më të shtypur dhe jo të barabartë me pjesën tjetër të maqedonasve.” Në Sheshin e Flamurit, të paktën për një ditë, e shikon shqiptarin etnik të bashkuar të kërcejë pa iu dashur të pyesë se nga vjen e kë ka për kryeshtetar. Kanë ardhur në Vlorë nga qindra e mijëra kilometra larg. Një grup është nisur në këmbë, një tjetër hipur mbi kuaj, të tjerë vijnë nga Suedia, Amerika apo Australia e largët, vetëm e vetëm për të përjetuar momentet e pashlyera të 100-vjetorit të pavarësisë. Këtu mund të gjesh edhe shqiptarin e para 100 viteve, me zakonet dhe huqet. Është shqiptari që vishet mirë, ka orë të kushtueshme, por që në mendësi është një shekull pas. Mes mijëra burrave që kanë mbërritur nga trojet etnike, gratë janë me pikatore. Burrat nga Kosova dhe Maqedonia i kanë lënë gratë në shtëpi. Megjithëse ato u janë lutur që t’i marrin me vete, burrat e zakonit nuk e kanë parë të udhës që të kenë angari me vete edhe gratë. “Jo or shoq, ne kena ardh këtu 100 burra, e gratë i kena lanë në shpia, se edhe vetë Isa Boletini kur ka ardh në Vlon, ka ardh me burra”, thotë njëri syresh. Izahir Neziri e feston ditën e pavarësisë mes burrash. Ka ardhur nga fshati Reçic i Tetovës. Është nisur më 26 nëntor për të mbërritur mëngjesin e datës 28. Kur e pyet “përse vetëm burra”, përgjigja është njëlloj. Por sa burrë hiqet aq edhe e ndjen veten fajtor për këtë mungesë të madhe në krah. “Po besa, ne nuk e kemi traditë me i marr gratë me vete. Po tash jam ba pishman, sepse këtu është shumë bukur. Po gruja mu lut me ardh, po unë nuk e pashë të udhës.” Ky është pak a shumë portreti i shqiptarit të 100-vjetorit. I veshur me rrobat më të mira, me orë të kushtueshme, por me mbetje të vjetra zakonore, që edhe një shekull pavarësi nuk ka mundur t’i venitë. Vlonjati Nuk është në natyrën e vlonjatit të ankohet, as t’i nxjerrë në shesh hallet e familjes. Vlonjati i vërtetë ka sedër të çuditshme. Sa ka batutën në gjak, aq edhe preket shpejt e bëhet i papërmbajtshëm. Natyrshëm, gjithsecili pyet si e ka gjetur vlonjatin ky 100-vjetor. Ai është sot po aq krenar sa historia e qytetit ku jeton? Niko është burrë i hequr, te të gjashtëdhjetat. E takojmë në Skelë në një bar të vogël me pamje nga deti. Në fillim është i heshtur. Do që ta ngacmosh, që të shpërthejë. “Po ç’të të thotë Nikua ty. I shikon këta? Këtë që bëjnë këta, vështirë se ne do ta bënim. Nëse festa do të zhvillohej në Prishtinë apo në Shkup a gjetiu, vështirë se ne vlonjatët do të shkonim kaq shumë sa kanë ardhur këta”, hapet Nikoja ndërsa shtrin pëllëmbën rrëfyese nga një tog burrash veshur me kostume kombëtare, kaluar mbi kuaj. Ku i rreh çekani Nikos? “Dëgjo more bir, unë nuk them që ne nuk jemi patriotë, se do të fyeja të gjithë ata patriotë që kanë luftuar në këtë zonë. I shikon ato male, kanë nxjerrë burra të zotë. Po puna është që ne u frymë për 50 vite me një patriotizëm të rremë. Edhe sot po të shikosh, për sa kohë që toka nuk ka vajtur te i zoti, mos prit të kesh patriotizëm. Çfarë është mëmëdheu? Mëmëdheu është toka ku ti jeton, ke mirëqenie, po ta morën këtë tokë, ç’të mbetet pastaj. Hë më thuaj ç’të mbetet?” Hallet e Nikos janë ato të shumë vlonjatëve, të shumë shqiptarëve. Vlonjati i sotshëm ka nevojë të punojë. Ka nevojë për një jetë më të mirë. Ka nevojë po kështu për dinjitet. Dhe dinjiteti fitohet duke pasur mirëqenie. Nikoja e di këtë gjë. Di ç’është e mira dhe e keqja. Era e fortë e mëngjesit e ka rreshkur nën xhaketë. Kur thika i shkon në palcë, ai bëhet vlonjati i vërtetë, i rrëmbyer, i papërmbajtshëm. “Dëgjo more bir, neve jemi tani që na rëndet edhe kjo që kemi veshur. Vlonjati sot është thatë fare me xhepa bosh. Por prapë them gjene mirë. Ndoshta ata që do të vijnë do mendojnë më shumë për Shqipërinë.” E lëmë Nikon të flasë me hallet e tij dhe marrim për nga bulevardi kryesor, i zbukuruar si kurrë ndonjëherë. Flamuj me portretin e Ismail Qemalit, poshtë tyre të shënuar emrat e të gjitha qyteteve shqiptare kudo që janë, edhe jashtë truallit amtar, dëftejnë rrugën për në Sheshin e Flamurit, ku është fokusi i festimeve. Aty, krahë për krah me të tjerë, takojmë Polo Qejvanaj, vlonjat i vjetër. Polo ka ardhur të festojë me 9 fëmijët e tij, të cilët kanë marrë me vete nipër e mbesa. Njëri nga djemtë e Polos ka ardhur posaçërisht nga Greqia. Edhe ai ka marrë 10 shokë me vete. “Unë nuk do ta gëzoj më këtë ditë. Për mua është lumturi e madhe. Ëndrra ime sa të jem gjallë është të shikoj shqiptarët të bashkuar.” Polo ndryshe nga Nikoja, është më diplomat. Kur e pyet se si e ka gjetur vlonjatin 100-vjetori, në fillim rrudh buzët, pastaj e liron perin me stil. Nuk do që ta rrokullisë lëmshin e halleve menjëherë, të paktën jo për këtë ditë. “Si të gjithë shqiptarët. Edhe ne me derte shumë. Po prapë duhet të themi mirë. Sot është dita për të festuar dhe ndofta një ditë edhe ne shqiptarët do të kemi paqe dhe bollëk midis tonë”, thotë Polo, i cili e shikon me optimizëm edhe bashkimin e politikanëve në një ditë të tillë, duke lënë inatet e vjetra mënjanë.

Artistë

Takon në Vlorë njerëz të skenës që janë bërë njësh me ata që festojnë në shesh. Aktori i humorit Luftar Paja, u shpreh për gazetën se kishte kohë që e priste këtë ditë. “Është emocion i madh, i papërshkrueshëm. Kur shikoj gjithë këta njerëz bashkë më bëhet zemra mal. Dëshira ime sa të jem gjallë është të shikoj Shqipërinë e bashkuar. Uroj që në 100 vitet e ardhshme shqiptarët të gëzojnë begati dhe të mendojnë më shumë për atdheun e tyre.” Rovena Stefa me këngën “Amaneti”, një himn kushtuar idesë së bashkimi kombëtar, u prit me brohorima në shesh. Në urimin e saj, Stefa tha se “ashtu si kënga ‘Amanet’ që shpreh amanetin e të parëve, edhe ajo i uron shqiptarëve që një ditë të mblidhen në një strehë për të ecur përpara në rrugën e Europës”.

Torta

Kur ka festë, gjithçka falet, megjithëse shqiptarët i tejkalojnë disi masat e gëzimit. Kështu ndodhi edhe në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë. Torta e përgatitur nga Bashkia e këtij qyteti, u kthye midis tyre në një lojë adoleshentësh. Si të ishin jo në festën e Pavarësisë, por në prag të Krishtlindjeve, të rinjtë nisën të qëllonin njëri-tjetrin me topa torte, duke e kthyer sheshin për kohë të pashëtitshëm. Megjithëse në shesh ishin të pranishëm edhe efektivë të rendit publik, ata zgjodhën të shijojnë spektaklin e improvizuar aty për ty, duke ndjerë kënaqësi si spektatorë.

Suveniret

Festat janë gjithmonë një mundësi e mirë fitimi, ndonëse nuk ka rezultuar kështu për pronarët e dyqaneve të suvenireve, që prisnin më shumë. Ata shprehën të pakënaqur, ca edhe për fajin e tyre. “Ne kjo festë na gjeti të papërgatitur, edhe për fajin tonë. Duhet të kishim porositur suvenire më pak të kushtueshëm.” Një flamur kombëtar i thjeshtë në Vlorë shitej për 400 lekë. Një qilim me portretin e Ismail Qemalit, kushtonte 300 euro. Një qilim i punuar me shqiponjën kombëtare, u mbajt 100 euro. Më të predispozuar për të blerë artikuj të tillë ishin shqiptarët që vinin nga jashtë. “Jo besa, kaq po është edhe në Maqedoni. Ne nuk mujt me e ble.” Ata që kanë ndierë me të vërtetë shijen e fitimit të festës, janë libraritë. Librat me natyrë historike kanë përjetuar një bum shitjesh. Aq sa ishte e pamundur të bëje një bisedë më të detajuar me shitëset e librarive, të cilat vraponin sa në një krah të librarisë në tjetrin. Edhe këtu interesi ishte nga shqiptarët e diasporës dhe të trojeve jashtë kufijve.

Masat

Vlora dje ishte në survejimin e plotë të efektivëve të Policisë së Shtetit. Që në orët e vona të mbrëmjes së të martës, ata kanë kontrolluar gjithë hyrjet dhe daljet e qytetit duke filluar nga rruga transballkanike deri në rrugën që lidh qytetin e Vlorës me të Orikumit. Për gjatë gjithë segmenteve rrugore ka pasur një përqendrim të lartë të efektivëve të policisë të cilët kanë ushtruar kontrolle të vazhdueshme. Në Vlorë dje janë përqendruar edhe efektivë të shumtë nga rrethet e vendit, kryesisht nga Jugu, masa të cilat janë përforcuar me mbërritjen e krerëve të shtetit

Hotelet

Në Vlorë ishte e pamundur të gjeje dhoma të lira. E vetmja mundësi ishte me prenotim ose me mik. Nëse vije natën para pavarësisë, mundësia për të gjetur një strehë për akomodim ishte pothuaj inekzistente. Shumë individëve të cilët kanë zgjedhur të vijnë në Vlorë, një natë përpara kremtimeve, u është dashur të udhëtojnë deri në Orikum për të gjetur hotel, ose në rastin më të keq e kanë kaluar edhe në makinë natën deri në pritje të agimit.

Gara e tatuve dhe simboleve

Në heshtje festa e Pavarësisë ka pasur edhe një garë, e cila ka shtuar spektaklin e rrugës. Kjo ishte gara e tatuve dhe simboleve kombëtare. Nik Gegaj, ose Damjon Marcus, siç njihet me nofkën e tij të artit në Detroit, shqiptar nga Malësisë e Madhe në Mal të Zi, kishte ardhur bashkë me vëllanë e tij. Në krahun e tij vihej re një tatu me portretin e Skënderbeut, të cilin e kishte bërë vetëm disa ditë më parë, në përgatitje të festimeve. Po kështu edhe Liza Ademi, me banim në Zvicër, kishte sjellë një model “të çmendur” të flokëve. Ajo kishte rruar një pjesë anësore të kokës dhe mbi të kishte pikturuar flamurin me shqiponjën dykrenore.

Kuajt

Mbi 200 burra mbërritën hipur mbi kuaj, në orën 10.30 minuta në Sheshin e Flamurit në Vlorë. Vinin nga të gjithë trevat shqipfolëse. Në rrugën e tyre, këtyre burrave u janë bashkuar edhe kalorës nga Tirana. Skënder Kadriu kishte 8 ditë që udhëtonte me kalë për në Vlorë. Kali i tij quhej Bala. “Jam nis nga Prekazi më datë 21 nëntor. Kalin e kam ushqyer me jonxhë dhe kallamboq.” Grupi i kalorësve nga Prekazi përbëhej nga 25 burra. Ky është vetëm një grup. I fundit që ka mbërritur në Vlorë ka qenë grupi i kryesuar nga sozia e Isa Boletinit, i cili ka mbërritur në sheshin e Flamurit në orën 11.00, me vonesë ashtu si 100 vite më parë. U vu re mungesa e një organizmi të mirë për kalimin e karvanëve me kuaj, të cilët e ndotën sheshin me jashtëqitjet.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi