Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

“Thirre si ta dush Zotin, mjafton ta thërrasësh e ta dëgjosh” Empty “Thirre si ta dush Zotin, mjafton ta thërrasësh e ta dëgjosh”

Fri 28 Dec 2012 - 13:33

  1. Krishtlindje në Tiranë: Atmosferë krishtlindjesh në Kryeqytet. Çfarë është feja për disa nga të ftuarit tanë dhe si festojnë ata. Rrëfime dhe dëshmi personale nga Dom Gjergj Meta, Daut Gumeni, Ledi Shkreli, Arlinda Dudaj, Zamira Kita

“Thirre si ta dush Zotin, mjafton ta thërrasësh e ta dëgjosh” Krishtlindjet sot
Paraditen e djeshme, në ambientet e Katedrales katolike të Shën Palit në Tiranë, Françesk Radi me një grup koristësh bënin prova me këngën “Feliz navidad”. Autoritetet e kishës ishin duke u përgatitur për meshën që do të mbahej dje në mesnatë, për të gjithë besimtarët që festojnë lindjen e Krishtit. Jemi më 25 dhjetor, një ditë që bashkon besimtarët e krishterë në festë dhe i afron ata më afër Zotit. Mesha për katolikët ka filluar në mesnatë, ndërsa ortodoksët kanë shkuar në kishë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Në Katedralen e Shën Palit në Tiranë transportoheshin dje një pas një tufa lulesh të kuqe, që ndryshe quhen “lulet e krishtlindjeve”. “Festa e Krishtlindjes është festa më e bukur. Krishti lind për ne”, thotë Ariana Boçi një zonjë që ndodhej atë moment në katedrale. Ajo do të rikthehet këtu në mesnatë. “Presim me gëzim lindjen e tij, me lutje, me qirinj të ndezur. Është një festë për t’u afruar më shumë me Zotin”, shprehet kjo zonjë duke na uruar festat.

Në rrugë atmosfera është e zakonshme. Ne shkuam më tej, kemi pyetur njerëz për marrëdhënien e tyre më Krishtlindjen, por edhe më fenë në tërësi. Shqiptarët nuk kanë një marrëdhënie klasike me fenë. Më së shumti festojnë se duhet festuar. Ndoshta ka ndikuar periudha e komunizmit ku ndalua besimi në Zot.

Donim t’i ndanim mendimet për festën dhe besimin me persona që kanë përvoja të ndryshme. Daut Gumeni nuk është praktikant i fesë, por në familjen e tij festat fetare gjithmonë janë festuar në heshtje. Botuesja Arlinda Dudaj nuk ka një lidhje të veçantë me festën. Ndërsa aktorja Zamira Kita e përshkruan me mjaft atmosferë Korçën në prag krishtlindjeje. Kur vjen puna të rrëfimi i Ledi Shamku-Shkrelit, ajo ndan me ne historinë e saj personale të pagëzimit.

Ledi Shamku-Shkreli

Me çfarë fryme fetare jeni rritur në familje?


Kam pas fat të rritesha duke e drashtë edhe e dashtë Zotin, paçka se fëminija ime i takon periudhës ateiste që pllakosi mbi këtë vendin tonë. Më kujtohet një detaj: Dimër, pak a shumë kjo periudhë si sot, po këtu e 32 vjet më parë. Isha në fillore dhe po lexoja me zë mësimin e diturisë së natyrës. Ime gjyshe, Safet Tafaj (Bermema pas martese), po hekuroste ngjitas meje. Dhe unë lexoja kështu: “pavarësisht bestytnive të kota, sot është plotësisht e vërtetuar se njeriu rrjedh nga majmuni”. Ime gjyshe më ndërpreu dhe me të folmen e vet të butë tiranase më pyeti: “Prej ka thokan kto se vika robi?!”. “Nga majmuni…”, iu gjegja unë. “Ti ashtu thuje se ta do shkolla, po shtije n’mend amo se robin e ka jeretis (kriju dmth) Zoti, moj goca ime!” - dhe vijoi me hekurosë e me mërmëritë me vete ime gjyshe. Ajo qe bijë Tafajsh, nga familje në zë tiranase, dhe kish besimin e vet musliman, të qetë e të butë e shumë tolerant siç e kanë tiranasit. Shoqen e vet të ngushtë, Vasilika Zhupën, me të cilën ishte si motër, e kish të besimit të krishterë. Më edukoi me besimin e fortë në Zot, por pa ma ngushtuar zgjedhjen time. Më kujtohet biseda me të, në telefon më 5 nëntor 1992, një natë para se të pagëzohesha në besimin katolik. I thashë: “Mome, unë nesër pagëzohem”, dhe nga ana tjetër e telefonit dëgjova: “U sa po më gzon! Unë pata frykë mos më ngelshe pa besë e fe. Thirre si ta dush Zotin, mjafton ta thërrasësh e ta ndigjosh!” Kjo është me pak fjalë fryma e besimit në shtëpinë time të gocnisë, siç i thonë tiranasit. E qetë, e butë, gjithëpërfshirëse dhe me Zotin gjithnjë në zenitin e vet.

Si e keni festuar dje dhe si e festoni sot Krishtlindjen?

Krishtlindja apo Kshndella është njëmend festë në shtëpinë tonë. Prej më se dy vjetësh është edhe koha kur Anna, vajza e madhe që studion në Bolonjë, vjen në shtëpi me pushime dhe kështu zemr’e prindit mbushet plot! Kurse dy fëmijët e vegjël, Marta dhe Juli, janë në shend të madh. Kanë bërë pemën, i kanë shprehë dëshirat secili Shën Kollit (a babagjyshit), gatiten të vijnë me ne në Meshën e Madhe, dhe kështu munden të rrinë zgjuar e jashtë shtëpie deri pas mesnate. Ndërsa tek neve dy të mëdhenjtë e shtëpisë, tek unë dhe Tani, avitja e Kshndellave jep gjithnjë shenjat e veta. O unë o im shoq dëgjohemi në këtë periudhë duke këndu nëpër shtëpi këngë të kësaj feste si: “Natë e qetë” apo “Shtegtarë ju shpejtoni!”, që janë në fakt këngë zemre. Janë tinguj e fjalë që më bëhet sikur shndrisin sa njëmijë dritëza e ngrohin sa njëmijë zjarre. Në vigjilje të festës nuk e di pse, por shtojmë disi dozën e bisedave më historike e albanistike mes nesh. Fjala vjen, dje po diskutonim për dubletin “Krishtlindje-Kërshndella”. Kjo fjala e dytë i takon traditës sonë dhe është tejet më e moçme. Albanologët mendojnë se është përshtatje nga latinishtja e Christi Natale. Te “Hylli i Dritës” kam lexuar tash një shkrim të viteve ’20 nga dom Prend Suli (mirditas i ditur, anëtar i Shoqnisë Bashkimi dhe bashkautor i Fjaluerit të Shqypes), hipotezën se fjala “Kërshndella” ka lidhje me fjalën “me u kerthndellë”, e cila gjallon ende ne shqip e don të thotë “ndizem, skuqem, marr jetë, ndriçohem”. 25 Dhjetori si ditë e Solsticit dimëror, përfaqësonte për besimin e të parëve tanë panteistë ditën e Diellit të Pamposhtun, apo Sol Invictus siç e quanin romakët. Kjo pasi 24 dhjetori është dita e fundit kur nata është e gjatë. Fill pas saj nis Dita me u rritë, e nata me u shkurtu. Dom Prend Suli dëshmon se malcorët tanë ndiznin në një natë si kjo e sotmja plot e plot zjarre rrugës për te kisha. Ndezja e zjarreve është pjesë e besimit parakristian, se çdo zjarr në Tokë i jepte fuqi zjarrit të madh në qiell, Diellit pra, që të mëkëmbej shpejt e t’i nxirrte nga acari dimërak. A nuk janë të mrekullueshme këto gjurmë ku panteizmi gërshetohet me Krishterimin? Sipas gjithë albanologëve apo etnologëve, këto prova kontinuiteti apo vijimësie janë edhe dëshmitë e pakundërshtueshme të autoktonisë sonë mijëvjeçare këtu ku jemi, kështu si jemi. Ndaj edhe duhen studiuar. Kjo është me pak fjalë atmosfera në familjen time në prag Kërshndellash. Atmosferë me Fe e Atme, siç e quajnë françeskanët.

Sa është ceremonial festiv dhe sa është ritual fetar për të shprehur besimin në Zot?

Unë them se besimi në Zot është në vetvete Lajmi i Gëzuar, ndaj edhe shpallja e këtij besimi, pra e këtij Lajmi të Mbarë, sjell vetiu festë me vete apo jo? Festimi dhe besimi kanë të njëjtin “shkak” në këtë ditë. Krishtlindjet janë festa e shpirtit dhe përtrimja e përvitshme e besimit. Përtrimja e paktit tonë me Zotin. Ndaj, në vështrimin tim, nuk ka si ndahet festa nga rituali. Riti sjell festën, dhe festojmë sepse besojmë.

Dom Gjergj Meta

Në Krishtlindje, takojmë zotin, takojmë edhe njerëzit

Dom Gjergj Metën këto Krishtlindje e kanë gjetur në Kamzë, duke shërbyer atje për besimtarët katolikë. Në një bisedë të shkurtër na ka shpjeguar domethënien e festës në një ditë që e afron besimtarin më pranë Zotit.

Dom Gjergj, si është atmosfera e Krishtlindjeve këtë vit?

Katolikët dhe të krishterët janë duke përjetuar mjaftë mirë këto Krishtlindje ndoshta sepse përkuan me shumë festime njëherësh. Duket se Krishtlindja është një festë që e tejkalon cakun e besimtarit. Siç e shohim kemi një qytet të zbukuruar. Për sa i përket komunitetit Katolik këtu në Kamzë ku unë punoj, atmosfera ndjehet shumë, ka shumë të ardhur nga veriu. Sot në darkë (dje në mesnatë) është mesha, kremtohet lindja e Krishtit dhe pas meshës do të ketë valle tradicionale shqiptare.

Qoftë aspekti shpirtëror i festës dhe fetar, qoftë aspekti më festiv i saj, i afron njerëzit më shumë me njëri-tjetrin. Është një rast për t’u takuar me miq, shokë e familjarë. Ky është dimensioni i festave fetare: të takojmë zotin, të takojmë edhe njerëzit, pse jo.

Çfarë duhet të kemi në darkën apo drekën festive të Krishtlindjes?

Kjo varet pak nga tradita, nga vendi ku je. Për shembull, këtu në Kamzë, gatuhet byrek në disa familje, diku tjetër kanë në qendër mishin dhe verën, diku ëmbëlsirat. Për Krishtlindje, mjafton që njerëzit të rrinë bashkë dhe të kënaqen me njëri-tjetrin, pjesa tjetër nuk ka shumë rëndësi. Dihet që do të ketë shumë njerëz edhe këtu në Kamzë.

Daut Gumeni

Z. Daut, me çfarë fryme fetare jeni rritur?

Jam rritur me frymën e besimit tek e Mira e te Harmonia e universit, falë prindërve të mi të mirë, të cilët besonin Zotin në të gjitha format e përfytyrimit të tij në ato vise: duke filluar nga “Të Mirët e Maleve” - që ndoshta është jehone e besimit të lashtë arian e deri te mësimet e Librave të Shenjtë, që mbyllen me Kuranin sikurse mbyllet vargu i profetëve me profetin Muhamet. Natyrisht që nuk jam njohur me ritet e praktikimit të fesë myslimane deri në atë shkallë sa të mos them që e ndiej veten profan në atë lëmë. Por ua di për nder prindërve të mi, që më mësuan të besoj tek e Mira, tek e Vërteta dhe tek e Bukura, si shenjat më të pashlyeshme të harmonisë universale, që na e bën jetën më të durueshme e, pse jo, edhe më të bukur, pavarësisht rrethanave në të cilat e bëjmë atë copë udhe.

Festohej fshehtas në familjen tuaj?

Në familjen time festoheshin ditët e shenjta, apo ndryshe festat fetare dhe, kur them festoheshin, kjo mënyrë ndoqi rrjedhën që pati e tërë jeta në diktaturë. Sa më shumë që forcohej diktatura dhe ideologjia sunduese e predikuar prej saj, aq më të pandiera bëheshin dhe festat fetare nga prindërit e mi. Bëheshin më tepër në heshtje si festa familjare.

Në vitet '60 Shqipëria u bë ateiste, nisi lufta kundër kishave e xhamive. Se e priti populli këtë gjë?

Kopjimin e shëmtuar të Revolucionit Kulturor Kinez të viteve ‘66 e ‘67 nga kalifati i kuq i Hoxhës, është pak të thuash që populli i thjeshtë e priti me frikë të shtuar. Një frikë e shtuar nga diktatura e forcuar sesa nga Zoti i dënuar prej saj për të dalë jashtë ligjit. Mjafton të kujtohen sulmet barbare ndaj objekteve të kultit, që arritën deri te shembja e monumenteve historike kombëtare si kisha e kurorëzimit të Skënderbeut, për t’u tmerruar dhe sot e këtë ditë nga ai barbarizëm, i cili e shpalli Shqipërinë e varfërisë e të trembur si vendin e parë ateist në botë (!) Duket sot për brezat e rinj si njëfarë beteje me shakujt e verës, por në të vërtetë qe një betejë për të zëvendësuar objektet e kultit me zyrat e Partisë dhe për të zëvendësuar Zotin e qiejve me sundimtarin paranojak të Shqipërisë gjysmë feudale e gjysmë proletare.

Ka ndikuar feja myslimane në orientimin e shqiptarëve nga Lindja?

Po të thoshit se pushtetarët tanë sot e këtë ditë janë ende të orientuar nga Lindja putiniste, mbase është më e vërtetë. Por shqiptarët e thjeshtë nuk e harrojnë dot që apostulli i shqiptarizues, rilindësi ynë i madh Naim Frashëri, ua ka lënë me poezi amanetin e pavdekshëm se “Dielli i diturisë lind nga perëndon”. Nuk më duket se është besimi fetar ai që e përcakton orientimin kulturor të shqiptarëve. Më duket se shqiptarët i kanë parë gjithmonë dhe llojet e feve si llojet e gjuhëve të ndryshme të botës. Asnjë gjuhe nuk ta pak kulturën, përkundrazi. Prandaj dhe besimet fetare të shqiptareve kanë jetuar në harmoni, që mund të jetë i vetmi shembull i bukur shqiptar edhe për popuj më të mëdhenj e më të industrializuar. Se jo gjithmonë industrializimi dhe përparimi i teknikës shkojnë me të njëjtin hap me ndriçimin shpirtëror. Kjo ndoshta i bën shqiptarët që t’i festojnë të gjithë bashkë edhe festat fetare të njëri-tjetrit. Se shpirtërisht njeriu duket se ndryshon shumë më ngadalë nga ndryshimet e teknologjisë se prodhimit, apo të armëve të luftimit, në doni.

Arlinda Dudaj

Sa i përjetoni Krishtlindjet?

Atmosfera po më duket e vakët këtë vit, e po të njëjtën ndjesi kam edhe brenda familjes. Personalisht nuk kam ndonjë përjetim të fortë për Krishtlindjet. Sot në Shqipëri mund të shikohen si një drekë apo darkë me familjen, si një mundësi për të pushuar pak, apo thjesht të rrihet në shtëpi, në paqe.

Sa është ceremoni festive dhe sa është ritual fetar?

Në rastin tim është thjesht një festë për t’u festuar. Unë nuk e kam pasur ndonjëherë dilemën për ta kaluar besimin tim përmes një feje të caktuar. Mund të besoj në një fuqi të mbinatyrshme në mënyrë direkte, po jo nëpërmjet fesë. Unë nuk praktikoj asnjë fe, për pasojë, i marr anën tjetër të mirë, atë të bukurisë së festës.

Një nga librat që mund të lexojmë këto kohë festash?


E pse jo librin “Të mos festosh Krishtlindjet” nga John Grisham.

Zamira Kita

“Mua më pëlqejnë shumë festat e fundvitit dhe përgatis çdo gjë që të ndihet atmosfera. Shtëpinë e zbukuroj më 28 nëntor sepse atë ditë vajza ime ka ditëlindjen. Atmosfera ndjehet te bredhi, zbukurimet, enët e kuzhinës, peshqirët etj.

E shoh më shumë si ditë për të festuar, por kjo nuk e përjashton mundësinë të ndjekësh edhe ritet fetare. Mund të kenë kaluar 20 vjet nga hera ime e parë në kishë. Atëherë isha në jurinë e Festivalit të Këngës në RTSH, dhe lidhjen me festivalin e bëmë nga kisha sepse ishte 24 dhjetor. Qysh atëherë shkoj në kishë në çdo festë ose të diel. Ndez qiri sa herë më jepet rasti ose nisem enkas.

Korça i ka të jashtëzakonshme Krishtlindjet. Qyteti është zbukuruar dhe ka koncerte çdo ditë. Për mua kjo festë kalon thjesht, në mbrëmje në shtëpi me vajzën pasi bashkëshorti është i ngarkuar me koncerte. Drekën e festojmë me gatime speciale që i përgatis vetë, me verë, bakllava të cilën ma përgatit vjehrra.”


/Shekulli Print/Entela Resuli/
shaban cakoli
shaban cakoli
V.I.P Forumi
V.I.P  Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 11174
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Dardane
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 15/11/2012

“Thirre si ta dush Zotin, mjafton ta thërrasësh e ta dëgjosh” Empty Re: “Thirre si ta dush Zotin, mjafton ta thërrasësh e ta dëgjosh”

Fri 28 Dec 2012 - 14:03
te lutemi zot,na mbanë të mbrojtur nga mëkatet,e na mbronë nga frymat e liga
Amin
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi