Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
i panjohur
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 19172
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne krahet e saj
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/02/2012

Nori polar me zë të paparë Empty Nori polar me zë të paparë

Tue 19 Feb 2013 - 23:47
Nori polar me zë të paparë 102012411_univ_lsr_lg

Nori polar me zë të paparë

KLITHMËN vajtimtare ngjethëse të norit polar nuk e harron dot kollaj. Ajo përcjell vetminë e viseve të pashkelura dhe mund ta dëgjosh në liqenet me ujë të ëmbël dhe lumenjtë e largët të Kanadasë, të Evropës e të pjesës veriore të Shteteve të Bashkuara.

Ky shpend uji i bukur është simbol i shtetit të Minesotës, SHBA, e shfaqet edhe në monedhën kanadeze njëdollarëshe. Megjithatë, është zog shtegtar dhe dimëron kryesisht tutje në jug, në brigjet ujore. Po pse vallë nori polar ka një zë të paparë?

Kuja, klithma vajtuese, tinguj dridhës dhe thirrma jodel
Norët lëshojnë disa tinguj mbresëlënës. Mbrëmjeve ose netëve, kuja e tyre mallëngjyese dëgjohet me kilometra larg. Një tingull tjetër jo kaq i mprehtë është klithma vajtuese, me anë të së cilës nori komunikon me partnerin, me të vegjlit dhe me norët e tjerë të liqenit. Tingujt dridhës (ose tremolo) shërbejnë si sinjal alarmi. Ata janë përshkruar si «qeshja e të marrit» dhe janë të vetmit tinguj që nxjerrin norët në fluturim.
Jodeli është një thirrje që e lëshojnë vetëm meshkujt dhe, siç thuhet në revistën BirdWatch Canada, «duket se ka të bëjë me mbrojtjen e territorit». «Çdo mashkull ka jodelin e vet karakteristik» dhe «sa më i bëshëm të jetë nori, aq më i ulët është toni i zërit». Veç kësaj, si tregon më tej revista, kur mashkulli «ndryshon territor, ndryshon edhe jodelin» dhe «e tjetërson sa më shumë të jetë e mundur nga jodeli i banorit të mëparshëm».

Bukurosh, i zhdërvjellët dhe i ngathët
Koka e norit ka ngjyrë të errët, gati-gati të zezë, pupla të gjelbra që vezullojnë si ylber, sy të kuq dhe sqep të zi e të gjatë me majë. Pendët i ndërron sipas stinës.

Falë këmbëve të mëdha të veshura me membranë, norët janë grabitqarë të zotë, notarë të fortë dhe zhytës të zhdërvjellët. Ata mund të kridhen deri në 60 metra, e nganjëherë rrinë zhytur minuta të tëra.

Ama, ngritja në fluturim dhe ulja nuk janë pikat e forta të norit. Për shkak të peshës, këtij zogu i duhet një «pistë» që të ngrihet në ajër. Ai mund t’i rrahë krahët dhe të rendë në ujë për qindra metra para se të nisë fluturimin. Ja pse norët preferojnë hapësirat e mëdha ujore. Kur zbret, nori vjen gjithë shpejtësi me këmbët e shtrira pas, a thua se i janë prishur «rrotat e uljes». Pastaj godet ujin me bark dhe rrëshqet në të gjersa ndalon.

Paçka se janë goxha të përshtatshme për notim, këmbët e mëdha me membranë dhe pozicioni i tyre gati në skaj të trupit ua bëjnë të vështirë norëve të ecin, madje edhe të qëndrojnë në këmbë. Prandaj, ata i ndërtojnë foletë në vende ku mund të futen kollaj në ujë.
Prindërit i ngrohin me radhë vezët (që zakonisht janë dy). Ato kanë ngjyrë ulliri e janë të kamufluara me njolla të errëta dhe çelin pak a shumë pas 29 ditësh. Kur janë veç dyditësh, zogjtë mund të notojnë, madje edhe të kridhen nga pak. Kur kanë nevojë të çlodhen, hipin e bëjnë xhiro në kurrizin e njërit prej prindërve. Pas 2-3 muajsh, kur janë të zotë të fluturojnë, të vegjlit largohen nga prindërit.

Ndër armiqtë e norit janë shqiponja, pulëbardha, rakuni dhe—më i rrezikshmi nga të gjithë—njeriu. Plumbçet e rrjetave të peshkimit dhe derdhjet e naftës i helmojnë këta zogj. Ndotja kimike nga shiu acid varfëron rezervat e peshkut me të cilat ushqehen norët. Dallgët që ngrenë anijet e motobarkat u përmbytin foletë. Gjithashtu, ndërtimet që bëhen brigjeve të liqeneve e largojnë norin vetmitar nga habitati ku shumohet.

Pavarësisht nga këto, popullata e norëve ka mbetur e fortë. Kështu, ky shpend kaq i hijshëm, me thirrjet e tij të paimitueshme dhe sjelljen zbavitëse, do të vazhdojë t’i bëjë për vete admiruesit e zogjve për shumë e shumë vjet.

FAKTE PËR NORIN
Gjatësia: Afro një metër nga maja e sqepit deri në fund të këmbëve të shtrira

Krahët e hapur: Deri në 140 centimetra

Pesha: Mesatarisht 4 kilogramë, por mund të shkojë deri në 6,3 kilogramë

Ndërtimi i kockave: Një sërë kockash të plota (ndryshe nga kockat e shpendëve të tjerë që zakonisht janë bosh përbrenda); ato ia shtojnë peshën, por e ndihmojnë kur zhytet

Shpejtësia e fluturimit: Rreth 120 kilometra në orë gjatë shtegtimit

Ushqimi: Preferon peshqit, por ha edhe karavidhe të ujërave të ëmbla, bretkosa, shushunja, salamandra, molusqe, kërmij dhe kafshë të tjera ujore

Nori polar me zë të paparë 102012411_univ_cnt_2_smNori polar me zë të paparë 102012411_univ_cnt_3_sm
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi