- MiikaaaPrinceshe Forumi
- Gjinia :
Shteti :
Mosha : 34
Postime : 3712
Anetaresuar : 22/01/2013
Aishe Stari: Nuk mund të jetoj pa skenën
Thu 4 Apr 2013 - 16:09
Aishe Stari, në një rrëfim për teatrin, qytetin e saj Durrësin dhe vitet
“Teatri, dashuria ime”
“Teatri më bën të ndihem e re”. Aishe Stari i thotë këto fjalë teksa kthen ngadalë filxhanin e kafesë, në kafenë bri teatrit “Aleksandër Moisiu”. Në duart e holla ku i dallohen ca damarë të kaltër, tymi i cigares dhe shiu i kësaj të diele të fundit të marsit, sikur e thellojnë bisedën për teatrin. Mbi 50 vite në skenë, e qindra role, nuk e kanë shuar pasionin brenda kësaj gruaje, i cili duket se merr jetë sapo ngjit shkallët e teatrit. Mbasdite ajo do të ngjitet sërish në skenë, në rolin e gruas së Tezeut tek shfaqja “Ëndrra e një nate vere” e regjisores Driada Dervishi. Një rol ku Stari shfaqet me gjithë vitalitetin e saj të brendshëm artistik, si gruaja fatlume që Shekspiri e vendosi në krah të Tezeut, e cila i gëzohet dasmës së saj… “I kërkova Driadës një personazh që nga natyra dhe shkathtësia të jetë në kontrast me moshën time. Përmes një personazhi të tillë, doja të tregoja se vitet nuk kanë të bëjnë me jetën e njeriut, por çdo gjë varet si e trajton ai veten”, thotë ajo. Në fytyrën ku dallohen ca rrudha të lehta, sytë e saj të kaltër flasin shumë. Vitet duket se kanë humbur, në portretin e kësaj gruaje, e cila duket se e ka sfiduar moshën me mënyrën e jetës. Ajo nuk mund të jetojë dot pa interpretuar. Teatri është jeta e Aishe Starit. Nëse do t’i duhej të kthehej sërish në vite, do të kishte zgjedhur sërish të bëhej aktore… Ajo e kujton si sot atë ditë kur interpretoi për herë të parë në teatrin e qytetit të saj. Dhe pse gjysmë shekulli më parë, ajo nuk mund ta harrojë Majka Grabetovën (roli i saj i parë), shoqen e Lidës te pjesa çeke “Një histori dashurie”. Aishe Stari i përket brezit të studentëve të parë të Akademisë së Arteve në degën e aktrimit. “Kur erdha për herë të parë në teatër, po punohej për t’u vendosur në skenë pjesa ‘Një histori dashurie’. Duke qenë se ishte një pjesë të cilën e kisha interpretuar gjatë kohës së shkollës, më dhanë rolin e Majka Grabetovës, një rol të cilin e kam interpretuar përkrah Lumturi Dashit”, kujton Stari. Teatri do të ishte stacioni i parë artistik i aktores së re, e cila shumë shpejt do të zbulonte një tjetër prirje të saj, atë të humorit. Ishte regjisori Gjergj Vlashi i cili i propozoi të shkonte të prezantonte një program të quajtur “Stafeta e viteve”. Pas prezantimit dhe një roli të vogël, ajo do të ndinte duartrokitjet e publikut, që do t’i jepnin më shumë zemër për ta vazhduar këtë gjë. Në “Estradë”, Stari duket se gjeti veten, ku për vite me radhë do të kontribuonte me qindra role episodike, për t’u kthyer në një nga portretet më të dashura të humorit, jo vetëm në qytetin e saj. Ajo i kujton me nostalgji kohët e Estradës, duke i quajtur kohë të arta në jetën e saj. “Në Estradë ishim si një familje pasi ishte një institucion që të jepte mundësi për të shprehur veten”, thotë ajo. Janë një mori njerëzish të përkushtuar që i dhanë jetë një prej institucioneve më të rëndësishme të artit të qytetit bregdetar, duke filluar nga Ramazan Ngjala, Spiro Strati, Fadil Hasa, Muharrem Hoxha, Roland Koça, etj. “Të gjitha rolet që kam interpretuar i kam dashur. Poemat më pëlqenin t’i interpretoja, dialogët mes nënës dhe fëmijës. Më kanë shkuar sidomos rolet e vajzave fshatare. Më pëlqente shumë të luaja këto role. Në moshë të re kam imituar dhe gra të moshuara…”, thotë ajo. Një rol të cilin ajo hezitonte ta bënte, por që do ta kthente në një figurë tepër të dashur për publikun, është dhe roli nga poema “Pleshti” i Dritëro Agollit. Me këtë rol ajo do të nderohej me “Medalje ari” në takimin sezonal të estradave në Peshkopi. Janë të shumta pjesët që Stari ka vendosur në skenë, por për një gjë është e sigurt, tek çdo rol ka dhënë shpirtin e saj. Aktrimi ka qenë një profesion për të cilin ajo ka ëndërruar shumë deri ditën kur për herë të parë shkeli në Akademinë e Arteve. “Që kur isha në vitet e para të shkollës jam marrë me aktivitete kulturore, si teatër, këngë, akrobacia”, kujton ajo. Por para se të niste studimet për aktrim, Aishe Stari kujton se bëri një vit studime për biokimi, të cilat i la për aktrimin. “Ishte pak e vështirë, të lije një degë në atë kohë, dhe të vijoje studimet në një degë tjetër, por pasioni të bën t’ia dalësh gjithnjë”, thotë Stari. Shumë vite më vonë do të takonte në rrugë rastësisht ish-profesorin e saj të kimisë, Minella Karajanin, i cili i tha se “i bëhej qejfi që ajo ishte bërë artiste, pasi kimistë dalin të gjithë, ndërsa artistë rrallë”. Pavarësisht sistemit në të cilin Starit dhe brezit të saj iu është dashur të bëjnë art, ajo e kujton me nostalgji atë kohë, ku teatri kishte një tjetër aromë… Kanë qenë një brez i tërë artistësh të talentuar që i dhanë jetë teatrit “Aleksandër Moisiu” që këtë vit bëhet 60 vjeç, si Vera Vrumi, Marta Burda, Vangjel Heba, Nikolin Xhoja, etj. “Në atë kohë janë vendosur dhe pjesë të huaja, por ka pasur më shumë përkushtim për teatrin. Kishte tjetër forcë Teatri në ato vite, po ashtu dhe Estrada”, thotë Stari, teksa kujton komedinë “Ëndrrën e një nate vere”, e cila u ngjit në skenë vetëm falë përkushtimit të regjisores dhe pa ndihma financiare. Duke shpresuar në kohë më të mira për teatrin, Stari (“Artiste e Merituar”) beson se arti i mirë nuk mund të bëhet pa ndihmën e institucioneve përkatëse. Pas viteve ‘90, ajo ka marrë pjesë edhe në disa prodhime kinematografike si “Piruet” (2005), “Dashuri dhe krisma” (1997), “Fundi i marrëzisë, fjalëkryqi” (1995).
Një aktor nuk mund të rrijë dot gjatë larg skenës. Dhe pse i ka kaluar të 70-at, Stari thotë se ndihet plot energji për të punuar. “Unë punoj vazhdimisht, dhe nuk mund të rri dot pa punuar”, thotë ajo. E quan një eksperiencë interesante punën me brezin e ri, komunikimi me të cilin e fut në një tjetër dimension. Por, a ka pengje në jetën e Aishe Starit? Teksa shiu jashtë duket se ka pushuar, ajo buzëqesh dhe thotë se ka bërë jetën që ka dashur, pasi ka realizuar ëndrrën për të qenë aktore. Teatri ka qenë dashuria e saj më e madhe, një dashuri që i ndihet ende në fytyrë kur flet për të…
Zonja e dashur e fëmijëve
Aishe Starin e emocionon shumë ai moment kur mbërrin në oborrin e një shkolle. Sa e shohin nga larg, fëmijët lënë gjithçka për t’u afruar pranë zonjës që di të tregojë aq bukur përrallat. Vitet e fundit, duke qenë se Teatri apo Estrada nuk kanë punë si dikur, ajo ka zgjedhur një mënyrë për të mbajtur gjallë pasionin e saj. Ka krijuar vetë një teatër lëvizës kukullash, me të cilin shkon e jep shfaqje në shkolla të ndryshme të Durrësit apo Tiranës. Letërsia për fëmijë gjithnjë e ka magjepsur. Kohën e lirë e kalon bibliotekave për të lexuar, ku pikas personazhet të cilëve më pas u jep jetë për fëmijët. “Është kaq i bukur komunikimi me fëmijët”, thotë ajo.
Durrësi, qyteti im
Asaj i pëlqen të shëtisë në këtë qytet ku ndodhet gjithë jeta e saj. Fëmijëria, koha e rinisë, teatri, familja… miqtë. Ky qytet, ku vështrimet e çdo kalimtari duket se i japin mirënjohje për punën e saj. Aishe Stari mund të flasë gjatë për Durrësin. Asnjëherë nuk ka menduar se mund të jetojë larg tij. Në këtë qytet ajo ka rritur me aq dashuri vajzën e saj, e cila dikur dëshironte të bëhej aktore, por zgjodhi tjetër rrugë në jetë…
Fotot: Komedia “Dashuria e dytë e moshës së tretë”, me regji të Haxhi Ramës
Aishe Stari dhe Fadil Hasa, në vitet ‘80
Gjatë një shfaqjeje: Aktorët: Ramazan Ngjala, Aleksandër Pepa, Spiro Strati, Aleks Llazari, Enver Likmeta dhe Aishe Stari./gazetashqip
- Ketu lexohet cdo e re rreth vdekjes mizore te vajzes 17 vjecare Aishe
- Gjyshja e Nazime Vishës: “ Nëse nuk do kryente krimin, mbesa ime do të përfundonte si Aishe Vata”
- “Ku ka si ti, o Shqipëria ime” rikthen Shkëlzen Dolin në skenën gjakovare
- Teatri grek vjen në skenën e Tiranës
- Tuna, vasha që tundi skenën tonë!
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi