- VizitorVizitor
Filmat kosovarë, “të fshehur” në Kanë
Sat 18 May 2013 - 11:14
Po konsiderohet si program i fortë i filmave, jo befasishëm. Filmat më të arrirë të shteteve nga e mbarë bota tanimë janë mbledhur në Kanë të Francës, aty ku të mërkurën ka filluar një prej festivaleve më prestigjioze të filmit në botë. Ka qenë Leonardo Di Caprio dhe Baz Luhrmann me “Great Gatsby” i pari film që ka nisur maratonën e cila për 12 ditë do të sjellë filma, takime, panele, broshura e prezantime kinematografike. Kosova edhe sivjet përfaqësohet me Qendrën Kinematografike, e cila ka vendosur të promovojë disa prej filmave që i ka mbështetur, për tu parë nga sytë e njerëzve më të arrirë të filmit në botë. “Ballkoni” nga Lendita Zeqiraj apo “Heroi” në regji të Luan Kryeziut janë disa prej filmave që QKK-ja i ka dërguar në Kanë.
“Kjo nënkupton promovimin e kinematografisë kosovare në të mirë të saj. Këta janë filma që ne i kemi ndihmuar financiarisht nga buxheti i QKK-së dhe po i prezantojmë këtu” thotë Arben Zharku, pjesë e Këshillit Drejtues të QKK-së. Zharku nuk ka dhënë detaje të tjera, përpos takimeve dhe kontakteve që sipas tij do të krijohen e që do të jenë në favor të kinematografisë kosovare. Në ndërkohë, në web faqen e këtij institucioni ku tregohet për hapjen e pavilionit kosovar në edicionin e 66-të të festivalit të filmit në Kanë, është Valon Jakupaj producenti i nominuar si pjesëmarrës i programit “Producers on the Move”.“Duke qenë se tanimë jemi anëtarë të European Film Promotion, kemi të drejtë nominimi të artistëve tanë në evenimente të tilla” thotë Zharku.
“Më vjen mirë që Kosova po e mban vazhdimësinë e prezencës ndërkombëtare dhe promovimit të industrisë filmike vendore. Por, ajo që më bën edhe më krenar, është që sikurse në Berlin që nominuam Arta Dobroshin, këtë herë në Cannes QKK-ja ka nominuar producentin Valon Jakupaj, i cili do të jetë pjesëmarrës i programit 'Producers on the Move' që mbahet gjatë festivalit” thekson në komunikatë Fatos Berisha, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës. Jakupaj është regjisor i “To be or not to be 1244”, “Adventures of Santa Cloause”, “The Bag” dhe disa projekteve tjera ndërsa aktualisht po punon me Bujar Alimanin, si bashkëproduksion filmik midis Kosovës, Greqisë, Shqipërisë dhe Francës.
Filmat kosovarë megjithatë janë jashtë të gjitha kategorive garuese në festival. Ndoshta, kjo është arsyeja pse ky institucion nuk ka dërguar asnjë njoftim të vetëm për media për pjesëmarrjen e tyre në festivalin e Kanës. Megjithatë, njoftimi i vetëm i bërë ka ndodhur me anë të ëeb-faqes së institucionit dhe statuseve në rrjetet sociale.
20 projekte filmike gjithsej janë në konkurrencë për çmimet e sivjetme, ndërsa të tjerë filma do të ipen në kategorinë e filmave të shkurtër, prurjeve filmike speciale, Cinefondation, Un Certain Regard dhe ata jashtë konkurrencës. Marche du Film, një nga shumë sensacione të festivalit nuk sjell asnjë film kosovar. Prezantimi kosovar do të bëhet me anë të projektimit të filmave dhe promovimit të tyre me broshura e prezantim në formë marketingu, ndërsa një frymë më kosovare do t’i ofrohet festivalit me vizitën që do të bëjë Ministri i Kulturës Memli Krasniqi, të hënën e datës 20 maj.
President i jurisë së sivjetme është Steven Spielberg, ndërsa Nicole Kidman, Naomi Kawase, Ang Lee, Christoph Waltz, Lynne Ramsay, Cristina Mungiu, Daniel Auteil dhe Vidya Balan janë pjesa tjetër që do të vlerësojnë më të suksesshmit për këtë edicion. Sivjet, një vëmendje e madhe në festival i është dhënë edhe ardhjes së projektit të ri “Silence” nga Martin Scorsese.
Kjo është hera e dytë që Kosova, gjegjësisht QKK hap pavilionin në këtë festival, ndërsa sivjet ajo është në mes 109 shteteve dhe 11409 participantëve nga gjithë bota, thuhet në komunikatë. Ditën e enjte, në festival janë shfaqur filmat “The Bling Ring” nga Sohia Coppola, “Les parapluies de cherboug” me regji të Jacques Demy, “Jeune Et Jolie” nga François Ozon.
/ ZERI INFO /
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi