Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Karamelica
Karamelica
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 3517
<b>Hobi</b> Hobi : Noti!
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Ne hene me yjet !!
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 12/11/2010

Genti Tavanxhiu:Kemba e shqiptarit,ne kullen me te larte te botes. Empty Genti Tavanxhiu:Kemba e shqiptarit,ne kullen me te larte te botes.

Fri 17 Dec 2010 - 19:51
Skulptori shqiptar Genti Tavanxhiu që prej vitesh jeton në Ascoli Piceno të Italisë e po prej vitesh talenti i tij gërsheton suksesshëm traditat e shkollës së gurgdhendësve shkodranë me vlerat antike dhe “absolute” të skulpturës italiane. Një nga veprat e skulptorit Tavanxhiu, e titulluar “Barra e udhëtimit”, zbukuron atmosferën mahnitëse rrethuese të Burj Dubaj, grataçelës më të lartë në botë në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara, e konfirmon praninë e tij pranë emrave më të njohur të skulpturës aktuale ndërkombëtare

Italia, Gjermania, Franca, Spanja, Kina, Turqia, Rumania, Dubai, Holanda, Japonia etj. janë disa nga shtetet ku ai ka realizuar monumentet e tij, ka ngritur ekspozita personale, ka fituar çmime e ka njohur vlerësime që sot e rendisin në nivelet më të larta të skulpturës ndërkombëtare. Ai është skulptori shqiptar Genti Tavanxhiu që prej vitesh jeton në Ascoli Piceno të Italisë e po prej vitesh talenti i tij gërsheton suksesshëm traditat e shkollës së gurgdhendësve shkodranë me vlerat antike dhe “absolute” të skulpturës italiane. Puna e tij, e orientuar kryesisht në veprat me përmasa monumentale lidh klasiken me modernen, të djeshmen me të sotmen, besimin tek Zoti me të panjohurën e së ardhmes e sjell tek publiku atë që ai e përkufizon “si një proces metamorfoze” e që quhet art. Një nga veprat e skulptorit Tavanxhiu, e titulluar “Barra e udhëtimit”, zbukuron atmosferën mahnitëse rrethuese të Burj Dubaj, grataçelës më të lartë në botë në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara, e konfirmon praninë e tij pranë emrave më të njohur të skulpturës aktuale ndërkombëtare. “Barra e udhëtimit” e shprehur me skulpturën e një këmbe të madhe e të lartë rreth dy metra e gjysmë përfaqëson lodhjen, mundin, vështirësitë e peshën e jetës së përditshme të njeriut e të artistit brenda tij, që ndoshta dhe shpesh do t’i duhet të përballojë siç shprehet ai vetë “uraganin” e kësaj jete. Për kritikët e njohur të artit skulptori shqiptar është “artisti që njeh ndjeshmërinë e gurit” e që “kapërcen vështirësitë e materialit abraziv”, fjalë të cilat nuk kanë se si mos të vërtetohen teksa vëzhgon veprën e tij “Nyja” të ekspozuar në simpoziumin e Antalyas (Turqi) e ku gjenialiteti i tij simbolizon në formë abstrakte lidhjen e pazgjidhshme midis dy personave në një shpirt të vetëm që identifikohet dashuri. Skulpturat e tij zbukurojnë qytetet si Montbrison në Francë, Pitesti në Rumani, Novelda në Spanjë etj. janë të pranishme në kisha e objekte kulti, në ndërtesa institucionale e në muze anekënd botës, kanë qenë të pranishme në simpoziume ndërkombëtare të skulpturës si në Julienne në Morges, në Montbrison, në Bienalen e Artit në Kinë e arritën deri në Pekin me rastin e Olimpiadave të vitit 2008. Vepra e fundit për kishën e Regina Pacis në qytetin e Rietit në Itali evidenton origjinalitetin e shprehjes së tij artistike që rizbulon tek arti i shenjtë fetar aftësinë që ai ka për të vizituar njëkohësisht si modernen ashtu dhe klasiken, duke i dhuruar atij si skulptor kënaqësinë e një vepre monumentale mjaft të suksesshme. Kur e pyet se çfarë është për të skulptura, përgjigja e tij nuk lë vend për koment, “skulptura është një ëndërr” e si të tillë dëshiron ta vazhdojë ta jetojë.

Me thjeshtësinë karakteristike të çdo shkodrani e me objektivitetin largpamës të një shqiptari që vëzhgon nga larg e me mall vendin e tij, Shqipëria është për këtë artist “një letër e bardhë ku mund të vizatohet çdo gjë e ku mund të krijohet veçse një vepër e bukur e denjë për një tokë të tillë të lashtë”.

Mendoj se nga vlerësimet e shumta që keni njohur artistikisht në të gjithë botën fjalët e kritikut të njohur italian Renzo Margonari prezantojnë e përkufizojnë më së miri figurën tuaj si një skulptor i talentuar shqiptar që prej shumë vitesh jeton në Itali. “Tavanxhiu është një hibrid fantastik trajtash e formash: në veprat e tij ai bashkëngjit traditën nga e cila vjen, akoma e panjohur në këtë anë të Evropës, me vlerat antike të realitetit të sotëm ku ai jeton e realizon artin e tij”. Pra, një afirmim mjaft pozitiv që sjell spontanisht pyetjen time se në çfarë raporti është arti juaj me traditën?

Kam lindur në Shkodër, një qytet i cili shquhet për traditën e tij në fushën e artit e raporti im me traditën e gdhendjes së gurit është rrjedhë e pasionit për ta eksploruar këtë botë e cila më ka tërhequr që në fëmijërinë time. Traditat i kanë rrënjët në eksperiencën e një populli dhe në të shumtën e tyre, sidomos në traditat artizanale ato lidhen direkt me lëndët e punës, me materialet. Kultura e gdhendjes së gurit, eksperienca e kavatorëve (nxjerrës guri) në male, mjeshtëria e artizanëve që këtu në Carrara (lokalitet italian i famshëm për punimin e mermerit) i quajnë “finitori”, më shtynë ta thelloj më tepër kuriozitetin tim duke motivuar dhe zhvendosjen time në Itali. Në Itali gjeta atë që kërkoja pasi këtu tradita ka prekur nivelet më të larta ose për ta thënë më mirë “absolute”. Artisti përmes materies e cila është “medium” (transport) kërkon të përcjellë me veprën e tij mesazhin shprehës dhe vetëm atë.

Si arrin vepra juaj të asimilojë një shprehje e një stil artistik kaq personal?

Është kompliment i goditur, faleminderit… E kam pak të vështirë të komplimentoj vetveten, por po mundohem të shpjegoj se si puna ime ka arritur në nivelet aktuale.

Siç thashë dhe më parë, kam punuar shumë, por eksperienca e vërtetë ishin kontaktet dhe realizimi i skulpturave monumentale në vende të ndryshme të botës përkrah artistëve të ndryshëm si nga prejardhja gjeografike ashtu dhe nga formimi artistik e mosha. Çdo artist ka vizion personal dhe kjo është e qartë kur ndodhesh përballë një kontakti direkt siç janë simpoziumet dhe expo-t ndërkombëtare.

Pikërisht aty lind nevoja që të flasësh me një stil personal. Kur përplasesh me një botë kaq të madhe si artist i ri të duket vetja mjaft i vogël. Disa thonë apo mendojnë se për të qenë një artist i suksesshëm mjafton të kesh talent.

Unë mendoj se nuk mjafton aspak vetëm talenti, duhet koha, eksperienca e durimi dhe mbase do të të duhet të përballesh e t’i rezistosh “uraganit”. Ndoshta këtë fjalë shëmbëllejnë me një inkub, por gjërat duhet t’i kesh jetuar për t’i njohur më mirë.

Si lind një skulpturë juaja, pra ku i gjeni inputet për të krijuar?

Në rastin e punimeve monumentale asgjë nuk është e rastësishme, pra në të shumtën e rasteve ideja lind nga një komision që propozon kërkesën dhe përcakton vendin ku do të vendoset vepra. I takon artistit që me punën e tij të arrijë të realizojë e ta kthejë në art këtë ide. Pastaj në lidhje me veprën ose me mirë të them gjatë procesit të punës lindin variante që degëzohen e degëzohen duke oksigjenuar ide të reja.

Mund të më thoni diçka më shumë mbi rrugën tuaj artistike? Si keni arritur tek skulptura?

Formimi im si skulptor nisi me studimet e mia në liceun artistik “Preng Jakova” të Shkodrës nën drejtimin e profesorit Ferid Kola. Në moshën 19-vjeçare jam zhvendosur në Itali, ku kam vazhduar studimet me artistin e madh shqiptar Lin Delija. Në vitin 1995 jam transferuar në Rajonin e Markeve në Ascoli Piceno të Italisë, ku jetoj aktualisht. Gjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve aktiviteti im artistik ka qenë mjaft intensiv e gjithnjë e në rritje, por mbi të gjitha me kënaqësitë e një suksesi në të gjithë botën.

Skulptura e komunikimi. Cila është marrëdhënia midis skulpturës suaj e publikut?

Vëmendja ime që në fillim ka qenë e orientuar për të realizuar skulptura me përmasa monumentale. Kam ndjekur me interes të gjitha sitet ku projektet e mia mund të realizoheshin. Dëshiroj të ndalem pak e të flas për skulpturën që kam realizuar në Dubaj, e cila aktualisht qëndron e vendosur në zonën më të njohur të këtij qyteti, në Burj Dubaj “Kulla e Dubajit”, grataçela më e lartë në botë. I ftuar nga Emaar UAE, një nga gjigandët e biznesit botëror së bashku me 30 artistë të tjerë të ardhur nga çdo anë e rruzullit, na u dha mundësia të krijonim vepra arti për të përmirësuar dhe vlerësuar atmosferën që rrethon ndërtesën e Burj Dubaj. Qe kjo një eksperiencë e papërsëritshme si dhe një nga më të rëndësishmet në karrierën time.

Një tjetër etapë stimuluese dhe e rëndësishme për rrugën time artistike janë skulpturat me tematikë fetare.

Realizimi i punës së fundit për kishën e Regina Pacis në Rieti është me të vërtetë një sukses. Në të kam realizuar dhe derdhur gjithë mjeshtërinë time dhe kënaqësia e suksesit që më ka dhuruar e vazhdon të më dhurojë ajo, është e pakomentueshme.

Skulptura juaj e fundit në kishën e Regina Pacis të Rietit (qytezë pranë kryeqytetit italian Romë) prezanton një engjëll që me dorën e majtë mban librin e Ungjillit e me të djathtën tregon qiellin, duke shprehur kështu rrugën shpirtërore që duhet të kryejë njeriu derisa të arrijë në shenjtërim. Kritikët e artit e kanë vlerësuar punën në këtë vepër si një aftësi tuajën origjinale e shprehëse për t'i dhënë një veshje moderne temës klasike të traditës së krishterë. A është besimtar Genti? Në rast se po, a mendoni se ky fakt ka frymëzuar e ndihmuar suksesin e punës suaj, sidomos në tematikën e artit fetar?

Amboni (foltore në kishë) i Rietit ose engjëlli që paraqitet përpara ambonit, me dorën e majtë tregon biblën si libër i shenjtë dhe me tjetrën dorë qiellin. Por dora e djathtë është simbolike dhe skema e vendosjes së gishtave për simbologjinë e krishterë (ashtu siç paraqitet në vepër) do të thotë Jezus Krishti. Engjëlli paraqitet si lajmsjellës. Jam munduar në këtë punë të vendos nuancat e kohës në të cilën jetoj. Arti në përgjithësi është një proces metamorfoze. Etiketat moderne apo klasike shpesh përdoren për të kategorizuar situatat. Në të vërtetë ato janë shumë komplekse dhe nuk mjafton një intervistë për të sqaruar prejardhjen e tyre. Do të jap një shembull… Picasso ka përzier në krijimtarinë e tij periudha klasike si dhe moderne.

Por Picasso është një nga artistët më modernë në historinë e artit! Për sa i përket besimit tim, unë jam besimtar i krishterë. Sa më ka ndihmuar besimi nuk jam në gjendje të përgjigjem. Mund të theksoj se më ka ndihmuar mjaft informacioni dhe njohuria që unë kam për Artin e Shenjtë.

Në shoqërinë e sotme moderne e superteknologjike a ekziston rreziku që arti fetar të mbetet mënjanë apo të mos vlerësohet sa duhet?

Nuk besoj të ekzistoj një rrezik i tillë. Jam i bindur që jetojmë në një kohë ku perceptimi i këndvështrimit po ndryshon boshtin e tij e duhet të adaptohemi me një situatë të re të ndryshme nga ajo çka transmeton pamja e jashtme por e ngjashme me të kaluarën.

Imagjinoni të keni makinën magjike të kohës: Cilin artist të së shkuarës do të dëshironit të takonit?

Nuk është e nevojshme të udhëtosh në kohë për të takuar artistët. Mendoj se secili nga ne do të zhgënjehej. Trashëgimia e punës së tyre është e mjaftueshme për t’i njohur e u kuriozuar nga ata.

Çfarë do t'i këshillonit një të riu që sot dëshiron të bëhet skulptor?

Ta ndjek pa asnjë dyshim këtë pasion. Nëse me të vërtetë ai dëshiron të jetë skulptor duhet ta gjejë vetë rrugën e tij. Kuptoj që vështirësitë apo problemet e kësaj rruge shpesh janë të paevitueshme, por zgjidhja e tyre do t’i dhurojë artistit të ri formimin e karakterit artistik e profilin individual të artit të tij.

Artistikisht, çfarë përfaqëson Shqipëria për ju?

Një vend ku çdo gjë mund të fillojë nga e para, një letër e bardhë ku mund të vizatohet çdo gjë. Çdokush që ka lidhje me Shqipërinë apo që jeton në Shqipëri po të ishte artist me siguri do të krijonte një vepër të bukur të denjë për një tokë të tillë të lashtë.

INTERVISTOI: ALBA KEPI gazetastandard
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi