- VizitorVizitor
Eqrem Çabej dhe lehtësimi i shqipes së shkruar
Mon 27 Dec 2010 - 16:59
Në vitet nga 1991 deri më sot e pengojnë përmirësimin ose reformimin e drejtshkrimit grupi konservator-nostalgjik i konferencës së ’72shit dhe vetëdija e shumicës sonë, e shkrimtarëve, përkthyesve, gazetarëve, që nuk do ta dëshironim anarkinë që mund të lindte në shkrim.
Mungesa e bashkëpunimit dhe harmonizimit të përpjekjeve tona na ka penguar të biem dakord për ndryshime në pika të caktuara të tij. Ja çfarë propozoj
Siç dihet Eqrem Çabej, më i shquari linguist shqiptar që studioi historinë e gjuhës shqipe, ishte njëkohësisht njëri nga katër anëtarët hartues të Rregullave të drejtshkrimit, që të miratuara në nëntor 1972 përbëjnë rregulloren e shqipes standarde të cilën respektojnë dhe përdorin, apo shpesh mundohen të përdorin shqiptarët kudo ku janë.
Po të krahasojmë qëndrimin e këtij dijetari 20 vjet para kësaj date, konkretisht në konferencën për gjuhësinë të vitit 1952, kur pohoi se dy variantet kryesore letrare të shqipes duhet të bashkëjetojnë për një kohë të gjatë ashtu siç kishin bashkëjetuar koinetë e mëdha të shkrimit në Greqinë e lashtë, atiku, doriku dhe joniku, me qëndrimin e tij si njëri nga hartuesit e standardit të 1972-shit, do të vërenim zhvendosje jo të vogël.
Kjo zhvendosje, apo pranim i faktit të kryer se nga dy kryevariantet e shkrimit të shqipes, vetëm njëri do të ngrihej në normë (duke marrë aty-këtu ndonjë element të tjetrit), kurse tjetri do të ndalohej në shkrim e në përdorim publik, ka dy shpjegime: së pari, Çabej e kishte kuptuar mirë ndërkaq se regjimi ishte mëse i vendosur ta kryente sa më parë atë që ai e quante „njësim” të gjuhës letrare, se nuk ishte më viti 1952 kur ende mund të lejoheshin debatet dhe divergjencat në fushën e kulturës.
Së dyti, varianti letrar që po kthehej në standard, ishte ai jugori të cilin dijetari ynë e kishte përdorur deri aty mbi dyzet vjet në veprën e tij e në këtë vështrim, pas 1972-shit, në punën e tij nuk kishte për të ndodhur asnjë thyerje.
Pranimi i faktit të kryer megjithatë nuk është tek ai një akt shtirjeje shkencore, edhe pse ndoshta do kishte dashur të fliste më hapur: Në fjalën e mbajtur në kongresin e drejtshkrimit Çabej thotë, kur shpjegon si janë vendosur përgjithësisht standardet e gjuhëve ndër kombe të ndryshme: „Më shpesh vihet re ndërkaq se aty kanë çuar peshë si faktorë vendimtarë prestigji i një epërsie politike dhe të tjera arsye jashtëgjuhësore” që nënkupton qartë se e njëjta gjë po ndodhte edhe në Shqipëri.
Përtej pranimit të faktit politik, në referatin e tij bashkënënshkruesi i Rregullores më njërën anë thekson se këto rregulla nuk janë aspak diçka e ngrirë për gjithë kohët që do të vijnë, më anën tjetër bën njëfarë oponence brenda grupit, duke kërkuar të tjera zgjidhje nga ato që ka vendosur pjesa tjetër.
Nga këto dy pika do të nisemi, për të treguar më pas mundësitë që ka drejtshkrimi ynë për t’u lehtësuar e zhdërvjelltësuar në të mirë të gjithë përdoruesve të tij.
„Rregullat drejtshkrimore rrjedhin nga një realitet, e ky është shkalla e zhvillimit që ka arritur gjuha si tërësi në një cak kohe të caktuar. Drejtshkrimi duhet t’i përgjigjet këtij realiteti” nënvizon Çabej në krye të referimit të tij dhe më pas vijon: „Gjuha e shkrimit ka dalë në analizë të fundit prej gjuhës së gjallë të popullit që e flet.
Në pajtim me këtë, edhe rregullat që përcaktojnë përdorimin e saj duhet të dalin nga të dhënat e këtij realiteti gjuhësor.” Te shkëputja e rregullave nga përdorimi real i gjuhës prej folësve të saj Çabej shikon rrezikun e diglosisë, të një gjuhe që shkon më vete e folur dhe më vete e shkruar, „një dygjuhësie, gjë që ka ndodhur në disa gjuhë të botës, edhe të Europës”.
Ky fenomen duket është bërë realitet në Kosovë, ku vërtet shtohen përdoruesit e mirë „intelektualë” të drejtshkrimit, por po kaq konservativë janë në ruajtjen e kosovarishtes shumica e folësve në familjet e tyre, në tryezat e shoqërisë e deri në grupet e të rinjve „hip-hop”; diçka e ngjashme ndodh edhe me Shkodrën e vjetër.
Nëse vazhdohet me ngurtësinë ndaj DSH-it të 72-shit dhe anatemimin e gegnishtes letrare, në një të ardhme afatmesme do të kemi në Kosovë atë që ka ndodhur në Zvicër: Schwitzerdeutsch krahas gjermanishtes.
Po të shikojmë gjithë rrugëtimin që ka bërë ortografia e shqipes – nuk jam dakord të përdoret kaq shumë e gjithkund fjala „standard”, sikur kemi të bëjmë me një supergjuhë gati-gati të zbritur, të prodhuar në një superfabrikë, kur në të vërtetë kemi të bëjmë vetëm me një tërësi rregullash drejtshkrimore – nga 1972-shi deri më sot, pra thuajse në dyzet vjet, vërejmë se jo vetëm që nuk ka asnjë ndryshim, por nuk ka asnjë sy për ndryshim, as dhe një projekt për të ndryshuar qoftë dhe vetëm një nënkapitull të tij.
Kjo ka disa arsye të forta: në dy dhjetëvjeçarët që kaloi drejtshkrimi nën diktaturë, as që mund të mendohej ndonjë ndryshim e përmirësim; në vitet nga 1991 deri më sot janë dy faktorë që pengojnë përmirësimin ose reformimin: nga njëra anë është grupi konservator-nostalgjik i konferencës së ’72shit që e sheh këtë çështje gati-gati si sfidë personale, drejtshkrimin të përkryer, dhiatë për t’ua lënë brezave që vijnë; nga ana tjetër është vetëdija e shumicës sonë, e shkrimtarëve, përkthyesve, gazetarëve, gjuhëtarëve etj., pra e përdoruesve kryesorë të gjuhës letrare, që nuk do ta dëshironim anarkinë që mund të lindte në shkrim, sikur të merreshin vendime të reja të njëanshme, të papranuara nga shumica.
Pra në fund të fundit, është mungesa e bashkëpunimit dhe harmonizimit të përpjekjeve tona për një drejtshkrim më të mirë, ajo që na ka penguar deri tani të biem dakord për ndryshime në pika të caktuara të tij.
Se që këto ndryshime janë të arsyeshme, madje të nevojshme e të domosdoshme, kjo është e qartë e këtë do të mundohem ta shtjelloj edhe më poshtë.
Le të nisemi përsëri nga Çabej dhe referati në fjalë.
Ai aty, pasi përshëndeti disa zgjidhje të drejta, sikundër shkrimin e bashkëtingëlloreve të zëshme edhe në fund të fjalës (dihet se toskërishtja kryesisht ato i shurdhon si te: liq, zoq, i math, loth etj.), zgjedhjen e prapashtesës -ues në vend të -onjës ose -ojs caktimin për normë të varianteve që kanë më shumë përhapje në territor si vend e zemër, kaloi në kritika që kërkojnë të gjitha në thelb po të njëjtën gjë: një fleksibilitet më të madh të drejtshkrimit dhe përshtatje të tij ndaj gjuhës së folur nëpërmjet kursimit të zanoreve -ë, përgjithësisht ekonomisë së gërmave.
Këto kritika kërkojnë 1. të mos shkruhet me tepri -ë-ja patheksore; 2. të lejohet përdorimi i apostrofit kur bije zanorja fundore në përplasje me një zanore nistore të fjalës paraprijëse; 3. të lejohet shumë më tepër se ç’qe vendosur përngjitja e fjalëve në lidhëzat, ndajfoljet etj.; 4. të lejohet përdorimi i thekseve në raste të veçanta.
Duket pak e çuditshme kjo opozitë brenda pozitës, në gjirin e një komisioni të ngushtë, mirëpo ne e dimë se te Çabej fliste në fund të fundit shkencëtari i ndershëm dhe ai nuk mund të pajtohej publikisht me disa zgjidhje që i quante jo të drejta.
Pastaj, të gjitha ndryshimet që ai propozon e që nuk u lejuan janë në natyrën e variantit që u zgjodh, të toskërishtes, pra tek kërkon që drejtshkrimi t’i afrohet edhe më shumë gjuhës së folur, ai edhe kundërshton hipokrizinë e „gjuhës së njësuar”, edhe mëton zgjidhje më praktike.
Konkretisht Çabej kërkon që „duke i dalë përpara prirjes së dukshme të gjuhës për një thjeshtim më të madh të këtij vokali [ë] në të ardhmen mund të shkohet edhe më përpara në këtë drejtim, duke shkruar ndër të tjera amtar, pishtar, arsim, kshill, pjestar, pjestim, përmendsh, trekëndsh… Aty duhet të hyjnë edhe shumëset dit e net”. E dimë që pak nga këto propozime si amtar, pishtar e arsim u përfillën, të tjerat jo.
Tani le të shkojmë pak më tej në këtë pikë, në shkrimin e ë-së patheksore, që është njëkohësisht pika më e dobët e drejtshkrimit tonë dhe që kërkon rishikim më shumë se çdo çështje tjetër.
Të gjithë që shkruajmë e dimë se sa e bezdisur është kjo zanore që shpeshherë është vetëm gjysmëzanore dhe shumë herë të tjera as nuk dëgjohet fare në të folur. Të gjithë e dimë sa probleme hap në shkrimin me dorë dhe atë elektronik.
Më e keqja është që nxënësit në shkolla mësojnë një shqiptim artificial, pasi mësuesit zakonisht nuk u thonë se kjo ë në të shumtën e rasteve nuk lexohet. T’i ndihmojmë atëherë deri-diku me largimin e saj prej shkrimit.
Le t’i marrim rastet pikë pas pike. Në propozimet tona parimi kryesor është që ë-ja patheksore duhet të rrijë në ato raste kur ka funksion të rëndësishëm gramatikor, por nuk është aspak tabu dhe e paheqshme në të gjitha ato raste kur shumica e folësve s’e përdor dhe arsyet pse rri janë thjesht formale ose analogjike.
Ndër -ë-të paratheksore drejtshkrimi (DSH) përjashton te fjalët e parme (§ 5 a) vetëm fjalët arsye dhe arsim.
Arsyeja? Nuk ka. Mirëpo fare mirë mund të përjashtoheshin kështu, pse shumica e folësve nuk i përdor, edhe fjalët brryl, dlir, drrasë, gogsij, grryej, klysh, krrabë, krrusem, kshill, mallngjej, mshoj, pagzoj, shplaj, t’harr etj..
Në fjalët e prejardhura DSH (§ 5b) përjashton -ë-në paratheksore vetëm te gjithë dhe kurrë në fjalët e përngjitura kur këto janë lidhëza, ndajfolje, përemra të pakufishëm, por jo kur janë emra. Pra duhet shkruar gjithkush, por gjithëpërfshirje.
Një rregull pa asnjë argumentim e arsye; sikur ne presim nga gjithë përdoruesit e gjuhës shqipe që të dallojnë ndajfoljen nga emri! Këtu ë-ja duhet të bjerë gjithmonë, sikurse edhe te formimet me vetë- (DSH pranon vetëm vetvete, vetvetor, por: vetëgjyqësi etj.).
Gjithashtu përjashtohen disa fjalë „për shkak të ngulitjes prej kohësh” si besnik, fillestar, rojtar, zyrtar etj. Kush e përcaktoi ngulitjen prej kohësh, kush e ndjen ose e zbaton atë së përdorues?
Mirëpo praktikisht te të gjitha fjalët e prejardhura mund të hiqet ë-ja paratheksore, sipas rregullit të thjeshtë: „ë e patheksuar fundore bie në fjalët e prejardhura ku ndodhet në pozicion paratheksor”.
Këtu mjafton që të shënojmë vetëm përjashtimet: nuk bije kur përplasen dy bashkëtingëllore të njëjta ose të ngjashme: kështu do të vazhdojë të qëndrojë te burrëri, luftëtar, por do të bjerë në të gjitha rastet e tjera: antar, armtar, atror, atsi, coptoj, drejtsi, flakrimë, pjestim, pjestoj, valzim; armpushim, bashkshort, buzqesh, pulbardhë. Do të na duket e çuditshme në fillim kur t’i shohim këtë fjalë pa ë, por do mësohemi shpejt kur ta ndiejmë se sa i jemi afruar gjuhës së folur.
DSH kërkon të shkruhet -ë paratheksore edhe te fjalët që mbarojnë më -ër, -ërr, -ël, -ës, -ëz. kur këto bëhen të prejardhura (§ 5b). Vendos pastaj një rregull përjashtimi që nuk ka nxënës e student që ta mbajë mend, siç më ka ndodhur edhe mua në kohën e universitetit: „Nuk shkruhen me ë paratheksore fjalët e prejardhura të formuara prej temash më -ër me anë prapashtesash që fillojnë me zanore, kur përpara ë-së ndodhet vetëm një nga bashkëtingëlloret b, d, f, j, k, p, t, v ose një nga grupet -nd-, -st-„ (!!)
Mendoj se edhe këtu ë-ja nuk ka shumë arsye të rrijë, përderisa folësit nuk e përdorin, pra do të shkruajmë: arbror, çiltri, dimroj, gjelbrim, mjeshtri, njerzi, njerzor, zotrim, zotroj etj.
Po kaq i vështirë është për t’u mësuar DSH te çështja e ë-së paratheksore në fjalët e prejardhura, kur fjala e parme këtë ë nuk e ka pasur (§ 5b). Ai këtë ë e quan ‘mbështetëse’ dhe e kërkon në shumicën e rasteve.
Rregullat për përjashtimet janë përsëri tepër të ngatërruara për t’u mbajtur mend, për shembull shkruhen pa ë: „fjalët e prejardhura që formohen prej temash me një bashkëtingëllore me anë të prapashtesave -tar(e), -tor(e), -ti, -toj” e këtu hyn një grup i madh përjashtimesh si arsimtar, lundërtar, dëmtoj, tradhtoj etj. Ose „fjalët e prejardhura që formohen prej temash më bashkëtingëllore të lëngëta që e kanë theksin në rrokjen e parafundit” (!) e këtu hyjnë pastaj afërsi, letërsi, zgjuarsi etj.
Për gjithë këtë grup të madh fjalësh është e arsyeshme të vendoset i njëjti rregull si te pika e mësipërme, ku ë-ja ishte pjesë e fjalës së parme: pra përjashtime të lëmë vetëm ato raste kur përplasen bashkëtingëllore të njëjta ose të ngjashme dhe ta largojmë -ë-në „mbështetëse” nga të gjitha rastet e tjera.
Atëherë do të shkruanim: armiqsi, besnikri, bujqsi, djallzi, dobsi, fundrri, gjaksor, harktar, lajmtar, malsi, miqsor, mjeksi, paksoj, qytetroj, robroj, shkrifroj, trimri, vargtar, zdrukthtar etj. dhe do të bënim fare mirë pa gjoja-mbështetësen ë sikurse bëjnë fundja përditë folësit shqiptarë.
Në ndryshim nga sa u tha për ë-në paratheksore, -ë-ja pastheksore (§ 6) duket se gëzon nga DSH rregulla më të arsyeshme, për shkak se këto kanë të bëjnë me mbaresat e fjalëve dhe do kishim shpesh përplasje të vështira mes bashkëtingëlloreve përmbyllëse dhe s, sh, t, z të mbaresave, sikur ë-ja mes tyre të binte (ndaj shkruajmë ardhës, zgjedhës, Durrës, qindësh, dyrrokësh etj.).
Ka po ashtu arsye gramatikore të forta që kërkojnë të ruhet e plotë mbaresa, si p.sh. te trajtat e lidhores: të dalësh, të flasësh, të ndezësh etj. Por edhe këtu gjenden grupe fjalësh, ku mënjanimi i ë-së mund të ishte i arsyeshëm, sikurse është te format e shquara të emrave që mbarojnë më -ël, -ër, -ërr (ajër – ajri, dhelpër – dhelpra etj.), te mbiemrat që mbarojnë më -ëm, -shëm (i jashtëm – i jashtmi, i thyeshëm – i thyeshmi etj.).
ë-të fundore në përgjithësi rrinë sepse kanë arsye gramatikore të rrinë: ose shënojnë ato emrat e gjinisë femërore (vajzë, fjalë, zhurmë), ose dëftejnë emrat e dikurshëm asnjanës të lëndës (djathë, gjalpë, dyllë), ose janë mashkullorë, por e kanë ë-në historikisht, ndaj nuk do t’i luajmë (atë, burrë, djalë, kalë, lumë); ose shënojnë shumësin e fjalëve (arabë, docentë, shkrimtarë, gramë, lekë etj.), ose vetën e tretë të mënyrës lidhore, ose shumësin e të kryerës së thjeshtë, ose janë pjesë prapashtesash si -të, -zë etj. (i artë, qelizë etj.).
Pikërisht këtu duhet të këmbëngulim në shkollat tona, që nxënësit t’i kuptojnë sa më mirë funksionet e këtyre mbaresave, pasi sot nuk ndodh kështu dhe përherë e më shpesh shohim në tabela të ndryshme fjalë në shumës që nuk e kanë -ë-në si shesim gozhd, shesim vath ose fjalë pa ë të asnjanësit: kemi gjalp të freskët, djath Sarande, dyll blete ose ngatërrimi i dëftores me lidhoren në vetën e tretë të njëjësit: ai hap dhe ai do të hapë në gazeta e libra shkruhen shpesh: ai hapë dhe ai do të hap etj. etj. Është nga shembujt tipikë të asaj që ka parasysh Ardian Vehbiu kur kërkon mirëmbajtjen e standardit, çka kaq shpesh mungon në shkollat dhe botimet tona.
Ndalova më shumë këtu në shkrimin e -ë-së patheksore, pasi aty janë dhe rastet më të vështira dhe më të shumtat e zgjidhjeve të këqija të drejtshkrimit të 1972-shit.
Po t’i rikthehemi Çabejt, me të njëjtën mendjeçeltësi dhe frymë praktike duhet të kërkojmë edhe përdorimin e apostrofit në shumë raste kur përplasen dy zanore, po ashtu përdorimin e theksit sa herë që krijohen paqartësi dhe ekuivoke në shkrimin e fjalëve, po ashtu edhe përngjitjen e një numri lidhëzash, ndajfoljesh, përemrash.
Po kështu ta zgjidhim përfundimisht çështjen e shkrimit të emrave të huaj, le ta bëjmë rregull që në botimet shkencore, studimore, emrat perëndimorë (dmth. të gjuhëve si anglishtja, frëngjishtja, spanjishtja, italishtja etj.) t’i shkruajmë të plotë si në origjinal, me ose pa vizë para mbaresës së shqipes (gjermanët p.sh. nuk do të kishin nevojë për vizë: Mülleri; anglezët ose francezët po: Shakespeare-i, Monet-ja etj.), ndërsa në veprat letrare ta lëmë të lirë që të shkruhen sipas shqiptimit ose sipas shkrimit origjinal.
Emrat e ngulitur të vendeve do t’i shkruajmë sipas traditës së shqipes: Londra dhe jo London-i, Mynihu dhe jo München-i, por Leicester-i, jo Leçesteri ose Lesteri, Caen dhe jo Ke sepse vërtet nuk kuptohet ku ndodhemi.
Dhe e fundit të heqim dorë nga Evropa dhe evropian: përderisa nuk e ruajmë dot të plotë çerdhen e fjalëve me evro, evrogol, evro-atlantik etj., le t’i kemi të gjitha për hir të thjeshtësisë me eu: Europë, eurozonë, euro-atlantik, si europianë të vërtetë që (duam të) jemi.
Të kërkojmë:
- të hiqet ë-ja patheksore në të gjitha ato raste kur shumica e folësve s’e përdor
- përdorimin e apostrofit në shumë raste kur përplasen dy zanore
- përdorimin e theksit sa herë që krijohen ekuivoke në shkrimin e fjalëve
- përngjitjen e një numri lidhëzash, ndajfoljesh, përemrash
- zgjidhjen përfundimisht të çështjes së shkrimit të emrave të huaj. Emrat perëndimorë t’i shkruajmë të plotë si në origjinal, me ose pa vizë para mbaresës së shqipes, ndërsa në veprat letrare ta lëmë të lirë që të shkruhen sipas shqiptimit ose sipas shkrimit origjinal.
Emrat e ngulitur të vendeve do t’i shkruajmë sipas traditës së shqipes
- të heqim dorë nga Evropa dhe evropian: përderisa nuk e ruajmë dot të plotë çerdhen e fjalëve me evro, evrogol, evro-atlantik etj., le t’i kemi të gjitha për hir të thjeshtësisë me eu: Europë, eurozonë, euro-atlantik.(Shekulli)

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi