Fëmijët e emigrantëve të kthyer, si të vijojnë shkollën në vend
Tue 10 Sep 2013 - 21:06
- Komision i posaçëm për të bërë njëvlershmërinë e dëftesave apo diplomave për të ardhurit nga jashtë vendit. Lehtësira dhe komoditete për fëmijët e ardhur
Besarta Basha
-Periudha e verës ka sjellë një rritje të fluksit të emigrantëve të kthyer. Kjo është shoqëruar me një fluks të lartë të nxënësve apo studentëve që duan të regjistrohen në shkollat apo fakultetet përkatëse në Shqipëri. Por, ndryshe nga vitet e kaluara, kur këta të fundit duhet të prisnin me orë të tej zgjatura në dyert e Drejtorive Arsimore për të kryer një sërë procedurash për regjistrimin në shkollat përkatëse, sivjet flitet për një lehtësim të tyre. Përveç njëvlershmërisë së dëftesave, proces ky që kryhet në Drejtorinë Arsimore, nxënësi duhet vetëm të shkojë të regjistrohet në shkollën që dëshiron të ndjekë. Bazuar kjo në klasën përkatëse që do të caktojë për të një komision i ngritur posaçërisht. Specialistët e MASH sqarojnë se numri i aplikantëve përgjatë këtyre dy muajve ka qenë në rritje edhe për nxënësit që duan të vijojnë shkollimin në gjimnaze. Kjo gjë ndodh edhe për arsyen se shumë familje që ishin në emigracion në Greqi apo Itali janë kthyer për shkak të krizës ekonomike që ka kapluar vendet fqinje. Për këtë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dhënë një urdhër që të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, në çfarëdolloj kohe të vijnë në shtetin mëmë të kenë mundësi të regjistrohen në klasën përkatëse në shkollën që ata zgjedhin.
Por, kjo mënyrë nuk lehtëson më pak plotësimin e procedurave me anë të cilave nxënësit regjistrohen në shkolla. Detyra e pranimit të emigrantëve të ardhur, këtë vit iu ka kaluar drejtorive të shkollave. Specialistë të DAR shprehen për një lehtësim të procedurave të pranimit në shkollat përkatëse. Në çfarëdo periudhe të vitit, nxënësit shqiptarë të ardhur nga jashtë kanë të drejtë të regjistrohen ku dhe kur të duan. Është kompetencë e Drejtorisë Arsimore që mbi bazën e dokumentacionit që dorëzon vetë nxënësi të kryejë regjistrimin e nxënësit në shkollën pritëse, në bazë të planit të saj mësimor. Edhe për ata që kanë përfunduar arsimin e lartë jashtë vendit parashikohet dorëzimi i një sërë dokumenteve për të kryer konvertimin e diplomës, qoftë për qëllimi studimi të mëtejshëm, qoftë edhe për punësim në Shqipëri. Për këtë, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është ngritur një komision i posaçëm që kryen njëvlershmërinë e diplomave të nxënësve të ardhur nga jashtë vendit dhe që duan të vijojnë studimet në Shqipëri. Pasi të ketë bërë dorëzimin e dokumenteve të duhura, aplikanti duhet të presë një afat kohor rreth 45 ditor për konvertimin e diplomës. Ky afat i shkurtër kohor është vënë me qëllim që t’u vihet në ndihmë të rinjve të sapo kthyer që duan të vijojnë studimet në Shqipëri. Ndërsa për rastet që dyshohet se kanë dokumente të falsifikuara, procedura është më e gjatë, pasi duhet të bëhet një veri- fikim online të procedurave të kryerjes së studimeve.
Pra, kërkohet një verifikim nga institucioni që ka lëshuar diplomën, me qëllim që të shmanget çdo lloj dokumenti që nuk është autentik. Përveç të rinjve që kanë jetuar dhe janë shkolluar në shtetet e huaja, ka edhe nga ata të rinj që kanë shkuar jashtë vendit posaçërisht për të studiuar. Kështu, ka nga ata që kanë kryer një cikël studimi atje dhe kanë dëshirë që ciklin tjetër të studimeve apo punësimin ta vazhdojnë në vendlindje. Edhe për këtë, ata duhet të paraqesin të njëjtin dokumentacion për të kryer konvertimin e diplomave të tyre. Personat e interesuar për të gjetur punësim në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve në një shtet të huaj duhet të dorëzojnë disa dokumente pranë zyrës së ngritur në MASH: formularin e aplikimit, kopjen e dokumentit të identifikimit dhe kopjen e përkthyer dhe të noterizuar të diplomës që vërteton përfundimin e arsimit të lartë në shtetin përkatës.
Kuptohet që procesi i konvertimit të diplomës është një proces i cili jo vetëm kërkon kohë, por ka edhe një kosto të caktuar. MASH ka vënë një tarifë prej 2500 lekësh të reja për të gjithë ata që duan të njehsojnë diplomën e marrë në një vend të huaj. Vlen të theksohet se pa konvertimin e diplomës së fituar nuk bëhet njohja në asnjë nga institucionet shtetërore në vend, qoftë për të vijuar studimet e mëtejmë apo edhe për një vend pune në administratën shtetërore.
Dokumentet
Për të kryer njëvlershmërinë e diplomave duhen:
-Formulari i aplikimit për njëvlershmëri
-Kopja e dokumentit të identifikimit e personit të interesuar
-Kopja e përkthyer dhe e noterizuar e dëftesave dhe diplomës që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit ose, në mungesë të dëftesave, kopja e përkthyer dhe e noterizuar e listës së notave të arsimit të mesëm të lartë
-Dokumenti që vërteton se shkolla e kryer jashtë vendit lejon studime universitare në atë vend
-Certifikata e zotërimit të gjuhës shqipe lëshuar nga Universiteti i Tiranës.
Përjashtohen nga ky detyrim shtetasit që:
-Kanë përfunduar arsimin e detyruar në shkolla shqipfolëse -Janë certifikuar nga shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë në nivelin e tretë shekulli.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi