Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Avni Mula: Divorci me Invën? S’e gjykoj keq Pirron, e kisha mik Empty Avni Mula: Divorci me Invën? S’e gjykoj keq Pirron, e kisha mik

Sun 30 Jan 2011 - 0:13
Në intervistën e mëposhtme Avni Mula na njeh me jetën e tij 83-vjeçare, duke shëtitur nga një moment në tjetrin, duke vallëzuar me kohën e kujtimet, duke prekur edhe njëherë Gjakovën, Shkodrën e Moskën, teksa i përshëndet nga Tirana.Ai flet edhe për familjen e tij jo pak e jo me pak dashuri. Mbase padashur, por për shkak të ngacmimit nga ana jonë, diçka thotë edhe për divorcin e Invës me Pirro Çakon, edhe pse shprehet se nuk ka ndërhyrë dhe nuk i gjykon, e në fakt nuk e bën as në këtë intervistë.Avni Mula e heq “kostumin” e njeriut të madh nga njëra pyetje në tjetrën, dhe flet si njeri i thjeshtë, si një shqiptar i vërtetë që u rrit me këngët e eposit, e sot i kthen atij eposi “borxhin” që i ka, duke i marrë notat e tij për t’ia falur operës. Kështu ai rikthehet në skenë me një vepër që e rikthen tek legjendat me kreshnikë, tek këngët e trimërisë, tek heronjtë me historitë e të cilëve e rriti nënë Rukia në Shkodrën e para 80 viteve.Pak ditë më parë ju mbushët 83 vjeç. Si e festuat këtë ditëlindje?Si fillim më duhet të them se jam i kënaqur që gëzoj një shëndet bajagi të mirë, bereqavers si themi ne në Shkodër. E kam festuar në shtëpi me familjen, me vajzën Adelinën dhe me gruan time Ninën, me nipërit e mbesat. Kam pasur vizita të shumta nga të afërm, miq e të tjerë më kanë uruar në telefon. Gëzimit të ditëlindjes iu shtua edhe gëzimi që do të vë në skenë edhe njëherë operën “Borana”.

Cili qe urimi më i veçantë dhe dhuratat që morët?
Urimet qenë për jetë të gjatë dhe unë uroj që ky vit i ri të jetë i mbarë për të gjithë popullin shqiptar. Ditëlindja më solli afër njerëz me të cilët patëm biseda të këndshme e kujtuam edhe njëherë kohët e bukura. Kam marrë telefonata nga shumë prej atyre që nuk mund t’i kisha, siç ishin për shembull, të afërmit e Ninës që më uruan nga Rusia. Sa u takon dhuratave, ato qenë të ndryshme. Meqenëse është edhe kohë festash, disa qenë ushqime, pije, verë. Qe një festë për të gjithë e me të gjithë bashkë. Me këtë rast dua të falenderoj për urimet edhe Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe drejtorin Zhani Ciko, e jo vetëm për urimet. Ata kanë vënë në skenë opera shumë të suksesshme, ku dua të veçoj “Otellon”.

Një ditëlindje me familjen. A ishte edhe Inva me ju?
Ajo nuk mundi të vinte sepse ishte jashtë, por më uroi në telefon. Më kërkoi që të mblidhja miqtë e ta festonim në ndonjë restorant, ku unë të dëshiroja, por nuk pranova sepse për mua ambienti familjar është më i këndshmi. E falenderova me gjithë zemër për gjithçka vajzën time të vogël, sepse vajza e madhe është Adelina. Jam shumë i kënaqur nga vajzat e mia, janë të talentuara e të sjellshme. Unë i kam rritur me dashuri të madhe dhe ato ma kanë shpërblyer dashurinë dhe edukatën që iu kam dhënë.

Ju keni mbi 8 dekada jetë. A mund të na veçoni disa kujtime nga të shumtat që keni si artist, si bashkëshort dhe si prind?
Më vjen mirë që kam pasur pranë njerëzit që kam dashur. Kujtime të bukura kam shumë, por si një ndër më të vyerit mbaj mend 80-vjetorin tim. Presidenti i vendit Topi më ka dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit” dhe ka qenë një kënaqësi e madhe për mua pas vlerësimit me “Artist i Popullit”. Atë vit u bë edhe një koncert jubilar me titull “Valsi i lumturisë”, e titull më të mirë se ky s’mund të kishte. Unë kam humbur shumë miq, që nuk janë më në jetë, si Tish Daija, Ibrahim Tukiqi, Rifat Teqja.

Ju në bashkëpunim me Teatrin e Operës do të rivini në skenë në fund të muajit shkurt operën “Borana”. A mund të na flisni për kohën kur e shkruat këtë opera?
E kam shkruar në vitin 1984. Libretin e ka shkruar miku im, Gjergj Zheji para këtij viti, të cilin e falenderoj për punën e bërë. Kjo rivihet në skenë në saj të vijimësisë së rikthimit të veprave të kompozitorëve shqiptarë në skenën e Teatrit të Operës. Jam i nderuar që ajo po vihet në skenë sepse krahas veprave të huaja e me vlerë, teatri dhe publiku kanë nevojë edhe për pjesë shqiptare. Atë e shoqëron një patriotizëm shumë i thellë. “Është e vogël toka jonë, shkrep e gur mbushur me halle, por vetëm zemrën e ka të madhe”, janë disa nga vargjet e saj. Në qendër të saj është një familje shqiptare e kohës së Skënderbeut, një familje që lufton pushtuesit osmanë. Borana është vajza e kësaj familjeje, një vajzë që mbas humbjes së babait dhe vëllait bëhet “burrë” për të mbrojtur familjen e atdheun. Gjergj Zheji e ka bërë me shumë dashuri këtë libret dhe është i goditur. Në kohën kur shkrova muzikën më tërhoqi libreti dhe patriotizmi i tij dhe jeta e kësaj familjeje. Borana burrneshë qëndron kundra atyre që dëmtojnë atdheun. Ka një ton të fortë kjo opera. Bash Murgjini, kur e sheh gjendjen e tij dhe e sheh se është shkatërruar, thotë: “Moj Shqipni tu t’shkretoftë uja, mbi tokën tanë mos mbiftë bar”. Ka shumë krenari në të, dhe unë jam munduar që me muzikën time ta ndjek çdo varg siç duhet dhe besoj se kam dhënë maksimumin. Borana është në skenë gjithë kohës dhe tregohet jeta e saj.

Si u prit kur u vu në skenë për herë të parë kjo opera?
Është pritur shumë mirë. Ajo është shfaqur dy herë këtu në opera dhe një herë në oborrin e Kalasë së Krujës. Atje e ka parë i gjithë populli i Krujës, i ulur në tokë. Kam kujtime të bukura nga shfaqja në Krujë…(sytë i mbushen me lot), atje e vumë në darkë dhe siç e parashikonte skenari, hëna doli vërtet në qiell. Më kujtohet që këtë opera e ka parë edhe një zyrtar i lart turk, i cili pavarësisht libretit e pëlqeu shumë dhe më uroi për muzikën. Patriotizmi i takon çdo kohe. Familja ime ka kaluar kohë të vështira. Ne nuk erdhëm nga Gjakova në Shqipëri për më bukur, edhe pse e donim Shqipërinë, por erdhëm për shkak të luftës. Unë kam qenë dy vjeç e nuk e mbaj mend, por di të them se familja ime më rrënjosi në vena patriotizmin dhe dashurinë për atdheun duke më folur për heronj.

Boranën e doni për patriotizmin që përcjell?
Jo vetëm për këtë, e dua edhe për muzikën. E kam shkruar me shumë dashuri. E dua vendin tim sepse ia kanë ngrënë hakun, e megjithatë qëndron edhe sot në këmbë.

Do ketë ndryshime nga “Borana” e vitit 1984?
Jo, do të jetë “Borana” origjinale, ashtu si unë e kam shkruar në atë vit. Ndryshojnë artistët sepse në atë kohë e kanë interpretuar Hysen Koçia, Gjoni Athanas, Burhan Spahiu, Ramiz Kovaçi etj.

Keni kohë që jeni tërhequr nga skena…
Tani jam plakur nuk jam më si dikur. Të jesh mbi 80 vjeç dhe të kesh jetë të pasur artistike nuk është e lehtë. Çdo gjë ka kohën e vet. Do jem pranë artistëve të rinj gjatë përgatitjeve të kësaj opere dhe kam besim se do ta kryejnë më së miri detyrën e tyre.

Është thënë se kishte humbur partitura e kësaj opere…
Jo nuk kishte humbur nga arkivi, por ishte dëmtuar. Më është dashur ta ripunoj, të punoj mbi të, por notat janë të njëjta.

Cila është pjesa më e veçantë e saj?
Është muzika. Që nga fillimi e deri në fund ka muzikë shqiptare. Këtë e kam pasur si synim timin që të shkruaj muzikë shqipe, sepse ne kemi muzikë të jashtëzakonshme, tepër të bukura. Sa i takon kësaj opere, jam përqendruar tek muzika e veriut që e karakterizon epizmi i vet, sepse edhe ngjarja ndodh në veri. Veç kësaj, unë jam rritur me atë muzikë dhe e kisha më të afërt.

Rikthehemi tek familja. Si i keni marrëdhëniet me vajzat, i këshilloni ato, iu bëni vërejtje?
Unë kam shkruar një këngë për fëmijët dikur, edhe për vajzat e mia. Vargjet janë këto: “Gomë moj, ç’bëre ti, më le kukullën pa shtëpi. Unë shkruaj, shkruaj gomë moj. I thotë goma, unë nuk kam faj, kështu bën edhe ustai, tullën heq, tullën heq, tullën heq kur e vë keq”. Edhe unë jam munduar të fshij gabimet, të edukoj dhe t’i rris me vlera.
Kohët e fundit vajza juaj, Inva Mula ka qenë në qendër të vëmendjes së medias për shkak të jetës së saj personale.
Ç’pozicion keni mbajtur ju dhe, a e keni mbështetur?
Unë si baba e kam ndihmuar me aq sa kam mundur dhe ashtu si kam mundur. I kam dhënë atë që kam mësuar. Mua, babai më ka mësuar të jem furrxhi sepse atë dinte, shokët e miqtë më kanë mësuar muzikën sepse atë dinin. Dua të them, se edhe unë Invës i kam dhënë atë që kam ditur t’i jap, muzikën.
Pra, ju nuk keni ndërhyrë në vendimet e Invës për jetën personale, në vendimin që mori për t’u divorcuar nga Pirro Çako ?
Jo. Unë nuk kam ndërhyrë dhe nuk e kam detyruar apo nuk i kam kërkuar asgjë. Ka disa gjëra që nuk bëhen me zor, sado që mund t’i them unë apo dikush tjetër. Ne për shembull, edhe vetë ishim këngëtarë nuk e detyruam të bëhej edhe ajo, por u bë falë talentit e punës dhe ne i thamë se me punë arrihet çdo gjë. Nuk kam ndërhyrë në vendimin për divorcin. Ajo e sheh vetë jetën e saj simbas kohës.

Si i keni marrëdhëniet me Antonin, djalin e saj?
Shumë të mira. Ai është i ri, 15 vjeç dhe e ka jetën përpara. Ka mundësi që unë s’i kam pasur dhe rrugët i ka të hapura për çdo gjë.

Vjen ai shpesh në Shqipëri?
Ai ishte në Shqipëri për Vitin e Ri, që e kaloi me të atin, dhe në datën 2 shkoi tek e ëma, tek Inva. Ne e takuam sigurisht dhe u kënaqëm me të. Në shtëpinë time ka një liri të mbartur me shumë gjëra edukative.

Mbas divorcit të Invës me Pirron, ju keni marrëdhënie me të?
Jo, sepse nuk është e nevojshme. Ai e ka pasur atë dhe e ka bërë punën e vet. Ata janë ndarë miqësisht me njëri-tjetrin simbas rregullave me anë të gjyqit. Njëri ka marrë djalin, e tjetri e takon herë pas here. Ne nuk mund të ndërhyjmë dhe as të detyrojmë askënd. Unë e kam njohur babanë e Pirros dhe e kam pasur mik, është një këngëtar i njohur në Shqipëri, Gaqo Çako. Ata kanë kënduar muzikën që kam shkruar unë dhe iu jam mirënjohës, ashtu si e kanë kënduar edhe të tjerë muzikën time. Ato ngjarje që ndodhin në jetë, siç është divorci, unë nuk mund t’i qortoj. Unë nuk i kam thënë Pirros ndahu me vajzën time, as Invës që ndahu nga Pirro. Është një vendim që e kanë marrë vetë dhe as nuk i qortoj e as nuk gjykoj për mirë a keq, sepse nuk kam të drejtë, është jeta e tyre.

Shkoni në Paris tek Inva?
Kam shkuar, por kohët e fundit jam bërë pak përtac për shkak të moshës, përtoj të lëviz. Kështu që kam kohë që nuk lëviz dhe nuk kam shkuar as në Moskë.

Meqë jemi tek Moska, përveç Ninës, çfarë morët prej andej?
Kam marrë shumë kujtime të bukura. Nina është nga Urali dhe jemi njohur në Moskë. Kjo dashuri u vu re edhe nga pedagogët tanë, dhe qe një dashuri e madhe mes nesh. Unë kam shkruar disa këngë me ndihmën e Ninës. “Valsin e lumturisë” e kam shkruar prej saj. Ishte pragu i festivalit të 4-t të RTSH-së. Kisha shkruar disa këngë. Nina më pyeti nëse kisha vendos të merrja pjesë dhe i thashë po, duke i treguar një këngë. Ajo më tha që ishte e bukur, por shumë dramatike, duhet më lirike. Më këshilloi të bëja një vals. Atë natë nuk fjeta fare dhe e kam shkruar në orën 4 të mëngjesit “Valsin e lumturisë”. Kur ia tregova në mëngjes, Nina më tha se ia kisha dalë mbanë të shkruaja diçka të bukur.
Nëse do ia dedikonit dikujt “Boranën”, kujt do t’ia dedikonit?
Më ke bërë një pyetje bajagi të zorshme (mendohet). Kjo vepër tregon në një farë mënyre edhe jetën time, qëndresën, vullnetin dhe dëshirën. Ka patriotizmin tim ajo vepër. Ka fjalë të bukura. Komandanti kur sheh tokën e tij pas shumë kohësh thotë : “O toka ime, ku s’pari unë dola, atdheu i shqipes fole, e vend i bekuem ku s’pari unë fola…”. Dashje pa dashje janë fjalët që e sjellin më të bukur këtë vepër, është qëndresa e guximi i Boranës që e bëjnë atë trimëreshë dhe burrëreshë, ndaj e dua shumë këtë opera./Gazeta Shqiptare/
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi