Edukimi njëgjinor në Shqipëri
Tue 29 Mar 2011 - 16:26
Në vendin tonë,
ekzistojnë disa shkolla dhe kolegje njëgjinore, të cilat u vizituan nga
kamerat e emisionit të pasdites në Top Channel.
Njëra prej nxënëseve, Uejda Dalipi,
me origjinë nga Burreli, dëshmoi se nuk e kishte menduar që një ditë do
të bëhej pjesë e një përvoje të tillë të veçantë.
Ajo, prej katër vitesh, studion në kolegjin vetëm për vajza. “Faktikisht
nuk më kishte shkuar në mendje që do nisja një kolegj femrash, por
mendova një herë, përse mos ta provoj.
Duke menduar se do të ishte një kolegj vetëm për femra, mendova se nuk
do të kisha ato komplekse që ndodhin kur në klasë janë edhe djemtë.
Kështu, nuk kam nevojë të rregullohem dhe mund të jem e natyrshme në
klasë”, deklaroi 18-vjeçarja.
Sigurisht, në zgjedhjet e saj kanë ndikuar edhe imazhi i disa filmave
amerikanë, ku tregohen shumë nxënës që preferojnë të studiojnë në
kolegje të tilla njëgjinore.
Megjithëse në Shqipëri ekzistojnë vetëm dy kolegje të tilla, nëpër botë
kjo është një tendencë e përhapur dhe Australia e Britania e Madhe
mbajnë rekordet për shkollat njëgjinore.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është praktikë e zakonshme që të
aplikohen lëndë të ndara midis gjinive. Drejtori i kolegjit të tillë,
Armir Hosein Azgari, flet për arsyet përse janë të dobishme institucione
të tilla.
”Arsyet që na shtynë në hapjen e një shkolle vetëm për vajza shtrihen në
aspektin shkencor dhe atë social. Përsa i përket aspektit shkencor,
ekspertët kanë bërë shumë studime dhe kanë arritur në përfundimin se
aftësitë përthithëse midis vajzave dhe djemve nuk janë të njëjtat.
Si rrjedhojë, mënyrat më specifike për gjinitë e ndryshme janë më të
efektshme në edukimin e meshkujve apo femrave. Duke u nisur nga suksesi i
saj, kjo praktikë ndiqet në shumë vende të botës”.
Kjo formë të edukuarit ka shumë aspekte pozitive dhe negative. Midis
gjërave të mira, argumentohet se mungesa e seksit të kundërt në
ambientet e shkollës lejon nxënësit që të përqendrohen më shumë tek
edukimi i tyre.
Mbi këtë vendos theksin edhe Muazez Dautaj, një mësuese që ka përvojë të
gjatë mësimdhënieje si në shkollat publike, edhe në këto formë
kolegjesh.
”Shkolla njëgjinore ka përparësitë e saj në krahasim me shkollat e
përzjera”, tha Dautaj. “Vajzat në shkollën publike janë shumë më të
preokupuara se sa këto në kolegjet njëgjinore”.
Një tjetër argument që rreshtohet në anën e këtyre shkollave, është ajo e
të qënit më komod nga ana e nxënësve, pasi studimet kanë treguar se të
rinjtë janë më të aftë të shprehin mendimet e tyre në ambientet ku janë
në shoqërinë e të njëjtit seks.
Megjithatë, ka edhe shumë argumente kundër, me kryesorin që duket se
është mungesa e përgatitjeve të të rinjve për jetën reale, ku ata duhet
të përballen me situatat e përziera dhe të punojnë me kolegë të seksit
tjetër.
Kjo mënyrë shkollimi, mund të shkojë deri atje sa të dëmtojë marrëdhëniet e ardhshme sociale apo dashurore të nxënësve.
Edlira, një ish-nxënëse e një kolegji të këtillë, tashmë ka përfunduar
Universitetin dhe ajo thekson se nuk është përballur me probleme të
tilla.
”Nuk mbaj mend të kem ndierë ndonjëherë vështirësi në ambientimin në
ambiente dygjinore. I gjithë përkushtimi im për Universitetin ka qenë
krejt tjetër se sa të merresha me ndasitë e ambientit”, deklaroi Edlira.
”Nuk duhet menduar se shkolla njëgjinore është tërësisht e shkëputur nga koncepti shumëgjinor i shoqërisë”.
Ajo për të cilën skeptikët dhe dashamirësit e edukimit në sistemin
njëgjinor bien dakord, është disiplina, arma më e fortë e kolegjeve në
edukimin e nxënësve të tyre.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi