Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

 Vizioni amerikan për Kosovën dhe Ballkanin Empty Vizioni amerikan për Kosovën dhe Ballkanin

Sat 16 Apr 2011 - 21:23
Që nga rënia e komunizmit në vitin 1989, treshja e presidentëve amerikanë Xhorxh Bush, Klinton e Xh.W. Bush, kanë patur të njëjtin vizion për Evropën. Kjo ambicie është qëllimi më i rëndësishëm i politikës së jashtme të vendit tonë në 100 vitet e fundit. Kjo, sepse të dyja luftërat e botërore dhe luftën e ftohtë, i kemi zhvilluar duke pritur ditën, kur Evropa do të ishte përfundimisht e lirë, në paqe dhe e pandarë. Ky qëllim , nuk mund të realizohet pa paqe e stabilitet në Ballkan.

Gjatë një dekade e gjysmë, SHBA kanë luajtur pa ndërprerje, rolin qendror në përfundimin e luftërave për trashëgiminë jugosllave dhe ruajtjen e paqes. Me të drejtë, presidenti Klinton ndërhyri në Bosnjë në vitin 1995, me të cilën përfundoi ajo luftë e tmerrshme. Me të drejtë, në fund të viteve ‘90 kundërshtuam përpjekjen e Millosheviqit për të pastruar etnikisht mbi një milionë shqiptarë të Kosovës. Me të drejtë, së bashku me aleatët e NATO-s, dërguam ushtarë në Bosnjë e Kosovë për të ruajtur paqen. SHBA kanë arritur suksese në Ballkan dhe kanë ndihmuar njerëzit që ti shmangen tiranisë dhe të gjejnë paqen.

Tani duhet të veprojmë shpejt, gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, për ta përfunduar punën dhe për ta ndihmuar Kosovën që të arrijë pavarësinë. Tashmë, guri i themelit i politikës tonë në këtë rajon, është premtimi i integrimit të vendeve të Ballkanit në NATO e BE, e cila është mënyra më e mirë, që vendet e Evropës Juglindore të realizojnë rindërtimin, rritjen ekonomike e vendosjen e marrëdhënieve të reja paqësore me fqinjët.

Shumica e vendeve të dala nga shpërbërja katastrofike dhe e përgjakshme e Jugosllavisë, tani është në rrugën e anëtarësimit në BE e NATO. Po ashtu, pas luftërave disavjeçare, vizioni amerikan është prekur me dorë. Por, rajoni nuk mund të përparojë, në se nuk zgjidhet çështja madhore e fundit, që lidhet me rënien e ish Jugosllavisë: Statusi i Kosovës.

Kur kam qenë herën e fundit në këtë këshill, kam folur për Kosovën në vitin 2005, kam folur për nevojën e kryerjes së punëve të mbetura në Ballkan dhe shpejtimin e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ndërkohë, i dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, u vu në krye të përpjekjeve themelore gjithëpërfshirëse me liderët kosovarë e qeverinë serbe. Ai më 3 prill i dorëzoi Këshillit të Sigurimit të OKB rekomandimet e tij, duke përfshirë aty me detaje, një varg propozimesh për të ardhmen e Kosovës, me rekomandimin që Kosova të bëhet e pavarur dhe për një kohë të caktuar ajo të jetë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.

Pavarësi për Kosovën

SHBA mbështesin plotësisht dhe janë të bindura, se pavarësia e kontrolluar për Kosovën është rruga e vetme përpara. Pas shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe spastrimit etnik që zbatoi Sllobodan Millosheviqi në Kosovë, çdo rezultat tjetër, jemi të bindur se do të çojë në administrim jofunksional, në forcimin e ndikimit të ekstremistëve dhe do të çonte direkt në luftëra të reja. Realiteti është, se lidhjet mes Serbisë e Kosovës tashmë janë dëmtuar që në vitin 1999, kur KS me rezolutën 1244 vendosi që në vend të pushtetit të Beogradit, të vihet administrimi i KB mbi Kosovën. Më shumë se 90% e qytetarëve të Kosovës përbëhet nga shqiptarët. Ata kurrë nuk do të pranojnë administrimin e mëtejshëm të Serbisë. Janë proamerikanë të deklaruar, sepse trupat tona i mbrojtën ata nga masakrat dhe përndjekjet. Ata nuk do të pranojnë asgjë më pak se pavarësi. Në tetë vitet e kaluara, Kosova ka përforcuar institucionet e qeverisjes lokale dhe ka zgjedhur kuvendin, presidentin e kryeministrin. Nuk shikojmë asnjë opsion të besueshëm për integrimin e tyre në institucionet e Serbisë. Pavarësia e Kosovës do të shënonte fundin e vërtetë të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe do të mundësonte së pari Serbisë, që të kapërcente trashëgiminë e hidhur dhe tragjike të erës së Millosheviqit. Pavarësia është rezultat legjitim, i drejtë dhe ligjor. Disa thonë se, kjo do të jetë precedent për lëvizje të tjera seperatiste, por ne e hedhim poshtë plotësisht këtë tezë.

Sa i përket zgjidhjeve për luftërat e tjera në lidhje me shpërbërjen e Jugosllavisë edhe propozimet e Ahtisarit janë përshtatur plotësisht rrethanave dhe nuk kanë asnjë rëndësi, për asnjë vend tjetër në Evropë e kudo tjetër. Faktorët e veçantë, që janë përfshirë në ngjarjet e Kosovës, para së gjithash, rënia e dhunshme dhe jokonsensuale e Jugosllavisë, politika e pastrimit etnik e Millosheviqit, vendimi i NATO-s për të ndërhyrë, vendimi i Këshillit të Sigurimit, me të cilin Kosova u vu nën administrimin e OKB dhe me të cilin u parashikua procesi politik me ndërmjetësimin e KB, për të vendosur për statusin, nuk mund të gjenden diku tjetër dhe nuk duket se do të përsëriten.

Përgjithësisht, Këshilli i Sigurimit tashmë prej kohësh e konsideron Kosovën si rast special, duke e filluar me masat e jashtëzakonshme që mori në vitin 1999. Megjithëse separatistët në vende të tjera mund të insistojnë, që t‘i lidhin qëllimet e veta me Kosovën, ne nuk dimë asnjë situatë që është e krahasueshme me të dhe presim që të gjitha qeveritë e përgjegjshme ta mohojnë këtë krahasim.

Vendosja e pavarësisë

Bashkëpunojmë ngushtë me NATO-n dhe BE-në, anëtarët e të cilëve janë dakord me ne, se pavarësia e Kosovës është rezultati i vetëm real dhe funksional. SHBA-të, NATO e BE kanë investuar resurse të mëdha ekonomike, politike e ushtarake në Kosovë dhe në gjithë rajonin-prandaj jemi të përcaktuar në maksimum, që këtij procesi ti shkohet deri në fund. Këshilli i Sigurimit tashmë ka filluar të diskutojë për rekomandimet e ndërmjetësit Ahtisari. Gjatë javëve të ardhshme, SHBA do të sponsorizojnë rezolutën e re të KS, që duhet të zëvendësojë rezolutën 1244 (me të cilën është vendosur regjimi i tanishëm i administrimit ndërkombëtar në Kosovë). Kjo rezolutë nuk do të ofrojë në të vërtetë pavarësinë Kosovës, por do të heqë pengesat politike e juridike, në rrugën drejt pavarësisë dhe do të sigurojë mandatin për kontrollin ndërkombëtar të Kosovës, pas përcaktimit të statusit, në përputhje me kreun 7 të dokumentit të OKB. Presim që udhëheqja e Kosovës të shpallë më pas pavarësinë. SHBA dhe vendet e tjera, atëherë do ta njohin shtetin e ri të Kosovës. Qëllimi ynë, është që procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës të jetë i saktësuar dhe i përfunduar me sukses, deri në fund të kësaj vere. Besojmë se KS do ta kuptojë, se propozimi i Marti Ahtisarit do të ofrojë pamje më të mirë, për arritjen e zgjidhjes së qëndrueshme. Kemi filluar një varg diskutimesh me qeverinë ruse, për ta nxitur, që ta mbështesë këtë proces, ose të paktën të mos e bllokojë. Kam takuar zëvendësministrin e Jashtëm rus, Titov dhe i kam paraqitur dy argumente bazë:

Së pari, i kam theksuar se SHBA dhe Evropa, gjatë këtyre tetë viteve kanë ofruar kontribut të madh, në kuptimin e angazhimit ushtarak, të parave dhe të pjesëmarrjes politike në Kosovë. Forcave tona do t‘u duhet të përballen me trazirat, që janë të pashmangshme, nëse KS e hedh poshtë pavarësinë. Prandaj SHBA dhe Evropa, shpresojnë se Rusia do të përcaktohet për bashkëpunim, për të ruajtur stabilitetin e paqen në rajon dhe jemi të bindur, se kjo do të realizohet më mirë me rezolutë pozitive në KS të KB.

Së dyti, asnjë përpjekje për të penguar pavarësinë e Kosovës nuk do të ketë sukses, duke qenë se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme dhe për këtë jemi të bindur!

Duhet veprim i shpejtë. Nuk mund të lejojmë pritje tjetër. Deri sa gjërat nuk janë të qarta, statusi i papërcaktuar i Kosovës do të jetë burim i destabilitetit dhe i tensioneve të forta. Kosova, për shkak të statusit të pazgjidhur, tani e ka të pamundur përfshirjen në mjetet kredituese ndërkombëtare, ndërsa investimet e huaja janë të pa stimuluara. Dhe çfarë është më e rëndë, populli i Kosovës, prej një dekade nuk e di si do të quhet më në fund vendi i vet, ndërsa bashkësive etnike në Kosovë, u është hequr baza e qartë, mbi të cilën mund të paqësohen e të ndërtojnë marrëdhënie të reja reciproke. Sipas gjykimit tonë, shtyrja e mëtejshme, vetëm sa do ta përkeqësonte situatën dhe do të përforconte ndikimin e ekstremistëve, nga të gjitha palët. Në thelb, jemi të bindur se rreziku nga dhuna është shumë më i madh nëse do ta shtyjmë pavarësinë e Kosovës, se sa nëse vendosim shpejt për të. Shumica e ekspertëve beson se, Evropa Juglindore mund të rrëshqasë në një luftë të re dhe në luftë etnike, që do të kërcënonte edhe personelin e KB dhe të NATO-s të vendosur në Kosovë, nëse ëndrra e tyre për pavarësi do të shuhej. Edhe pse shumica e vendeve që e njohin mirë Kosovën, mbështesin rrugën drejt pavarësisë, disa mes tyre si Rusia, ftojnë për raunde të reja bisedimesh mes palëve. Presidenti Ahtisari, bazuar në përvojën e bisedimeve të Vjenës, ka konkluduar se, kjo është e pamundur. Ai nuk beson në vazhdimin e bisedimeve, të cilitdo formati qoftë dhe sa do që të zgjasnin, nuk do ta kalonin hendekun mes dy palëve. Ne jemi dakord me këtë. Nëse ky proces do të vazhdonte pa fund, në se do fillonin prapë bisedime, nëse do të hapej prapë çështja e rekomandimeve të Ahtisarit, ose në ndonjë mënyrë tjetër të shtyhej statusi i Kosovës, vetëm sa do ta vështirësonte dhe jo ta lehtësonte, gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme. Besojmë se ata që i referohen zgjatjes, janë më pak të interesuar për gjetjen e bazave të përbashkëta të pranueshme, se sa për pengimin e realizimit të dëshirës së shumicës së njerëzve që jetojnë në Kosovë. Nuk duhet të lejojmë, që të ndodhë kjo. Pas kaq shumë vitesh paqartësie, populli i Kosovës dhe i gjithë rajonit, ka të drejtë ta dijë se cila është e ardhmja që e pret. Kredibiliteti i bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht i OKB, që kanë rol legjitim dhe të kahershëm në marrjen me situata të ngjashme me këtë të Kosovës, tani është në provë. Duhet të hyjmë menjëherë në aksion.

Vizioni ynë për Kosovën

Vizioni ynë për Kosovën, është vizioni i shtetit demokratik, multietnik e paqësor, që gjendet në rrugën pa kthim drejt anëtarësimit në NATO e BE. Që nga 1999, Kosova ka realizuar përparim të rëndësishëm në rindërtimin nga lufta. Nën drejtimin e KB, ajo tani ka qeveri funksionale, ka organizuar zgjedhje të drejta e të lira dhe ka polici mulktietnike profesionale. Kjo është shoqëria që ka përparuar. Do të donim, pra, të shohim përparim më të madh në një fushë kryesore: në mbrojtjen e pakicave në Kosovë. Serbët e Kosovës akoma përballen me abuzime e diskriminim. Kjo është e papranueshme. Disa herë kam vizituar bashkësitë e pakicave dhe përfaqësuesit e tyre në Kosovë. Në tetor 2005, kam vizituar një grup familjesh serbe në Obiliq. Shumë prej tyre kanë qenë të përzënë me forcë, në trazirat e marsit 2004. Një çift të moshuarish kishte ndërtuar shtëpinë e tyre në këtë qytezë historike në fillim të viteve 60. Fëmijët ishin shpërngulur në Serbi, por ata donin të rrinin në Obiliq. Shpesh, ndiheshin të kërcënuar nga fqinjët e tyre shqiptarë të Kosovës. Sigurisht, u duhet dhënë e drejta dhe mundësia që ata të qëndrojnë. Historia e tyre për luftën dhe dëshira për të jetuar në paqe, më ka treguar qartë, se duhet të bëhet më shumë për të mbrojtur këtë popullsi të ndjeshme. Kryeministri i Kosovës Agim Çeku dhe presidenti Fatmi Sejdiu, në mënyrë të admirueshme insistojnë për të vendosur kontakte me të gjitha grupet etnike në Kosovë. Gjatë gjashtë muajve të fundit, kanë realizuar përparim të vërtetë në disa nga standardet prioritare. Ka mbetur akoma shumë për të bërë. Të gjithë liderët kosovarë kanë përgjegjësi të madhe dhe të pashmangshme, që të merren me këto probleme. Ata duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e të drejtave, sigurisë e pasurisë së pakicave kosovare, si dhe në fushën e kontrollit të ekstremistëve e pengimit të trazirave sociale.

Zgjidhja e Ahtisarit

Gjatë më shumë se një viti bisedimesh, presidenti Ahtisari ka synuar kompromisin mes palëve për shumë çështje, që janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, para së gjithash në këndvështrimin e mbrojtjes së serbëve të Kosovës. Nën drejtimin e tij, palët kanë diskutuar për decentralizimin e pushtetit lokal, mbrojtjen kushtetuese të pakicave etnike, çështjet ekonomike dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Përfaqësuesi i Sekretarit të Shtetit Amerikan për bisedimet për statusin, ambasadori në pension Frenk Vizner, ka marrë pjesë në shumë prej këtyre diskutimeve dhe i ka nxitur palët që të jenë më elastike. Edhe pse pala serbe nuk është angazhuar në mënyrë kontruktive në shumë diskutime, presidenti Ahtisari, ka qenë mbështetës për të identifikuar paralelizmin në qëndrimet e të dyja palëve.

Mbi bazën e propozimeve që paraqiten të dyja palët dhe duke u mbështetur në përvojën e vet të rëndësishme në ndërmjetësimin edhe në konflikte të tjera të ndryshme ndërkombëtare, ai ka propozuar një varg rregullimesh për administrmin e Kosovës. Në thelb të kësaj zgjidhje, qëndron nevoja për arritjen përmirësimit të pashmangshëm të jetesës së pakicave në Kosovë. Kjo zgjidhje u ofron serbëve dhe shqiptarëve themelin për ndërtimin e marrëdhënieve të reja, që do të bazohen në besim e bashkëpunim. Propozimi i tij për pavarësi të kontrolluar, paraqet kompromis të madh mes pavarësisë së pakushtëzuar dhe kthimit të pamundur në status quo-në e mëparshme. Sa i përket kompromisit, as këtu asnjëra palë nuk mund të jetë plotësisht e kënaqur. Ndërsa unë jam i kënaqur, se Kuvendi i Kosovës tashmë është detyruar ta zbatojë plotësisht zgjidhjen e presidentit Ahtisari. Kjo është shenjë e pjekurisë së madhe.

Prania ndërkombëtare

SHBA janë të qarta se pavarësia e Kosovës do të përballet me probleme të mëdha. Institucionet e saj të reja janë të dobëta, nuk janë të afta të luftojnë kundër korrupsionit, krimit të organizuar e dhunës së motivuar etnikisht. Kosovës do ti duhet ndihma për zbatimin e rregullimeve që propozoi presidenti Ahtisari. SHBA do të marrin pjesë në vendosjen e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, të cilën e ka propozuar Ahtisari për të kontrolluar zbatimin e kësaj zgjidhje. Në krye të kësaj zyre do të jetë një zyrtar evropian, ndërsa zëvendësi i tij do të jetë amerikan. Shefi i kësaj zyre do të ketë kompetenca ekzekutive për të kthyer ligje, ndërruar funksionarë ose për të ndërmarrë çfarëdo mase, për të garantuar zbatimin e zgjidhjes. Ai do të paraqesë raport në Grupit Ndërkombëtar të Mbikëqyrjes, në përbërje të të cilit do të jenë anëtarët e tanishëm të Grupit të Kontaktit, si dhe përfaqësuesit e NATO-s dhe BE-së.

Pararoja e përbashkët e SHBA dhe BE, tashmë prej muajsh është në terren në Prishtinë dhe po bën punën e koordinimit të tranzicionit. Në Kosovë do të vendoset edhe misioni special i BE-së për sigurinë, politikën mbrojtjes dhe sundimin e së drejtës. Ai do të vendoset në sektorin e policisë e drejtësisë. Ky mision, do të ketë gjithashtu kompetenca ekzekutive, që të zbatojë disa funksione të rëndësishme policore, të drejtësisë, si dhe hetimet për krimet e luftës e luftën kundër krimit të organizuar. Misioni gjithashtu do të përqendrohet në ndërtimin e kapaciteteve të shërbimit policor dhe drejtësisë së Kosovës, që institucionet një ditë të mund të marrin të gjitha përgjegjësitë nga bashkësia ndërkombëtare. NATO, që është faktori kryesor stabilizuas në Kosovë dhe në rajon do të mbetet aty. KFOR, i cili në këtë moment numëron rreth 16.000 ushtarë, përfshirë dhe 1600 pjesëtarë të Gardës Kombëtare Amerikane, do të vazhdojë të ruajë sigurinë dhe kontrollojë vendosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të armatosur lehtë dhe të vogla në numër. Zhvillimi i tyre është i rëndësishëm, për ta afruar atë ditë, kur Kosova të mundë të marrë në dorë sigurinë e vet, ndërsa NATO ti tërheqë forcat e veta nga rajoni,

Ekonomia

Pavarësia e Kosovës nuk do të jetë e qëndrueshme, nëse nuk nxisim shpejt zhvillimin ekonomik. Vitet e konfliktit dhe të paqartësisë, kanë shkatërruar ekonominë kosovare. Banka Botërore dhe Komisioni Evropian planifikojnë konferencë të madhe donatore. Presidenti i SHBA, në buxhetin plotësues të 2007-s ka kërkuar 279 milionë dollarë ndihma për Kosovën, ndërsa në buxhetin e vitit 2008, për këtë qëllim janë planifikuar 151 milionë dollarë, që në shumatore, përbëjnë 22 deri 25 % të donacioneve të parashikuara ndërkombëtare. Me një pjesë të rëndësishme e kësaj ndihme, synohet të paguhet pjesa kosovare e borxhit të Serbisë, që Kosova si shtet i pavarur, të mos ngarkohet që në fillim me barrën shkatërruese të borxheve. Po ashtu, do të insistojmë për projekte, që angazhojnë potencialin ekonomik të Kosovës, së pari në sektorin energjetik.

Serbia

Tani kur po i afrohemi fundit të procesit të konfirmimit të statusit të Kosovës, duhet të shihet në mënyrë gjithëpërfshirëse i gjithë rajoni, veçanërisht e ardhmja e Serbisë. Serbia, e cila në dy luftëra botërore ka qenë mike dhe aleate e SHBA ka rëndësi të madhe rajonale. Era e Millosheviqit në 15 vitet e fundit, ka qenë anomali tragjike në historinë e gjatë të marrëdhënieve të përzemërta. Tani pra, populli i Serbisë shtron kursin e ri për vendin e vet, rrugën e integrimit dhe të marrëdhënieve normale me fqinjët. Pasi ka lënë politikën e ndarjes dhe të nacionalizimit të Millosheviqit, Serbia insiston të kthehet në proceset kryesore evropiane. Sot liderët e Serbisë kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Shumë prej tyre mendojnë se janë dënuar për krimet e regjimit të mëparshëm. E vërteta është, se Serbia sot ndryshon në shumëçka nga shteti i Millosheviqit. Edhe pse liderët aktualë serbë nuk kanë kryer krime vetë, ata kanë përgjegjësinë historike dhe morale të përballen me këtë trashëgimi të kaluarës. Ne e nxisim Beogradin që në momentin kur të hyjë në derën e bashkësisë evropiane, ta lërë "valixhen" e erës së Millosheviqit. Serbia duhet të përmbushë detyrimet e veta ndërkombëtare dhe të bashkëpunojë plotësisht me Tribunalin e Hagës. Bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës, para së gjithash, arrestimi i Ratko Mlladiqit, i cili akuzohet për krime lufte, është me rëndësi të madhe për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me botën.

Serbia pra, ka edhe përgjegjësi në drejtim të Kosovës. Ne nxisim fort Serbinë, që të mbështesë zbatimin e zgjidhjes së Ahtisarit, veçanërisht të nxisë serbët e Kosovës të marrin pjesë në këtë zgjidhje. Presidenti Ahtisari ka investuar shumë përpjekje, për të realizuar interesat legjitime të Beogradit në Kosovë. Presim që Serbia të vendosë marrëdhënie politike e ekonomike normale me Kosovën, ashtu si ka bërë dhe me shtetet tjera, të dala nga ish Jugosllavia. SHBA besojnë se Serbia ka të ardhme të shkëlqyer, e cila nënkupton më shumë integrim në bashkësinë evropiane, rritje më të shpejtë të investimeve private, vende të reja pune dhe ndërveprim më të madh social e ekonomik me fqinjët. Biznesmenët amerikanë kanë "nuhatje" në zbulimin e tendencave të reja. Pas vetëm disa vitesh aktivitet, ata janë sot të dytët, për nga madhësia e grupit të investitorëve të huaj në Serbi, i cili ka investuar mbi 1,3 miliardë dollarë në aktivitetet të ndryshme, që nga prodhimi, media dhe bankat. SHBA do të nxisin partnerët edhe në BE e NATO, që të bëjnë sa më shumë, për ta njohur potencialin e Serbisë dhe për të shpejtuar integrimet euroatlantike të saj. Kështu, në Samitin e NATO-s në Rigë, kemi mbështetur hyrjen e Serbisë ne Partneritet për Paqe. Tashmë, kemi programe të rëndësishme ndihme në Serbi dhe mendojmë të ndërmarrim akoma më shumë të tilla, në varësi nga kufizimet ligjore ekzistuese. Në disa muajt e ardhshëm, do të jetë e vështirë, por ne dhe miqtë tanë evropianë, do të vazhdojmë të ndihmojmë udhëheqjen serbe, që të mos devijojë nga rruga, por të ecë në rrugën e të ardhmes së ndritur, që shoqëria e saj të afrohet më shumë më familjen euroatlantike demokratike.

Përfundimi

Ky është vizioni amerikan për Evropën Juglindore. Ky vizion pra, nuk mund të realizohet, derisa Kosova e Serbia të mos shkulen nga konfliktet e së shkuarës e të mos ecin në rrugën pa kthim drejt BE-së e NATO-s. SHBA, që kanë luajtur rol qendror në vendosjen e paqes në këtë rajon, janë absolutisht të vendosura për pavarësinë e Kosovës. Ky do të jetë sukses i politikës së jashtme amerikane.

Nicholas Burns
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi