- Luan_ValikardiKomplet
- Gjinia :
Shteti :
Mosha : 39
Postime : 21456
Anetaresuar : 28/08/2010
Kanuni i Labërisë
Wed 4 May 2011 - 4:16
Kanunit i Labërisë, ngjasimet e dallimet kryesore me Kanunin e Lekës e Kanunin e Skënderbeut
Kanuni ndahet në X pjesë, me 50 krerë dhe 883 nene, sipas strukturës që vijon:
Pjesa I. Norma të përgjithshme (kuptimi, objekti, detyrat e qëllimi);
Pjesa II. Parimet kryesore; (liria, barazia, besa, nderi, mikpritja)
Pjesa III. Organizimi tokësor e shoqëror në njësitë vetëqeverisëse; (mëhalla, fshati, krahina, organizmat e vetëqeverisjes vendore-Këshilli i pleqve, Kuvendi, Gjyqi i pleqve)
Pjesa IV. Rendi shoqëror (familja, vëllazëria, farefisi, fejesa, martesa);
Pjesa V. Rendi ekonomik (prona, barra mbi pronën e paluajtshme (servitutet), detyrimet, kontratat)
Pjesa VI. Faji (vepra penale) dhe dënimi; (parimet, institutet kryesore, llojet e dënimit)
Pjesa VII. Llojet e veprave penale; (kundër personit, pasurisë etj)
Pjesa VIII. Hetimi dhe gjykimi i veprave penale; (provat, procedura)
Pjesa IX. Gjykimi i konflikteve civile (padia, procedura)
Pjesa X. Shkelja e rregullave të vendosura (Kundërvajtjet administrative)
Në mbyllje jepet fjalorthi terminologjik dhe përmbajtja e lëndës.
Ideja kryesore e përmbajtjes së Kanunit të Labërisë është dhënë në përkufizimin, objektin, detyrat dhe qëllimet e tij. Normat e kanunit mund të përcaktohen drejt vetëm në qoftë se shikohen në procesin e zhvillimit historik dhe jo si një ligj konkret statik në kuptimin e sotëm të fjalës.
Kanuni, si monument i kulturës shpirtërore të bashkësisë labe, i ngjan një kalaje qindravjeçare të Jugut, të ndërtuar gur mbi gur, si monument i kulturës materiale, dhe të dyja bashkë në unitet të pandarë janë pjesë përbërëse e kulturës së kombit shqiptar.
Në përmbajtje të Kanunit, veç normave të përgjithshme, në vend të parë janë paraqitur parimet kryesore: liria, barazia, nderi, besa, mikpritja, si vlera morale shoqërore dhe parime juridike.
Trajtimi i organizimit tokësor e shoqëror parashtetëror në njësitë e vetëqeverisjes vendore përbën një drejtim të rëndësishëm për të kuptuar e shpjeguar se bashkësia labe nuk ishte tribun fisesh nomade apo të mbyllura e izoluara, por jetonte në një njësi tokësore me kufij e ndarje administrative të përcaktuar sipas traditës dhe ndikimeve të trashëguara nga perandoria romake, bizantine e osmane: mëhalla (çeta), fshati (katundi), krahina. Mbi këtë bazë ndërtohej edhe struktura e organizmave të vetëqeverisjes vendore: që nga plaku i barkut deri te Kuvendi i burrave, me gjurmë të demokracisë gjinore dhe elemente të organizimit shtetëror nga ilirët deri te pashallëku i Janinës i Ali Pashë Tepelenës.
Rendi shoqëror (vëllazëria, farefisi, barku, brezat, gjinia), marrëdhëniet familjare e martesore në Kanun pasqyrojnë evoluimin nga bashkësia gjinore te rendi patriarkal në familje, me ndikime nga e drejta romake – për paterfamilias dhe me prirje zhvillimi gradual drejt një farë emancipimi në marrëdhëniet familjare. Shtylla kryesore qëndronte te martesa monogame e egzogame dhe mosbarazia e gruas, si rezultat i ndikimit të madh të sheriatit.
Rendi ekonomik është një pjesë thelbësore në përmbajtjen e Kanunit të Labërisë. Rregullimi i marrëdhënieve juridike-civile, të bazuara në pronën private (pa lënë mënjanë format e tjera të pronësisë), detyrimet e kontratat, trashëgimia tregojnë për rolin e normave të Kanunit në këtë fushë, deri në kushtet e diferencimit ekonomiko-shoqëror.
Në përmbajtjen e kanunit hyjnë normat që parashikojnë veprat penale dhe dënimet përkatëse, sipas një sistemi të caktuar, normat proceduriale të pashkruara të hetimit e të gjykimit të çështjeve penale e civile, sipas traditës, sidhe normat që parashikojnë shkelje të tjera, të cilat njësohen me shkeljet apo kundërvajtjet administrative (dëmet).
Duke u njohur në vija të përgjithshme me përmbajtjen e Kanunit të Labërisë, kemi mundësi të bëjmë krahasime për ngjasimet dhe të evidentohen dallimet me kanunet e tjerë.
Në shkencën juridike i kushtohet vëmendje e veçantë studimit të tipeve dhe të llojeve të ndryshme të së drejtës zakonore në realitetin historik të çdo vendi. Shkenca juridike dhe etnologjike shqiptare ka arritur në disa përfundime për katër variantet kryesore të kanuneve shqiptare: Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Skënderbeut, Kanuni i Labërisë dhe Kanuni i Maleve, pa mohuar kanunet e tjerë lokalë. Duke i njohur këto lloje të ndryshme të së drejtës zakonore është bërë e mundur të njihen edhe karakteristikat kryesore e ligjësitë e përgjithshme të tyre. Për efekte krahasimi po merren në shqyrtim vetëm Kanuni i Labërisë me Kanunet e Lekë Dukagjinit e Kanunin e Skënderbeut.
Kanuni i Labërisë dhe Kanuni i Lekës e Kanuni i Skënderbeut, pavarësisht se kanë vepruar në kohë e hapësirë të ndryshme, se i pari i referohet nga gojëdhëna shek.XI, kurse të dytët shek XV, se i pari ka vepruar në Jugperëndim të Shqipërisë dhe të dytët në Malësinë e Veriut, kanë shumë norma të ngjashme e të njëllojta, kanë një nënshtrat të përbashkët, janë pjesë përbërëse të Kanunit mbarëpopullor shqiptar, i cili mbijetoi e përballoi stuhitë e pushtimeve të huaja gjatë shekujve.
Këto ngjasime kanë në themel të tyre etikën, sistemin e vlerave të larta morale dhe parimet kryesore juridike të së drejtës zakonore të tij, lidhjet kulturore e shpirtërore të popullit shqiptar.
Gjithashtu ngjasime ka në organizimin e brendshëm shoqëror, parashtetëror mbështetur në lidhjet farefisnore në vëllazëritë e mëdha e të vogla, në institucionin e pleqve e të kuvendeve të burrave, si organizma të vetëqeverisjes vendore, në rregullimin e marrëdhënieve të pronësisë, të trashëgimisë, të detyrimeve, e deri te rregullat e hetimit e të gjykimit të çështjeve.
Analiza e hollësishme e ngjasimeve të këtyre kanuneve është bërë në një studim të veçantë nga autori. (shih: Jeta Juridike N.2/2004)
Njëkohësisht, nga njohja me përmbajtjen e kanuneve, nuk mund të mos vihen në dukje edhe dallimet e veçoritë vendore, ashtu si në gjuhë dialektet, në kostumet, në këngët, vallet etj, të përcaktuara në analizë të fundit nga kushtet historike, politike, shoqërore dhe materiale të jetesës së popullsisë së njërës apo tjetrës trevë.
Ndër këto dallime thelbësore vërehet zhvillimi më herët i marrëdhënieve kapitaliste në prodhim në Labëri, në krahasim me zonat ku vepronte Kanuni i Lekës dhe Kanuni i Skënderbeut në Malësitë e Veriut. Nga përcaktimi në analizë të fundit i këtyre marrëdhënieve ekonomike u shfaqën edhe dallimet në strukturën klasore të shoqërisë në Labëri. Në disa fshatra sidomos në Rrëzomë u krijuan shtresa të reja të pasura-agallarët, u forcuan më tej çifligarët, u zgjeruan shtresat e mesme të pronarëve të tokës e të bagëtive, u thellua varfëria e shtresave të ulëta, që përbënin shumicën, veçanërisht në Kurvelesh. Secila prej këtyre shtresave kishte një status të veçantë në Kanun, dhe barazia shoqërore e dikurshme e bashkësisë fisnore (gjinore) gradualisht në shek XVIII-XX-të shkonte duke u kufizuar, ndërsa barazia e gjakut ²gjak për gjak²u ruajt edhe në vitet pasardhës. .
Si rrjedhojë e këtyre dallimeve ekonomike-shoqërore, Kanuni i Labërisë rregullonte marrëdhëniet juridike ndërmjet çifligarëve e çifçinjëve, marrëdhënieve civile e kontraktore të pronarëve të tokës e bujqve, agallarëve pronarëve të kopeve të bagëtive e çobanëve që paraqesin dallim të dukshme të Kanunit të Labërisë nga Kanuni i Lekës apo Kanuni i Skënderbeut në Veri të Shqipërisë.
Dallime jo të pakta vërehen edhe në rregullimin e marrëdhënieve familjare e martesore. Fiset dhe familjet e mëdha patriakale në Labëri, që nga gjysma e dytë e shekullit XVIII- fillimet e shek.XIX, ishin në procesin e shpërbërjes së plotë dhe ua linin vendin vëllazërive, familjeve të mesme e të vogla, të ndara nga trungu prindëror, me ekonomi më vete, të vogël apo të mesme. Tradita gojore dëshmon se familja labe, në shumicën e madhe, përbëhej si rregull nga 10-20 veta, maksimumi deri në 30 veta, ndryshe nga ajo në Zonat e Veriut, ku vepronte Kanuni i Lekës apo Kanuni i Skënderbeut, që arrinte deri në 100 veta.
Zakonet e vjetra patriarkale ishin skllavëruese për gruan. Ato nuk i njihnin asaj të drejta në krahasim me burrin, veçse i mbronin nderin e saj.
Nga gjysma e dytë e shekullit XIX, pas reformave të normave të vjetra, pozita e gruas në Labëri shkoi duke u forcuar brenda familjes, ashtu dhe në marrëdhëniet martesore që gradualisht u liberalizuan në një masë ose në tjetrën. Marrëdhëniet patriarkale-fisnore, autoriteti absolut prindëror dhe sundimi absolut i burrit ndaj gruas, pësuan zbutje, natyrisht, duke ruajtur, diku më fort e diku më pak, gjurmët e patriarkalizmit të kohës së kaluar. Gruaja fitoi disa të drejta e liri, që i mohoheshin më parë. Fëmijët madhorë mund të ndaheshin më lehtë nga trungu prindëror, etj.
Dallime e veçori në Kanunin e Labërisë nga Kanuni i Lekës, apo Kanuni i Skënderbeut ka përsa i përket organizimit të vetëqeverisjes vendore. Në këtë kanun nuk njihen pozita dhe privilegjet e Derës së Gjonmarkajve, si në Kanunin e Lekës, nuk njihet instituti i bajraktarëve, i krerëve të fiseve, por pranohet roli i Kuvendeve, i pleqve, i parisë së vendit, i kapedanëve, i vegjëlisë dhe i gjyqit të pleqve. Në këtë drejtim ka ushtruar ndikim në Kanun edhe krijimi dhe funksionimi i pashallëkut të Janinës, nën drejtimin e Ali Pashë Tepelenës.
Veç këtyre, për zëvendësimin e normave të vjetra me norma të reja të Kanunit, merita të mëdha i takojnë përhapjes së arsimit e të kulturës me çeljen e shkollave që në fillimet e shek.XIX, krijimin e klubeve patriotike kulturore në Labëri etj.
Popullsia e Labërisë, e zonave të vetëqeverisjes vendore, nuk ka qenë krejtësisht e izoluar, e shkëputur nga kryeqendrat si Gjirokastra, Delvina, Vlora dhe Janina, ku zhvillohej tregtia dhe jeta kulturore.
Kontaktet e Labërisë me shkollat dhe me jetën kulturore të qyteteve kryesore, e posaçërisht kurbeti, lidhjet tregtare me shtete të tjerë si Greqia, Turqia e Italia, kanë luajtur rol të madh përparimtar në Labëri. Të gjithë këta faktorë të harrur së bashku vepruan aktivisht në ndryshimin e mentaliteteve të njerëzve, për qytetërimin e shoqërisë dhe, si rrjedhojë edhe për ndryshimet pozitive të normave të Kanunit të vjetër të Labërisë, që pasqyrohen në rregullimin e marrëdhënieve juridike.
Megjithatë, kanuneve shqiptare u përshtatet sentenca e filozofisë së vjetër greke "Jemi bashkë, pse jemi ndryshe".
Në një masë ose tjetrën kjo sentencë ka vlera edhe për krahasimet e Kanunit të Labërisë me zakonet juridike të Greqisë së vjetër, të përshkruara me mjeshtëri nga Eskili.
Kanunet janë dhe do të mbeten si monumente historike të vlerave kulturore të popullit shqiptar, pasqyra të historisë dhe të karakterit të tij fisnik.
Mbi të gjitha ngjashmëritë themelore dëshmojnë lashtësinë e popullit shqiptar, të kulturës së tij në përgjithësi dhe të asaj juridike në veçanti, si dhe unitetin e pandashëm të kombit tonë në trojet e tij ilire.
Kanunet shqiptare, bashkë me Statutet e qyteteve bregdetare (Durrësit, Shkodrës, Tivarit, Drishtit, Budvës) të shek.XIV mbetën pasuri kombëtare, nderim për të parët tanë, të cilët na i lanë këtë trashëgimi të pasur kulturore.
Në këtë parathënie nuk është parë e nevojshme të zhvillohen gjerësisht karakteristikat dhe institutet kryesorë të Kanunit, për arsye se është botuar më parë libri i autorit: "E drejta zakonore e Labërisë", i cili në njëfarë mënyre mund të quhet edhe komentari i kanunit, kështu që nuk do të kishte vend për përsëritje. Libri dhe Kanuni janë në unitet organik, duke ruajtur secili tiparet e veçanta të tij.
Sigurisht , Kanuni është pasuruar me mjaft norma të reja dhe me praktikat e zbatimit të tij në hapësira të gjëra të Labërisë, tej atyre që përmenden në libër. Për këtë arsye normat e kanunit mbeten objekt hulumtimi e studimi shkencor nga studiuesit.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi