Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Blendi Fevziu: Prapaskenat në Paris, Enver Hoxha me prirje homoseksuale Empty Blendi Fevziu: Prapaskenat në Paris, Enver Hoxha me prirje homoseksuale

Thu 27 Oct 2011 - 19:16
Blendi Fevziu: Prapaskenat në Paris, Enver Hoxha me prirje homoseksuale Enver_hoxha3
Anastas Plasari rrëfen qarqet që frekuentonte Hoxha, të njohura për lirinë seksuale dhe skandalet

Kushdo që i doli para rrugës së rinisë, paçka se i dhanë edhe strehë e bukë, u eliminua. Vetë me dorën e tij firmosi vendimet e pushkatimeve apo burgosjeve. Shpëtuan vetëm ata që nuk u ndjenë. E, në këto kushte, Enver Hoxha mund ta ndërtonte të kaluarën e tij si të donte. Në kujtimet e tij, ai paraqet takime me krerë komunistë francezë gjatë kohës së qëndrimit në Paris, shkrime me pseudonime në shtypin e kohës, ndërsa të mbijetuarit tregojnë të tjera gjëra dhe e kanë të vështirë të vërtetojnë pretendimet e Enver Hoxhës. Në biografinë që mban emrin e diktatorit, Blendi Fevziu flet edhe për thashethemet e përhapura në qarqet e emigrantëve në Francë në vitet ’30 e shumë më vonë edhe në Shqipëri, mbi jetën seksuale të Enver Hoxhës. Duke iu referuar qarqeve që ai frekuentonte, për të cilat rrëfen Anastas Plasari, për të cilin Hoxha dha urdhër ta eliminonin, një vjershe të Arshi Pipës dhe ca fletushkave që qarkullonin, Enver Hoxha ishte homoseksual. Madje, Fevziu thotë se një fletushkë e tillë i ka rënë në dorë edhe Ministrisë së Brendshme, çka mund të ketë ndikuar edhe në eliminimin e Mehmet Shehut në vitin 1981. \

Nga Franca në Belgjikë: student pa diplomë

Me të njëjtën valixhe që kishte përdorur për të shkuar në Korçë, i vetmi kujtim i vëllait të vdekur sjellë nga mërgimi në ShBA, Enver Hoxha u nis një mëngjes gushti të vitit 1930 për në Francë. Bashkë me disa studentë të tjerë gjirokastritë, ai udhëtoi nga Durrësi për në Brindizi me anijen e linjës, së andejmi me tren drejt Ventimiljes dhe, përmes Bregut të

Kaltër, vijoi për në Montpelie, qyteti ku ishte regjistruar në Fakultetin e Biologjisë dhe ku kaloi plot 3 vite të jetës së tij. Para se të mbërrinte në Francë, djali i ri kaloi disa mbrëmje me motrën e tij të madhe, Fahrijen dhe familjen e saj, që jetonte në Bari prej vitit 1924. I shoqi i saj, Bahri Omari, deputet i të parit Parlament shqiptar, demokrat dhe antizogist, ishte larguar nga Shqipëria bashkë me Fan Nolin pas falimentimit të grushtit të shtetit dhe pamundësisë së Nolit për të zhvilluar zgjedhje, si dhe me riinstalimin e Zogut në Shqipëri. Omari ishte njëri ndër politikanët e njohur të opozitës shqiptare në mërgim, me shumë lidhje kudo, dhe që me gjasë paguhej nga jugosllavët e nga vetë italianët për ta përdorur në një moment kur raportet e tyre me Zogun mund të ndërlikoheshin. Hoxha i kushton shumë faqe në kujtimet e veta të kunatit dhe mosmarrëveshjeve që paskësh pasur me të. Por, nuk ka asnjë dyshim se ishte kunati që e futi në botën e madhe të politikës dhe i hapi një vend për të qëndruar pranë politikanëve të vjetër dhe me ndikim në Shqipëri. Hoxha i ri i takoi disa prej atyre që kishin luajtur role kyçe në pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit shqiptar, pikërisht në shoqërinë e të kunatit, në kafe “Stopani”, në një rrugë qendrore të Barit. Kafe “Stopani” njihej si vend takimi jo vetëm i emigrantëve shqiptarë, por edhe atyre kroatë dhe Hoxha e kujton me nostalgji atmosferën e atjeshme.

Një atmosferë e zotëruar nga lajmet për shëndetin e keq të mbretit Zog ose për rrëzimin e tij të shpejtë. Nuk mund të thuhet se sa u magjeps Hoxha nga ajo atmosferë, që përsëritej 2 herë në vit, gjatë viteve që ai vinte e shkonte nga Shqipëria në Francë, por në kujtimet e veta sqaron se nuk e mori kurrë seriozisht atë atmosferë. Për një ironi të fatit shumë prej emigrantëve politikë që kishte njohur atje dhe që i ankoheshin për mungesën e fatit personal dhe qeverisjen e keqe të mbretit Zog, 10 vjet më vonë do të iknin sërish në mërgim, tashmë për t’i shpëtuar ndëshkimit të një qeverie të drejtuar pikërisht nga djaloshi që kishin njohur në kafe “Stopani”. Por, ndryshe nga mërgimi i tyre i parë, ai në kohën e mbretit Zog, nuk u kthyen më kurrë në atdhe: vdiqën të gjithë në mërgim pa e kuptuar se ç’talent i veçantë e kishte sjellë atë djalosh të heshtur në krye të atdheut të tyre. Në të vërtetë, Bahri Omari do të luante rol të rëndësishëm në jetën e mëpasshme të Enver Hoxhës në fillimet e karrierës së tij, ashtu sikurse edhe vetë Enver Hoxha do të luante rol tragjik në jetën e Omarit thuajse 10 vjet më pas. Franca do të ndikonte ndjeshëm në jetën e tij. Në vitet e fundit të saj, i izoluar në Shqipëri që prej vitit 1961, Enver Hoxha i kthehej dhe rikthehej gjithnjë më shumë rinisë së tij franceze.

Njerëz pranë tij rrëfejnë se sa herë që fëmijët ktheheshin nga udhëtime në Paris ai i pyeste me detaje për vende, rrugë, personazhe. Franca qe vendi i vetëm me të cilin ai ruajti raporte normale dhe vendi ku çdo vit porosiste librat dhe kostumet. Hoxha mbërriti në Francë në një moment kur pasionet politike qenë të forta, por jo aq kulmore sa u bënë me fillimin e Luftës Civile në Spanjë dhe me rritjen e kërcënimit nazist. Por 22-vjeçari nuk dukej shumë kureshtar për zhvillimet politike dhe as kishte shfaqur ndonjë pasion të veçantë për këtë, së paku siç dëshmojnë shokët e tij të klasës dhe të dhomës në Montpelie. Djaloshi nuk dukej se kishte interes as për shkollim: e kalonte kohën më shumë nëpër kafene dhe me aventura të vogla se sa i ngulur mbi libra dhe leksione universitare. Në kujtimet e veta madje dëshmon edhe vetë se nuk kishte asnjë interes për botanikën dhe as e manifestoi atë gjatë viteve të qëndrimit në Universitet. Vitin e parë nuk e kaloi dot dhe, kur kish mbushur 3 vjet në Montpelie, mezi kishte dhënë disa nga provimet e vitit të parë.

Pas tre vitesh të dështuara në Montpelie ministri i arsimit Mirash Ivanaj, më 6 shkurt 1934, ia ndërpreu bursën e studimit dhe i kërkoi kthimin në Shqipëri. Bashkë me këtë Hoxha detyrohej t’i kthente shtetit lekët e tre viteve bursë të paguar për të: një kontratë e detyrueshme për gjithë ata që nuk i kryenin studimet dhe nuk e përdornin bursën e shtetit për këtë gjë. Por Enver Hoxha nuk e përmbushi kurrë këtë detyrim: as ktheu paratë mbrapsht dhe as u penalizua për këtë. Nuk dihet sesi ndodhi, por kjo ka pak rëndësi. 10 vjet më pas, kur Enver Hoxha u bë kryeministër i Shqipërisë, e thirri për një kafe Mirash Ivanajn, ish-ministrin i cili ishte kthyer nga mërgimi në Egjipt ku ishte larguar për të mos pranuar pushtimin italian të Shqipërisë. Patriot i vjetër, figurë e njohur e Rilindjes shqiptare, si dhe autor tekstesh me popullaritet të konsiderueshëm, ai po e përgëzonte sinqerisht kryeministrin e ri, kur ky, siç e dëshmon vetë, e ndërpreu kinse me shaka:

“Profesor, dikur firmosët që të ma ndërpresin bursën e studimit…”.
Dhe plaku iu përgjigj qetësisht:
“Derisa e kam bërë, domethënë që e ke merituar, nuk ke qenë për shkollë”. Vetëm pak vite më pas Mirash Ivanaji do të arrestohej, do të dënohej dhe do të vdiste në burg i akuzuar si “antijugosllav’. Vdekja e tij në qeli ndodhi vite pasi marrëdhëniet e Enver Hoxhës me Titon qenë prishur dhe kur kartën e “antijugosllavit” më të madh e kishte marrë Enver Hoxha vetë.

I mbetur pa bursë, Enver Hoxha gjithsesi vendosi të mos kthehej në atdhe. Një mbrëmje të majit 1933 ai mori trenin e linjës Montpelie-Paris dhe në mëngjes mbërriti në Garë dë Lion. Nuk kishte as punë, as bursë dhe as mjete të tjera jetese, por kishte premtimin e një shokut të fëmijërisë që studionte atje se do të gjente një zgjidhje për të. Shoku i vjetër foli me një bashkëmoshatar dhe gjirokastrit si ai, Hasan Jero, një student në gjendje të mirë ekonomike, i cili mori përsipër ta strehonte në dhomën e tij dhe t’i paguante dy vakte ushqim në ditë. Enver Hoxha u vendos në afërsi të Lagjes Latine, në rrugën “Monsieur le Prince”, në një pension modest studentësh së bashku me Jeron dhe Babameton në kërkim të një fati më të mirë në kryeqytetin frëng.

Hasan Jero e pagoi shtrenjtë strehimin që i bëri mikut të tij në atë moment të vështirë. Pas kthimit nga Franca ai u rreshtua në formacionet partizane dhe luftoi për dy vjet me radhë. Por, menjëherë pas ardhjes në fuqi të Enver Hoxhës, u arrestua si “spiun francez”, u dënua me 35 vjet burg, bëri 25 prej tyre, por arriti të mbijetojë. Në vitin 1994 Hasan Jero u kthye në Paris për t’iu treguar gazetarëve, në vend, atë episod që u bë padashje drama e jetës së tij. U tha gazetarëve të “France 2″ se kishte jetuar me Enver Hoxhën pothuajse një vit në rrugën “Monsieur le Prince” dhe se Hoxha ishte njeri mjaft interesant: flinte deri në mesditë, rrinte natën vonë dhe nuk kishte asnjë interes në përgjithësi. Jero dëshmoi se ajo çfarë Enver Hoxha kishte shprehur në kujtimet e tij, që kishte shkruar në gazetën “L’Humanité” dhe kishte marrë pjesë në mbledhjet e Kutyrjesë, ishin vetëm sajesa të tij. Jero nuk ishte personi i vetëm që fati ose fataliteti e nxori në rrugën e Hoxhës në rininë e tij.

Shumë prej atyre që e kishin njohur, miq të afërt ose të rastësishëm, u burgosën ose u pushkatuan pas Luftës. Shpëtuan vetëm disapak, edhe ata pa guxuar kurrë të rrëfejnë ndonjë detaj nga jeta e tij, madje duke miratuar kujtimet dhe dëshmitë e Hoxhës për rininë franceze. Vetëm pas vdekjes së tij dhe pas rënies së regjimit komunist, ata të paktë që kishin mbijetuar botuan kujtimet e veta realiste. Siç qe rasti i Vedat Kokonës së përmendur, shkrimtarit përkthyes dhe leksikograf emërmadh, që shkroi kujtimet të cilat iu botuan pas vdekjes në vitin 1998: janë kujtime në të cilat ai ka vizatuar profilin e besueshëm të Hoxhës, madje duke e bërë këtë me shumë realizëm. Vetë Hoxha ndërtoi version krejt tjetër në kujtimet e veta pariziane. Në to e ka paraqitur veten si militant komunist që shkruante kundër “regjimit gjakatar” të mbretit Zog në gazetën “Humanité”, organ i Partisë Komuniste Franceze, madje ka folur edhe për një angazhim të tijin në këtë parti:
“Pastaj shkova në qendrën e leximit të Partisë Komuniste Franceze dhe i kërkova përgjegjësit nëse mund të më organizonte një takim me shokun Pol Vajan Kuturie, se kisha diçka për t’i thënë.
Zmadho fotografinë
Enver Hoxha me prirje homoseksuale?!
Enver Hoxha me prirje homoseksuale?!

Ai më tha të shkoja të nesërmen të merrja përgjigje [..] Shkova dhe, për fatin tim, më priti vetë Vajani, i cili më dha dorën dhe më uli. I tregova shkurtimisht historinë time.

-Do t’ju lutem për një gjë, – vazhdova unë, – jam komunist me gjithë shpirt. Partia, shtypi juaj dhe mjerimet e popullit tim më
kanë bërë komunist. Ngandonjëherë, nga lajmet që mund të marr nga Shqipëria, a mund të dërgoj në “L’Humanité” nga ndonjë artikull të vogël për të demaskuar regjimin feudal të Zogut?

Vajani më shikoi me ata sytë e ëmbël dhe më tha:
-Posi, të dërgoni, shok. Do t’ju botojmë me gjithë qejf…
frëngjishten e flet mirë, duhet edhe ta shkruash. Për çdo artikull që do të na dërgosh vur pseudonim. Shkrimet që do të na vinë nga Brukseli e që do të flasin për Shqipërinë, do ta kuptojmë se vijnë nga ju, shoku Hoxha.

Kur u ndamë Vajani më theksoi:
-Ta duash dhe të luftosh për komunizmin.
-Deri në vdekje do të luftoj, – i thashë”.

Nuk dihet sa i sinqertë është Hoxha në këtë rrëfim. Por dihet se në vitin 1987 një delegacion i dërguar nga Komiteti Qendror i PPSh për të zbuluar veprimtarinë komuniste të Hoxhës në Francë dhe Belgjikë, dështoi. Shkrimet në gazetë qenë objekti kryesor i tyre, por nuk dhanë rezultat. Njëri prej tyre ka sqaruar më pas se në Universitetin e Sorbonës dy dite me radhë shfletoi nga faqja e parë tek e fundit krejt koleksionin e “L’Humanité”-së, nga viti 1932 gjer më 1936: askund nuk figuronte shkrim, as me emër as me pseudonim, që mund të ishte ose të të afronte tek Enver Hoxha.

Jeta e tij në Paris dhe sidomos përfshirja si militant komunist është kontestuar shumë pas vitit 1990 dhe pothuajse është hedhur poshtë nga bashkëkohësit dhe miqtë e tij të atjeshëm. Megjithatë nuk mungojnë edhe të dhënat që e dëshmojnë një përfshirje të tillë. Ndër më interesantet është ajo e Anastas (Nastas) Plasarit, i cili do të shfaqet edhe më vonë në këtë histori. Gazetar profesionist dhe njëri nga komunistët më të njohur në vend në vitet ’20 dhe ’30, në qershor të vitit 1943 Plasarit i duhet të takojë Hoxhën, i cili e ka ftuar për një “takim pune” në zonën e lirë. Ftesa e Hoxhës për Plasarin, të cilit i drejtohet “i dashuri shok”, ruhet edhe sot në fondet e Arkivit të KQ të PPSH. Befasia e parë: Plasari do ta takojë Hoxhën për herë të parë në atë vit, 1943, pasi deri atëherë nuk ka pasur njohje me të. Ka për të si informacione disa “anekdota”, sikurse i quan, të miqve të tij Llazar Fundo dhe Tajar Zavalani, plus disa të dhëna të një tjetër eksponenti të Lëvizjes së majtë në Shqipëri, Dhimitër Cancos, të njohur për ndikimin e tij në jetën intelektuale të kryeqytetit nëpërmjet kinemasë “Gloria” dhe sidomos librarisë së tij “Argus”.

Ja portreti që i kanë bërë ata për Enver Hoxhën dhe që Plasari na e jep në Kujtimet e veta: “Enverin do ta takoja për herë të parë. Me të kishim pasur deri atëherë vetëm ndonjë përshëndetje, nga koha kur jetoi legalisht në Tiranë, nëpërmjet njohjes së tërthortë me mikun tim Esat Dishnica. Por lidhur me përfshirjen e tij në Lëvizjen e majtë e kisha një portret të tijin paraprak, në të cilin puqeshin anekdotat që kishin shkëmbyer në fund të vitit 1938 ose fillim të atij 1939 Fundoja me Tajarin, me hollësitë interesante që më kishte dhënë “Argus”-i. Sipas atij portreti paraprak Enveri Hoxha ishte përfshirë në Lëvizjen e majtë gjatë dy viteve që kishte jetuar në Paris me shkasin e studimeve, por në të vërtetë me interesa të tjerë ideologjikë dhe politikë. Si edhe disa shokë të tjerë, me sa duket edhe ai ishte lidhur me ish-”Zyrën e Berlinit”, e cila prej 1932-shit ishte zhvendosur në Paris, por në mënyrë të tërthortë, pra ndryshe nga Fundoja, Tajari dhe më vonë Sejfullau.

Enveri kishte bërë të njohur me eksponentë të inteligjencies së majtë pariziane, prosovjetike dhe prostaliniste, nëpërmjet hyrjes në qarkun e një personazhi ekscentrik, një dandi parizian, botues revistash të modës dhe të avangardës letrare, të quajtur Lysjen Vozhel. Qarku parizian i Lysjen Vozhelit ishte, në të vërtetë, nën kontrollin e shokut Myncenberg. Revistat e famshme të modës “Vu” dhe të avangardës “Lu” të Vozhelit i sillte e i tregtonte në Tiranë Dhimitri Canco në librarinë e tij “Argus”, duke qenë se Vozheli kishte lidhje komerciale dhe, me sa duket, edhe ideologjike me “Hachette”-in, filial i të cilit ishte në Tiranë “Argus”-i, deri kur fashizmi u detyrua t’i ndalonte të dyja revistat për antifashizmin e tyre të hapur. Ishin, sipas “Argus”-it, dy revistat e preferuara të Enver Hoxhës, të cilat Cancoja ia shërbente duke i fshehur mes tyre “Humanité”-në, që vijonte ta fuste në Shqipëri edhe ilegalisht.

Sipas “Argus”-it, por edhe sipas anekdotave të Fundos dhe të Tajarit, në vitet e qëndrimit të tij në Paris Enveri ishte bërë frekuentues i një vile të famshme të Lysjen Vozhelit në periferi të Parisit, diku pranë pyllit Sen-Zhermen: “një konak nga ato të kontit të Monte Kristos”, e përshkruante Cancoja, që thoshte se e kishte frekuentuar edhe vetë. Aty mblidheshin ajka e inteligjencies së majtë të Parisit e përzier me larmi aktivistësh socialistë, sindikalistë, komunistë, socialdemokratë, refugjatë të arratisur nga vendet e tyre, artistë të avangardës, deri edhe “rusë të bardhë prorevolucionarë”, sepse tryeza e Lysjen Vozhelit ishte ditë e natë e shtruar dhe debatet politike e ideologjike aty gëlonin. Sipas Cancos, por edhe sipas Fundos, Enveri kishte miqësi me të bijën e Lysjen Vozhelit, quhej Marie a diçka e tillë, e cila u fejua me Pol Vajan-Kutyrienë: kështu e shpjegonin edhe njohjen e Enver Hoxhës me Kutyrjenë, njërin nga drejtuesit e komunistëve francezë, në atë kohë kryetar i një bashkie të Parisit, ndoshta dhe me shokët Moris Torez, Marsel Kashen etj., që frekuentonin të njëjtin qark të Lysjen Vozhelit. “Argus”-i madje tregonte për përpjekjet e Enver Hoxhës për t’u regjistruar në një shkollë të quajtur “Karl Marx”, të themeluar në Paris nga Kutyrieja në vitin 1933, kur Enveri kishte qenë i shtrënguar të kthehej në atdhe. Asnjëherë nuk kam mundur të faktoj sesa të vërteta qenë këto të dhëna, por as që e kam quajtur këtë detyrë timen”.

Një kërkim më i hollësishëm në burimet enciklopedike jep të dhëna interesante për dy personazhet e përmendura në portretin e mësipërm dhe përkatësisht qarqet e tyre. Nga njëra anë, Myncenbergu (Ëilli Münzenberg) ishte drejtuesi i “Zyrës së Parisit” të Internacionales III Komuniste për Europën Perëndimore, i njohur për aftësitë e tij të jashtëzakonshme të tërheqjes në Lëvizjen e majtë prokomuniste të inteligjencies europiane dhe veçanërisht personaliteteve të kulturës, artit, letërsisë, nëpërmjet sipërmarrjesh të mëdha në formë industrish kinematografike, kompanish teatrore, shtëpish botuese etj. Makinerisë së tij propagandistike i njihet merita e organizimit të “Kundërprocesit të djegies së Reichstag-ut”, të fushatës për mbrojtjen e anarkistëve Sacco dhe Vanzetti, të ndërtimit të rrjeteve të informacionit prosovjetik në Mbretërinë e Bashkuar (“Bloomsbury Coterie” etj.). Që Enver Hoxha nuk ka qenë i papërfshirë në organizmat e Kominternit në Paris tanimë del edhe nga një e dhënë e librit “Histori e Partisë Komuniste Franceze”, shkruar nga Stephane Courtis dhe Marc Lazar (Paris 2006). Ndër kontributet e kësaj partie për lëvizjen komuniste botërore shënohet edhe ndihma për lëvizjen komuniste në Shqipëri pikërisht sipas burimit “Dossier Münzenberg”:

“Puna me Shqipërinë, që përgatiti sipas Parisit krijimin e një lëvizjeje komuniste në Shqipëri nën drejtimin e Enver Hoxhës, student në Sorbonnë dhe diktatori i ardhshëm i Shqipërisë komuniste”. (Enver Hoxha në fakt nuk ka qenë asnjëherë student në Sorbonë – shënim i autorit) Nga ana tjetër, ajo që bie në sy është se Hoxha nuk përmend në asnjë rast në kujtimet e tij të mëvonshme as Münzenbergun, – dhe është e kuptueshme sepse ky më 1944 do të “spastrohej” nga Stalini me të cilin kishte hyrë në konflikt, – por as drejtpërsëdrejti Lucien Vogel-in, ndonëse kuptohet që ka qenë i informuar jo keq për jetën e “intelektualëve francezë të partisë” të rritur e të frymëzuar nga bohema e Montparnasse-it, në Closerie des Lilas, Pavillon de Flore, Bateau-Lavoir dhe lokale të tjera që ai i përmend dhe ku, sipas tij, “dolën Aragonët, Elsa Trioletë dhe shumë miq të tjerë të Lazarevëve, Tristan Carave, të dadaistëve, kubistëve dhe njëmijë e një shkollave dekadentë të letërsisë dhe artit”. Sigurisht që nuk përmend as vajzën e tij Marie- Claude, që sipas Fundos dhe Cancos kishte qenë e njohura e tij, çfarë mund të ketë lidhje me angazhimin e mëpasëm të “shoqes” Marie-Claude, e cila jo vetëm u bë militante e Partisë Komuniste Franceze, por edhe deputete e kësaj partie për disa dhjetëvjeçarë në Parlamentin francez. Ose me martesën e saj të dytë, pas vdekjes së burrit të parë Paul Vaillant-Couturier, me një tjetër politikan të rëndësishëm të Partisë Komuniste Franceze, Paul Villon.

Nuk dihet që as ajo të ketë folur për Hoxhën, derisa ndërroi jetë në vitin 1996 në Paris. Vetë dandy Lucien Vogel vdiq në vitin 1954, pasi la mjaft gjurmë në jetën e avangardës pariziane. Sipas autorëve që kanë shkruar për jetën dhe veprën e tij, soirées-të e Lucien Vogel-it frekuentoheshin shumë edhe nga personazhe me orientim seksual të hapur, pa komplekse, përfshi mes tyre edhe gay. Ishte një dimension i njohur dhe i pranuar në ato mjedise. Ky mund të ketë qenë edhe njëri nga shkaqet që, ose prej asaj kohe ose prej komenteve të atyre që e kanë njohur në atë kohë, në Shqipëri qarkulloi për shumë vite nën zë komenti ose mërmërima se Enver Hoxha në të ritë e tij kishte qenë gay. Ishte një akuzë që madje, në qarqet e emigracionit antikomunist, qarkulloi publikisht dhe konkretisht. Në vitin 1990, kur regjimi komunist nuk kishte rënë ende në Shqipëri, Arshi Pipa, njëri prej antikomunistëve aktivë në mërgim, përmblodhi në një libër anglisht të titulluar “Albanian Stalinism”, gjithë veprimtarinë e tij publicistike dhe studimore kundër regjimit komunist të Tiranës. Në fund të librit ai rendiste edhe një vjershë të shkruar vite më parë, në të cilën Hoxhën e portretizon kështu me vargjet:

“O bandill të lumtë bitha,/
Ajo i shpjegon të gjitha!
Ç’duhen dituri e mend/
Kur njeriu ka fatin tënd!”

Janë vargje të krijuara në ndonjë moment zemërimi ekstrem, por pothuajse 20 vjet më parë Pipa kishte botuar edhe në formën e një fletëvolanti komentet e tij për jetën e lirë seksuale të Hoxhës dhe sidomos për orientimin e tij homoseksual. Ajo fletë që qarkulloi në emigracion, afërmendsh që ra edhe në duart e Ministrisë së Brendshme në Shqipëri: një dokument që, me shumë gjasë, duhet të ketë ndikuar fort në eliminimin e Mehmet Shehut në vitin 1981. Pas vitit 1991, kjo zhurmë, për të cilën mund të dënoheshe me vdekje në Shqipëri nëse shkonte në vesh të Sigurimit të Shtetit, u bë një lloj akuze thuajse publike. U përmendën emra gay-sh të famshëm tiranas etj., të cilët, sipas traditës orientale, e paskëshin pasur Hoxhën dylber të tyrin, por deri më sot, përveç thashethemnajës, askush nuk ka dhënë ndonjë fakt në këtë drejtim: asnjë prej miqve të tij të vjetër, edhe prej atyre pak që mbijetuan, nuk ka ditur të thotë diçka konkrete për këtë dimension të tij. Nuk është çudi që, më shumë se një anë e jetës së tij, kjo të ketë qenë një etiketë që i mbeti nga frekuentimi i rretheve të Lucien Vogel-it në Paris në mes të viteve ’30, rrethe në të cilat ndikimi i gay-ve ishte shumë i fortë dhe pikërisht për këtë arsye, si dhe për akuzat që po bëheshin gjithnjë e më publike dhe po ktheheshin në skandale, Kominterni vendosi të mos i financonte më.
Blendi Fevziu, Panorama
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi