Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Durrsaku
Durrsaku
V.I.P Forumi
V.I.P  Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 47
<b>Postime</b> Postime : 12667
<b>Hobi</b> Hobi : bisedat e sinqerta
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : diku
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 04/12/2011

Autokritika e Mehmet Shehut: Si i pushkatova 67 ballistë në një ditë Empty Autokritika e Mehmet Shehut: Si i pushkatova 67 ballistë në një ditë

Thu 2 Feb 2012 - 18:11
Autokritika e Mehmet Shehut: Si i pushkatova 67 ballistë në një ditë Enver_Hoxha_dhe_Mehmet_Shehu-300x201
Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu


“Mes tyre kishte edhe të pafajshëm e të gënjyer”

Në pamje të parë të duket rastësi pendesa e Mehmet Shehut plot dhjetë vjet më vonë, për rolin e tij në krimin më makabër të viteve të luftës, por nuk është krejt kështu.

Në Plenumin e KQ të nëntorit të vitit 1953, ish-komandanti i Brigadës së Parë, i kryqëzuar për praktikat antiparti si ministër i Brendshëm, detyrohet të “hapë lojën”, duke shtuar në gabimet e tij edhe ato më të hershmet. “Në tetorin e vitit 1943, kam urdhëruar pushkatimin e 67 nacionalistëve në zonën e Lushnjës!”
Autokritika e Shehut për një nga bëmat e kohës së luftës, në vitet e diktaturës, nuk u publikua asnjëherë. Madje, ajo u retushua edhe nga materialet e Plenumit të nëntorit ’53, ku u shqyrtua për herë të parë. Gazeta “Panorama” ka siguruar dorëshkrimin e ish-kreut të Brigadës së Parë me artikulimin e ndjesës për aktin ekstremist e sektar, siç e cilëson ai, që pasoi me 67 viktimat, ndër të cilët kishte edhe “të pafajshëm” e “të gënjyer”. Në të, ngjarja tragjike shtjellohet thjesht “një gabim si rezultat i temperamentit impulsiv”, që zë vetëm katër rreshta në dokumentin prej gjashtë faqesh ku nuk mungojnë ditirambet propagandistike dhe elozhet për Enver Hoxhën si udhëheqësi i lavdishëm i Partisë. Pjesa tjetër e reflektimit të Shehut fokusohet në përgjegjësitë e tij për “sjelljet jo revolucionare” të organeve të Brendshme ndaj qytetarëve vështruar, siç përmend ai, nën prizmin e analizës së Partisë Bolshevike të Bashkimit Sovjetik ndaj veprimtarisë tradhtare të Beries, ish-shefit të KGB-së. “Mbërritja në këto momente e letrës së Bufit, shton Shehu i tunduar nga kompleksi i persekucionit, i hodhi benzinë zjarrit të goditjes ndaj meje”. Pavarësisht karakterit emotiv me të cilin ministri i Brendshëm shpjegonte gabimet dhe shkeljet në detyrë, Hoxha ofronte një optikë tjetër, duke vënë në diskutim çështje të rëndësishme. Në këto rrethana, përbetimi i Shehut, që pak më herët kishte kërkuar ndihmën e ambasadorit sovjetik për të rivendosur besimin e Enverit, së paku për këtë të fundit, rezultonte jo bindës. Sidoqoftë, kumtimi autokritikë i ministrit të kryqëzuar ishte një ngjarje jo e zakontë në historinë e lidershipit komunist…

AUTOKRITIKA
Shokë, e ndjej të nevojshme të informojë plenumin mbi një gabim të madh politik që unë kam bërë dhe të bëj autokritikën, si na mëson Partia, se kështu jam i bindur që edhe unë do ndihmohem se edhe vet plenumi do përfitojë. Një gabim që bëhet nga një anëtar i Byrosë Politike i kushton shtrenjte Partisë. Unë besojë se autokritika ime para plenumit do të më forcojë, do të më bëjë më të aftë për të kryer detyrën e rëndësishme që më ka ngarkuar Partia dhe njëkohësisht do të jetë edhe një bazë për plenumin, për të gjykuar mbi të metat e mia. Lufta për ndërtimin e socializmit është e pandarë nga lufta me mbeturinat mikroborgjeze. Unë e di se duke njohur gabimet e mia thellësisht, do të jem nesër më i fortë e do ta ndiej veten më të aftë për të luftuar kundër armiqve të Partisë e të popullit, për të luftuar për ndërtimin e socializmit. Gjatë jetës sime si komunist, që kurse jam anëtar partie deri më sot, kam bërë gabime të ndryshme, të vogla dhe të mëdha, disa prej tyre me rëndësi parimore. Partia kurdoherë më ka ndihmuar për t’i ndrequr ato, duke më kritikuar drejt dhe në kohën e duhur. Sa herë që jam kritikuar për gabimet e të metat e mia, kam bërë autokritikë të sinqertë, e cila ka bërë efektin e saj pozitiv duke më forcuar si komunist.

URDHRI I PUSHKATIMIT
Autokritika e Mehmet Shehut: Si i pushkatova 67 ballistë në një ditë Belishova2-e1324892683134-232x300
Liri Belishova duke rrëfyer për “Panorama”


Nga gabimet që kam bërë në të kaluarën, do veçoja ato që kanë rëndësi parimore: Së pari, është akti ekstremist që unë kreva si Komandant i Brigadës së Parë Sulmuese e kryetar i gjyqit ushtarak të kësaj brigade, duke urdhëruar pushkatimin e 67 ballistëve të forcave të Hamit Matjanit, që ne kapëm gjatë luftimeve që patëm në Matjan në zonën e Lushnjës, në tetor 1943. Përgjegjësia kryesore për pushkatimin e këtyre më bie mua. Një pjesë e mirë e tyre nuk qe nevoja të pushkatoheshin, se qenë persona të zhgënjyer nga armiku. Për këtë unë u kritikova drejt nga Komiteti Qendror i Partisë dhe Shtabi i Përgjithshëm. Unë e njoha këtë gabim si rezultat i temperamentit tim impulsiv para shokut Enver, por autokritika ime nuk qe e plotë.
Së dyti, është qëndrimi im karshi praktikave sektare të organeve të Brendshme që kam drejtuar për disa kohë. Në fillim të muajit korrik të këtij viti, u botua kryeartikulli i Pravdës (gazeta e KQ të PKBS-shënim i red.) “Uniteti i pathyeshëm i partisë e popullit sovjetik”, në lidhje me tradhtinë e Berias. Ai u punua në të gjitha organizatat e partisë. Unë bisedova disa herë me shokun Enver rreth nevojës së një analize të gjerë të të metave në organet e Punëve të Brendshme, në prizmin e artikullit të gazetës “Pravda”. Pas botimit të këtij artikulli dhe sidomos me studimin që i bëmë praktikës së KQ të PK të BRSS mbi veprimtarinë armiqësore të Berias, unë si ministër i Brendshëm u futa në një preokupacion të thellë për sa i përket gabimeve në punën e organeve të ministrisë së brendshme. Unë isha në korent të shumë gabimeve në punën e tyre, me gjithë se jo sa duhet. Unë fillova të preokupohem thellë duke bërë mbledhje pas mbledhjesh me personelin e drejtuesve të organeve të Brendshme, duke analizuar të gjitha të metat mbi ruajtjen e ligjshmërisë revolucionare dhe mbi sjelljen ndaj popullit me të gjithë efektivin e Ministrisë së Brendshme. Preokupacioni im ishte i dyfishtë: Nga një anë, i ndërgjegjshëm si anëtar i Byrosë Politike për nevojën e zbulimit të të gjitha të metave dhe për rrezikun që mund të lindte po të mos luftoheshin si duhet ato, unë preokupohesha thellë për t’i zbuluar e për t’i luftuar ato. Nga ana tjetër, duke mos e treksur si duhet kritikën për to, i ndrydhur në sedrën mikroborgjeze të prekjes nga kritikat, fillova të preokupohesha edhe nga kjo anë, d.m.th., nga ana e prekjes së prestigjit mikroborgjez nga kritika për mangësitë në punën time.
Kështu, gjatë kësaj kohe unë jetoj një periudhë preokupacioni kontradiktor e nervozizmi të ekzaltuar. Megjithëse më vinte rëndë që konstatoheshin gjithë ato të meta në punën e organeve që unë drejtoj, prapë së prapë kurrë nuk i mbulova ato, por u përpoqa për t’i zbuluar gjer në fund. Kjo ka qenë një periudhë preokupacioni kontradiktor e nervozizmi, sepse unë ndodhesha para nevojës dhe interesit të Partisë për t’i zbuluar gjer në rrënjë të gjitha të metat e organeve që unë drejtoj nga një anë, dhe nga ana tjetër, në të njëjtën kohë, ndodhesha edhe para sedrës personale mikroborgjeze që prekej e do prekej nga kritika e gabimeve dhe të metave.

ÇËSHTJA BUFI
Pikërisht kur ishte krijuar tek unë një situatë e tillë nervozizmi e preokupacioni kontradiktor, u informova nga shoku Enver mbi çështjen e Sokrat Bufit. Sokrat Bufi, që studionte në Shkollën e lartë të Partisë në Bashkimin Sovjetik, kishte ngritur para Komitetit Qendror se gjoja dyshonte shumë tek unë si “karrierist dhe njeri që do t’i zërë vendin shokut Enver”, si “antisovjetik”, si “provokator” etj. Shoku Enver më dha urdhër t’i ndaloja pasaportën Sokratit dhe mbetëm dakord që çështja e Sokratit të shtrohej në Sekretariat të K.Q. Pastaj, shoku Enver më dërgoi kopjen e shkresës që Sokrat Bufi i drejtonte K.Q, ku më akuzonte mua si më sipër. Këtë letër e lexova më vëmendje dhe u revoltova shumë. Këto “akuza” të Sokrat Bufit për mua ishin provokacion i hapur për të çarë udhëheqjen e Partisë, me të njëjtat metoda që përdor Londra ose Washingtoni për të mbjellë konfuzion e përçarje në udhëheqjen e Partisë sonë. Kur i propozova shokut Enver për ta shtruar çështjen e Sokratit në Sekretariat, nuk dinja akoma gjerësinë e shtruarjes së çështjes nga Sokrati, sepse biseduam në telefon për këtë me shokun Enver. Por kur lexova akuzën e Sokratit, pashë se ai shkonte shumë larg në pikëpamjet e tij të shtrembra armiqësore. Në ato ditë u nis shoqja Liri Belishova për të vazhduar studimet në Shkollën e Partisë në Moskë. Para se të largohej, erdhi dhe u takua me mua për disa minuta. Gjatë takimit e pyeta mbi Sokratin e ajo më tha se ai nuk do të shkonte në Shkollën e Partisë pasi ia kishin ndërprerë të drejtën e studimit për pikëpamjet e tij të gabuara. Unë i thashë se Sokrati ishte ose i çmendur, ose provokator i shtyrë nga armiku për një provokacion të tillë dhe se Partia jonë ishte në gjendje të zgjidhte edhe çështjet më të rëndësishme se ajo e tij. Në darkë, Liria kishte ftuar disa shokë dhe shoqe, ndër të cilin dhe Fiqretin. Të pasnesërmen, Fiqreti më tha se gjatë darkës së organizuar nga Lirija, kjo i kishte thënë në konfidencë: “Ti je vajzë e mirë, e mençur, duhet të ruash Mehmetin mos i ndodhi gjë, unë kam përgjegjësi për vetëvrasjen e Nakos se nuk u kujtova si duhet… etj”. Porsa m’i tha Fiqreti këto, unë e këshillova që t’ia referonte menjëherë shokut Enver dhe ajo ashtu bëri. Pas pak edhe unë vetë bisedova me shokun Enver mbi këto shprehje të shtrembra të Lirisë, sado që ajo këto i kishte thënë në pije e sipër. Që të dy ishim dakord që këtë ta sqaronim me Lirinë kur ajo të kthehej, pa i dhënë ndonjë rëndësi të posaçme.
Më vonë, Sekretariati i KQ e shqyrtoi çështjen e Sokratit. Por, në një mbledhje të Byrosë Politike, ku diskutohej mbi kuadrin e komiteteve ekzekutive të qarqeve, sekretari i K.Q, shoku Josif Pashko, propozoi që Sokrat Bufi të emërohej si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Beratit, mbas analizës që i kishte bërë Sekretariati çështjes së tij. Në atë rast shoku Enver i shpjegoi Byrosë se çështja e tij nuk ishte përfundimtare akoma nga Sekretariati, se Sokrati kishte pikëpamje që nuk janë në vijën e Partisë dhe se duhej shqyrtuar më thellë nga udhëheqja, prandaj nuk mund të vendosej në punë hë për hë. Unë këtu bëra një gabim tjetër: u shpreha para Byrosë se Sokrati ose është i çmendur, ose është provokator, as që mund të bëhej fjalë, për t’i dhënë një punë me aq rëndësi, se ai duhej përjashtuar nga Partia, e ndoshta dhe duhej arrestuar.
Duke u nisur nga pozita personale, i prekur rëndë nga “akuzat” e pathemelta të Sokrat Bufit, i preokupuar për kritikat mbi të gabimet në organet e Punëve të Brendshme, duke mos pasur pikëpamje të drejta mbi trajtimin e kuadrit, arrita në arsyetimin e gabuar se po të mos përjashtohej nga Partia e po të mos arrestohej Sokrat Bufi si provokator, ashtu si e konceptoja unë qëndrimin që duhej mbajtur karshi tij, kjo do të thoshte se besimi i Sekretariatit të KQ dhe i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë kundrejt meje ishte lëkundur. Kështu, çështja e Sokrat Bufit qe, si të thuash, “benzina” që iu hodh zjarrit që qe ndezur qysh më përpara, që me fillimin e analizës të të metave në punën e organeve të Brendshme.

TAKIMI ME LEVÇKININ
Mbasi unë arrita në konkluzionin e gabuar se çështjen e Sokratit po zvarritej gjoja sepse besimi i Sekretariatit dhe i shokut Enver karshi meje ishte lëkundur, unë rashë në kontradiktë të tmerrshme: nga një anë ishte konkluzioni im i gabuar i mësipërm dhe nga ana tjetër, ishte besimi im i plotë kundrejt Partisë, Sekretariatit dhe shokut Enver, d.m.th, që besimi ndaj tyre ishte i plotë, i patundur, në një kohë kur besimi i këtyre kundrejt meje qënkej lëkundur. Kjo qe pozita më e kalbur që rashë unë. Kjo ishte përkulja ime para presionit dhe influencës së mbeturinave mikroborgjeze, influencës së sedrës së sëmurë, të shkuarjes së çështjeve në prizmin personal të ngushtë. Një konkluzion i këtillë i gabuar e jomarksist, më vuri për një kohë, në kondita të vështira moralo-psikologjike, vuajta tmerrësisht nga ana shpirtërore. Kështu unë u ndrydha në vetvete për disa ditë, një luftë e tmerrshme bëhej në ndërgjegjen time, sepse çështjet i shikoja me gjyzlykët e mikroborgjezit, duke u nisur nga pozita personale, jo të drejta. Unë i bëja analizë vetes, bëja pyetjen “a ka divergjenca politike tek unë kundrejt vijës së Partisë? A ka tek unë pikëpamje politike në kundërshtim me vijën e Partisë?”. Përgjigjja ishte gjithnjë “Jo”, me “J” të madhe. Nga kjo anë e ndieja veten më baza solide. Po kur kaloja në anën personale të çështjes, kur largohesha nga pozitat principate e vihesha në pozita personale, një mur i madh dilte përpara meje. Kur bëja pyetje vetes pse të mos marri qëndrim të prerë e të shpejtë Sekretariati kundrejt një provokatori si Sokrati që shpif kaq trashë ndaj një anëtar i Byrosë Politike, kundrejt meje, duke më quajtur “karrierist”, “antisovjetik”, “provokator”. Kur bëja këtë pyetje, në momente kur analizoheshin gabimet e të metat e organeve të Ministrisë së Brendshme, arrita në konkluzionin krejt të shtrembër që gjoja besimi i Sekretariatit dhe i shokut Enver kundrejt meje mund të ishte lëkundur. Një situatë e tillë tek unë vazhdoi disa javë. Në këto çaste, unë bëra dhe një gabim tjetër: unë këtë konkluzion të gabuar, sido që të ishte, duhej menjëherë t’ia kisha thënë Partisë, shokut Enver për t’u sqaruar. Unë e dija se në raste të tilla çështja i duhej referuar udhëheqjes së Partisë. Në fillim këtë nuk e bëra sepse lëkundesha në konkluzionin tim, nuk isha shumë i sigurt në të. Por më vonë, duke i parë çështjet së prapthi, me gjyzlykët e mikroborgjezit, më dukej sikur shihej një farë ftohje nga ana e shokut Enver në marrëdhëniet e përditshme me mua, besimi i tij kundrejt meje mund të ishte lëkundur. Atëherë vendosa që çështjen t’ia referoja Partisë Komuniste të BRSS. Kjo bëri që të takoja ambasadorin sovjetik në Tiranë, Leviçkinin dhe t’i kërkoja ndihmë për të rivendosur besimin e Enverit. Pastaj, gjërat rrodhën ashtu si rrodhën dhe situata u rëndua edhe më shumë…


Rehabilitimi në heshtje i familjes Bufi
Autokritika e Mehmet Shehut: Si i pushkatova 67 ballistë në një ditë Martesa-e-Sokrati-Ksamthipi-1947-300x257
Sokrat Bufi me të shoqen, Ksanthipin, në ditën e dasmës


Shfaqja e Ylli Bufit, djalit të madh të Sokratit në mesin e viteve ’80 në administratën publike, është regjistruar në kujtesën e të njohurve si fillimi i heshtur i rehabilitimit të familjes Bufi. I stigmatizuar për 30 vite si element antiparti me frymë reaksionare, ish studenti i akademisë politike që denoncoi Mehmet Shehun nga Moska, pas vetëvrasjes së këtij të fundit, rikthehej në vëmendjen e shqiptarëve me profilin e heroit të guximshëm e vigjilent. Në qasjen e Enver Hoxhës për autorin e letrës që tronditi KQ në vjeshtën e largët të ’53-shit, tanimë ka një perceptim krejt të kundërt. Lideri i partisë harron kryqëzatën e stuhishme që udhëhoqi kundër Bufit dhe i risjell historinë e dikurshme për të artikuluar faktet e denoncuara nga studenti i Akademisë së Moskës për tradhtinë e kahershme të Shehut dhe puçin e mbetur në tentativë në fillimin e viteve ’50. Njëherazi me fushatën denigruese ndaj ish-kryeministrit “poliagjent”, të udhëhequr nga e ashtuquajtura “Tablo sinoptike” dhe riaktivizimin në kontekst tjetër të çështjes “Bufi”, nisi për familjen Bufi një klimë e re. Me bekimin e Hoxhës, familjarëve iu hoqën kufizimet politike, si një borxh i pashpallur për goditjen e tmerrshme të vitit ’53 dhe strehën e tyre filluan ta vizitojnë liderë të rëndësishëm të partisë-shtet. Në situatën e krijuar, Ylli Bufi, djali i madh i Sokratit, bëri karrierë të suksesshme në administratën publike, ndërkohë që edhe të tjerët ushtruan profesionet e tyre pa kurrfarë barrierash.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi