Ja 5 bocetet për Monumentin e 100 Vjetorit të Pavarësisë, zgjidhni kush ju pëlqen
Sun 8 Apr 2012 - 16:30
TE GJITHA FOTOT DHE VIDEO: Paradoksi, monument Pavarësie pa një shesh
Tiranë – /Rid Bulku/ - Janë prezantuar në Galerinë Kombëtare të Arteve 5 bocetet e përzgjedhura nga juria e Konkursit Ndërkombëtar për Monumentin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi ndër të tjera tha se për 10 ditë do të jetë publiku ai që do të shprehë mendimin e tij se cila u duket më përfaqësuesja.
Më pas të pesta bocetet do t’i paraqiten Komisionit Shtetëror të Festimeve të 100 vjetorit, raporton noa.al.
Bumçi vlerësoi se bocetet e përzgjedhura nga juria profesionistë janë më të mirat nga 81 bocetet e paraqitura. Ai shtoi se publiku do të mund të japë mendimin e tij në dy forma, ose me votë të drejtpërdrejtë ose me votim online.
Konkursi për Monumentin e 100 vjetorit të Pavarësisë është shpallur në 22 dhjetor 2011 dhe është mbyllur në 15 mars të këtij viti. Të gjitha bocetet janë mbledhur nga Galeria Kombëtare e Arteve. Në konkursin për Monumentin e 100 Vjetorit të Pavarësisë, morën pjesë 61 artistë me 81 bocete: 26 nga Shqipëria, 13 nga diaspora, 8 nga Maqedonia e Kosova, 14 të huaj.
5 bocetet e përzgjedhura nga juria dhe prezantimi i tyre
Visar Obrija dhe Kai Roman Kiklas (Kosovë, Gjermani)
Projekti i propozuar nga bashkëpunimi mes dy arkitektëve nga Mynihu frymëzohet nga banesa tradicionale shqiptare. Për autorët, banesa shqiptare ka shërbyer si shtëpi dhe fortifikim njëherësh duke u bërë simbol kombëtar i qëndresës në shekuj. Për të shprehur idenë e pavarësisë ata sjellin një ndërtesë të hapur e cila paraqitet si dy gjysma kubi ku njëra gjysëm mban çatinë dhe tjetra platformën. Kjo strukturë është menduar e lartë, e gjatë dhe e gjerë prej tetë ( metrash dhe njerëzit mund të kalojnë lirisht përmes hapjes së saj. Në faqet e brendshme anësore të monumentit do të ketë elementë të vizatuar me lazer si: ‘Deklarata e Pavarësisë’, simboli kombëtar i shqiponjës dhe figura njerëzore. Hapja e banesës simbolizon çlirimin e kombit shqiptar dhe kapërcimin nga izolimi drejt lirisë dhe pamjen nga e ardhmja.
Thoma Thomai Dhamo (Shqipëri)
Ky propozim frymëzohet nga imazhi i flamurit. Skulptori ka ideuar një flamur të madh në bronz të shkëlqyer. Materiali i bronzit të shkëlqyer është menduar që ti ndryshojë pamjen monumentit në varësi të dritës së natyrës dhe pasqyrimit të saj mbi të. Projekti synon paraqitjen e një vepre që përpiqet të flasë me gjuhën plastike të skulpturës në shprehjen e lëvizjes së flamurit në valëvitje. Kjo valëvitje, e materializuar në vëllim skulptorik që tenton lëvizjen, shpreh forcën dhe triumfin e një populli në ngritjen e tij historike, ngritje e cila kulmon me pavarësinë.
Jörg Plickat (Gjermani)
Skulptori nëpërmjet një gjuhe të fortë plastike propozon një monument të lexueshëm lehtësisht. Dy hallka të hapura zinxhiri që simbolizojnë çlirimin e popullit shqiptar përbëjnë një monument që mund ti përshtatet madhësive e hapësirave të ndryshme. Ky monument është menduar të jetë në çelik të errët ose të ndritshëm por mund të përshtatet edhe si një skulpturë në gur natyral. Autori është përpjekur të shprehë vështirësitë historike që ka kaluar populli shqiptar për të arritur tek momenti i pavarësisë nëpërmjet formës së ashpër kubiste që i ka dhënë hallkave të zinxhirit dhe përthyerjes së tyre duke ofruar një shprehje artistike sa të thjeshtë aq edhe dramatike.
Pjerin Kolnikaj (Shqipëri)
Skulptori propozon një vepër monumentale të lartë që vjen në formën e obeliskut. Ky monument që kërkon të shprehë madhështinë e momentit të këtij përvjetori është menduar si një mbivendosje shtresash prej mermeri të bardhë. Janë 100 blloqe mermeri që ngrihen lart në formë vertikale në përkim të njëqind viteve. Në trupin e kolonës së formuar shfaqen dhjetë kurba të lehta anësore të cilat rrisin vlerat shprehëse të figuracionit dhe e pasurojnë atë estetikisht duke simbolizuar njëkohësisht dhjetë dekadat e këtij njëqindvjeçari. Dimensioni i këtij monumenti është në varësi të hapësirës publike që do ti ofrohet.
Blerta Xhomo dhe Ilirjan Shima (Shqipëri)
Autorët propozojnë një variant të stilizuar të shqiponjës dykrerëshe. Shqiponja përbëhet nga dy pjesë të shkëputura nga njëra tjetra në pjesën e sipërme që bashkohen poshtë në qendër për të dhënë idenë e rrotullimit centrifugal duke marrë një formë harkore që ruan si bosht qendrën e skulpturës dhe që e paraqet atë si një trup të vetëm në lëvizje rrotulluese rreth vetes. Kjo shprehje ndihmohet edhe nga platforma ku monumenti mbështetet, e cila nëpërmjet formës së shkallëve që ngjiten drejt qendrës jep idenë e një vorbulle që fillon nga nëntoka. Në qendër të skulpturës, aty ku dy gjysmat bashkohen është menduar të vendoset një pishtar zjarri i cili do të ndriçojë. Imazhi i shqiponjës i cili është ideuar në bronz, përpiqet të përçojë energjinë vitale të popullit shqiptar. e.t/noa.al
Në fotot përbri këtij raporti gjenden pesë bocetet dhe secili ka një numër. duke i klikuar, fotot zmadhohen mjaftueshëm për të zgjedhur kë preferoni si monumentin e Pavarësisë që do të vihet në kryeqytet.
Në fund të këtij lajmi dhe videos gjeni mundësinë për të shprehur zgjedhjen tuaj. Shumë thjesht duke vendosur emrin tuaj shkruani: Zgjedhja ime është boceli nr ... dhe nëse dëshironi shpjegoni dhe pse zgjidhni atë bocet.
http://noa.al/news/noa-video.php?id=1502
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi