Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Mali i Zi diskriminon librin shqip, autorët thirrje Tiranës dhe Prishtinës Empty Mali i Zi diskriminon librin shqip, autorët thirrje Tiranës dhe Prishtinës

Fri 27 Apr 2012 - 22:08
Ulqin, 24 prill 2012, NOA – Mali i Zi diskriminon kulturën dhe përhapjen
e librit shqip në këtë vend. Këtë problem e kanë ngritur personalitete
të ndryshëm shqiptarë të kulturës, autorë shqiptarë në Mal të Zi, të
cilët u mblodhën me rastin e Ditës Botërore të librit dhe të Drejtave të
autorit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Tryeza e rrumbullakët kushtuar pozitës së librit shqip në Malin e Zi u
organizua nga Qendra kulturore e Ulqinit me pjesëmarrjen e shkrimtarëve,
përkthyesve, botuesve e publicistëve të ndryshëm, etj.

Gjatë takimit personalitetet e fushës së letrave ngritën shqetësimin se
Ministria e Kulturës në Mal të Zi nuk e mbështet botimin e librit shqip,
edhe pse shqiptarët sikundër qytetarët tjerë në këtë shtet, paguajnë
taksat dhe tatimet.

Sipas tyre, asnjë subjekt buxhetor nuk i mbështet autorët shqiptarë.

Drejtori i Qendrës kulturore të Ulqinit, Dr. Nail Draga u shpreh se “në
praktikë kemi një hegjemonizëm kulturor malazias. Botimet në gjuhën
shqipe, kroate, serbe dhe boshnjake janë tejet të anashkaluara nga
mekanizmat e Qeverisë së Malit të Zi. Ndërsa libri shqip në Mal të Zi
nuk mbështetet nga Ministria e Kulturës”, tha Dr. Draga.

Njëri ndër themeluesit e letërsisë shqipe në Malin e Zi, shkrimtari dhe
publicisti Ibrahim Berjashi solli si shembull rastin e tij, teksa bëri
me dije se “vitin e kaluar kam konkuruar në Ministrinë malazeze të
Kulturës për statusin “Krijues i shquar kulturor”, por më kanë refuzuar
me pretekst se nuk jam laureat i çmimeve shtetërore, që për çdo vit u
jepen kolegëve të mi malazezë, por mua si i vetmi shqiptar që aplikova
më refuzuan, tha ai.

Berjashi nënvizoi se kontributin e shqiptarëve të Malit të Zi për
themelimin e kulturës dhe letërsisë shqiptare, si pjesë e asaj
mbarëkombëtare nuk e vlerëson as Tirana e Prishtina zyrtare.

Në këtë kontekst, kryetari i Art Club-it, Ali Salaj, mendon se Tirana
dhe Prishtina zyrtare duhet të veprojnë sikundër Zagrebi, që mbështet
realizimin e projekteve të kroatëve në Mal të Zi në ruajtjen dhe
kultivimin e vlerave kulturore dhe historike kombëtare të tyre.

Por, poeti dhe publicisti Mr. Haxhi Shabani theksoi se një pjesë të mirë
të fajit për këtë gjendje të librit shqip në Malin e Zi e kanë vetë
shqiptarët.

“Deputetët shqiptarë, asnjëherë nuk e kanë ngritur çështjen e kulturës,
as të botimit të librit shqip në Mal të Zi, as me palën malazeze, apo të
Shqipërisë apo të Kosovës”, tha Shabani.

Gjatë tryezës foli edhe Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku, i cili shprehu
shqetësimin e tij për plagjiaturat që po u bëhen veprave të tij
albanologjike dhe arkeologjike jashtë Ulqinit, në Mal të Zi, rajon edhe
Evropë.

Pjesëmarrësit e tryezës i kërkuan Ministrisë malazeze të Kulturës, që
prej shumë vitesh nuk e mbështet botimin e librit shqip, të shpallë
konkurs të veçantë për librin shqip.

Pas debatit të pranishmit e tryezës miratuan edhe një deklaratë të
përbashkët ku lajmëruan për diskriminimin që i bën librit dhe kulturës
shqiptare, qeveria e Malit të Zi.

Në deklaratë kritikohet edhe Tirana zyrtare dhe Prishtina, të cilat
sipas personaliteteve shqiptarë të kulturës në mal të Zi nuk interesohen
sa duhet për zhvillimin dhe promovimin e kulturës së shqiptarëve në
Malin e Zi.

Kjo deklaratë iu dërgua qeverisë së Malit të Zi, ministrive respektive,
deputetëve shqiptarë, komunës së Ulqinit, Tuzit, Plavës dhe Rozhajës,
disa ambasadave në Podgoricë, ambasadës së SHBA-ve, Turqisë, Shqipërisë,
Komisionit evropian, zyrës në Podgoricë.

i.b/mit/noa.al
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi