Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

Mund të durohen vetëm gjërat ekstreme Empty Mund të durohen vetëm gjërat ekstreme

Sat 12 May 2012 - 20:30
Mund të durohen vetëm gjërat ekstreme Gjovalin-paci-pikture-5-286x300Valeria Dedaj / Elsa Demo

Piktori Gjovalin Paci lexoi “Jetë e humbun – Shënime për veten time – Kujtime të shkruara në vitet 1973-1978” nga Ejëll Çoba (1908-1979). Kujtimet zënë fill më 2 nëntor 1946, në valën e arrestimeve, dënimeve, ekzekutimeve prej “ngjarjeve të shtatorit”, siç njihej zyrtarisht kryengritja e Postrribës. Sot politika e quan “kryengritja e parë antikomuniste në Europën Lindore”. Por tjetër pamje përshkruan Çoba, jurist me përvojë 10-vjeçare në organet e gjyqësorit dhe në Ministritë e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme të paraluftës.

Çoba vuajti 24 vjet burg, por te kujtimet ai arrin të përshkruajë periudhën më të hershme në Burgun e Shkodrës dhe kampin e Vloçishtit, megjithëse ai kaloi edhe nëpër Burgun e rëndë të Burrelit. Sa keq që ky libër, më pak se dy vjet pas botimit, mbetet në anonimat.

Piktori Gjovalin Paci ka marrë hua prej Ejëll Çobës marrëdhënien që krijon dhuna. Figurat e Pacit shprehin një qëndrim ekstrem, kanibalesk ndaj njeriut. Nëse Çoba përmend lidhjen e njerëzve si qetë, Paci e tregon këtë “fjalë për fjalë”, me vizatime ku trajtimi i tjetrit deri si berr i pjekur, sjell ndërmend forma mesjetare të torturës. Gjen reminishenca nga trajtimi që Goya e më vonë Picasso i bëjnë dhunës ekstreme mbi njeriun. Thënë me fjalët e Ejëll Çobës, janë “pamje prej Ecce homo!”.

Një shprehje në gegërisht “Mund të durohen vetëm gjanat ekstreme” e Kontit Rober dë Monteskjë, është motiv i librit “Jetë e humbun”.

Veç ngjarjeve dhe personazheve realë nga libri si Cin Serreqi, Guljelm Suma, Ramadan Sokoli, Pater Bernardin Palaj, Pater Karlo Serreqi e shumë të tjerë, që kanë frymëzuar piktorin, Paci sjell diçka autentike, së paku kërkimi është i tillë.

Vitin e kaluar Gjovalin Paci kërkoi në “kutitë me foto” të Arkivit të Sistemit të Ministrisë së Brendshme. Mbi bazën e fotove të të ekzekutuarve me vdekje, që figurojnë pa të dhëna identitare, Paci realizoi një cikël mbi 10 portrete në vaj, me spatul, në ngjyrat e ngrohta të dheut që përcjellin edhe një efekt dekompozimi të portretit njerëzor. Ai tregon për këtë në intervistë.

Ekspozita “Jetë e humbun” me rreth 100 punë, qëndron hapur në Muzeun Historik Kombëtar deri më 15 maj.



Kur vendosët të trajtonit në pikturë elemente të librit?

Fill pasi kam lexuar librin e autorit shkodran Ejëll Çoba. Çoba ishte 38 vjeç kur u dënua me vdekje, që iu kthye në 25 vite burg, të cilët i vuajti deri në fund. Libri u shkrua në kulmin e terrorit komunist dhe kjo ia shton vlerën. Aty ka thjesht qëndresë njerëzore, aty ka thjesht përballje me makinën shtet, me komunizmin. Ai është aq i saktë dhe real në përshkrimin e ngjarjeve, momenteve dhe të karaktereve që e shoqërojnë në burgje.



Nga e nisët?

Dy portretet e para janë të zotit Çoba para dhe pas burgut, dhe të vëllait të tij të burgosur Kel Çobës. Por trajtimi i çdo portreti kërkon “kapjen” e karakterit nëpërmjet historive njerëzore. Pastaj ekspozita u mendua të ndërtohej në cikle, mbi Shkodrën, mbi traditën e saj. Është mbajt në duar rreth 2 vjet dhe kam punuar në teknika të përziera me alumin, akrilik, kolazh, tush mbi letër, në varësi të shprehjes që kërkonte çdo subjekt.



Në ç’pikë donit ta çonit nëpërmjet figurës rrëfimin me fjalë të Çobës?

Nga ky libër merret filozofia e diktaturës të cilën jam përpjekur ta rivendos në një kontekst që nuk i takon thjesht dhe vetëm komunizmit. Dhuna e diktaturave është gjithnjë e barabartë.

Te “Jetë e humbun” gjuha është e drejtpërdrejt dhe e pazbukuruar. Kam lexuar librin e Patër Zef Pllumit, i cili dokumenton nëpërmjet një mjeshtërie të të rrëfyerit, ndërsa Ejëll Çoba nuk të lë asnjë lloj shtegu interpretimi ndryshe prej asaj që ka shkruar. Duke qenë jurist ai është shumë i vërtetë në përshkrimin e vendeve, e bashkëvuajtësve.

Ato që shkruan libri unë i kam pasur të dëgjuara e përjetuara dhe nga njerëzit e afërm të familjes. Dhe ky ishte shkaku që e mbajti ndezur deri në fund realizimin e kësaj ekspozite.



Dallojmë portretet e Kardinal Koliqit, Pater Zefit për të cilat duket t’i jeni referuar fotografive të vona.

Po është e vërtetë që kam shfrytëzuar fotografi për portretet e kardinal Koliqit, Ramadan Sokolit, Pater Anton Arapit, At Zef Pllumit, por jo kur i bëj homazh Havzi Nelës. Të veçantë në këtë rast i bën teknika e realizimit. Janë punuar direkt në fletë alumini, dhe secila ekziston vetëm në një kopje.



Cikli i punëve për Shkodrën në mote, duken si prej negativave të Marubëve.

Nëse flasim për Shkodrën dikur, dhe nëse ka mbetur diçka nga tradita, ka mbetë falë asaj që ka ardhur nga Marubët. Jam munduar “të imitoj” stërpikat me emulsionin e fotografisë. Por fotografia më duket shumë e ftohtë përballë pikturës që e prek si me dorë subjektin. Ky cikël mund t’ju duket si i punuar me serm ose argjend, sepse në pikturën time e gjen gjithnjë relievin.

Fotografisë i jam referuar edhe për ciklin e portreteve në vaj. Janë “portretet e të humbunve”.



Kujt i përkasin?

Janë të gjithë pa emër. Janë njerëz të pushkatuar. Janë realizuar direkt në Arkivin e Sistemit të Ministrisë së Brendshme. I kam pasur përpara fotografitë e tyre dhe i kam hedhur shumë shpejt për një javë kohë. Janë të gjithë në vaj, janë hedhur me një frymë, me një dorë, me spatul.



I qenkeni futur një kërkimi?

Aty kishte shumë portrete por ndër më interesantët ishin këta që shihni, sepse ishin njerëzit ashtu të ekzekutuar, të vrarë, të fotografuar në atë farë forme. Ishte një kërkim dhe një tmerr, sepse ishin kuti plot…



Ky është ai moment i ekspozitës ku figura e tejkalon tekstin e Ejëll Çobës?

Këto janë portrete anonimësh. Më duhej në fakt një pjesë e anonimatit. Edhe Ejëll Çoba lë një pjesë anonimati në librin e vet. Ai lë disa njerëz që nuk i përmend por në memorien e tij vijnë e shkojnë, si një lloj zhdukje memorie dhe rikthim tek memoria, e personazheve dhe e vetvetes. Këtu, te ky lloj anonimati më duket se takohemi me autorin: sepse edhe unë kam një lloj mjegullnaje në marrëdhënie me realitetin.



Një paralele: kur Çoba shkruante këto kujtime, ku ndodheshit ju?

Kur Çoba ka shkruar këto kujtime, unë kam qenë 13 vjeç. Është periudha kur unë filloj gjimnazin. Familja jonë kishte njerëz të arratisur e të pushkatuar – por kjo nuk do të thotë se unë po bëj një ekspozitë për të shprehur mllefin. Kështu që, për shkak të “biografisë së keqe”, për të vazhduar gjimnazin, duhej të gjeja një mik. Dhe një prej këtyre Çobave më ka marrë prej dore dhe më ka regjistruar në gjimnaz si njeriun e tij, sepse nuk lejohej ngaqë jetoja diku larg qytetit, në fshatin Razëm. Dhe ai njeri më ka marrë prej dore e më ka regjistruar si fëmijën e tij. Kështu që unë kam shkuar si fshehurazi në gjimnaz. Mund të kisha pasur fatin të shkoja në një shkollë rezervash e të dilja murator ose në një shkollë mekanike që s’kishte asnjë lidhje me mua.



Si u lidhe pas pikturës?

Unë nuk kam edukim akademik për pikturën. Thjesht unë punoj shumë edhe 12 orë në ditë dhe s’merrem me punë tjetër. Por edhe në ato kohë të rënda për njeriun, u krijua një traditë në pikturë, – në Shkodër kishim Lulanin, Jukniun – që pavarësisht ndikimit rus, arriti të ishte një shkollë, për mua, shkollë shumë e mirë për vizatimin, ngjyrën.



Kur thua Shkodra tani, dhe ta mendosh qytetin para liqenit të tij, pas gjithë atyre furtunave që ka kaluar dhe që i dëshmon ky libër dhe kjo ekspozitë, çfarë mbetet si mendim i fundit tek ju?

Në Shkodër jam formuar. Jam larguar nga qyteti, ka dhjetë vjet. Ju përmendët ujin si një nga gjërat e bukura që ka Shkodra e që lidhet dhe me fatkeqësinë e saj vitet e fundit. Te ky qytet gjithnjë ka qëndruar bashkë tragjikja me të bukurën.





Nga Libri “Jetë e humbun” e Ejëll Çobës

Lindja e burgut



Nji pendë qe

Kur u hodha nji sy atyne që do të ishin shokët e parë të kaluarit ma se 20-vjeçar, pashë përkundruell dy fshatarë të motnuem, që ishin të lidhun me njeni-tjetrin për dore me zinxhir. Kur lëvizshin nëpër dhomë ose ngriheshin për ndonji nevojë, ëm dukeshin si nji pendë qe. Njeriu pa liri asht si kafsha që drejtohet prej hostenit!



Fizarmonika

Nji roje shëtiste në korridorin e birucave tue i ra asaj së shkrete fizarmonikë me sa forcë kishte. Natyrisht roja i mjerë nuk merrte erë nga fizarmonika, e kështu zanet e të mjerëve bashkoheshin me tingujt që duhej të ishin muzikorë, prej nga dilte nji kakofoni çjerrëse, që të godiste mu në tru.



Hyjo, hyjo

Secili hetues merrte të pandehunin që kishte në hetim ose në torturë dhe, mbasi i rreshtojshin më fund të korridorit, u hypshin në qafë, e mbas nji shenji të dhanun, të pandehunit me hetuesin në shpinë vrapofshin gjatë korridorit nja dy-tri herë, në garë me njeni-tjetrin. Hetuesi kalorës merrte pjesë aktive në garë e me shqelma në ije të “kalit” e me grushta në kokë e nxiste sa mundte “kafshën” që kishte nën vithe.



Aty në nevojtore

gjatë ditës e në mbrëmje, shpesh vinin oficera e hetuesa për të pshurrë, e natyrisht kryenin punën në ndarjen e parë ku isha unë, në kambë, me ftyrë nga muri. Ata e lëshonin ujin ndër kambët e mia që, s’do mend, më spërkaste këpucët dhe fundin e pantallonave, e mbasi mbarojshin punë ma futshin nji shqelm në tule e më përplasshin për mur.shekulli

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi