Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

default Liljana Hoxha: Teuta, raport shtatzënie fals për t’u martuar me djalin e Enverit

prej Wed 16 May 2012 - 15:35
Liljana Hoxha: Teuta, raport shtatzënie fals për t’u martuar me djalin e Enverit Liljana-Hoxha-poster-e-re-192x300Nusja e familjes Hoxha flet për Blendi Fevziun në “Opinion”, TV KLAN.
“Frika e Ramizit dhe Nexhmijes ndaj familjes Shehu dhe implikimi i tyre si agjentë të UDB-KGB”
Akuza Teutës për kurthe femërore ndaj Alisë, Ramës, Gonxhes e Klosit.
Është një ndër personazhet që ka shumë për të treguar. U rikthehet shpesh historive të vjetra, por edhe sjell dëshmi të reja. Me një kombinim të tillë rrëfimesh, Liliana Hoxha bisedoi përballë gazetarit të njohur, Blendi Fevziu, në emisionin “Opinion” të televizionit “Klan”. Si nusja e Sokolit, djalit të ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, ajo di shumë ngjarje brenda familjes së saj, por edhe “bllokmenëve” të tjerë. Për ato episode që ka jetuar vetë, Liliana Hoxha nuk pranon kundërshtime. Për ato të dëgjuara nga të tjerët apo të lexuara ndokund, bën analiza…
Zonja Hoxha, a jeni e sigurt që keni ende gjëra për të thënë? Kam përshtypjen se ju keni shkruar shumë, keni folur shumë, keni dhënë intervista…
Kam shumë, shumë gjëra për të thënë, e kam thënë edhe herën e fundit. Janë hollësira që bindin më shumë lexuesin, siç edhe e ngjethin më shumë atë.
Si i dini ju këto gjëra? Ku i keni mësuar?
Ato që unë di, i di nga jeta ime. Kurse hollësira për njerëzit e tjerë, që normalisht unë nuk i njoh, as i kam takuar, as kam ndenjur me ta, përsëri i njoh në rrugë institucionale…
Çfarë domethënë në rrugë institucionale?
Domethënë, ashtu siç di që unë kam qenë e ndjekur në kohën e diktaturës.
Si keni qenë e ndjekur? Ju ishit nusja e djalit të Enver Hoxhës…
Kam pasur dosje në diktaturë. Nuk e di sa qe gjallë Enver Hoxha apo jo, por ka të ngjarë edhe atëherë.
E ndjekur nga kush? Kush tjetër veç Enver Hoxhës mund t’ju ndiqte?
Nga Sigurimi i Shtetit. Sot them nga Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia.
Përse Sigurimi i Shtetit duhet t’ju ndiqte?
Besoj për mënyrën se si më shikonin ata.
Keni fakte konkrete për këtë?
Kam fakte konkrete, dosja ka ekzistuar, nuk e di nëse tani ekziston apo jo. Shumë njerëz m’i kanë shprehur këto dhe unë retrospektivisht i vërtetoj të tëra. Ndaj them kam shumë e shumë gjëra të tjera, ku ngërthehet e gjithë familja ime, motra, vëllai, martesat e tyre të detyruara nga Nexhmija. Jo më martesa e Ilirit me Teutën, që kjo e fundit lakon se u dashuruan e të tjera me radhë. Martesat e vëllait dhe motrës sime u bënë që të prishej martesa ime me Sokolin. Siç i di këto të gjitha tashmë, për një kohë të gjatë mezi i kam kuptuar, por i kam vërtetuar me shumë analiza, dëshmi, takime etj., ashtu di çdo gjë, shumë hollësira, por kam shprehur vetëm të domosdoshmet për ata njerëz që unë i kam përmendur aty në zbërthim të çështjes. Për ta plotësuar këtë temë madhore që në të vërtetë është çështje kombëtare. Komunizmi ishte komunizëm, komunizmi duhet të ikte meqenëse si ideal është sublim, por si praktikë polli totalitarizëm. Ndonëse komunizmi duhet të ikte, fatkeqësia reale nuk ishte “komunizmi” në vetvete, jo se bëri pak si ideologji. Sepse bëri Kushtetutën që në vetvete ligjëronte reprezaljet. Por katastrofën më të thellë në Shqipëri e ka bërë agjentura.
Cila agjenturë? Cilat ishin agjenturat që vepronin në Shqipëri?
Ka qenë KGB-ja dhe UDB-ja. CIA shumë-shumë ka dashur të ketë nën kontroll situatën. Këto kanë ardhur prej Jaltës, kjo është rrjedhojë e Jaltës. Është logjike, po të fillojmë me formimin e partisë, të kalojmë me profilin e Hoxhës etj., mund të thuash shumë dhe kanë rëndësi historike për t’u parë. Si detyrim i vendosjes gjeopolitike strategjike të vendit tonë, kjo çështje mbeti medoemos me pasoja. Por kanë pak rëndësi për temën tonë.
KGB-ja dhe UDB-ja ishin të pranishme në Shqipëri në nivele të larta, apo jo?
Rezultojnë që ishin të pranishme në Shqipëri, në nivelet më të larta.
Ju keni fakte për këtë, kush e thotë?
Faktet janë gjithçka që ka bërë Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha.
Ju po thoni që Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha ishin agjenturë e KGB-së apo UDB-së.
Po ishin fitimtarët.
Ç’domethënë fitimtarët?
Domethënë pasi bënë të gjithë luftën për pushtet, pasi shkatërruan dhe vranë të gjithë pretendentët..
Pretendentët i vrau Enver Hoxha apo Ramiz Alia me Nexhmije Hoxhën?
I “vrau” Enver Hoxha, sepse ishte ai në krye. Mund të ketë pasur edhe ndonjë firmë aty që në fund të fundit, gjatë luftës për pushtet, kur i thua që ky njeri është i rrezikshëm e të tjera, vendimet janë të paracaktuara. Në parantezë, unë pashë filmin dhe kam qarë siç ka qarë çdo grua shqiptare, por këtu po analizojmë, t’i lëmë sentimentet.
Pra ju po thoni që Enver Hoxha përdorej për të eliminuar ata persona që ….
Enver Hoxha nuk përdorej. Është fjalë e dobët, edhe Enver Hoxha për sytë e mi është shumë i fortë dhe ashtu ka dalë i fortë. Por Enver Hoxhës i jepej një informacion i gabuar. Dhe ky informacion i gabuar nuk ka qenë vetëm kur ai u izolua, sepse kur u izolua u bë absolutisht i kontrollueshëm. Dua të them që informacioni i gabuar i jepet çdo lideri nëpërmjet rrugëve institucionale. S’ka bashkëpunëtor që t’i flasë titullarit kryesor, në këtë rast diktatorit, që ky zhvillim që po bëjmë nuk po ecën. Por do t’i bëjë vetëm lëvdata euforike. Kjo është logjika në të gjithë botën.
Përse Nexhmije Hoxha duhet të ishte agjente e KGB-së apo Ramiz Alia i UDB-së, ata ishin drejtues shumë të lartë të regjimit komunist…
Ramiz Alia nuk e merrte kurrë pushtetin dhe Nexhmije Hoxha nuk e merrte kurrë pushtetin pasi të vdiste Enver Hoxha, pa qenë të tillë.
Po e kishte për sa kohë Enver Hoxha ishte gjallë…
Po do të trajtohej nga Mehmet Shehu, ashtu siç u trajtua Mehmet Shehu nga Enver Hoxha. Dua të them në emër të tij nga Kadri Hazbiu, Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha.
Pra ju mendoni që Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia kishin frikë nga Mehmet Shehu?
Pa dyshim.
Përse kishin frikë?
Sepse Mehmet Shehu ishte më i egri i të gjithëve.
Ishte i egër, por të gjithë mendojnë se ai do të sillej mjaft mirë me familjen e Enver Hoxhës…
Kështu mendojnë të gjithë, por nuk mendonte Nexhmije Hoxha kështu.
Ju mendoni se Nexhmije Hoxha kishte realisht frikë nga Mehmet Shehu?
Nexhmije Hoxha kishte realisht shumë frikë nga Mehmet Shehu.
E shprehte këtë?
Familja e Mehmet Shehut është sjellë realisht shumë keq ndaj familjes sonë.
Si është sjellë keq?
Bënin dualizëm të hapur që nuk kishte pse, sepse fëmijët e Enver Hoxhës ishin shumë të thjeshtë. Silleshin thjesht, pavarësisht se kanë të tjera kusure në kurriz por ishin të sjellshëm, nuk ishin vanitozë, nuk ushtronin pushtetin e të atit. Kurse fëmijët e Mehmet Shehut ishin arrogantë, prepotentë edhe ndaj nesh, edhe ndaj familjes sonë ishin kërcënues. Nuk të përfillnin, kalonin përpara me makina, të fyenin etj. me radhë.
Pra, ndihej ky dualizëm në Bllok. Kur ka filluar?
Ky dualizëm ndihej vetëm nga fëmijët e Mehmet Shehut dhe Fiqireti ndaj Nexhmije Hoxhës. Jo nga Mehmeti ndaj Enverit. Mehmet Shehu për mendimin tim, priste me durim të vdiste Enver Hoxha. Mehmet Shehu vetë nuk i ka bërë keq Enver Hoxhës. Ndaj, për mendimin tim, Enver Hoxha ka pasur shumë të drejtë të mërzitej për Mehmet Shehun kur ai është vrarë.
Si është vrarë? Është vetëvrarë apo vrarë?
Është vrarë. Unë them që është vrarë, për hollësira nuk është as vendi dhe ato janë hipotetike.
Vrasjen e Mehmetit ju e nxirrni në analizën e sotme, apo e keni dyshuar që në momentin që ndodhi?
Unë e kam ndier që është vrarë, sepse nuk mund të vetëvritet një burrë si ai, aq më tepër që Enver Hoxha e kish falur dhe herë tjetër.
Më pas në analizat që keni bërë, ju rezulton i tillë…
Në të gjitha analizat ashtu më del. Me mërzitjen e Enver Hoxhës ashtu më del. Me gëzimin e Nexhmijes ashtu më del, edhe të fëmijëve, edhe me tablonë sinoptike ashtu më del. Sepse me tablonë sinoptike duhet të qetësonte Shqipërinë, njerëzit, sepse nuk është e kollajshme të vetëvritet një kryeministër, dhe duhet ta deklarojë spiun, gjë që edhe mund ta ketë besuar. I KGB-së është, sepse e ka ditur vetë Enver Hoxha dhe e ka lejuar. Ai e dinte se kush është i KGB-së dhe kush jo, pra kë lejonte dhe kë jo.
Ju mendoni që Enver Hoxha e dinte se cilët ishin spiunët e KGB-së?
Po. Po.
Dhe i toleronte?
Jo i toleronte, i linte në funksion, ua diktonte funksionin. Dhe në rastin e tablosë sinoptike, thotë që më ka dalë poliagjent. Pra, më ka dalë edhe në anë tjetër, që unë nuk e njoh. Domethënë më ka tradhtuar.
Ju mendoni që edhe midis drejtuesve të lartë të regjimit komunist kishte njerëz që punonin për KGB-në dhe UDB-në?
Po, është e domosdoshme, në çdo shtet kështu është.
Dhe këta njiheshin nga drejtuesit e lartë komunistë?
Enver Hoxha njihte ata që ua dinte hapin. Ata që nuk i njihte, po të bëheshin rrezik, do t’i likuidonte. Do t’i likuidonte në emër të së vërtetës që ata ishin rrezik ose, në emër të intrigës që u thurej nga të tjerë që ata ishin rrezik.
Të gjitha këto eliminime që Enver Hoxha bënte, ndahen në dy pjesë: eliminimet e atyre që quheshin kundërshtarë politikë, klasat e përmbysura që në një farë mënyre komunizmi u mori pushtetin dhe i ndëshkoi dhe eliminimet brenda kupolës drejtuese të Partisë Komuniste…
Enver Hoxha ka bërë reprezalje vetëm në luftën për pushtet. Luftën e klasave e kemi zhvilluar vetë, e ka zhvilluar shoqëria që është e molepsur nga agjentura. Shqipëria ka kaluar nën vrojtim, 1 në 3 veta do të ishte i Sigurimit. Këtë s’e ka bërë Enver Hoxha dhe as e ka ditur ai.
Është e vërtetë kjo?
Po është e vërtetë, një në tre veta ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Vëllai i gruas të vëllait tim ishte një ndër ata. Dhe vëllai im vdiq 40 vjeç, sepse ishte i pakënaqur me Ramiz Alinë pas vdekjes së Enver Hoxhës. E deklaroi këtë dhe për gjashtë muaj vdiq. Një histori e tillë, e ngatërruar me shumë intriga, ndodhi edhe me time motër më vonë, e cila vdiq po rreth 40 vjeç pikërisht kur do hapej publikisht. Të gjitha këto janë fakte që mua më kanë çuar në rrugën e studimit se çfarë ka ndodhur poshtë tek njerëzit e thjeshtë, pale ata të implikuarit biografikisht. Sepse mua m’i bëri Nexhmija dhe Ramizi, dikujt tjetër ia ka bërë kryetari i …
Ju e ndienit këtë dhunë që ushtrohej poshtë?
Nuk e kam ndier kurrë këtë dhunë që është ushtruar poshtë, e kam ndier vetëm në familjen e Enver Hoxhës, jam ngritur kundër saj, kam luftuar kundër saj… Për sa i takon Enver Hoxhës, nuk të falte për pushtet. Por ama fali Sejfulla Malishovën, fali Kristo Frashërin, e të tjerë si ata. Shumë të persekutuar i kanë fëmijët nëpër shkolla, sepse i kanë dërguar letër Enver Hoxhës dhe Enver Hoxha i ka toleruar. Unë vetë jam martuar me Sokol Hoxhën, pasi ime motër mori nipin e armikut të popullit që ishte në burg. Pra Enver Hoxha toleronte.
Por ka eliminuar persona, që në gjykimin tim nuk e kërcënonin pushtetin e tij…
I janë paraqitur si të tillë në rrugë institucionale.
Po marr Beqir Ballukun, Petrit Dumen…
Unë personalisht këtë çështje e filloj me Beqir Ballukun…
Sepse në qoftë se Mehmet Shehu përbënte një kërcënim për familjen Hoxha, sipas Nexhmije Hoxhës, pjesa tjetër e tyre nuk kishte asnjë lloj problemi?
Unë e filloj me Beqir Ballukun sepse atëherë kam qenë dëshmitare, sapo isha martuar. E kam diskutuar këtë gjë madje me Enver Hoxhën. Nuk e gjykoja dot sa fajtor ishte Beqir Balluku, por thosha se çfarë keni me fëmijët edhe fisin. Përgjigjja ishte shumë evazive po e pakontestueshme që këto gjëra kështu janë, mos u fut. Unë e besoj që Beqir Balluku është likuiduar nga të tjerë, nga Mehmet Shehu dhe, pas kësaj, atij do t’i vinte radha, sepse ai ishte më i fortë se Ramiz Alia kur u lidh prej krushqisë me Nexhmije Hoxhën.
Në eliminimet e Enver Hoxhës disa ngjallin pikëpyetje, pavarësisht se kanë qenë njerëz të angazhuar apo kundërshtarë të tij, është nipi i tij, apo kushëriri Abaz Omari, Bahri Omari, një njeri që e kishte ndihmuar shumë, madje në momentin e pushkatimit ka marrë edhe dhurata nga Nexhmije Hoxha, dhe më pas Syrja Selko, i cili po ashtu e kishte ndihmuar. Përse kanë ndodhur këto eliminime? A i kishit dëgjuar ju në familjen e Hoxhës këto eliminime?
Atëherë jo. Këto i kam dëgjuar në ‘90-n. Nuk i justifikoj, llahtarisem.
Pra nuk flitej për Bahri Omarin në familje?
Jo, lihej të kuptohej nga vizitat që bënin të bijtë, që respektoheshin shumë nga Enver Hoxha, edhe ata e respektonin shumë, që burri i Faries është ekzekutuar. Edhe bindja ime ishte që është ekzekutuar sepse ishte armik, ishte ballist. Se nuk ishte ashtu, këtë gjë e mora vesh pas vitit ‘90 dhe e kam thënë, diku, nderim për ata djem, të cilët të dyzuar midis të atit dhe Enverit arritën të kenë nderim për Enverin. Unë nuk do ta kisha bërë dot këtë gjë.
Po për rastin e Syrja Selkos apo Abaz Omarit, nuk përmendeshin fare?
Ata i kam dëgjuar nga ju, nga filmimet tuaja.
Ka mjaft komente që lidhen me atë që quhet trashëgimia e Enver Hoxhës, që ndahet në dy pjesë, atë që duhet trashëgimia kulturore, dokumentare dhe trashëgimia pasurore. Ku gjenden shumë prej dokumenteve origjinale të Enver Hoxhës, ditarët, shënimet e tij, kopje të të cilëve ndodhen sot në Arkivin e Shtetit të transferuara nga arkivi i tij personal në fondin e Komitetit Qendror. Ku gjenden origjinalet?
Origjinalet i ka Nexhmije Hoxha dhe Teuta për pasojë. Jo kot e kam quajtur Nexhmija 2 Teutën, jo për ilaritet, por ato funksione kishte marrë që në gjenezë, që kur u martua me Ilir Hoxhën. U martua me intriga të llahtarshme, intriga që asnjë vajzë 15-vjeçare nuk do t’i mbante në kurriz.
Si mund të bëjë intriga një 15-vjeçare?Liljana Hoxha: Teuta, raport shtatzënie fals për t’u martuar me djalin e Enverit 61-225x300Epo ja që ajo i ka bërë. Në qoftë se duhet të verifikohet e vërteta ime, duhet të ndalen tashmë se vjen një ditë që thuhen të gjitha. Edhe unë nuk dua t’i them të gjitha. Intriga të nënës së saj, një kartomante, një grua që merrej me stregonerira, një manipulatore. E kaluara e të ëmës së saj është shumë e diskutueshme. Kjo grua, e lidhur me Nexhmije Hoxhën që herët, çfarë nuk kanë bërë që e bija, vajza e saj, të bëhej nusja e Ilir Hoxhës.
Po mund të jetë e drejta e çdo nëne që ta martojë vajzën e saj me djalin e kreut të shtetit…
Po, por jo medoemos të bëjnë presion tek autoritetet mjekësore që ata të pranojnë që është shtatzënë kur nuk është. Njerëzit janë gjallë dhe le ta kundërshtojnë. Le ta kundërshtojë Nexhmija edhe mjeku. Kështu janë këta njerëz. Kështu i kanë nisur fillesat e tyre.
Si kanë qenë raportet tuaja me nusen tjetër të familjes Hoxha? Ka pasur xhelozi mes jush?
Kjo është një pyetje fare normale. Jam shumë e ftohtë ndaj pyetjeve të tilla. Kuptohet që ka pasur deri obsesion, i njëanshëm, sepse s’mund të ishte e dyanshme. Duhet ta njohësh atë dhe kush e njeh le ta vlerësojë, le ta pëlqejë. Si e kam njohur, si jam llahtarisur prej saj, sa ka ardhur në shtëpinë e Enver Hoxhës, këto gjëra nuk i përkasin fushës së xhelozisë humane. Janë çështje pushteti që i delegonte Nexhmija që intuitivisht unë e kam ndier që në fillim. Unë prej saj vetëm jam ruajtur dhe kam thënë që një gjë kaq e trashë, kaq e pashkolluar është shumë e rrezikshme, sepse është në gjendje që të bëjë gjithçka e komanduar siç ishte.
Jeni e sigurt që nuk është motivimi i një problemi xhelozie mes jush?
Po, në qoftë se është motivim xhelozie fakti që në vitin 1990 ka qenë ndërlidhëse e Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës me Edi Ramën, Blendi Gonxhen dhe të ndjerin Ardian Klosi… Të cilët, i fuste në kurth nëpërmjet mënyrave femërore dhe i rikatonte më pas. Kjo ishte metodë jo vetëm e saj, por e diktuar dhe e njohur nga Ramizi dhe Nexhmija.
Ramiz Alia në fund të fundit e çoi në burg Nexhmije Hoxhën, në mos gaboj në 1991-shin…
Ramiz Alia e çoi në burg Nexhmije Hoxhën, sepse u thye paksa gjasme varianti i Katovicës, që nuk ishte Katovicë e Gorbaçovit, por ishte e Ramiz Alisë. Sepse Gorbaçovi nuk bëri Katovicën që në rast nevoje ta kthente pushtetin me gjak dhe hekur, kurse Ramiz Alia e deklaroi që pushteti ynë është i sigurt dhe ne do ta kthejmë pushtetin me gjak dhe me hekur. Kështu që në burg e futi Nexhmijen vetëm për kafe, siç futi edhe të tjerët moralisht, jo politikisht. Edhe kjo i doli nga dora, sepse ishte presioni i brendshëm, sepse ishte Sali Berisha kryeministër. Sali Berisha, cilido të ketë qenë komunist i egër apo ekstremist komunist etj., ishte nën presionin nga poshtë, nga e djathta e mirëfilltë.
A ka pasur një trashëgimi financiare të Enver Hoxhës?
Nuk është e mundur të ketë pasur. Mund të ketë pasur trashëgimi shtetërore.
Kë quani ju shtetërore?
Shtetërore quaj fondin shtetëror. Një shtet ka fondin e vet, që sot ndodhet atje ku i ka çuar i biri i Ramiz Alisë, gjatë vizitës me të atin në Amerikë. Është në libër, se si ata e kanë transferuar fondin shtetëror, thesarin e shtetit në Amerikë dhe e zotërojnë për veten e tyre.
A ka pasur pasuri familja Hoxha në fund të viteve ‘90?
Familja Hoxha, Enver Hoxha, nuk kishte si të kishte pasuri. Ai nuk e njihte lekun, nuk ka mbajtur ndonjëherë lek në duar apo në xhepa. Ka qenë një kohë madje, që më ka thënë “Liliana mblidhni lekë se nuk i dihet jetës”.
Kur jua ka thënë këtë?
Vitet e fundit të jetës.
Por ndërkohë, sipas burimeve që ne jemi ende duke i verifikuar, por nuk i konfirmojmë deri më sot, në familjen e Enver Hoxhës disponoheshin mjaft bizhuteri, me vlerë të madhe të konfiskuara në vitet ‘44, ‘45, ‘46 nga ato që quheshin klasa të përmbysura, bejlerë, pasanikë të mëdhenj, biznesmenë, që nuk janë regjistruar në pasurinë shtetërore. Nëse del e vërtetë, mbetet për t’u verifikuar…
Përjashtoj faktin që të jenë të Enver Hoxhës. Nuk e përjashtoj faktin të jenë të Nexhmijes dhe të vajzës dhe nuses, sepse edhe ua kam parë në duar, unaza shumë të vyera në atë kohë, që nuk i kishte njeri. Edhe vetë Enver Hoxha i ka kritikuar duke u dhënë shembullin tim me duar të pastolisura. Sot e kam edhe unë një, disa madje jo aq të vyera mundësuar prej fëmijëve të mi, se sot erdhi koha për të tërë.
A flitej për vrasjet në familjen tuaj?
Jo, nuk flitej.
Keni biseduar ndonjëherë me Enverin për Nexhmijen? Kishte xhelozi mes jush dhe zonjës Hoxha?
Xhelozi? Jo xhelozi, jo. Unë kam të drejtën e të gjithë botës, por nuk arrij të urrej, nuk e njoh urrejtjen. Ndoshta do të ishte mirë, sepse urrejtja është ndjenjë shumë e fortë e të çon përpara, ndonëse jo moralisht. Por unë kam frikë nga Nexhmije Hoxha.
Çfarë mund të bëjë Nexhmije Hoxha, një grua 90-vjeçare, e vetmuar?
Po flasim për xhelozitë. Të ishte për karakterin tim për këto pyetje, unë do të ngrihesha e do të ikja. Por kam ardhur të sqaroj opinionin shqiptar, ndaj dhe të përballem. Ju po flisni për xhelozi, e unë do flas për fillimet e mia, jo tani. Pikërisht se Nexhmije Hoxha nuk më ka dashur kurrë, pikërisht se Nexhmije Hoxha më ka vrarë vëllain, më ka vrarë motrën, ka vrarë gjithë shqiptarët, ata që janë vrarë e persekutuar vetëm për pushtetin e saj, unë atë grua e kam frikë.
E keni ende frikë?
Jo atë si person, por fenomenin. Bën Nexhmija e dytë ndonjë përgjigje në shtyp, që nuk ka lekë të blejë shtëpi se është e varfër, po ato janë të pabesueshme. Kjo tregon që fenomeni vazhdon. Sepse kanë ato bizhuteri që thatë ju, që unë i kam parë me kohë. Në vitet ‘90, Pranvera thoshte kam dollarë, kurse unë, fëmijët e mi dhe Sokoli nuk kishim të hanim. Po ta lëmë me kaq. Kështu që unë nga ajo grua kam pasur frikë që ditën që e kam parë, që ditën që shkova në Komitetin Qendror, ku e kam njohur për herë të parë.
Kur e keni njohur për herë të parë?
Në vitin 1972.
Përse vajtët në Komitet Qendror?
Sepse unë duhet të ndahesha nga Sokoli, sepse thashë nuk dua, nuk më pëlqen atmosfera këtu. Jo Sokoli, se ai më pëlqente shumë, por jetesa në Bllok, kisha shumë paqartësi, nuk ndihesha mirë. Nuk desha. Më kishte thënë edhe im atë që djali i Enverit është i mrekullueshëm, por unë nuk mund të lejoj që vajza ime të dalë me të. Kaq më duhej.
Dhe ju shkuat të takonit Nexhmije Hoxhën?
Unë e “lashë” në fakt Sokolin dhe ai vajti me vrap në familje dhe tha që Liliana më la. Urgjentisht brenda javës ajo më kërkoi në zyrë për të legjitimuar njohjen zyrtare.
Dhe si ka qenë takimi juaj i parë me të?
Kam zbritur e frikësuar. Kam vajtur në shtëpi e frikësuar, më e torturuar se më parë, ta lë apo të mos e lë Sokolin.
Përse?
Se ishte një grua e tmerrshme, e frikshme. Ka qenë gjatë gjithë jetës sime e frikshme.
Ka qenë vetëm me ju apo dhe me të tjerët?
Unë mendoj që ka qenë me cilindo që ajo ndihej e kërcënuar. Në familje ka qenë e kërcënuar prej meje. Ajo nuk është e keqe me mua, ajo është grua e tmerrshme. Nuk ka grua të dytë si ajo.


Liljana Hoxha: Teuta, raport shtatzënie fals për t’u martuar me djalin e Enverit Engjuj17
Portali ~ Forumi ~ St@ff ~ Rregulloria Forumit

Keni paqartesi... Me kontakto ne PM
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi