Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

Bosët e kumarit në Shqipëri Empty Bosët e kumarit në Shqipëri

Mon 13 Aug 2012 - 20:55
Bosët e kumarit në Shqipëri CasinoEmirjon Senja

Cilët janë pronarët e kompanive të kazinove dhe basteve sportive. Renditja sipas numrit të pikave dhe taksave që paguajnë. Miliarderi Johann Graf, i renditur i 193-ti në botë dhe i pari në Austri nga revista “Forbes”, është pronar i dy kompanive kazinosh në Shqipëri



Lojërat e fatit qarkullojnë shuma të konsiderueshme parash duke u bërë një nga industritë me zhvillimin më të shpejtë në këtë periudhë. Tregu është zgjeruar shumë gjatë dy-tre viteve të fundit nisur nga një serë shkaqesh, si rritja e varfërisë apo lehtësia për të hapur një aktivitet të tillë në Shqipëri. Kazinotë qarkullojnë më tepër para krahasuar me bastet sportive duke përbërë edhe pjesën dërrmuese të tregut në përgjithësi, ndërsa këto të fundit karakterizohen nga një vitalitet më i madh për sa i përket hyrje-daljeve të kompanive të reja.
Por cilët janë pronarët e kompanive që qarkullojnë pjesën më të madhe të parave në tregun e lojërave të fatit në Shqipëri? “Shekulli” ka bërë një renditje të kompanive që rezultojnë me qarkullimin më të madh gjatë gjysmës së parë të këtij viti, referuar databazës së Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, nga të cilat dalin edhe rezultatet e mëposhtme. Kompanitë në fjalë janë ato që paguajnë pjesën më të madhe të taksave në arkën e shtetit për këtë sektor duke u bërë një burim i çmuar parash për qeverinë. Ushtrojnë aktivitet të rregulluar nga ligje dhe VKM të shumta. Ja cilat janë pronarët e kompanive më të mëdha në tregun e lojërave të fatit:

Kazinotë
1-Johannes Weissengruber
Apex-AL
Austriaku është aksioneri kryesor i kompanisë “Apex-Al” që ushtron aktivitet në tregun e lojërave të fatit në Shqipëri. Sipas ekstraktit të publikuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve, ai gëzon 35 % të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër është e ndarë edhe me pesë ortakë të tjerë shqiptarë. Kompania ka një kapital prej 250 milionë lekësh dhe është regjistruar që prej vitit 2006. Weissengruber është themelues i “Apex Gaming” në Austri dhe njëkohësisht Drejtori Ekzekutiv i kompanisë.
“Apex-AL” është kompania që renditet e para për nga numri i makinave elektronike të deklaruara, por e dyta për nga numri i sallave të hapura në të gjithë vendin. Një fakt i tillë bën që të jetë edhe kompania e lojërave të fatit që derdh më shumë taksa në shtet gjatë një muaji krahasuar me të tjerat. Ajo ushtron aktivitet me 31 salla në të gjithë vendin dhe sipas të dhënave të NJMLF-së, ka rreth 500 makina elektronike në përdorim. Kompania i paguan buxhetit të shtetit mesatarisht 52 milionë lekë taksa në muaj.

2-Johann Graf
Austrian Gaming Industries (Novomatik)
Kompania “Austrian Gaming Industries”, rezulton të jetë pronarja e 100 për qind të aksioneve të dy prej kompanive më të mëdha të kazinove në Shqipëri, “Astra Albania” dhe “Adriatik Game”. Lidhja midis “Astra Albania”, “Adriatik Game” dhe kompanisë austriake, është kompania “Eagle Investment” me seli në Tiranë. Kjo e fundit, sipas të dhënave të QKR-së, ka 100 për qind të aksioneve të dy kompanive në fjalë. Pronari i “Austrian Gaming Industries”, e cila ka pronësinë mbi tre kompanitë e mësipërme, është pikërish austriaku Johann Graf. Ky i fundit është renditur në vendin e 193 të listës së miliarderëve të botës, të publikuar për këtë vit nga revista prestigjioze Forbes, me një pasuri prej 5.3 miliardë dollarë. Graf është i pari në Austri për nga pasuria e tij.
Të dyja kompanitë në pronësi të “Eagle Investment”, rrjedhimisht të “Austrian Gaming Industries”, janë në vendet e para të tregut të lojërave të fatit në vend. “Astra Albania” ushtron aktivitet që në vitin 1995. Është kompania e dytë për nga numri i makinave elektronike që ka në pronësi, 453 të tilla. Kompania renditet sërish e dyta edhe për nga numri i sallave me të cilat ushtron aktivitet, të cilat numërohen në 28. “Astra Albania” i paguan buxhetit të shtetit mesatarisht 50 milionë lekë taksa në muaj.
Ndryshe nga bastet sportive, diferencat në tregun e kazinove midis kompanive që renditen në krye të listës janë të vogla. “Adriatik Game sh.a” është kompania e tretë në këtë treg me një numër prej 35 sallash në të gjithë Shqipërinë. Kompania i paguan shtetit mesatarisht 44 milionë lekë në muaj taksa dhe ka në pronësinë e saj plot 410 makina elektronike

Bastet sportive
1-Artan Dini
Top Bast
Biznesmeni nga Saranda është pronar i pjesës dërrmuese të aksioneve (92 %) në kompaninë e basteve sportive, “Top Bast”. Dini është njëkohësisht edhe pronar kompanisë së ndërtimit “Btm Konstruksion” me seli në qytetin e Sarandës. Top Bast është aktualisht kompania më e madhe që ushtron aktivitet në tregun e basteve sportive (skedina). Me këtë kompani janë shkrirë edhe kompani të tjera duke rritur numrin e pikave në një periudhë të shpejtë. Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare të NJMF-së, kompania zotëron 383 pika bastesh në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Top Bast i paguan shtetit mesatarisht 27 milionë lekë taksa fikse në muaj.

2-Edmond Stepa
Interbast
Aksionet e kompanisë së basteve sportive “Interbast” ndahen midis 15 personave, por ai që gëzon pjesën më të madhe të tyre, është Edmond Stepa ( 21.87 %). Ky i fundit është njëkohësisht edhe pronar i një zyre këmbimi valutor në Tiranë, ndërsa bashkëshortja ka në pronësi një agjenci udhëtimesh po në kryeqytet.
“Interbast” është kompania e dytë e tregut të basteve sportive. Sipas të dhënave të NJMLF-së, kompania ushtron aktivitet me 285 pika në të gjithë vendin. Gjatë muajve të parë të vitit, kompania ka pasur një ristrukturim të pikave duke mbyllur rreth 25 të tilla. Ajo i paguan buxhetit të shtetit mesatarisht rreth 24 milionë lekë taksa në muaj. “Interbast” është regjistruar me një kapital prej 69 milionë lekësh. Ashtu si edhe “Top Bast”, “Interbast” ka përthithur shumë kompani të tjera nga tregu i basteve sportive duke rritur edhe më tepër numrin e pikave të saj. Pas shkrirjes me kompaninë tjetër të basteve sportive, “Pro Bast”, kompania njihet në treg si “IP-Bet”.

3-Muhamet Malo
Top Start
Malo është një biznesmen i njohur, i cili ka investuar në tregun e medias me televizionin sportiv “Tele Sport”. Krahas kësaj, ai është edhe pronar i pjesës më të madhe të aksioneve (92 %) të teleferikut “Dajti Ekspres” në Tiranë. Malo gjithashtu ka në pronësi edhe gazetën sportive “Sport Plus”. “Top Start” është kompania e tretë më e madhe e basteve sportive. Aktualisht, kompani ushtron aktivitet me 221 pika të shpërndara në të gjithë vendin. Kompania është regjistruar në QKR me një kapital prej 223 milionë lekë. “Top Start” ka pasur një ecuri të qëndrueshme gjatë muajve të fundit duke mbajtur të njëjtin numër pikash. Kompania i paguan buxhetit te shtetit mesatarisht 22 milionë lekë në muaj taksa fikse.

Kumari, zbardhet databaza e aktivitetit të kompanive

Dëshpërimi i qytetarëve dhe dëshira për t’u gdhirë i pasur, zgjeroi tregun e lojërave të fatit.

Databaza përmban të dhëna mbi vendndodhjen e pikave, hapjet e reja dhe mbylljet, taksat e paguara etj.

Tregu i lojërave të fatit po njeh një zgjerim të shpejtë nga muaji në muaj në vend, aq sa mundësia më e madhe për të zëvendësuar një biznes të mbyllur rishtazi në rrugët apo lagjet e qyteteve, është hapja e një pike bastesh sportive apo kazinoje. “Shekulli” ka siguruar databazën e plotë të aktivitetit të lojërave të fatit përgjatë gjysmës së parë të këtij viti. Të dhënat e siguruara nga gazeta përmbajnë të gjithë informacionin në lidhje me pikat e basteve sportive apo kazinove elektronike në të gjithë vendin, makinat elektronike, numrin e ruletave, administratorët e secilës pikë, aktivitetin e saj, taksat që derdh në shtet çdo muaj etj.
Referuar këtyre të dhënave, mësohet se përgjatë një viti, tregu i lojërave të fatit është karakterizuar nga ndryshime të mëdha, siç është shkrirja e kompanive të basteve me njëra-tjetrën për t’iu shmangur taksave, hapja e pikave apo futja e makinave elektronike të reja në pikat e ekzistuese etj. Të gjitha këto, përmblidhen me faktin se ky treg vazhdon të zgjerohet në një kohë kur vendi po përballet me krizën ekonomike, kur familjet kanë më pak të ardhura mujore, ndërsa një pjesë e mirë e tyre mendohen dy herë për të kryer një shpenzim. Rritja e dëshpërimit në popull është katalizatori kryesor që ndikon në zgjerimin e lojërave të fatit.
Studimet tregojnë një lidhje të fortë midis nivelit të varfërisë së një shoqërie dhe zgjerimit të kumarit. Nuk ka ende një përfundim të qartë nëse është varfëria dhe mungesa e shpresës ajo që sjell rritje të këtij tregu apo e anasjellta, por duke i shtuar këtyre edhe dëshirën për t’u gdhirë i pasur, krijohet terreni ideal për zgjerimin e kumarit.

Kazinotë
Në gjuhën teknike me të cilën i thërrasin specialistët e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, quhen “kazino”, por në fakt bëhet fjalë për të gjitha ato godina me drita shumëngjyrëshe që gjenden në çdo kthesë rruge apo cep pallati të qyteteve tona. Sallat e hapura gjithandej, kanë një numër të konsiderueshëm makinash elektronike, i cili fillon nga 10. Ky është numri minimal i mundshëm për të marrë leje për hapjen e një salle. Në qytete të mëdha si Tirana, Durrësi etj., numri mesatar varion nga 30 deri 40 makina në sallë, por ka pika të caktuara, kryesisht në kryeqytet ku numri i makinave arrin deri në 80 të tilla.

Bastet
Kazinotë i kalojnë pikat e basteve për nga sasia e parave që qarkullojnë por jo nga numri. Në të gjithë vendin funksionojnë jo pak por rreth 1 600 pika bastesh sportive. Pjesa më e madhe e tyre janë të vendosura në qytetet e mëdha, ndërsa kanë një shtrirje më kapilare se sa kazinotë që gjenden kryesisht nëpër qendra të banuara urbane.



Bastet, shteti vjel 4 milionë dollarë taksa në muaj
Kumari është një sektor që sjell të ardhura të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Detyrimet që paguajnë kompanitë e basteve, janë të ndryshme, të cilat fillojnë nga taksa fikse për çdo pikë e deri tek pagesa për çdo makinë elektronike. Të dhënat tregojnë se arka e shtetit vjel mesatarisht 425 milionë lekë në muaj vetëm nga aktiviteti i lojërave të fatit.
Deri në fund të dhjetorit 2011, në të gjithë territorin e vendit funksiononin zyrtarisht rreth 2 200 makina elektronike. Ndërkohë, deri në fund të majit 2012, numri i makinave elektronike rezulton të jetë rritur edhe me 240 të tilla duke shkuar në 2 440 makina. Ky është numri i atyre që janë të regjistruara, ndërkohë që burime nga NJMLF-ja konfirmojnë se nëpër salla gjenden qindra makina të tjera elektronike të paregjistruara dhe të pa certifikuara. Me rritjen e aktivitetit të lojërave të fatit janë rritur edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit. Të dhënat tregojnë se vetëm nga kazinotë, buxheti i shtetit vjel mesatarisht 275 milionë lekë në muaj ose rreth 10 milionë lekë më shumë se një vit më parë.
Për sa i përket basteve sportive, numri i pikave që ushtrojnë aktivitet në të gjithë vendin është 1 600 të tilla. Këto janë shifrat që ndodhet në regjistrat e NJMLF-së, ndërkohë që pika të caktuara funksionojnë edhe në të zezë duke iu shmangur detyrimeve, rrjedhimisht nuk janë edhe të regjistruara. Kompanitë e basteve i paguajnë buxhetit të shtetit mesatarisht 150 milionë në muaj taksa me një rritje mesatarisht 3-4 milionë lekë krahasuar me një vit më parë.

Taksat nga kumari, miniera e buxhetit të shtetit

Detyrimet janë mujore dhe fikse për çdo sallë në rastet e basteve sportive, për çdo makinë apo për çdo ulëse në rastin e ruletave, por edhe të ndryshueshme në varësi të xhiros së kryer. Për kazinotë për shembull, kompania paguan një taksë fikse nga 100 mijë deri 400 mijë lekë për çdo sallë të hapur, si edhe një pagesë tjetër fikse mbi çdo makinë, kjo në varësi të rrethit ku është hapur salla. Nëse makina është me më shumë se një pozicion, organizatori paguan 1 milionë lekë për të, plus 300 000 lekë për çdo pozicion.
Vjelja e detyrimeve për lojërat e fatit bëhet sipas vendit ku ushtrohet aktiviteti. Rrethet janë ndarë në tre kategori. Në rrethe të kategorisë së parë, siç janë Tirana, Elbasani, Durrësi, Fieri, etj., paguhet më shumë krahasuar me rrethet e kategorisë së dytë apo të tretë. Ashtu si kazinotë edhe për bastet sportive, llogaritja e detyrimeve bazohet mbi rrethin ku ushtrohet aktiviteti si dhe mbi numrin e pikave të hapura. Kompanitë që ushtrojnë aktivitet në këtë fushë duhet të paguajnë 25 për qind të fitimit në formë tatimi, por shuma nuk mund të jetë më e vogël se 10 milionë lekë për ato që kanë më pak se 99 pika, më pak se 12 milionë lekë për ato që kanë deri 149 pika dhe jo pak se 14 milionë lekë për ato që kanë më shumë se 150 pika.

10

është numri minimal i makinave elektronike të domosdoshme që kompanitë të lejohen të hapin një sallë lojërash fati duke marrë licencën nga NJMLF-ja. Salla të ndryshme kanë mesatarisht 20 deri 30 makina. Në pika të caktuara numri shkon deri në 80 makina

1 600

është numri i pikave të basteve sportive (skedinave) në të gjitha vendin. Ky është numri i përafërt që deklarojnë kompanitë, ndërkohë që në zona të ndryshme të vendit ushtrojnë aktivitet shumë pika të tjera të paregjistruara

Shkrihen për t’i shpëtuar taksave

Vendosja e një takse të re fikse nga qeveria për kompanitë e basteve sportive me vlerë 2 milionë lekë në muaj dy vjet më parë, solli një serë ndryshimesh në këtë treg. Për t’iu shmangur kësaj takse, kompani të ndryshme zgjodhën që të bashkoheshin nën një emër të vetëm duke mos paguar më nga 2 milionë lekë në muaj për secilën por vetëm për njërën. Ato vazhdojnë të mbajnë pikat e basteve me emrat e tyre, ndërkohë që në QKR rezultojnë të shkrira me kompani më të mëdha.SHEKULLI
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi