Një tetovare e suksesshme në Berlin
Sat 3 Nov 2012 - 2:33
Arti i të fotografuarit: "Gjëja më e bukur që kam bërë në jetë"
Mimoza Veliu ka lindur në Tetovë. Sot jeton në Berlin me të birin dhe i është përkushtuar fuqimisht artit të fotografisë. Dëshirën për të krijuar e ka shprehur fillimisht me poezi dhe pikturë. Joni, i biri dhe fotografia janë gjërat që do më shumë në jetë. Kanë kaluar vite derisa ajo ka gjetur qetësinë shpirtërore, atë qetësi që i duhet një artisteje, e cila i shkëputet ambientit të shoqërisë ku ka lindur, për t'iu kushtuar e lirë botës së artit në një qytet perëndimor. Mimoza fotografon gjithandej dhe i tregon fotografitë në galeri të ndryshme në vend dhe jashtë. Dëshirën për të krijuar e ka shprehur fillimisht me poezi dhe pikturë, shkruan Mimoza në kujtimet e saj.
Dyzimi
Të dyja ia sheh sot në fotografi, edhe poezinë edhe pikturën. Fotografi njerëzish në situata jete, në raport me veten dhe me të tjerët, në raport me natyrën. Syri i saj është i ndryshëm nga ai i të tjerëve. Syri i saj përmban kuriozitetin e një fëmije të shkolluar në një shkollë province dhe me rrugë "që përfundojnë gjithnjë në shtëpi". Familja ka qenë publiku i saj i parë, një publik thuajse i vështirë. "Familjes sime i pëlqenin gjërat që bëja, por më vonë shqetësoheshin për intensitetin e përkushtimit", -kujton ajo. Me ardhjen në Gjermani në vitin 2002, Mimoza 23 -vjeçare fillon shkollën më të rëndësishme të jetës, "ballafaqimin me një kulturë të re, e cila mundëson absorbimin e vlerave të reja, ruajtjen e atyre të vjetrave dhe filtrimin e dyanshëm". Në Berlin i hapen perspektiva të reja që i mundësojnë të parit e vetvetes dhe të origjinës nga një kënd tjetër. “Paralelisht me formimin tim si karakter që del nga një përzierje kulturash, është formuar dhe arti im, që sot shikohet paradoksal, siç mund të ishte paradoksale jeta e një artisteje të ardhur nga Tetova në Berlin”,-thotë ajo. Stili Mimoza bën me aparatin e saj fotografi unike që në stilin e tyre, kërkojnë kohë për t`i vështruar. Ajo e ka ruajtur veçantinë e artit të saj, duke krijuar atë lloj ekspresionizmi që të çon me dashje apo padashje tek emri i autores. Nënë e një djali 7 vjeçar, Mimoza punon si dizajnere grafiku. Paralelisht organizon ekspozita me punët e saj dhe të artistëve të tjerë, duke dashur të krijojë një urë lidhëse mes artit shqiptar dhe atij gjerman, përmes shoqatës kultura, të krijuar prej saj. Kur e puesin Mimozën në një intervistë se çfarë është arti i fotografisë për Mimozën, ajo përgjigjet: Një pasion që dhemb. Unë kam disa vite që merrem me fotografi dhe shikoj të më jetë mishëruar kaq thellë në jetën dhe përditshmërinë time, saqë ka kaluar në një nga varshmëritë e mia.
Pasioni
Nuk me kalon ditë pa shikuar vepra të të mëdhenjve, klasikëve të fotografisë, por edhe të talenteve të rinj, që të befasojnë me filozofinë e tyre jetësore përmes artit të të fotografuarit, pa blerë libra, katalogë me fotografi që kanë tronditur botën në një mënyrë apo në një tjetër, apo pa realizuar edhe vetë një, dy, apo një seri fotosh të atij apo këtij zhanri. Kohët e fundit, jam duke punuar si fotografe për ca institucione në Berlin, dhe mundohem gjithnjë të bëj ndarjen e fotografisë komerciale nga ajo artistike, duke mos dashur të infektoj as njërën, as tjetrën nga tjetra, ose të paktën të drejtoj ndikimin tim artistik te fotografia komerciale, por në asnjë mënyrë anasjelltas”.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi