Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:01
Përsheëndetje të gjihëve.

Në këtë temë do të keni rastin që të lexoni
dhe njëkohlsishtë të postoni vetëm poezi të
poetit Dhimitraq Papando...

Lexim të këndshëm...
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:01
Kam pritur tridhjet vjet...


Kam pritur tridhjet vjet fshehur nën hije,
Dhe fshehur kam vazhduar të këndoj,
Siç zogu i mëngjesit pas hardhije,
Siç fshihet manushaqja buzë kroi.

E kyça gojën fjalët që të mbaja,
Se rridhnin fjalët vetë, s’di se si,
Kur s’dija as të qeshja, as të qaja;
Kur s’dija ç’ishin lulet në saksi.

Kur lotin që nga sythi vjen i valë,
Me shiun ngatërroja pa të keq.
Kur flokun keq të krehur tek një djalë.
Për trimëri e mirrja, si për dreq.

Kur lulen e këpusja i rrëmbyer,
Dhe pa i marrë erë, jo aspak,
E flakja si një send aspak të vyer,
E prishja me një nerv krejt foshnjarak.

Kur vashën e komshiut e dëgjoja,
Shpërfillur kur më thoshte “Mirmëngjes”.
Dhe buzën që i dridhej ia vështroja,
Si Don Zhuan i thekur, krejt serbes...

...Kam pritur tridhjet vjet të them dy fjalë,
Dy vargje që kam mbledhur me kujdes
Si mbledh vullkan’ i ri llavë të valë,
Si bleta mbledh nektarin në mëngjes.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:02
Ah, më mbytën ndjenjat, det!...

Ah, më mbytën ndjenjat, det!
Në dritarezën e shpirtit
Lul’ e ftoit më troket…

Jam a s’jam, e ku ta di,
Nëpër ëndërr, a jam zgjuar?
Frym’ e prillit mbi çati,
Më sjell gaz të paprovuar.

...Kam një brengë që më vret.
Nëpër telëzat e zemrës,
Ndjej një flutur që më nget.

Dal në rrug’ e jam i ndrojtur.
Vajz e fqinjit pas dritares,
Më vështron me sy përlotur.

Pse u tremb edhe pastaj
Shkoi me vrap, u mbyll në dhomë?!
…Dora ime e pafaj,
I preku gjoksin e njomë…
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:02
Varka ime ku me shpie...



Qielli varur perde-rëndë si një ballë i menduar.
Zbret e griset nëpër pemë mbi liqenin faqe-shtruar.

Era fryn e ëmbël shumë dhe mënjanë i mbledh retë.
Varka ime vozit thellë dhe me shpie nga do vetë.

Duke humbur gjethe-verdhat çvoshket hëna mbi liqen.
Nata krejt e parfumuar që nga Mal’ i Thatë vjen.

Një shelg varet i argjëntë, nëpër ujë krahët lan.
Hëna mbetur lakuriqe lotëverdhë nis e qan…

-…Pse më merr në ujë thellë, varka ime ku më shpie?
-Më afro tek hën’e verdhë të shoh dritë bukurie!

-Laskuriqur, nëpër ujë, ku shkon hënëza dhe fshihet?
-Me një krëhër prej kallamash flokët lag ajo dhe krihet.

Pas kallamave, në ujë, hëna kreh flokët e gjatë.
Nazemadhe rrotull saj formon rrathëza një patë.

Duke mbledhur gjethe-verdhat atje dua që të shkoj;
Të rrëmbej patën e bardhë, faqen ujit t’ja trazoj…

…Shushurin liqen-i pastër, kallamishtja plot shkëlqim.
Varka ime gjith’ lëkundet pa lopata, pa drejtim...
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:02
Korça...


S’di si të të dua, s’di sa të të dua;
Veç kur jam atje, në rrugët e tua;
Kur bliri pikon eliksir mbi mua;
Filloj dhe të ndjej.

Këngë do mësoj, këngë që këndohen;
Çupat ti trazoj në mëngjez kur zgjohen;
Vellon t’u rrëmbej ditën që martohen.
Do të vij, ti gjej.

Ndër kangjellat e tua dimërit me borë;
Harpën ëngjëllore do luaj me dorë;
Të dëgjoj’ muzikën zemra ime-e gjorë;
Edhe të zhdëfrej.

Pa ta ngjit Moravën fshehur nëpër hije;
Hije madhështie, hije bukurie;
Ah!... Do ta shkul zemrën, ta bëj fije-fije;
Ashtu të të ndjej.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:02
Dimër...

Kur vjen dimri i akulluar mbetem zgjuar nëpër netë.
E ndjej shpirtin të më lerë, nëpër erë të mërgohet.
Trupi mbetur i braktisur dalngadalë nis e ftohet,
Si një vatërzë që shuhet në shtëpin’ e lënë shkretë.

Që prej xhamit të kristaltë shoh përjashta i nemitur,
Si në natën e ndriçuar bora bie fjolla-fjolla.
Syri griset i harruar nëpër perdezat e holla,
Edhe tret lotin e nxehtë me qerpik të përpëlitur.

Dhe kur hëna e florinjtë që prej reve rreh të dalë,
E vesh natën e pikuar në përndritje të praruar;
Zem’r e dridhur ritmin shuan duke rrahur e hutuar.
Hesht dëbora mbi çatitë ku ka rënë palë-palë.

…Kthehet shpirti i arratisur zemër-vakur tek mendoja.
Ishte jerm apo ekstazë s’e kuptova ku u futa.
Sy’n e bukur më jep hëna fshehur pas reve të buta.
Flok’n e verdhë ka përhapur nëpër perdezat me hoja.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:02
Shporta... ndolli një kurbatkë...


S’dija ç’beja të ndjell fatin...mikja bjonde më pat' lënë!
... Një shportë thura, me kulpra, hipa e vara në hënë.
Nga shkon dielli ktheva shtratin, xhindet thirra në mesnatë.
Mbolla yje anës lumit të magjepsja ndonjë fatë.

Nga marazi, flokëverdhës edhe tjegullat j’a theva;
Pastaj fqinjës, një kurbatke, një të puthur i rrëmbeva.
(Një ezmere përqafova, bjonden time të harroja,
Por më dogji gjiri i ndezur nën këmishëzën me hoja.)

...S’e kuptoj, si fqinj’ e sertë asnjë fjalë nuk më kthehu,
Dhe si llërën e kadiftë kular qafës ma mbërtheu!!?

Dikush thotë ishin xhindet që i rrinë rrotull fatit.
Tjetri thotë që me kulpra ndolla vajzën e kurbatit.
Po ç’më duhet të kuptoj, më nuk jam me kok’ mënjanë.
Pas një bjonde që më iku, një ezmere më rri pranë.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:02
Udhëtim...

I
Jo, jo, akoma nuk kam arritur,
I lodhur ndihem dhe i drobitur,
Tek shoh si malet rrotull e rrotull,
Përbrenda tyre mbyllin rrethuar,
Fushën e bukur të lulëzuar,
Që si një nuse e porsa zgjedhur,
Vendos mbi flokun e saj të derdhur,
Kurorë degësh dhe lulesh mbledhur.
Mbajnë rrethuar mes bukurisë,
Një medaljon të madhështisë,
Ankthin dhe afshin që të nxit shpresa,
Mallin e djegur keq nga largesa.

II
...Dhe pas çdo kthese, pas çdo bregore,
Si labirinthet me Minotaur,
Të tjera brigje…përpara dalin.
Me mijra gracka rrugën më ndalin,
Dhe horizontin aq të kërkuar,
Në thellësinë e amëshuar.
Nis dhe rëmoj në vetësirë,
Të gjej një fjalë jo aq të mirë,
Duke u grindur porsi gërnjar,
Për konstruktorin imagjinar,
Që paska qenë kaq i vendosur,
Të stisë rrugë që s’ka të sosur.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:02
III
Dhe syri ndjek pavetëdije,
Si në një film vetëm me hije,
Çfarë natyra ofron bujare...
...Kishat rrethuar me pem’ e varre,
Kodrat me mollë, fushat me grurë;
Më tej një pyll, pastaj një urë.
Ca p’rrenj të thatë me një gisht ujë...
...Më tutje pamja bëhet rrëmujë,
Tek më s’e ndjek lajthitjen time;
Veç ndjej që zhytem në ëndërrime.
Dhe syri dridhet e sheh përbrënda,
Thellë kujtesës, pamje të rënda.

IV
E ndjek vetvehten mbrapa në kohë,
Remineshencë që s’di të shohë.
Hije të vjetra që të kërkojnë,
Dot s’u shpëton, për ty vrapojnë.
Fantazma-veshur që ulërijnë,
Miq dhe armiq në radhë vijnë.
Ti vetëm ikën... ata të ndjekin,
Dhe pas makinës grushtat përpjekin.
...Dhe befas zgjohesh krejt i hutuar,
Përreth vështron i turpëruar,
Pa ditur fare ç’gabim ke bërë,
Nis buzëqesh... siç bëjn’ të tërë.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:02
V
...Pastaj ca fshatra krejt të rrudhosur,
Tek ti afrohen faqepudrosur.
Porsi ca plaka…kur humbin sensin,
Vrapin e kohës duan të ndjekin.
Tualetosen, lyen e ngjyen,
Si pula klloçka, stisen e fryhen,
Me shum’ seç mosha u pranon hije,
Si ca piktura pa pikë shije...
...Edhe ata ashtu llastohen,
Si duke dashur të zbukurohen,
Veç buzë rruge vitrinën ngrehin,
Pamjen e hidhur duan te zbehin.

VI
Sheh emra firmash, si në përralla,
Ca kombinime aqë të rralla,
Që nuk i njeh onomastika.
Shpikje të shekullit bastard...
...Dritat plot ngjyra që syrin çpojnë,
Me prapaskenën keq kontrastojnë.
Ndrisin e feksin e s’kan’ të sosur,
Përmbi fasadën e përdhosur.
Por prapa tyre syri i hutuar,
Vështron një pamje të mjegulluar.
Pas mykut pluhur me erë burgu,
Pejsazh të zbardhur si raso murgu.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:03
VII
Dhe prapa gardhesh gjysëm rrëzuar,
Pas njëri tjetrit rrinë shtërnguar,
Nëpër ca poza gërmuqe mbetur,
Të shkalafitur edhe të tretur,
Mullare kashte gjysëm të ngrënë,
Si goj’ të zeza e dhëmbërënë,
Që prej së largu përqeshin hidhur.
Një fat i keq i mban të lidhur.
Ngulur në tokë si ca qyqarë,
Flokët përpjetë dhe të palarë.
Me kokën jashtë, ashtu të ngrirë,
Tek ulërijnë për mëshirë.

VIII
...Vështroj të mijtë bashkudhëtarë,
Faqeparruar, fytyrëvrarë,
Ashtu përgjumur teksa qëndrojnë,
Me sytë hapur, por që s’vështrojnë,
Asnjë ndryshim që del përpara.
Duke lëpirë buzët e çara,
Krejt të harruar koten e flenë,
Sado të mençur që të jenë.
Njëri pas tjetrit vënë në vijë,
Luajnë kokat pa vetëdijë.
Ritmin e rrugës tek imitojnë,
Indiferentë përreth pohojnë.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:03
IX
...Por dhe mohojnë gjithashtu,
Shpesh duke qeshur kuturu,
Mes ëndërrimesh delirante.
Gjestikulime krejt aberrante.
Dhe i vështroj që fare pranë,
Me mendje humbur hequr mënjanë.
Krejt i çuditur sikur të shihja,
Një lloj të ri që nuk e njihja.
Në ndonjë tombë në shkretëtirë,
Në mes të rërës tek qëndron shtrirë,
Mumje Egjypti gjysëm të tretur;
Në sarkofag të porsagjetur.

X
Nuk di në çfarë më të besoj,
Nuk di se ç’hymne më të këndoj,
Se jo, askush s’më ka besuar,
Se vetë Zoti më ka harruar.
Një zë njeriu pra, ku ta gjej,
Ç’mblodha në zemër t’i rrëfej?
Më thoni pra ku të kërkoj,
Një këngë gryke ku të dëgjoj?
Ku ta ndjej erën aqë të mirë,
Të një duhani të porsa grirë?
...Të shoh një mace si vjen përtuar,
Prekjen e ngrohtë për të kërkuar?
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:03
XI
...Të ndjej që jam njeri e zot.
Si isha dje, të jem dhe sot.
Të ec i zhytur nëpër kujtime,
Të takoj pleqtë e rrugës sime,
E ta ngroh vatrën me dru të thatë;
Të numëroj yjet nëpër natë.
Dhe të hap derën e shtëpisë,
Pa pasur frikën e perëndisë?
Të ndjej në zemër që kam tallaz,
E ta pi lotin që vjen... me gaz.
E të bërtas kur dua vetë,
Të fle e ngrihem... zot i vërtetë?

XII
...Një libër mbyllur e mbaj në duar,
Të një shkrimtari të padëgjuar.
Nuk do të mundja që ta lexoja,
Nuk do të mundja ’dhe po të doja.
Më ngjan një histori e njohur,
Që asnjëherë s’më ka ngrohur;
Si e lexuar një tjetër herë,
Si e jetuar me miq të tjerë.
Në një vend tjetër, një “dezha vú”, *
Me ca kasolle bërë me dru;
Ku si i egër fshehur jetoja,
Ku ditën vdisja dhe natën rroja.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:03
XIII
...Qielli rëndonte si plumb i derdhur,
Dhe hëna villte dritën e verdhur,
Pëmbi natyrën e pangjyrë.
Dhe ajri i rëndë porsi lyrë,
Të zinte frymën dhe të lodhte.
Ku ti e dije se çdo të ndodhte,
Kur dielli shterpë sillte pak dritë,
Që të ndriçonte njerzit e mpitë,
Që mbushnin pyllin e paanë.
Dhe udhëtarët që i kam pranë,
Këto të vrara silueta,
Ishin fantazma të vërteta...

XIV
...Një gropë e rrugës më gjen habitur,
Gjysëm të fjetur, gjysëm dremitur.
Tek hedh vështrimin me sy të vagur,
Përmes qerpikut nga loti lagur.
Rrah të shkëputem nga bot’ e vdekur,
Ku u mundova me zë të mekur,
Të flas me hije imagjinare,
Brymë fantazmash që gjen mbi varre.
Nuk di pse qaj... ndoshta aty
Jetohet vetëm me lot në sy.
Lotë të ftohtë që dhimbje sjellin,
Të tjerë lotë së thelli ndjellin.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:03
XV
...Dita nxituar diku largohet,
Ashtu si niset, kurrë s’mbarohet;
Por rrjedh si uji prej kroit vetë,
Që s’ka të sosur në këtë jetë.
Ashtu si koha mbështjell vetvehten,
Minutat, orët dhe ditët treten.
S’janë gjë tjetër, veçse një grimë,
Në qiell të kthiellët një vetëtimë.
Një hap i vogël që s’numërohet,
I një agrepi që rrotullohet,
Mbi një sahat të pambaruar,
Që s’ka përsipër asgjë të shkruar;
Fushën të bardhë, si shkretëtirë.
Ku rrotull vimë ne si të pirë.

XVI
...Në pjalmin blu të erës zhytur,
Në eter ëndrrash plluskojm’ të mbytur.
Ne udhëtarët që s’kan’ stacione,
Mbi hije shpresash ngrehim pasione.
Dhe bredhim rrugë plot kthesa dredhur,
Në zemër mbajmë një lëmsh të mbledhur,
Të mallit zjarr, që nuk u shua,
Më shumë u ndez, më shumë u zgjua,
Prej reflektimit të vetmisë;
Një mall i dhimbjes dhe dashurisë.
Mjegull’ e kohës e mban mbuluar,
Dhe ngjan së largu një zjarr i shuar.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:03
XVII
Veç një puhizë të fryjë lehtë,
Zbulon pas mjegullës së zbehtë,
Llavë vullkani që rrjedh si lumë,
Që djeg e grin, zhurit më shumë.
Një flakadan me flakë ferri,
Që si përbindësh ngrihet nga terri.
Ku zhytur rrimë prej vehtes fshehur,
Me sy çaplyer dhe veshin mprehur,
Presim të dridhur nga fundi honit,
Mes angushtisë dhe pasionit;
Një shkëndijim që të shikojmë,
Ç’po ndodh pas territ të mësojmë.

XVIII
Sa të arrij, nuk kam durim,
Të mbështet kokën në pragun tim.
Atje ku linda dhe ku jetova,
Dhe në mes njerzve, njerëz shikova,
Ku rashë, u ngrita dhe prapë rashë,
Dhe ku të parën fjalë e thashë.
Të ndjej aromën, sa kam filluar
Me flegrat hapur, sytë çapluar.
Si kafsh’ e egër që ndjen dëborën
Dhe ulërin pa pritur orën,
Që të arrijë në vend të njohur,
Të ngrohë prapë gjakun e ftohur.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:04
XIX
Të ndezë prapë zemrën e ngrirë,
Me zjarr të shpirtit dhe me dëshirë.
Me kokën ngritur, andej drejtuar,
Nga ndjej një shënjë të adhuruar,
Filloj nuhas dhe unë malet,
Nga vjen një afsh që s’mund të ndalet.
Mes melodish vjen harmonia,
Vjen shpres’ e humbur dhe siguria.
Vjen mes kujtimit më sjell një shpresë,
Si llav’e zjarrtë që s’do të vdesë.
Më merr nga qielli ku kisha shkuar,
Më zbret në tokën e premtuar.

XX
Tek fryn, me sjell veriu i thatë,
Prej hapësirës së pamatë,
Spicat e akullit dhe ngricës,
Erën e çajit dhe të zhumbricës,
Që vjen e njelmët porsi mallkimet,
Më ndjek në rrugët, në shtegëtimet,
Me ndjek në ëndërr, më ndjek në gjumë,
Më dhemb sa dhimbet, më mundon shumë.
Më djeg, më pret në zemër thellë,
Atje ku mallin e mbaj të mbjellë,
Porsi një lule të shumë vyer,
Me gjak të shpirtit dhe lot ushqyer.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:04
XXI
Filloj lëviz brenda makinës,
Duke vështruar përjashta tinës.
Të shpërthej dyert, të fluturoj,
Ndër ato male, atje të shkoj.
Të ve pëllëmbën në gji të dheut,
Të dëgjoj zemrën e mëmëdheut.
Se edhe tigri, një egërsirë,
Brenda kafazit nëpër zinxhirë,
Kur pranë ndjen erën e vluar,
Të pyllit thellë, ku ka jetuar;
Kërkon të shkojë atje, të shohë,
Ç’ka ka përgjuar për aqë kohë.

XXII
Ç’ështe kjo ndjenjë që më djeg mallë?
Ç’është kjo brengë, kush e di vallë,
Që lind në shpirt dhe syrin ndrit,
Më djeg e pret, si zjarr zhurit.
Pse brez pas brezi e mbajmë vluar,*
Si një thesar tepër të çmuar?
Në ç’lloj materje e ka burimin,
Në ç’farë ngjizje e ka fillimin?
Pse e ushqejmë e mbajmë gjallë,
Këtë mister kaqë të rrallë?
Kush i jep shpirt ç’është ai zot,
Që e kërkoj dhe s’e gjej dot?
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:04
XXIII
...Vështroj përjashta, kokën kthej prapa,
Frymën që iku dhe dot s’e kapa.
Vështroj drejt qiellit në perëndim,
Drejt horizontit të pambarim,
Prej nga përhapet si hymn i rrallë,
Tek retë digjen në zjarr të gjallë ,
Një zjarr hyjnor, që s’ka të shuar.
Dhe vetë dielli i lumturuar,
Teksa mes flakës, ndriçon e tretet,
Ashtu si ylli në qiell kur mbetet;
Ndrit e ndez yje të tjerë ,
Që vijnë rrotull nëpër erë.

XXIV
Jehonën sjellin tek heshtin vrapin,
Frymën e fundit ndërsa e japin,
Brengën e tokës duke kënduar,
Që veç një zemër e përmalluar,
Një zhpirt i djegur di t’a dëgjojë;
Dhe n’unison nis të këndojë.
Mban portat hapur për bukurinë,
Dhe ritmet pret atje të vinë.
Tingujt e ëndrrave duke ndjellë,
Nis emeton prej shpirtit thellë,
Pasione e ndjenja qe s’kanë të sosur,
Që mbytin botën e vrerosur.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:04
XXV
Çliron demonët që nga zinxhiri.
Dhe si Feniksi që lind nga hiri,
Rilind sërisht nga nat’ e mekur,
Dhe zjarr i jep shpirtit të vdekur.
Një zjarr që ndez e ndrit mistere,
Që më ringjall si atëhere,
Kur kodrat ngjitja që të vështroja;
Kur frymën mbaja që të dëgjoja,
Tingujt e hënës tek largohej,
Ngjyrat e ditës që po afrohej.
Kur thithja diellin në mëngjes-herë,
Kur pija vesën me miq të tjerë.

XXVI
Natyr’ e bukur më trazon fshehur,
Tallet me syrin që sheh i dehur,
Çdo grimcë pluhuri e pavlerë.
Çdo cicërimë që vjen në erë,
Zgjon ëndërrimet, brengat që shkuan,
Dëshirash djegur që s’u harruan.
Që rrisin mallin në zemër thellë,
Si stalaktitet që rrit një shpellë,
Me dashuri pikë-pas-pike.
I mbreh pas dhimbjes majat magjike,
Që çpojnë e çpojnë, në gjoks sëmbojnë,
Sa t’i mendosh, më shumë çpojnë...
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:04
XXVII
Dhe lind një ëndje prej qënjes thellë,
Paqen qiellore kërkon të sjellë.
Një harmoni me gaz dhe lotë,
Që zbukuron jetën e kotë.
Që na gëzon... për çfarë s’kemi.
Na ndjek e dashur kudo që jemi.
Materje fine në shpirt e tretur.
Hije sublime në thelb e mbetur.
.............................................
Burim ushqimi për zjarr të vjetër,
Të tjera malle, një kohë tjetër.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:04
Kam një bosh...

Kam një bosh në zemrën time, kam një hon,
Që më bën copë e thërrime, më mundon.
Më thërret me zë të thellë nën dhe.
Më kërkon që t’i shkoj pranë, ja atje.

Si të lashë toka ime, si më le.
Nuk e di, jo, se si ika që atje.

Ndjej një zë që s’di ku niset, nëpër bosh.
Që më flet nga fundi dheut, që përposh.
Jo, jo, kurrë s’e kam ditur, as tani
Që kam parë, sa kam parë, nuk e di.

Ç’ësht një zë që më thërret “eja”, që më flet;
Më tërheq porsi sirenat nëpër det?

Kam një zjarr në zemrën time, një zjarr kam.
Dhe kur fle, dhe kur jam zgjuar, dhe kur s’jam.
Edhe kur kundroj natyrën plot stoli.
Dhe kur prehem zemër fikur në shtëpi.

Kam një shpresëzë në zemër, kam një gaz.
Do të ndjek thirrjen e tokës, t’i shkoj pas.

Do të vete ku një brengë më thërret,
Dit’ e nat’ me zë të ngrohtë veç më flet
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:04
Ecja nëpër pyll vesën duke pirë...

Një mëngjes të ngohtë nëpër pyll kaloja,
Kokën varur gjoksit, rrugës tek vështroja
Lulëzat e kaltra në barin e gjelbër.
Pa qëllim shëtisja, si një dre i verbër.

Kisha lënë shtratin shpejt në mëngjes-herë,
Doja larg të isha prej njerzve të tjerë.
Vetëm të shëtisja, larg nga bot’ e gjallë,
Diçka që të gjeja, të më treste mallë.

Ecja nëpër pyll vesën duke pirë,
Prekja hala bredhi ngjitur në rrëshirë.
Përqeshja një lule, puthja një zog fushe,
Më shihte një flutur porsi ëngjëllushe.

Era përkëdhelte gjethezat e reja,
Një gugash i vogël qante tek foleja.
Dhe ja si papritur nëpër degë e gjethe,
...Dielli më dha syrin, më futi në ethe.

Më ndezi vështrimin, më pushtoj të tërë,
Ndriti pem’ e lule...”Zot! Ti, ç’paske bërë?”
Filloj flas me veten ashtu i çuditur,
“S’paskam parë diellin...është ar i situr.”

Si lindi mes pyllit kjo stoli e rrallë?
Vërtet jam mbi dhé, apo në qiell vallë?
Apo ajri vetë kur shkëlqen i dehur,
Enkas na zbulon botën që mban fshehur...

...Na gënjen me ledha me çfaqje deliresh
Që ashtu pa dashur të dhënë pas hiresh,
Të harrojmë brengën dhe mallin e vluar,
Të harrojmë dheun nga jemi larguar?
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:05
Shi dhe flakë...

Shi i madh më zuri rrugën, isha nisur për në krua;
Zbritën retë që nga qielli e kulluan përmbi mua.
Me vrap hyra nën një strehë dhe kujtova se shpëtova,
Por nga vrulli...(a me dashje), një fshatarkë përqafova.

Flok’ i saj aroma lulesh, krela-krela gjer në gushë,
M’u vesh syri, m’u prish mendja dhe m’u bënë malet fushë.
Dhe rrëmbyer bukuroshes i putha sytë jeshile,
M’u drodh zemra dhe mes gjoksit me buçitën mijra zile.

Më zhuriti zjarr’ i vjedhur në një buzë si qershi,
Hodha setrën në një qoshe dhe me vrap dola në shi...

...Dal në shi dhe dot nuk lagem, nuk më shuan dot një det,
Kjo fshatarka lozonjare më shkel syrin, më thërret.
Bjerë shi vapës së gushtit, shi dhe flakë të shijoj,
Të më ftohet zemr’ e dredhur qe me zor të madh e shtroj
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:05
Muzgu...

I
Në fund të ditës afron një çast,
Kur dielli shuan vatrën e shenjtë.
Eshtë një çast kur gjithshka meket.
Veç perëndimit krejt të kuq;
Ku retë puthen me njëra-tjetrën,
Me faqet flakë nga zjarr’ i diellit.
Eshtë një çast tepër i shkurtër,
Kur sendet pezull zënë e rrinë.
Sikur përpiqen që të çlirohen,
Nga forc’ e tokës që i tërheq.
Eshtë një çast që po ta kapësh,
Kupton dhe ndjen të gjith’ magjitë.
Të lind përbrënda fllad i hyjnishëm,
Që shpirtin ëmbël ta drithëron.
Rreth kokës ndjen aureolë.
Eshtë një çast kur përmbi tokë,
Vijnë dhe rrinë gjith’ perënditë.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:06
II
Eshtë një çast në fund të ditës,
Në frymëmarrjen e perëndimit,
Që muzg i thonë...e çfarë tjetër;
Kur gjiri i detit fillon gufohet,
Mbarsur nga Kronosi i lashtë,
Kur brenda zemrës ke mall të thellë.
Dhe bukuritë gjith’ duke parë,
Të vjen një gaz dhe brengë bashkë,
Që shpirtit dhimbjen i shton paprerë.
I hidhëruar qiellin shikon.
Miken e zemrës që s’e ke pranë,
Thërret për ndihmë gjysëm i dehur,
Të ndash magjitë që rrotull ke.
Dhe pik’ e lotit ndriçon e zbehtë,
Plot reflektime prej diamanti,
Nga zjarri i brendshëm që rreh të dalë.
...Qerpiku dridhet… diç duke fshehur.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:06
III
Si drit’ e ditës ze e venitet,
Dhe zjarr’ i diellit fillon të ftohet,
Një tis i hollë bie nga qiejtë…
I madhërishëm pra, çfaqet muzgu,
Kur sendet hije më fare s’kanë.
Vërtet, pa hije të gjitha janë,
Se hijet ikin tinëz dhe fshihen,
Shpejt nëpër qoshe, në errësirë.
…Të dish të shohësh veç e të ngopesh!
Me një prarim prej paradisi,
E gjithë gjindja është e mbështjellë.
Edhe pastaj... kur lëmshi i zjarrtë,
Fshihet nxitimthi pas horizontit,…
Kupton papritur që dridhja... shuhet.
Dhe syri i lodhur kërkon te ndjellë,
Të tjera lodra të gjithësisë,
Perde e natës sa nuk ka rënë.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:06
IV
Kur yjet lart zënë e çukisin,
Me dritë të dridhur perden e zezë,
Zhurmat e jetës fashiten shtruar;
Si kali i lodhur nga pun’e gjatë,
Kërkon të gjejë pak qetësi.
Dritat e natës ndriçojnë vakur,
Dhe hëna del me psherëtimë.
Nata ka rënë me krahë hapur.
Yjet të trembur nga ethe e muzgut,
Pas perde-zezës duan të fshihen.
…Në mjegullsirën që vjen nga qiejtë,
Dëshirë ke të humbësh rrugën.
Se errësira që po afrohet,
Mes njerzve shton veç turbullirë,
Por edhe dhimbjen katalizon.
Dhe vetëm ndihesh në mes të turmës.
Çdo gjë rreth teje nis e largohet.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:07
V
Me Muzat...muzgjesh kërkon të vidhesh;
Si në përrallë do të shpëtosh.
Përbrënda shpirtit ndjen që të digjet,
Zjarri i ndezur nga ëndërrimet.
Si perëndimi dhe perënditë,
Të tjerë zjarre të shenjtë ndezin.
Dhe gjithë eteri elektrizohet,
Në flakërim të amëshuar…
…Dhe kokëulur në vetësirë…
…Nis pëshpërit me zë të shuar.
Duke fundosur në jerm të thellë;
Botë të tjera aluçinante,
Krejt i habitur duke zbuluar.
Si të jetosh një tjetër jetë,
Prej infinitit që vjen vibrant;
Ku sendet kanë një tjetër formë,
Dhe shpirti vetë tjetër kuptim
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:07
…Pa ndjere fare... lind një poemë,
Ku vargjet vijnë pas njëri-tjetrit;
Dhe gulçi grykën aq ta ngushton,
Sa fjalët dalin krejt deformuar.
Si me kamzhik dhimbj’e krijimit,
Trupin të tërë ta rreh e mpin,
Vraga të thella gjith’ duke hapur.
Shpirti nis dridhet i llahtaruar.
Dhe zemra brinjët kërkon të çajë;
Në një torturë plot me kuptim;
Si një luan me zjarr rrethuar.
…Apasjonim i vetëdijshëm…
“Kur dhimbja puth kënaqësinë,
Të dyja bashkë krijojnë thesare.”
Dhe shpirti prehet ngadhënjimtar,
Në një zenith të pambarim.
Çdo muzg që vjen lind një poemë.
Poemat vetëm në muzg këndohen.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:07
Drita është...

Drita është, po ku është, që të shoh e ta kërkoj?
Vetëm hije pata pranë, hije prapë veç vështroj.
A ka dritë mirësie, harmoni në dritë-hije?
Të më sjellë tjetër shije, a ka hir prej perëndie?

Ja…tek vjen, shpirtin ma ngrohu, gjer në thelb më zotëroi,
Prej së larti ëmbël-ëmbël porsi mjalti rrjedh nga zgjoi.
Dhe në terr edhe në dritë merr shkëlqim prej diamanti.
Në prarim krejt të magjishëm më mbulon tek vjen së larti.

Sado mjegull, sado errët, vjen një cast që hiri zbret.
Vjen një ditë, s’ka se si, në mes heshtjes një shkëndi;
Që çan terrin dhe sjell gazin në të natës mbretëri.

Na zgjon ëndrrat, ndez pasionet edhe vuajtjen e vret,
Lumturon brengën e hidhur, gëzon shpirtin që e pret,
Dhe na mbush me dritë jete, na mbaron një agoni.
Anonymous
Vizitor
Vizitor

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Fri 19 Nov 2010 - 12:07
Mos ikë çifutkë







Luaje e qeshje me shoqet e tua.

Pse ike papritur? Pse, a nuk më thua?

Ta përgjoja syrin fshehur nën baluke,

Moj çifutk’ e bukur... si vesa m’u zhduke.



Kur më pe përballë kokën mbi gjoks ule,

Erdhe zonj’ e madhe, ishe si një lule.

Dy vajza përdore porsi dy burbuqe

Bëre të më flisje, t’u drodh buz’ e kuqe.



Syrin të këputur, s’di se si m’u duke.

Paske prer’ gërshetin dhe ke vën’ parruke.

Ledha kishe shumë, tani ke maniera,

Mos i merr çifutkë dhe shoqet e tjera.

Rri dhe ti mes tyre, flak atë parruke!

Rrit flokun e dredhur dhe e bëj baluke!
Sponsored content

 Poezi nga Dhimitraq Papando Empty Re: Poezi nga Dhimitraq Papando

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi