Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Kadare për riedukim në Seman, nuk i dhashë lopatë Empty Kadare për riedukim në Seman, nuk i dhashë lopatë

Mon 25 Feb 2013 - 13:45
Si u arratis shkrimtari në Francë 48 orë pasi i dërgova një le tër. Çfarë i tha Nes hat Tozajt, para largimit
Si ma lanë në besë Ismailin dhe Luan Qafzezin që i sollën në fshat për të njohur jetën. Ditët e shkrimtarëve në kooperativë, pse nuk zunë asnjë punë me dorë
Kadare për riedukim në Seman, nuk i dhashë lopatë Kadare%202
Leonard Veizi

-Ai jo vetëm që i priti shkrimtarët e njohur me të gjitha nderimet, pikërisht në kooperativën e Semanit, por nuk e la atë të punonte asnjë ditë, duke rënë ndesh në këtë mënyrë me direktivat dhe orientimet e Partisë. Por kështu u lidh dhe miqësia e Llaqi Jankos me shkrimtarët Ismail Kadare dhe Luan Qafëzezi i cili gjithashtu e kishin çuar në fshatrat e Myzeqesë për të marrë ca mësime terreni. Ishte koha kur revolucioni kulturor nisi të aplikohej edhe në Shqipëri. Nuk kishte orizore, ku intelektualët të bënin “praktikën” kineze, por gjithsesi fshatra ku ata mund të “riedukoheshin” gjendeshin pa problem. Por Llaqi, në ato vite kryetar i kooperativës së Semanit, nuk ka dashur që duart e shkrimtarëve të talentuar të prisheshin nga kallot e lopatës, aq sa të mos merrnin dot penën, prandaj me iniciativën e tij, u ka dhënë në dorëzim të vetmen gjë që mund t’u jepte atyre pak shpresë, qendrën e kulturës dhe vetë bibliotekën e kooperativës. Dhe ja ç’thotë vetë protagonisti i kësaj ngjarje, Llaqi Janko, 38 vite më pas:

Si e mbani mend ardhjen e Ismail Kadaresë në Seman?

Më kujtohet që Ismail Kadareja erdhi në Seman në vitin 1975. Nga propaganda u tha se shkrimtarët po zbresin në bazë që të njohin më afër jetën atje. Fillimisht më sqaroi Pipi Mitrojorgji që në atë kohë ishte sekretari organizativ i rrethit. Ishte Pipi ai që m’i solli një pasdite në zyrë. Më tha se do më sillte dy shokë nga Tirana, Ismail Kadarenë dhe Luan Qafzezin. Unë kisha një adhurim në atë kohë për Kadarenë. Ardhjen e tij në kooperativë e quajta fat, sepse do më jepej rasti ta njihja nga afër këtë shkrimtar të madh. E quajta privilegj, që do të njihesha me të. Në këto e sipër me një makinë vjen Kadareja, se bashku me shokun e tij, edhe ky shkrimtar, por jo kaq i dëgjuar. Pasi ikën Pipi ata më thonë se “na kanë dërguar të rrimë disa muaj këtu, të punojmë në kooperativë, por më shumë të njohim njerëzit e thjeshtë, kooperativistët”. Edhe ata thanë variantin zyrtar, dhe s’kishe si të ndodhte ndryshe.

Si do të vepronit me këta dy shkrimtarë, në punët e bujqësisë?

Mua nuk më tha njeri që ata duhet t’i ngarkoja me punë, e as për gjë tjetër. Kur hymë brenda në zyrë ata më pyesin mua se si do bënin për ditët në vazhdim. Unë u them se për të fjetur kisha disa variante. I pyeta se ku doni të sistemoheshin, sepse kishim edhe një hyrje që kooperativa e përdorte si vend pritje, ose me dëshirën e tyre në ndonjë familje. Ata nuk treguan ndonjë preferencë të veçantë. I pyes në mos donin të flini në Fier, pasi qyteti ishte relativisht afër e mund t’i ndihmoja unë me mjetin e kooperativës për t’i çuara e sjellë përsëri. Gjithashtu nga ana ime u thashë se do t’i vija në dispozicion përgjegjësin e kulturës Themi Spiron, dhe ata mund të përdornin që nga kinemaja e sallën e kulturës e bibliotekën. Ndaj çfarë problemesh të kishin të m’i thoshin.

Sa kohë do të qëndronte Kadare dhe Qafzezi në Seman?

Ndodhi një gjë, që mua më habiti. Pas 15 ditëve më thonë se nuk do rrimë këtu në Seman, sepse do të shkojmë në Agimi-Libofshë. “U ka mbetur gjë qejfi me trajtimin që u kemi bërë apo keni ndonjë hall tjetër?” “Jo,- më thanë,- ndaj teje nuk kemi asnjë ankesë, por ashtu është puna, do shkojmë në Libofshë”. Kaq ishte gjitha historia dhe unë marr veshë realitetin e çuarjes në Libofshë, kur u botua libri “Pesha e Kryqit”, në vitet 90-të të shekullit të kaluar.

Me kaq do të ndërpriteshin marrëdhëniet tuaja me këta dy shkrimtarë?

Në fakt jo. Dhe meqenëse jam këtu, te marrëdhëniet më Ismail Kadarenë, po konsumoj edhe disa ngjarje që ndodhën më vonë. Në vitin 1976 Kadareja shkon në Seman për të bërë disa reportazhe për shtypin e ditës. Ai u gdhi një natë aty dhe në mëngjes pyeti se diçka mungon në këtë kooperativë. “Po Llaqin, kryetarin që e takova vjet këtu ku është?” - kish pyetur ai. I shpjeguan se isha transferuar në Tiranë. Kur kthehet në Tiranë më vjen në Ministrinë e Bujqësisë dhe më fton për një kafe në shtëpinë e tij. I them se nuk ia dija shtëpinë. Më premton se do të vinte të më merrte vetë. Lamë orën se kur do takoheshim. Vajta në shtëpinë e Kadaresë. Aty, veç Elenës, ishte edhe i ati i saj, që ishte nga Fieri. Bëmë muhabet të lirë, kujtuam atë kohë kur Kadareja ishte Seman. Biseda qe shumë e përzemërt dhe unë u kënaqa që takova edhe familjen e tij.

A do të takoheshin sërish me të dhe në çfarë kushtesh?

Kalonin vitet dhe mua më ndodhi që u dënova me burg. Asnjëherë nuk u takova me Kadarenë. Aty nga viti 1990, pasi kisha dalë nga burgu, i bëj një letër Kadaresë që të shihte mundësinë e rehabilitimi tim politik. Dhënien e letrës e bëri të mundur Aristotel Mici, me të cilin kish njohje që në Fier. Ai e takoi tek shkallët e Pallatit të Kulturës, ku Ismail Kadare ishte në shoqërinë e Neshat Tozajt. E kishte lexuar letrën në prani të Neshatit dhe i thotë atij: “Që të bëhet kjo që kërkon Llaqi, duhet të ndryshoj regjimi”. Këto fjalë më përcolli miku im Aristoteli. Pas dy ditësh dëgjoj në lajme se Ismail Kadare ishte “arratisur”. Mendja më shkoi te letra ime. “Do futem përsëri në burg më duket”. Këtë mendova, kur përfytyroja që do sekuestronin dokumentet e Kadaresë dhe aty do gjenin edhe letrën time. Por nuk ndodhi gjë. Si duket letrën e kishte marrë me vete. Në vitin 1991 Aleksandër Jorgaqi më sjell librin e Ismail Kadaresë “Pesha e kryqit”, por sa për ta lexuar Në këtë libër ishte shkruar edhe ajo që u thashë më lartë. Libri ishte botuar në Francë nga shtëpia botuese “Fayard”, në gjuhën frënge dhe pak tirazh në gjuhën shqipe. Kështu që në Shqipëri kishin ardhur shumë pak kopje. Ja ktheva përsëri librin Aleksandrit.

Në vitet e demokracisë jeni takuar me Kadarenë?

Po, në vitit 2001, te “Piramida” ishte hapur panairi i radhës i librit. Shkoj aty dhe blej një nga librat e Kadaresë. Ai ishte ulur në një tavolinë dhe u bënte autograf atyre që blinin librin e tij. Vete dhe unë. Kishte kaluar mjaft kohë pa u parë, që nga viti 1976. I them se jam Llaqi nga Semani. E ndërpreu punën dhe u takua me shumë përzemërsi. -Më prit një çerek ore dhe do të pimë një kafe aty në hyrje, -tha ai. Kështu bëri. Ishte së bashku me Bujar Hudhrin, botuesin. I tregoj për librin “Pesha e kryqit” se si ma kishte dhënë Aleksandri dhe e kisha lexuar, por doja patjetër një kopje të tij. Më tha: “Unë nuk kam këtu, kur të shkoj në Francë do të ta nisë”. Në çast u kujtua! “Jepja ti Bujar një kopje se ta sjell unë një tjetër!” - iu drejtua Bujarit. Pas disa ditësh i vajta Bujarit i cili më dha kopjen e vetme të atij libri. Atëherë i them: “Dua një autograf këtu”. Mori në telefon Ismailin që ndodhej në Tiranë dhe i thotë për kërkesën time. “Eja në shtëpi” – na ftoi ai. Vajtëm në shtëpi, pasi pimë kafe më shënoi në libër këtë autograf: “Llaqi Jankos, kujtim nga vitet e errëta që përshkruhen në këtë libër, në shenjë miqësie dhe mirënjohje për mikpritjen në Seman, në prag të kaluarit tënd”. Ismail Kadare 8 Nëntor 2001”.

Stërvitja “Semani” Mehmet Shehu si e shkarkoi komandantin e tankeve

Në vjeshtën e vitit 1963 te ne erdhi Mehmet Shehu. Ai i mëshoi anës ekonomike, si ishin zbatuar detyrat dhe dha porosi të forta. Por dua të tregoj edhe një ndodhi pas një stërvitje të madhe që u bë me ushtrinë e u quajt stërvitja “Semani”. Mehmet Shehu mes të tjerave donte të provonte kalimin e tankeve në kanalet e dyta kulluese. Duke shkuar për në qendër të kooperativës sekretari i parë i rrethit, me një makinë, po merrte rrugës kooperativistë të rastit. Duheshin 17 njerëz për të kryer një detyrë, por nuk kishte kohë që të gjendeshin drejtuesit e kooperativës e t’i sillnin njerëzit. Më lajmërojnë edhe mua se kishte ardhur Mehmet Shehu, ndaj të paraqitesha te ai. Mehmeti kishte qëndruar në fund të rrugës së asfaltuar, që të çonte në Seman. Ai kishte zbritur nga makina dhe kishte marrë sedilen e saj, e qe ulur pikërisht në mes të rrugës. Aty pranë ishte një kanal i dytë kullues, që relativisht ishte thellë. Ndërkohë mbërrijnë edhe17 vetë që i kishte kërkuar ai. Ashtu ulur siç ishte, u thotë: “E shikoni atë kanal. Për ½ ore dua që t’i zbusni nga dy anët skarpatin, aq sa tanku të mund të kaloj. Unë jam ‘gjermani’ dhe tani po u them filloni!”. Pa e zgjatur ata filluan me lopata dhe e realizuan atë për 18 minuta. Ndërkohë më pyet mua. “Sa traktor me plugje “martineli” duhen që, për 48 orë, ta plugojnë gjithë brezin bregdetar nga gryka e lumit Seman deri te gryka e lumit Vjosë në një gjerësi prej 600 m?”. Bëjë një llogari dhe i them shifrën e traktorëve. Ndërkohë skarpati i kanalit kullues kishte përfunduar. Urdhërojnë një tank që ta kalonte. Tanku futet në kanal dhe në kohën që do të dilte nga ana tjetër, gryka e topit i zë në fundin e kanalit e ai mbeti aty. Mehmeti u revoltua shumë dhe tha që të përgatite një kalim tjetër. Kështu u bë. Në tankun e dytë ekuipazhi ishte me oficerë. Ata e vunë grykën e topit anash. Në këtë mënyrë kaloi pa vështirësi. Mehmeti kërkoi që t’i çonin tankistin ta përshëndeste personalisht. I paraqitet një tankist ushtar. E përshëndeti, bëri edhe fotografi me të, madje më ftoi edhe mua të dilnim në fotografi. Pas disa kohe i thonë se në Seman të kanë gënjyer. Nuk ishte ushtari që e kaloi tankun por një oficer. Thonë se u xhindos. Dha alarm në brigadën e tankeve. Komandanti, Demo Liçi, një oficer i zoti dhe me emër në Fier, u shkarkua dhe ai nga sedra e stresi u sëmur dhe pas pak kohe ndërroi jetë.

Enveri në Seman, fotografi në çdo shtëpi

Po përshkruaj një vizitë në Seman të Enver Hoxhës, në 31 maj 1963, që tregon se si përjetoheshin atëherë takimet e këtij niveli. Ishte 30 maj 1963. Në mes të natës, në shtëpi më erdhi roja i kooperativë. “Të kërkojnë në zyrë”, - më tha. U vesha dhe pak i merakosur, po mendoja se çfarë ishte kjo kërkesë aq me ngut. Kur mbërrita atje gjeta kryetaren e kooperativës Naunka Bozo, Sekretarin e byrosë së partisë Jani Koçi dhe kryetarin e këshillit popullor të fshatit të bashkuar. Ata po sistemonin zyrat, po shihnin edhe një herë agjitacionin figurativë, dhe ndonjë rregullim tjetër. “Çka ndodhur?”, - pyes Naunkën. “Po ta them,- mu përgjigj ajo,- por mirë është që t’ia mos ja thuash asnjë tjetri. Nesër do vijë për një vizitë në ekonominë tonë shoku Enver. Eja të rregullojmë ndonjë gjë në zyra, prandaj të lajmërova me rojën”. Isha pak i lodhur, megjithatë u ndjeva i emocionuar që do të takoja udhëheqësin e Partisë. Ai ishte bërë si legjendë. Ta takoje atë afër ishte një privilegj shumë i madh, që nuk i takonte kujtdo. Punuam deri në mëngjes. Enverin do ta prisnim në kufi të fshatit, rreth 3 km larg nga qendra e kooperativës. I hipëm kaloshinës, Naunka, sekretari i byrosë dhe unë. Ndërsa udhëtonim vrojtonim edhe rrugën, mos kishte ndonjë pengesë për kalimin e makinës. Në këto e sipër arritëm atje ku kishim objektiv. Nuk kaloi shumë dhe shohim dy makina. Ndaloi makina e parë dhe pamë se brenda ishte Enver Hoxha, shoqëruar nga Pirro Dodbiba, atëherë sekretar i parë i Fierit. Morën brenda Naunkën. Unë e sekretari i byrosë hymë në makinën e dytë. Kur kishim bërë pak rrugë, unë flas në makinën ku isha me shoqëruesit se do ishte mirë që të merrnim rrugën djathtas, e cila ishte më pak e rrahur dhe toka ishte me butë, aluvionale.

U fol me radio dhe makina e parë mori djathtas dhe vijuam jo në rrugën që kontrolluam ne por në një rrugë që kalonte midis tokave të mbjella dhe me të vërtetë kjo ishte më mirë. Kështu mbërritëm në qendër të kooperativës. U futëm në zyrën e sekretarit të byrosë. Jani desh t’ia linte kreun Enverit, por ai i tha se aty e ka vendin i zoti i shtëpisë. U ul anash. Një raportim i shkurtër. Fushata e mbjelljeve kishte mbaruar dhe ishim në kulmin e shërbimeve të bimëve pranverore, sidomos prashitjeve, që të gjitha bëheshin me krahë. Enveri na tha: “hajde të dalim në fushë dhe atje duke ecur të takojmë njerëz e të bisedojmë”! Në ato vite ai ishte 55 vjeç dhe rrezatonte energji, dhe pse të mos e them edhe një bukuri të veçantë. U bënë takime në arë, por edhe fotografi. Fotografi Stavri, nga Fieri atë ditë e shkrepi shumë herë aparatin. Nga gazetarët e shoqëronte Milto Ferra, për “Zërin e popullit”, Faik Sina nga ATSH-ja dhe një nga Fieri për gazetën “Bashkimi”. Pasi mbaroi parcela dhe po afronte dreka, ashtu ishte pozicioni, që në fund të parcelës, ishte një shtëpi. Kështu përfunduam te shtëpia e Llazi Stronit (kishim përgatitur tjetër shtëpi për vizitë). Ajo ishte një shtëpi e mirë, për atë kohë. I zoti i shtëpisë e ftoi Enverin brenda. Aty biseda ishte e lirshme. E pyeti të zonjën e shtëpisë se si i ushqen pjesëtarët e familjes, veçanërisht ata që shkojnë në punë. I tregoi edhe makinën e tij dhe i tha: “E sheh atë makinë. Po të mos i hedh benzinë që në mëngjes ajo nuk më sjellë dot deri këtu”. Në këtë familje vetëm sa piu një kafe dhe u bënë shumë fotografi. Në oborr të shtëpisë ishte një plep shumë i lartë. Kur dolëm në majë të tij ishte çift lejlekësh. Ata përplasën fortë sqepin me njeri-tjetrin, sa, në atë mjedis të qetë fushor, u dëgjua shumë. Mbaj mend se i thashë. “Shoku Enver edhe lejlekët po duartrokasin për ju”. Qeshi dhe Stavri e fotografoi atë çift lejlekësh. Pas kësaj shkuam në shkollën 7-vjeçare. Edhe atje takim me nxënës e mësues. Dua të theksoj se nuk pati ndonjë fjalim, ai më shumë dëgjonte dhe shikonte. Sigurisht bënte edhe shumë fotografi, duke ua plotësuar kërkesën kujtdo që takonte.

Nga ministria në qeli

Llaqi Janko u lind më 19 maj 1940 në Seman. Në vitin 1958 përfundon kursin e plotë të shkollës së mesme profesionale Teknikumin Agroteknik, Fier. Më 1963 diplomohet në Institutin e Lartë Bujqësor. Nga bankat e fakultetit emërohet në fshatin e tij të lindjes. Në fillim ishte kryeagronom i saj, e më vonë, anëtarët e kooperativës e zgjodhën kryetar. Puna e tij u cilësua shumë të suksesshme, ndaj u emërua drejtor i Drejtorisë së Kooperativave në Ministrinë e Bujqësisë. Kjo drejtori mbante peshë të madhe në Ministri, dhe drejtori i saj ishte një person i njohur në të gjitha nivelet e larta, si të Partisë edhe të Qeverisë. Por në qershorin e vitit 1980 thirret në hetuesi me akuzën e implementimit në organizimin e sistemit bujqësor shqiptar të “vetadministrimit Jugosllav”. U dënua 15 vjet nga të cilat bëri 7 prej tyre

Vlerësimi i Hysni Kapos

Thotë se si kryetar kooperative e mbylli viti 1968 me rezultate shumë të mira. “Erdhi analiza ekonomiko-financiare dhe shtrimi i detyrave për vitin 1969. Si zakonisht në muajin shkurt. Në këtë mbledhje mori pjesë Hysni Kapo, sekretar i KQ të Partisë, por edhe një nga figurat më kryesore të partisë dhe me shumë autoritete. Nga rrethi ishte sekretar i Parë i KP të Rrethit Fier, Petraq Magjistari. Mbledhja filloi me vonesë, ose më mirë të them mbas dite. U dha raporti, u bënë pyetje rreth raportit. Pastaj foli Hysni Kapo, i cili vlerësoi lart arritjet e kooperativës së Semanit, duke e cilësuar model për rrethin, por edhe për tërë Myzeqenë”, thotë Llaqi Janko.

Kadare për Jankon

Tek libri “Pesha e Kryqit” Ismail Kadare shkruan: “Në Seman mbërritëm në muzg. Na priti kryetari i posa emëruar i kooperativës, një agronom i ri flokçelët, me sy që i ndrinin gëzueshëm dhe me një emër po aq të lehtë dhe gazmor, Llaqi Janko. E di ç’ju ka ndodhur, më tha, në shtëpinë e tij, pas darke, pranë oxhakut. Sytë e tij ishin zhbirues, plot etje për të marrë vesh ç’ndodhte atje lartë, në sferat e padukshme të socializmit. Ndoshta ishte hera e parë që takonte dikë me të cilin shteti diktatorial, shteti i tmerrshëm diktatorial, kishte një konflikt gjysmë të shpallur. Kur ca kohë më pas mora vesh se qe dënuar me pesëdhjetë vjet burg për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit. Shumë herë kam menduar se ndoshta zanafilla e së keqes së tij kishte nisur atë mbrëmje të ftohtë vjeshte, kur kishte ftuar për darkë dy kryeqytetas të mallkuar. Pas dy javësh erdhi një xhips i komitetit të partisë për të na marrë. Shpjegimi ishte i shkurtër: do të shkonim në një kooperativë tjetër. Shkaku merrej me mend: kryetari Semanit qe treguar tepër i butë me ne.”
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi