Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Radha e pritjes zhvendoset nga Ministria te BE-ja Empty Radha e pritjes zhvendoset nga Ministria te BE-ja

Thu 7 Jun 2012 - 19:27
Radha e pritjes zhvendoset nga Ministria te BE-ja Papunesia-300x162Elsa Demo

Politikat e Ministrisë së Kulturës për Projektet e Artit dhe Kulturës ndodhen në një moment tranzitor që e ka vështirësuar bashkëpunimin me individë dhe shoqata që deri dje merrnin mbështetje financiare nga shteti. U deshën dy vjet që në rrugë ligjore të strukturohej ngritja e një Qendre Kombëtare për Artin dhe Kulturën e cila afërsisht duhet të ekonomisë një buxhet 1.2 milionë euro për projekte artistike. Sigurisht që Qendra me kryetar Frrok Çupin, nuk ka as gjysmën e atyre parave, sepse për të gjithë ky është “Viti i Pavarësisë”, domethënë viti i kufizimeve.

Për të gjithë drejtuesit e shoqatave që merren me një aktivitet artistik e që deri dje kanë përfituar mbështetje financiare nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kjo e fundit u tregon rrugën që duhet të ndjekin këtej e tutje: programim e BE-së për kulturën, prej të cilit Shqipëria mund të kishte përfituar qysh prej katër vitesh. E në prag të skadimit të afateve, Ministria e Kulturës po përpiqet të kapë kohën e humbur e të informojë njerëzit. Për këtë qëllim organizoi para dy ditësh takimin informues mbi Programet Komunitare “Evropa për Qytetarët 2007-2013” dhe “Kultura 2007-2013”. Ministri i Kulturës Aldo Bumçi përshëndet këto programe që krijojnë hapësirat e duhura për një bashkëpunim kulturor në Evropë, inkurajojnë dhe promovojnë operatorët kulturorë shqiptarë, produktin e tyre artistik për më shumë pjesëmarrje në iniciativat europiane në fushën e kulturës dhe qytetarisë europiane. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, do të jetë pika e kontaktit në nivel kombëtar, e cila ofron ndihmë dhe informacion nevojshëm.

Në programin “Europa për Qytetarët”, Shqipëria merr pjesë që nga viti 2009, dhe gjatë kësaj kohe 23 organizata janë përfituese në projektet e financuara nga BE. Ndërsa në programin “Kultura 2007-2013” është vit i parë, qyshse u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit në Dhjetor 2011 dhe u ratifikua në Parlament para dy javësh. Ministri Bumçi thotë se “kjo është një mundësi e madhe që na jepet dhe duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht”. Këshilltari i tij për artin dhe kulturën, Arben Skënderi, i përgjigjet disa pyetjeve të “Shekullit” për ndryshimin e mbështetjes financiare, të subjekteve private nga MTKRS.

Programi “Kultura 2007-2013” promovon: Lëvizjen transnacionale të aktorëve kulturorë;

Qarkullimin transnacional të veprave dhe produkteve artistike e kulturore; Dialogun ndërkulturor dhe shkëmbimet kulturore. Masa e financimit të projekteve të ndryshme në kuadër të këtyre programeve komunitare varion deri në 600 000 euro, në varësi të llojit dhe kohëzgjatjes së aktivitetit që mendohet të organizohet.



Zoti Skënderi, pse katër vjet vonesë që kultura shqiptare të mund të hynte te programi i BE-së?

Duhej të ishim përfshirë tek ky program në katërvjeçarin e kaluar. Nuk ka ndodhur sepse shteti shqiptar tani i ka plotësuar kushtet dhe ka shlyer detyrimet. Pengesat kanë qenë më shumë të natyrës organizative. Ne duam që gjithë shtetin ta çojmë në Europë.



Çfarë po u shërbeni individëve dhe shoqatave sot?

Informimin që është hapi i parë i prezantimit të këtij projekti për publikun shqiptar. Dhe do përpiqemi ta shpërndajmë sa më tepër këtë informacion për fondet europiane që vihen në dispozicion për shoqatat ose operatorë artistikë në mbarë Europën, por edhe në vendet që janë kandidatë ose post-kandidatë.

Operatorë artistikë, shoqata, individë që ngrenë projekte europiane do të kenë akses në fondet në mënyrë direkte. Kjo ka qenë e mundur edhe më përpara, por obligimi ka qenë që shtetet të nënshkruajnë disa detyrime. Shqipëria ka qenë e vonuar, u arrit më në fund. Programi stimulon decentralizmin e shoqatave, pavarësinë e tyre dhe kjo është garanci edhe për kualitetet, edhe për vazhdimësi.



Çfarë detyrimi kanë individët?

Për të marrë fonde europiane ka edhe detyrime të të njëjtit standard. Shoqatat duhet të kenë tashmë një aktivitet, afatgjatë, të kenë një të kaluar. Për të siguruar fonde serioze duhet edhe aktiviteti të jetë serioz, qoftë administrativ, qoftë edhe në drejtim të impaktit, të jetë përfshijë edhe vende të tjera.



Në fakt, sa të përgjegjshëm dhe të informuar janë krerët e shoqatave për këto shanse?

Janë hapat e parë për shtetin e jo më për shoqatat. Është një program që është folur shumë. Vetë Komuniteti Europian ka problem përçimin e këtij mesazhi deri në celulën më të vogël të Europës, dhe prandaj organizohen forumet e kësaj natyre. Sepse duhet të kuptohet që Europa është një makineri shumë e madhe.



Deri dje këto shoqata janë përplasur te Ministria, edhe vazhdojnë. Pra shteti mbetet i vetmi burim real për zhvillimin e projekteve të artit e të kulturës.

Qëllimi ynë është ky që ministria të mos jetë më i vetmi burim, jo se nuk duam, por në një shoqëri kapitaliste duhet të ndodhë decentralizmi i të gjitha hallkave dhe shteti të jetë bartës i disa principeve. Por arti në Shqipëri duhet që të funksionojë si një mini-industri e vogël dhe shteti të kontribuojë qoftë me politika, qoftë me instrumente, që të lindë kjo mini-industri e cila të jetë vetëfunksionale. Në këtë mënyrë individët nuk do të jenë më te dera e Ministrisë dhe të presin çfarë do të bëhet.



U deshën dy vjet për krijimin e Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës. Nuk ju duket se kjo vonesë i ka asfiksuar aktivitetet private që financoheshin nga Ministria?

Në momentin që flasim Qendra po hedh hapat e parë. I është vënë fondi i veçantë në dispozicion dhe ka filluar të presë projekte.



Ku i bën të ditura qendra këto njoftime? Përse nuk ka transparencë? Përse kryetari Frrok Çupi nuk e bën publik këtë proces dhe zgjedhjen e këshillave të projekteve?

Një gjë është e sigurtë: ka filluar të presë projekte. Unë jam marrë me statutin dhe rregulloren e Qendrës. Kemi synuar që politikat e Ministrisë që i përkasin dhe QKAK, të parashikojnë një fond për krijimtarinë kombëtarë, të jetë një sektor i veçantë brenda Qendrës. Që kjo gjë të mos jetë më sporadike por të dihet që krijuesit kanë një hapësirë të caktuar fondesh dhe një mbështetje që të mund të krijojnë. Edhe ribërja e politikave të brendshme kërkon kohën e vet, sepse duhet të kuptojmë që ka 20 vjet në Shqipëri nuk ka asgjë të parashikuar për krijimtarinë kombëtare. Nuk është e organizuar në një strukturë të veçantë, apo me një logjikë buxhetore të veçantë.



Deri kur Qendra të funksionojë, çdo të behet me projektet, festivalet, botimet, ekspozimet?

Ne vazhdojmë të mbështesim projekte. MTKRS ka të drejtë të menaxhojë fonde, pavarësisht se krijimi i QKAK ka qenë për të lehtësuar MTKRS-në.



Sa buxhet i është akorduar realisht QKAK-së?

Të paktën për këtë vit fondi është menduar t’i jepet me tremujorë, sepse fondet janë të limituara këtë vit dhe gjithë puna do të intensifikohet te aktivitet e Vitit të Pavarësisë.



Vitin e kaluar kishte mjaft aktivitete që dështuan, të tjera u kërcënuan.

Që një festival të bëhet apo të mos bëhet nuk është automatikisht dështim i shtetit.

Në gjithë botën shteti stimulon një aktivitet jo për ta mbajtur 100 vjet, por deri sa të ecë me këmbët e veta. Kur shohim që kemi aktivitete që janë të domosdoshëm, por që logjika e tyre ekonomike është 100% e bartur nga shteti, jemi të detyruar të shtrojmë pyetjen: Prit, e kemi bërë mirë rolin tonë, se ndoshta pa dashje nuk kemi stimuluar ecjen e tyre, por mbajtjen peng. Kështu kthehet në një politikë vegjetuese. Të jemi të sigurtë se në gjithë shtetet e botës buxheti për kulturën fatkeqësisht nuk e kalon 1 për qindëshin.

Duhet që raporti shtet-privat, shtet-biznes të jetë më i ekuilibruar.

Shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi